Prishtinë, më 10 janar 2023
Nr. ref.:RK 2108/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI15/22
Parashtrues
“Kel” Sh. A.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Vendimit nr. 329/2021 të 15 tetorit 2021 të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga shoqëria aksionare “Kel” Sh. A., me seli në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Donjeta Kryeziu nga Suhareka.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Vendimit [nr. 329/2021] të 15 tetorit 2021 të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të lartcekur të ATK-së, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 36.1 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Përveç këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës në ndërkohë ka dorëzuar pretendime shtesë, duke kontestuar dhe kushtetutshmërinë e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, sikundër dhe kushtetutshmërinë e nenit 9 të Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 janar 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 shkurt 2022, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR. KI15/22, caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI15/22 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi -Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 14 shkurt 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua ATK-së.
Më 15 mars 2022, ATK dorëzoi komente në lidhje me kërkesën.
Më 7 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës njoftoi Gjykatën për revokimin e autorizimit të J.U., dhe caktimin e Donjeta Kryeziut si përfaqësuese ligjore në këtë çështje dhe për plotësimin e kërkesës me pretendime shtesë.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës është i regjistruar si shoqëri aksionare me nr. 811333244 për ushtrimin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike dhe instalimit të rrjeteve elektrike, duke ushtruar këtë veprimtari nga viti 2013 e këndej.
Më 21 prill 2021, ATK zhvilloi një kontroll te parashtruesi i kërkesës, ku objekt kontrolli ishin periudhat tatimore, 2 janar 2018 – dhjetor 2018 dhe 1 janar 2015 - dhjetor 2020, përkitazi me TVSh-në. Gjatë kontrollit të kryer, autoritetet e ATK-së konstatuan se parashtruesi i kërkesës, si tatimpagues, nuk kishte mbajtur regjistër kontabël, sipas Ligjit nr.03/L-222 dhe aktit nënligjor përcjellës.
Më 26 korrik 2021, ATK ia dorëzoi parashtruesit të kërkesës Raportin nr. 14131 me të gjeturat e saj.
Më 3 gusht 2021, ATK-ja njoftoi parashtruesin e kërkesës për rivlerësimin e tatimit shtesë.
Më 3 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë pranë divizionit të ankesave në ATK kundër të gjeturave të raportit të ATK-së, të 26 korrikut 2021, me pretendimin se kjo e fundit nuk kishte vërtetuar drejtë të gjitha faturat dhe pagesat që i kishte bërë.
Më 2 nëntor 2021, ATK përkitazi me ankesën e parashtruesit të kërkesës nxori Vendimin nr. 329/2021, me të cilin:
I. Aprovohet pjesërisht e bazuar ankesa nr.329/2021 të datës 03.10.2021 e tatimpaguesit "KEL"SHA, me NUI: 811333244, me pronar Jeton Ukësmajli, me seli të biznesit në rrugën Nerodime e Epërme-Ferizaj, në mbështetje të nenit 132 paragrafi 4, të Ligjit nr. 05/L-031 "Për Procedurën Administrative" në lidhje me paragrafin 2 të nenit 89 të Ligjit NT. 03/L-222 "Për Administratën Tatimore dhe Procedurat";
II. Ndryshohen njoftim-rivlerësimet e tatimit shtesë duke i pranuar si shpenzim, pagat dhe kontributet për periudhat CD-20IS, 2019 dhe 2020, sipas njoftim vlerësimeve të përpunuara në sistemin e Teknologjisë Informative të ATK-së, në "Sigtas", pas ankesës;
III. Ndërsa refuzohet pjesa tjetër e ankesës lidhur me qarkullimin shtesë që ka rezultuar nga deponimet dhe mungesa e faturave të blerjes për periudhat e kontrollit –gjegjësisht mbetet sipas vlerësimit nga raporti i kontrollit nr.14131 dt.26.07.2021.
IV. Procedura e ankesës nuk ndërprenë obligimin e tatimpaguesit për pagesë të detyrimeve tatimore (tatim, ndëshkime dhe interes), në përputhje me nenin 9, paragrafin 1 të Ligjit nr. 04/L-l02 për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit nr.03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.
Nga shkresat e lëndës vërehet se parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të lartcekur të ATK-së, ka kërkuar mbrojte gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative dhe është në pritje të përfundimit të procedurave të rregullta.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës pretendon se Vendimi i kontestuar i ATK-së është nxjerrë në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës, sepse ATK: (i) ka ngatërruar të hyrat e aksionarit me të hyrat e shoqërisë aksionare, duke shkelur kështu të drejtën e privatësisë së aksionarit J.U., të garantuar me nenin 36.1 të Kushtetutës; (ii) se nuk ka mbajtur seancë dëgjimore për çështjen; (iii) se vendimi i saj është i njëanshëm, sepse nuk ka marrë parasysh pretendimet e ngritura në ankesë; (vi) se ka vendosur kamata të larta dhe kamata mbi kamata; (v) se nuk ka marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike të tij, si tatimpagues; dhe (vi) se është ngarkuar me tatim vetëm mbi bazën e qarkullimit bankar.
Përveç tjerash, parashtruesi i kërkesës pretendon se Ligji nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat është i njëanshëm, dhe si i tillë jokushtetues dhe joligjor, sikundër dhe neni 9 i Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, me arsyetimin se: “... është i nxjerrur nga votimi i mazhorancës (shumicës) parlamentare, për interesa grupore dhe individuale e politike, por nuk është provuar më parë në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e saj. Gjithashtu është i kundërligjshëm dhe shkel pavarësinë e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të bizneseve, socio-ekonomike përmes njëanshmërisë në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L- 016 për Shoqëritë Tregtare”.
Dispozitat relevante kushtetuese
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 36
[E Drejta e Privatësisë]
“1. Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 21.4, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç parashikohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], që parasheh:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngrit kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata po ashtu në dritën e rrethanave të rastit konkret i referohet rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar”.
[...]
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës fillimisht në gjykatë ka ngritur pretendime për shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 36.1 të Kushtetutës, nga ana e ATK-së, nëpërmjet Vendimit nr. 329/2021 të 15 tetorit 2021, për arsyet e përmendura më sipër. Përveç pretendimit në fjalë, parashtruesi i kërkesës në plotësimin e kërkesës së tij ka ngritur edhe pretendime për jokushtetutshmërinë e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe jokushtetutshmërinë e nenit 9 të Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshim - Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, me pretendimin se ky ligj është i njëanshëm, kundërkushtetues sepse është votuar nga një shumicë parlamentare për interesa grupore, dhe se ky ligj është kundërligjor sepse bie ndesh me Ligjin nr. 06/L- 016 për Shoqëritë Tregtare.
Gjykata, duke u bazuar në shkresat e lëndës dhe siç e pohon edhe vetë parashtruesi i kërkesës, vëren se ndaj Vendimit [nr. 329/2021] të 15 tetorit 2021 të ATK-së, i njëjti ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti për çështje administrative, dhe se është në pritje të vendimmarrjes, gjegjësisht të përfundimit të procedurave pranë gjykatave të rregullta.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ka shteruar të gjitha mjetet e rregullta juridike, edhe sa i përket kontestimit të kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 329/2021] të 15 tetorit 2021 të ATK-së, por edhe sa i përket kontestimit të kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si Ligjin nr. 04/L-102 për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përderisa kontestimi i jokushtetutshmërisë së Vendimit të ATK-së, në të vërtetë ndërlidhet edhe me jokushtetutshmërinë e Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.
Gjykata, tutje rikujton se, sipas nenit 113.8 të Kushtetutës, përveç gjykatave të rregullta, të drejtën për të iniciuar kontroll konkret, për vlerësim të kushtetutshmërisë së një ligji mund ta ushtrojnë edhe individët (personat fizikë dhe juridikë). Por këtë ata mund ta bëjnë vetëm përgjatë procedurës së rregullt në gjykatat e rregullta dhe në të tilla raste gjykatat e rregullta e kanë për detyrë që kërkesat e parashtruesve për jokushtetutshmëri të ligjit t’i shqyrtojnë dhe të vendosin se a kanë nevojë të miratohen apo jo. Në rast se edhe gjykatat e rregullta kanë dyshime për kushtetutshmërinë e një dispozite ligjore dhe konsiderojnë se nuk mund ta zbatojnë atë vet, atëherë rasti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me nenin 113.8 të Kushtetutës (shih, Gjykata Kushtetuese, rastin KI56/19, parashtrues: Xhevat Thaqi, Aktvendimi i 29 prillit 2020, paragrafët 55 dhe 56).
Në dritën e rrethanave të këtij rasti dhe asaj që u tha më lart, dhe përderisa parashtruesi i kërkesës ka ende mjete juridike në dispozicion për të ndjekur realizimin e të drejtave të tij kushtetuese, Gjykata, bazuar në parimin e subsidiaritetit, nuk e sheh të arsyeshme të ndërhyjë në këtë çështje juridike (shih, ngjashëm rastin e Gjykatës, KI136/19, parashtrues: SHPK “COCOLINA”, Aktvendimi i 28 prillit 2021, paragrafi 93).
Gjykata në vazhdimësi e respekton parimin e subsidiaritetit, duke konsideruar se të gjithë parashtruesit e kërkesave duhet të shterojnë të gjitha mundësitë procedurale në procedurat para gjykatave të rregullta, me qëllim që të parandalojnë shkeljen e Kushtetutës ose, nëse ka, të korrigjojnë shkeljen e tillë të një të drejte themelore të garantuar me Kushtetutë (shih, rastin, KI136/19, parashtrues: SHPK “CO COLINA”, Aktvendimi i 28 prillit 2021, paragrafi 94).
Gjykata, nëpërmjet praktikës së saj gjyqësore, ka theksuar se qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjet efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Ky është një aspekt i rëndësishëm i karakterit subsidiar të makinerisë së drejtësisë kushtetuese (Shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNj-së: Selmouni kundër Francës, nr. 25803/94, Aktgjykim i 28 korrikut 1999, paragrafi 74; dhe ndër të tjera, shih edhe rastin e Gjykatës KI147/18, me parashtrues Arbër Hadri, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 tetorit 2019, paragrafi 42 dhe referencat e përdoruara aty, dhe së fundmi rastin, KI136/19, citur më lart, paragrafi 95).
Përfundimisht, Gjykata konstaton se në rrethanat e rastit konkret parashtruesi i kërkesës ka ende në dispozicion mekanizma ligjor për t’u ankuar dhe për t’i realizuar të drejtat e tij, të cilat pretendon se iu janë shkelur. Andaj, duke qenë se ai është ankuar në procedura të rregullta gjyqësore, kërkesa e tanishme konsiderohet e parakohshme dhe duhet të refuzohet si e papranueshme.
Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se nuk janë shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47.2 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 dhjetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
“Kel” Sh.A.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative