Prishtinë, më 18 maj 2023
Nr. ref.:RK 2180/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI130/22
Parashtrues
Florina Jerliu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Rregullores nr. 04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 31 majit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Florina Jerliu nga Gjilani (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Rregullores nr.04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjen dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 31 majit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e kontestuar e KGJK-së).
Parashtruesja e kërkesës po ashtu kërkon caktim të masës së përkohshme me qëllim të “Të aprovohet si bazuar kërkesa e palës së dëmtuar znj. Florina jerliu, Administratore pranë Gjykatëse Themelore në Gjilan, ashtu që deri në nxjerrjen e Aktvendimit-Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese për Rregulloren Nr. 04/2022 për ‘Procedurën e rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave’ Gjykata Kushtetuese të vendosë ‘MASË TË PËRKOHSHME’ sipas RREGULORES SË PUNËS SË GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS Nr. 01/2018/ Rregulli 56 dhe 57.”
Parashtruesja e kërkesës po ashtu ka kërkuar moszbulim të identitetit.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Rregullores së kontestuar të KGJK-së, përmes së cilës pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 31 gusht 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI130/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 12 shtator 2022, parashtruesja e kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe nga një kopje iu dërgua KGJK-së.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 24 janar 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi dokumente shtesë me ç’rast kërkoi caktimin e masave të përkohshme.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Gjykata si çështje paraprake vëren se parashtruesja e kërkesës më parë kishte dorëzuar kërkesë në Gjykatë e cila ishte regjistruar me nr. KI190/18. Në rastin KI190/18, parashtruesja e kërkesës kishte kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore A.nr.1531/16, të 5 shtatorit 2018 dhe Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, A.nr.719/2018 të 4 dhjetorit 2018.
Në rastin KI190/18, Gjykata nxjerri Vendim për Hedhje Poshtë të Kërkesës për shkak se ndërkohë pozita e parashtrueses së kërkesës kishte ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme sepse rasti ishte zgjidhur në dobi të saj ashtu që në procedurë pranë Gjykatës kërkesa KI190/18 kishte mbetur pa objekt çështjeje (shih rastin e Gjykatës KI190/18, parashtruese Florina Jerliu, Vendim për Hedhje Poshtë të Kërkesës i 27 marsit 2019).
Gjykata po ashtu vëren se kërkesa e tanishme e dorëzuar nga parashtruesja e kërkesës nuk është e ndërlidhur dhe qartazi dallon nga kërkesa KI190/18. Rrjedhimisht, nuk ka kurrfarë pengese procedurale që Gjykata të procedojë me vlerësim të kushtetutshmërisë të kërkesës së tanishme KI130/22.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 26 shkurt 2016 Sekretariati i KGJK-së kishte shpallur konkurs për pozitën Administrator në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Konkursi ishte shpallur konform nenit 17 dhe nenit 27 pika 1 të Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Kosovës bazuar në Ligjin Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Më 19 shtator 2016, pas procedurave të testimeve me shkrim dhe me gojë, parashtruesja e kërkesës ishte zgjedhur në pozitën Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Pas periudhës provuese një (1) vjeçare, parashtruesja e kërkesës kishte pranuar Akt-Emërimin pa afat të caktuar për pozitën Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Më 31 maj 2022, KGJK-ja përmes vendimit [KGJK.nr.262/2022] kishte themeluar Komision ad hoc për vlerësimin e performansës së administratorëve të Gjykatave.
Më 29 shtator 2022, Komisioni bazuar në nenin 32.4 [Dispozitat kalimtare] të Rregullores së kontestuar të KGJK-së paraqiti raport për vlerësimin e performansës së parashtrueses së kërkesës.
Komisioni kishte konstatuar: (i) parashtruesja e kërkesës më 19 shtator 2016 ishte zgjedhur Administratore në Gjykatën themelore në Gjilan; (ii) bazuar në Rregulloren e kontestuar të KGJK-së, parashtruesja e kërkesës më 29 korrik 2022 kishte nënshkruar kontratë në kohë të caktuar prej 29 korrik 2022 deri më 28 korrik 2027; (iii) vlerësimi i performansës dhe punës së parashtrueses së kërkesës bëhet për periudhën e tri (3) viteve paraprake; (iv) Komisioni kishte theksuar se bazuar në nenin 32.3 të Rregullores së kontestuar të KGJK-së gjatë vlerësimit të perfomansës së parashtrueses së kërkesës kishte pasur parasysh: a) mendimin e kryetarit të gjykatës përkatëse, në të cilin ushtron funksionin parashtruesja e kërkesës; b) vlerësimin e performansës së parashtrueses së kërkesës në tri (3) vitet e fundit; c) zbatimin e planeve strategjike të KGJK-së dhe gjykatës nga parashtruesja e kërkesës; ç) përmbushjen e përgjegjësive ligjor edhe sipas akteve të brendshme të administratorëve; dhe, d) sanksionet disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës, nëse ka, në tri (3) vitet e fundit, por pa u kufizuar edhe në çështjet tjera që janë përgjegjësi e parashtrueses së kërkesës.
Bazuar në kriteret e sipërpërmendura për vlerësimin e performansës së parashtrueses së kërkesës, Komisioni ad hoc kishte konstatuar: “Komisioni pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjithë dokumentacionit të gjendur në dosje të lëndës dhe nga të cekurat si më lart, ka KONSTATUAR se znj. Florina Jerliu, nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara për performansën e kërkuar sipas nenit 32 par. 3, të Rregullores Nr. 04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave. Andaj REKOMANDOHET Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që znj. Jerliu t’i ndërprehet kontrata e punës si Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan, por të njëjtës duke pasur parasysh kualifikimet, t’i caktohet ndonjë pozitë tjetër në gjykatën përkatëse apo degë të saj.”
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se me Rregulloren e kontestuar të KGJK-së i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Parashtruesja e kërkesës pretendon: (i) përmes Rregullores të kontestuar të KGJK-së në mënyrë arbitrare i është marrë mandati të cilin e kishte fituar në mënyrë ligjore me akt-emërimin e datës 19.09.2016; (ii) në mënyrë arbitrare është detyruar ta nënshkruaj kontratën e re me mandat të kufizuar pesë (5) vjeçar bazuar në Rregulloren e kontestuar të KGJK-së.
Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës pretendon: “Më 29.07.2022 jam ftuar nga KGJK-ja dhe në atë moment jam njoftuar për përmbajtjen e kontratës si dhe pasojat për mos nënshkrimin e saj, kontratën e re e kam nënshkruar nga presioni sepse nuk do ta nënshkruaja po atë ditë më 29.07.2022 në mënyrë automatike përjashtohesha nga puna, shih nenin 5 të kontratës.”
Më konkretisht lidhur me Rregulloren e kontestuar të KGJK-së, parashtruesja e kërkesës pretendon: “Problemi qëndron sepse Këshilli Gjyqësor i Kosovës me datë 31.05.2022 ka miratuar Rregulloren nr. 04/2022. Përmes kësaj rregullore ua më ndryshohet statusi në punë dhe nga shërbyesi civil me mandat të përhershëm ose të paafatshëm më bëjnë shërbyes publik, statusi im ndryshohet dhe bëhet kontrata me afat të caktuar dhe nga shërbyesi civil më kthejnë me Ligjin e Punës. ”
Parashtruesja e kërkesës pretendon se me miratimin e Rregullores së kontestuar të KGJK-së, kjo e fundit gabimisht i referohet Ligjit për Zyrtarët Publik dhe Aktgjykimit të Gjykatës në rastin nr. KO203/19.
Parashtruesja pretendon se neni 49 i Kushtetutës është shkelur në dëm të saj sepse në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe në kundërshtim me ligjin i është ndryshuar kontrata me afat të pacaktuar në kontratë me afat të caktuar dhe i është ndryshuar statusi nga shërbyes civil në zyrtar publik.
Lidhur me mos paraqitjen e ankesës kundër Rregullores së kontestuar të KGJK-së dhe akteve tjera që rrjedhin nga e njëjta dhe që kanë afektuar statusin e parashtrueses së kërkesës, parashtruesja e kërkesës pretendon: “Unë nuk kam pasur asnjë mundësi ankese sepse KGJK-ja nuk ka lënë mundësi ankese as me rastin e miratimit të Rregullores, as me rastin e nënshkrimit të kontratës. Andaj s’ka pasur mundësi me paraqitë ankesë askund, sepse kur të hartohet një dokument duhet t’i jepet mundësi palëve të atakuara për kundërshtim ose ankesë. ”
Parashtruesja e kërkesës kërkon shfuqizimin e rregullores së kontestuar të KGJK-së dhe ta lë në fuqi ligjin për shërbimin civil nr.03/l-149 neni 18 kriteret bazë për pranimin në shërbimin civil të Kosovës dhe statusin e deritanishëm të administratorit.
Përkitazi me pretendimin për diskriminim parashtruesja e kërkesës shton: “Arsyet janë për shkakun e diskriminimit në punë nga KGJK-ja dhe anëtarët e saj. Arsyeja është kundërshtim i rregullores nga të njëjtit, andaj kërkoj mos zbulimin e identitetit. ”
Parashtruesja e kërkesës po ashtu ka kërkuar caktim të masës së përkohshme me arsyetimin: “Të aprovohet si bazuar kërkesa e palës së dëmtuar znj. Florina jerliu, Administratore pranë Gjykatëse Themelore në Gjilan, ashtu që deri në nxjerrjen e Aktvendimit-Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese për Rregulloren Nr. 04/2022 për ‘Procedurën e rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave’ Gjykata Kushtetuese të vendosë ‘MASË TË PËRKOHSHME’ sipas RREGULORES SË PUNËS SË GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS Nr. 01/2018/ Rregulli 56 dhe 57.”
Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
“1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.”
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 13
[Konflikti administrativ]
“1. Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë.
2. Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar.”
Neni 14
[Pa titull]
“Konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës ose ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.”
RREGULLORE NR.04/2022 PËR PROCEDURËN E REKRUTIMIT, PËRZGJEDHJES DHE THEMELIMIN E MARRËDHËNIES SË PUNËS PËR ADMINISTRATORË TË GJYKATAVE
Neni1
[Qëllimi dhe Fushëveprimi]
“1. Kjo rregullore përcakton rregullat dhe procedurat e rekrutimi, përzgjedhjes dhe themelimit të marrëdhënies se punës së administratorëve në gjykatat e Republikës se Kosovës, që përfshinë por nuk kufizohet me: shpalljen publike te pozitës për vende te lira; hartimin, vlerësimin, organizimin dhe administrimin e provimit; themelimin, kompetencat dhe mandatin e Komisionit për Rekrutim, Komisionit për Rishqyrtim; si dhe procesin e verifikimit dhe vlerësimit të integritetit personal e profesional.”
Neni 3
[Parimet e përgjithshme për rekrutimin dhe përzgjedhjen e administratorit]
“1. Këshilli në pajtim me parimet kushtetuese të sistemit gjyqësor dhe legjislacionin në fuqi, realizon procedurat e rekrutimit në një proces të hapur dhe konkurrues pas shpalljes publike të pozitës, përzgjedhjes dhe themelimin e marrëdhënies së punës së administratorit.
2. Procesi i rekrutimit dhe përzgjedhjes së administratorit duhet të sigurojë profesionalizmin, integritetin, mos-diskriminimin, transparencën, pavarësinë, paanshmërinë, meritokracinë, si dhe të pasqyrojë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore siç janë të garantuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në ligjet e aplikueshme ne Republikën e Kosovës.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], që parashikon:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata po ashtu i referohet rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës që specifikon:
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar.”
Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2020, paragrafi 35)
Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre përmes procedurave gjyqësore të rregullta para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar, pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporuar në të drejtën nacionale apo jo (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 36; shih po ashtu rastin e GJEDNJ-së Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93 Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Parimi është se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 37; dhe po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5493/72, Aktgjykim i 7 dhjetorit 1976, paragrafi 48).
Në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës duhet të ketë një rrugë të rregullt deri te mjetet juridike të cilat janë në dispozicion dhe të mjaftueshme për të siguruar një mundësi për të korrigjuar shkeljet e pretenduara. Ekzistimi i mjeteve juridike në fjalë duhet të jetë mjaft i sigurt jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, dhe nëse nuk është kështu, atëherë këtyre mjeteve juridike do t’iu mungojë disponueshmëria dhe efektiviteti i nevojshëm (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 38; po ashtu shih rastet e GJEDNJ-së, Vernillo kundër Francës, nr. 11889/85, Aktgjykim i 20 shkurtit 1991, paragrafi 27 dhe Dalia kundër Francës, nr. 154/1996/773/974, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 38).
Gjykata duhet të shqyrtojë nëse janë shteruar mjetet juridike dhe nëse mjeti juridik ishte efektiv, në dispozicion në teori dhe praktikë në kohën përkatëse, përkatësisht, që ka qenë i qasshëm, që ka mundur t’i korrigjojë shkeljet në lidhje me kundërshtimet e parashtrueses së kërkesës, dhe gjithashtu ka ofruar një perspektivë të arsyeshme për sukses (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 39; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së, Civet kundër Francës nr. 29340/95 aktgjykimit i 28 shtatorit 1999, paragrafët 42-44).
Megjithatë, kur një mjet juridik parashikohet me ligj, i takon parashtrueses së kërkesës të dëshmojë se mjeti juridik i paraparë me ligj është shteruar me të vërtetë ose për ndonjë arsye nuk ka qenë në dispozicion dhe ka qenë joefektiv në rrethanat e posaçme të rastit, ose ka pasur rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai ose ajo kanë qenë të liruar nga kushti i shterimit të mjeteve juridike (shih rastin e Gjykatës KI19/20 parashtrues Lutfi Shantir, cituar më lart, paragrafi 40).
Gjykata rikujton arsyetimin e parashtrueses së kërkesës për mos shterim të mjeteve juridike: “Unë nuk kam pasur asnjë mundësi ankese sepse KGJK-ja nuk ka lënë mundësi ankese as me rastin e miratimit të Rregullores, as me rastin e nënshkrimit të kontratës. Andaj s’ka pasur mundësi me paraqitë ankesë askund, sepse kur të hartohet një dokument duhet t’i jepet mundësi palëve të atakuara për kundërshtim ose ankesë. ”
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, ligjet e aplikueshme u referohen mjeteve juridike të përcaktuara përmes Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA) që potencialisht parashtruesja e kërkesës do të kishte mundur t’i shteronte para se t’i drejtohej kësaj Gjykate. Gjykata thekson se nenet 13 dhe 14 të LKA-së që ndërlidhen me mundësinë e inicimit të konfliktit administrativ përcaktojnë: (i) konfliktit administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë; (ii) konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurë administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe, (iii) konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës apo ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj (shih rastin e Gjykatës KI147/18, parashtrues Arbër Hadri, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, paragrafët 52 dhe 53).
Gjykata konsideron se barra e të provuarit bie mbi parashtruesen e kërkesës d.m.th. ajo duhet të provojë përse mjetet juridike në dispozicion nuk janë mjaftueshëm të sigurta jo vetëm në teori por edhe praktikë dhe përse nuk janë të qasshme dhe efektive. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës nuk ka ofruar asnjë argument përkitazi me mjetet juridike të lartreferuara dhe nuk ka argumentuar përse ato mjete juridike nuk janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje ose nuk ofrojnë asnjë mundësi të arsyeshme për sukses lidhur me pretendimet e tij për shkelje kushtetuese (shih rastin e Gjykatës KI147/18, parashtrues Arbër Hadri, cituar më lart, paragrafët 56 dhe 57).
Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e kërkesës-në pajtim me karakterin subsidiar të ankesës kushtetuese individuale-është dashur që së pari të kontestojë Rregulloren e kontestuar të KGJK-së dhe aktet që rrjedhin nga kjo e fundit (kontrata me afat të caktuar dhe vlerësimi i Komisionit ad hoc) në procedurë pranë gjykatave të rregullta siç parashikohet me ligjin në fuqi. Gjykata në jurisprudencën e saj ka mbajtur qëndrim se gjykatat e rregullta kanë juridiksion që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve nën-ligjore siç është Rregullorja e kontestuar e KGJK-së (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aktgjykim i 18 korrikut 2022, paragrafët 76-82).
Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur të arsyetojë se pse mjetet e rregullta juridike para gjykatave të rregullta për ndonjë arsye nuk i ishin në dispozicion të saj ose ishin joefektive në rrethana të veçanta të çështjes apo që ekzistonin rrethana të veçanta për shkak të të cilave ajo do të lirohej nga obligimi për shterim të të gjitha mjeteve juridike.
Nga sa më sipër, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike të në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata i referohet nenit 116.2 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës dhe nenit 27 [Masat e përkohshme] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 116 [Efekti Juridik i Vendimeve]
"[...]
2.Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
[...]
Neni 27 [Masat e përkohshme]
1.Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendos përkohësisht masa te përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik.
2.Kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale."
Gjykata po ashtu i referohet rregullit 57 (5) [Vendimi për masë të përkohshme] të Rregullores së punës që specifikon: “(5) Nëse pala që kërkon masë të përkohshme nuk paraqet dëshmitë e nevojshme, Gjykata do të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme.”
Gjykata veçse ka konstatuar se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është e papranueshme për shkak të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike, prandaj, kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet.
Kërkesa për mos zbulim të identitetit
Lidhur me kërkesën për moszbulim të identitetit, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës ka pretenduar “Arsyet janë për shkakun e diskriminimit në punë nga KGJK-ja dhe anëtarët e saj. Arsyeja është kundërshtim i rregullores nga të njëjtit, andaj kërkoj mos zbulimin e identitetit.”
Gjykata, duke ju referuar pretendimeve të parashtrueses së kërkesës sa më sipër, vlerëson se e njëjta nuk ka dhënë ndonjë arsye bindëse dhe që shikuar objektivisht përmbajtjen e kërkesës nuk rezulton ndonjë shkak apo arsye për miratim të kërkesës për mos zbulim të identitetit.
Rrjedhimisht, kërkesa e parashtrueses së kërkesës për moszbulim të identitetit duhet të refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenet 113. 7 dhe 116.2 të Kushtetutës, nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (1) (b), 57 (5) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për caktim të masës së përkohshme;
TË REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Florina Jerliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative