Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit [Nr.06/L-155] për Ndalimin e Lojërave të Fatit

Nr. të lëndës KI 136/19

Parashtruesit: SHPK “CO COLINA”

Shkarko:

KI136/19 Parashtrues: SHPK “CO COLINA”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit [Nr.06/L-155] për Ndalimin e Lojërave të Fatit

KI 136/19, Aktvendim për papranueshmëri i 28 prillit 2021, publikuar më 19 maj 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së ligjit, kërkesë e papranueshme, mosshterrje e mjeteve juridike, kërkesë e parakohshme

Kërkesa ishte dorëzuar nga SHPK “CO COLINA” të cilët i përfaqësonte z. Bashkim Latifi, avokat nga Prishtina.

Parashtruesi i kërkesës kontestonte nenin 1 të Ligjit nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën pretendimin se ky Ligj ia ka shkelur atij të drejtat e mbrojtura me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendon se është viktimë direkte e Ligjit të kontestuar ngase përkundër licencës dhe lejes së punës valide që kishte “Ligji në mënyrë të drejtpërdrejtë, të menjëhershme, pa kërkuar ndonjë masë tjetër zbatuese ka ndaluar lojërat e fatit dhe, de facto, ka revokuar licencën për ushtrimin e veprimtarisë së bastoreve sportive, duke e bërë çdo ushtrim të këtij aktiviteti pas hyrjes në fuqi të tij të paligjshëm”.

Lidhur me këtë kërkesë, Gjykata vërejti se para se ta dorëzonte kërkesën e tij në Gjykatë parashtruesi gjithashtu kishte dorëzuar një padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 5 gusht 2019 kundër Administratës Tatimore të Kosovës, respektivisht disa javë para se ta dorëzojë kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë procedurë, Gjykata ishte njoftuar vetëm pasi që kishte kërkuar sqarime shtesë nga parashtruesi i kërkesës.

Në këtë aspekt, Gjykata vërejti se përkundër pretendimit të parashtruesit të kërkesës për mos ekzistencë të masave zbatuese, në fakt janë nxjerrë disa “akte, vendime apo masa zbatuese” të cilat kanë shërbyer për të zbatuar Ligjin e kontestuar. Aktet në fjalë të nxjerra nga Administrata Tatimore e Kosovës [shih Njoftimin nr. ATK/DLF07/18-2019 i 3 majit 2019 dhe Vendimi nr. 238/2019 i 4 korrik 2019] parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi ligjore që t’i kontestoj në procedurë administrative para gjykatave të rregullta, siç edhe kishte bërë, por nuk e kishte njoftuar Gjykatën.

Andaj, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit se nuk ekziston asnjë akt, vendim apo masë zbatuese që është nxjerrë bazuar në Ligjin e kontestuar – është pretendim i pasaktë dhe i paargumentuar nga ai. Kjo për faktin se bazuar në dispozitat e Ligjit të kontestuar, autoritetet relevante publike, më specifikisht Administrata Tatimore e Kosovës, kanë reaguar dhe kanë ndërmarrë masa për të ndërprerë licencën dhe lejen e punës së parashtruesit të kërkesës të cilat i kishte fituar me legjislacionin e kaluar të aplikueshëm për lojërat e fatit në Republikën e Kosovës. Nga kjo rrjedh se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë që ka pasur ndërhyrje në të drejtat dhe liritë e tij pa ndonjë masë zbatuese pasuese.

Gjykata vërejti gjithashtu se, padia për konflikt administrativ e iniciuar nga parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit [nr. 238/2019] të Administratës Tatimore të Kosovës në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 5 gusht 2019 – është një proces gjyqësor i cili veçse është në shqyrtim e sipër. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shqyrtuar padinë në fjalë dhe ka vendosur që atë ta refuzojë si të pabazuar më 12 shkurt 2021. Nga këshilla juridike në vendim të Gjykatës Themelore por edhe bazuar në dispozitat e legjislacionit në fuqi, parashtruesi i kërkesës ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë kohë që të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Për më tepër, Gjykata gjithashtu vërejti se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar nga gjykatat e rregullta që ta referojnë çështjen e kushtetutshmërisë së ligjit në Gjykatën Kushtetuese bazuar në nenin 113.8 të Kushtetutës. Gjykata theksoi që edhe kjo çështje mund të jetë potencialisht pjesë e vendimmarrjes së ardhshme së gjyqësorit të rregullt andaj dhe Gjykata duhet të përmbahet nga çdo lloj deklarimi paraprak përkitazi me këtë aspekt në këtë fazë ashtu që të mos paragjykojë zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë çështje.

Në dritë të këtyre argumenteve dhe përderisa çështje të ndryshme lidhur me këtë rast mund të jenë akoma në procedim para gjykatave të rregullta dhe përderisa parashtruesi i kërkesës ka akoma mjete juridike në dispozicion për të ndjekur realizimin e të drejtave të tij kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, bazuar në parimin e subsidiaritetit, nuk e konsideroi të arsyeshme të ndërhyjë në këtë çështje.

Siç ka theksuar Gjykata në vazhdimësi përmes praktikës së saj gjyqësore, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është t’u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjet efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë.

Përfundimisht, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret kanë ekzistuar masa zbatuese për të cilat ai ka mundur të ankohet në mënyrë që të realizojë të drejtat dhe liritë e tij të cilat pretendon se iu janë shkelur. Duke qenë se ai është ankuar për ato masa në procedura të rregullta gjyqësore, kërkesa e tanishme konsiderohet si e parakohshme dhe u refuzua si e papranueshme bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 49 të Ligjit si dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Për fund, duhet të qartësohet gjithashtu fakti se Gjykata nuk paragjykon në asnjë mënyrë kushtetutshmërinë e Ligjit të kontestuar e as kushtetutshmërinë e zbatimit të atij Ligji në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës. Në këtë rast, Gjykata nuk është marrë me vlerësime të tilla por është ndalë në nivel të vlerësimit procedural të kushteve të pranueshmërisë.

Parashtruesit:

SHPK “CO COLINA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative