Prishtinë, 9 dhjetor 2022
Nr. ref.:RK 2091/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI144/22
Parashtrues
Sebahate Dervishi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC. nr. 44/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 17 majit 2022, dhe Aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Sebahate Dervishi, me banim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës). Parashtruesen e kërkesës e përfaqëson Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Njoftimit [KMLC. nr. 44/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 17 majit 2022, në lidhje me aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022.
Aktgjykimi [Ac. nr. 1557/21] i Gjykatës së Apelit i 5 janarit 2022, i është dorëzuar përfaqësuesit të parashtrueses së kërkesës më 14 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, përmes të cilëve pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtrueses së kërkesës të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 19 shtator 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata). Gjykata e pranoi kërkesën e parashtrueses më 20 shtator 2022.
Më 26 shtator 2022, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi edhe Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, më 26 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [GJR. KI144/22], caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
Më 29 shtator 2022, Gjykata i dërgoi shkresë Gjykatës Themelore, në të cilën kërkonte t'i dërgohej fletëkthesa në lidhje me atë, kur parashtrueses së kërkesës ose përfaqësuesit të saj i ishte dorëzuar aktgjykimi [Ac. nr. 1557/21] i Gjykatës së Apelit, të 5 janarit 2022.
Më 7 tetor 2022, Gjykata pranoi fletëkthesën nga Gjykata Themelore përmes së cilës vërtetohej se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 1557/21], më 14 shkurt 2022.
Më 16 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata që në fillim të përmbledhjes së gjendjes faktike vëren se thelbi i procedurës gjyqësore të parashtrueses së kërkesës pranë gjykatave të rregullta ka të bëjë me çështjen e realizimit të së drejtës në pagesën e tri pagave jubilare, të cilën Korporata Energjetike e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) është dashur t'ia paguajë parashtrueses së kërkesës tek i cili punëdhënës ka punuar për më shumë se 30 vjet. Rrjedhimisht, parashtruesja e kërkesës iu drejtua KEK-ut me shkrim, duke kërkuar që t'ia njohë të drejtat e saj. Kërkesa e saj është refuzuar nga KEK-u.
Më 24 dhjetor 2019, parashtruesja e kërkesës parashtroi padi kundër KEK-ut, përmes së cilës kërkoi pagesën e pagave jubilare. Në padi ajo deklaroi se është punëtore e të paditurës në pozitën elektriciste, duke shtuar se ka 30 vjet përvojë pune me të paditurën KEK dhe se në pajtim me nenin 52 paragrafi 3 të Marrëveshjes Kolektive të Kosovës, pas përfundimit të 30 viteve të përvojës së punës, asaj si punëtore i takojnë tri paga jubilare në shumën e pagës së saj tremujore të paguar nga punëdhënësi i fundit.
KEK-u, më 3 shtator 2020, dorëzoi përgjigje në padi në Gjykatën Themelore, në të cilën deklaroi se konteston padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses në tërësi, si përkitazi me bazën, po ashtu edhe sa i përket shumës, duke theksuar se paditësja në kohën e fitimit të përvojës së punës 30 vite pa ndërprerje, nuk ka qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive te Kosovës (në tekstin e mëtejmë: MPKK), dhe rrjedhimisht punonjësit nuk e kanë pasur këtë të drejtë. Në MPKK është përcaktuar se këtë të drejtë e kanë vetëm punonjësit të cilët gjatë vlefshmërisë së MPKK-së duhet të plotësojnë jubileun prej 10-20 dhe 30 vite dhe se paditësja ka përfunduar 30 vite përvojë pune në vitin 2012, prandaj kjo e drejtë është humbur. E paditura KEK-u në fund theksoi “theksuar se edhe sikur të merrej si fillim i datës kur ka hyrë në fuqi MPKK, me të cilën paditësi ka kuptuar se i takon e drejta e shpërblimit jubilar e deri në kohën e paraqitjes së padisë, kanë kaluar më shumë se 4 vite“.
Më 16 dhjetor 2020, Gjykata Themelore nxori aktgjykimin [C. nr. 4827/19] përmes të cilit aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, duke urdhëruar që “KEK që paditëses në emër të tri pagave për shpërblimin jubilar t’ia paguaj shumën prej 1,818.00 Euro, së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8%, e cila do të llogaritet nga data e nxjerrjes së aktgjykimit gjegjësisht prej datës 16.12.2020 e gjerë në pagesën definitive, të gjitha në afat prej 7 ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi nën kërcënim të ekzekutimit”.
Në arsyetimin e aktgjykimit [C. nr. 4827/19], Gjykata Themelore ndër të tjera deklaroi:
“Nga provat e administruara si më lartë, gjykata gjeti se paditësi kishte punuar tek e paditura për më shumë se 36 vite, dhe të njëjtit nuk i janë paguar pagesat për shpërblim jubilar në vlerë të tre pagave, të parapara me nenin 52 par. 1 të MPKK, ku parashihet se “I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: pika 1.3. për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij”.
[…]
“Gjykata duke ju referuar MPKK, të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës, dispozitat e së cilës aplikohen në tërë territorin e Kosovës, ku në nenin 52 është paraparë e drejta e punëtorit në shpërblim jubilar, gjeti se e njëjta është e aplikueshme në rastin konkret dhe se e paditura ka pasur detyrim që në kohën e arritjes së kushtit, paditëses t’ia paguaj tre paga në emër të shpërblimit jubilar, ngase ky detyrim rrjedh nga neni 52 i MPKK-së“.
“Gjykata gjeti se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ¢ Kosovës, ka hyrë në fugi nga 01.01.2015 deri me datë 31.12.2017 dhe e njëjta është e zbatueshme dhe në nenin 52 të saj është paraparë shpërblimi jubilar. Kurse paditësja përvojën e punës prej mbi 30 viteve e kishte arritur deri sa ka qenë në fuqi kjo kontratë.
“Duke qenë se ka lindur e drejta e paditëses për të kërkuar në rrugë gjyqësore realizimin e të drejtës për shpërblim jubilar, e njëjta është e legjitimuar që të kërkojë përmbushjen e detyrimit nga e paditura, së këndejmi, paditësja ka rolin e kreditorit kurse e paditura rolin e debitorit…”
“Gjykata vlerëson se pretendimi për parashkrim të kërkesës nuk qëndron, ngase përderisa ka qenë në fuqi MPKK, ka ekzistuar detyrimi i të paditurës për pagesën e shpërblimit jubilar dhe atyre për përcjellje në pension. Paditësi padinë e ka parashtruar më datë 24.12.2019, në një periudhë kohore më të shkurtër se dy vite nga momenti i skadimit të MPKK-së datë 31.12.2017, e brenda periudhës kur e paditura ka pasur vendimet e saj në fugi, me të cilin iu ka njohur këtë të drejtë punëtorëve të saj, andaj mbi bazën e të lartcekurave, gjykata vlerësoi si të pa bazuar pretendimin e të paditurës për parashkrim të kërkesëpadisë”.
Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore e paditura, KEK, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin për shkelje të dispozitave të LPK-së, vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës parashtroi përgjigje në Gjykatën e Apelit ndaj ankesës ku thuhej “Pretendimet ankimore të të paditurës nuk janë të bazuara në asnjë dispozitë ligjore, por as që janë të argumentuara me asnjë provë të vetme …”.
Më 5 janar 2022, Gjykata e Apelit nxori aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21], përmes të cilit në pikën I të dispozitivit, miratoi si të bazuar ankesën e të paditurës KEK, kundër aktgjykimit [C. nr. 4827/19], të Gjykatës Themelore, në pikën II të dispozitivit, e refuzoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar në tërësi.
Në arsyetimin e aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21], Gjykata e Apelit, ndër të tjera, theksoi:
“Gjykata e Apelit, fillimisht vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë e ka vërtetuar gjendjen faktike në këtë çështje juridike kontestimore .”
Megjithatë, paditësja, bazën ligjore të kërkesëpadisë e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, të lidhur dhe nënshkruar nga Organizatat e Punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të Punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Dispozita nga neni 82 e kësaj Marrëveshje parasheh që “Kjo Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (MPKK) e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomiko — Social të Kosovës, hyn në fugi nga data 01.01.2015”. Në anën tjetër, dispozita e nenit 90 par. 4 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, parasheh që “Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet.
Në këtë kuptim, meqë nga kartela e punëtorit, e lëshuar për paditësen me dt.13.12.2019, vërtetohet se e njëjta ka përmbushur përvojë pune prej 36 vite, 2 muaj e 2 ditë, nga kjo rezulton se paditësja, kushtin për shpërblim jubilar për 30 vite të përvojës së punës e ka arritur para hyrjes në fugi të Marrëveshjen së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ndërsa e drejta për të kërkuar kompensimin në emër të pagave jubilare i ka lindur me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, nga data 01.01.2015, Në këtë kuptim, meqë padia është paraqitur me dt.24.12.2019, kemi të bëjmë me parashkrim të kërkesës, në kuptim të dispozitës nga neni 87 e Ligjit të Punës, Nr. 03/L-212, ku parashihet që “Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës”. Referuar kësaj dispozite, rrjedh se paditësja e ka lëshuar afatin pre 3 vitesh për të kërkuar realizimin e një të drejte nga marrdhënia e punës - në rastin konkret kompensimin e shpërblimit jubilar.
Gjykata e Apelit vëren se në arsyetim të aktgjykimit të ankimuar, gjykata e shkallës së parë themelësinë e kërkesëpadisë e ka mbështetur në vendimin e të paditurës me nr. 2244, të dt.10.04.2019, me të cilën e njëjta ua ka njohur të drejtën për shpërblim jubilar punëtorëve të saj për periudhën 2015-2019, Një qëndrim të tillë, Gjykata e Apelit e vlerëson të pa bazë, për faktin se meqë e drejta për të kërkuar shpërblimin jubilar për paditësen ka arritur me dt.01.01.2015, e në anën tjetër e njëjta nuk e ka paraqitur kërkesën për realizimin e kësaj të drejte brenda një periudhe 3 vjeqare, siç parashihet me dispozitën e lartëcekur nga neni 87 të Ligjit të Punës, atëherë rrjedh se kemi të bëjmë me kërkesë të parashkruar, që nënkupton se vendimi i lëshuar nga e paditura që është cituar nga gjykata e shkallës së parë është irelevant në aspekt té vlerësimit të themelësisë së kërkesëpadisë“.
Më 12 maj 2022, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës dorëzoi në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktgjykimit [Ac. nr. 1557/2021] të Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022, ku thuhet “Gjykata e Apelit gabimisht zbaton të drejtën materiale kur konsideron se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar ngase MPPK nuk ishte në fuqi në kohën kur është bërë padia dhe se e njëjta është e pa efekt juridik në kohën kur paditësi ka paraqit padinë në Gjykatë dhe se e njëjta është e parashkruar”.
Më 17 maj 2022, Zyra e Prokurorit të Shtetit i dërgoi përfaqësuesit të parashtrueses së kërkesës Njoftimin [KMLC. nr. 44/2022], në të cilin thuhet:
“Pas shqyrtimit të propozimi Juaj dhe shkresave të lëndës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ju njofton se propozimi juaj nuk është aprovuar, sepse në këtë çështje nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 247 par. 247.1 pika b) Ligjit të Procedurës Kontestimore. Gjykata e Apelit drejtë ka zbatuar drejtën materiale”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se me njoftimin e kontestuar [KMLC. nr. 44/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, ka ardhur deri te shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të saj të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
Bazuar në këtë, rezulton se parashtruesja e kërkesës i ndërlidh shkeljet e të drejtave të garantuara me Kushtetutë me: a) Njoftimin e Prokurorit të Shtetit dhe, b) Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Pretendimet në lidhje me Njoftimin [KMLC. nr. 44/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të 17 majit 2022
Parashtruesja e kërkesës pretendon se “konstatimi i Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit se kërkesa për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Ac. nr. 1557/2021 dt.05.01.2022 është i pa pathemeltë dhe i pabazuar “.
Kjo është pikërisht për arsye se, siç shprehet parashtruesja e kërkesës, “njoftimi KMLC. nr. 44/2022 i Prokurorit të Shtetit dt.17.05.2022 në kundërshtim me dispozitat ligjore të lartcekur, pa dhënë kurrfarë sqarimesh e as kurrfarë arsyetimi vërteton faktin se pala paditëse nuk është trajtuar si duhet dhe në mënyrë të barabartë në këtë procedurë, ndaj dhe i është shkelur e drejta në gjykim të drejtë e cila garantohet me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Duke qenë se, parashtruesit të kërkesës i është refuzuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë pa u shqyrtuar meritorisht nënkupton se në këtë mënyrë i është shkelur e drejta e garantuar me neni 6.1. të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore që përcakton që çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga gjykata e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj, e cila duhet të vendosë për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile. Parimi i gjykimit të drejtë në një aspekt nënkupton edhe barazinë e armëve, e cila shprehet në të drejtën e palëve për të pasur njohuri dhe për të komentuar provat e paraqitura apo vërejtjet e parashtruara “.
Rrjedhimisht, dështimi i Zyrës së Prokurorit të Shtetit për të vepruar sipas dispozitave ligjore, sipas pretendimeve të parashtrueses së kërkesës “kishte rezultuar që të mos të ngritët kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nga zyra e Kryeprokurorit te Shtetit, dhe rrjedhimisht, paditëses i ishte pamundësuar që të merr një përgjigje përfundimtare nga Gjykatat sa i përket meritave të rastit të tij. Në këtë aspekt parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, e me veprimet e lartcekura paditësi ka rezultuar me pa mundësimin e shqyrtimit të mjetit të jashtëzakonshëm juridik pranë Gjykatave të rregullta, dhe me këtë i kanë pamundësuar atij mbrojtjen gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se gjykatat e rregullta kanë vepruar në shkelje të nenit 102 të Kushtetutës, duke mos vepruar në bazë të ligjit të aplikueshëm siç kërkohet me Kushtetutë”.
b) Pretendimet në lidhje me aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21] e Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022
Në mbështetje të pretendimit për shkeljen e të drejtave kushtetuese të lartpërmendura, parashtruesja e kërkesës konsideron se “Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, dhe asaj Themelore në Prishtinë me të cilat është refuzuar kërkesëpadia e paditësit janë marre në kundërshtim me Gjendjen faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale duke mos zbatuar fare gjatë marrjes së vendimit aktet e brendshme të të paditurës. Prandaj, është i pa kontestueshëm fakti se në rastin konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar jo vetëm parimi i administrimit të drejtësisë por edhe barazia e armëve që konsiston në mos zbatimin e drejt të së drejtës materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetit juridik në mënyrë efektive [...].”
Parashtruesja e kërkesës shton se “Gjykata Supreme ashtu edhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste të ngjashme si të paditësit duke i aprovuar ato, me cilin rast Gjykatat e rregullta kanë krijuar qëndrime të ndryshme për raste të ngjashme si të paraqitësit të kësaj kërkese dhe me këtë edhe kanë krijuar pasiguri juridike, andaj edhe në kuptim të kësaj paditësin e ka vënë në pozitë të pabarabarta para ligjit në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës së Kosovës pasi që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim. Me çka në kuptim të Neni 31 çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike”.
Parashtruesja e kërkesës i drejtohet Gjykatës me kërkesën, “Aprovimin e kërkesës dhe Anulimin e njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit KMLC. nr. 44/2022 dt.17.05.2022 si të kundërligjshëm dhe beshtja ti kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje -Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
LIGJI nr. 03/L- 006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 247
1. Prokurori publik mund ta ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë:
a) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, në qoftë se shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, po qe se gjykata e shkallës së parë e ka nxjerrë aktgjykimin pa seancë kryesore, kurse e ka pasur detyrë ta mbajë seancën kryesore, po qe se është vendosur për kërkesën, rreth së cilës kontestimi është në vazhdim, apo në qoftë se në kundërshtim me ligjin, është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
b) për shkak të aplikimit të gabueshëm të së drejtës materiale.
2. Prokurori publik nuk mundë të ngrejë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për shkak të kapërcimit të kërkesë-padisë dhe as për shkak të vërtetimit të gabueshëm apo jo të plotë të gjendjes faktike.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu konstaton se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston aktin e autoritetit publik, përkatësisht Njoftimin [KMLC. nr. 44/2022] e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të 17 majit 2022, dhe aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21] e Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022.
Gjykata më tej i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit, i cili përcakton:
Neni 47 i Ligjit
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj ”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e parapara me nenin 49 [Afatet] të Ligjit dhe rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht paragrafët (1) (b) dhe (c) të Rregullores së punës. Ata përcaktojnë si në vijim:
Neni 49 i Ligjit
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Rregulli 39 i Rregullores së punës
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar;
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se si rregull, afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterimit të mjeteve juridike me të cilin është refuzuar kërkesa e parashtruesit (shih: mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Gavrilov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë , kërkesa nr. 7837/10, vendim i 1 korrikut 2014, paragrafi 25, dhe, Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 46477/99, vendim i 14 marsit 2002).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi i kërkesës duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi i kërkesës nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike të cilat nuk janë efektive që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Gavrilov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë , cituar më lart, paragrafi 25; dhe Fernie kundër Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 14881/04, vendim i 5 janarit 2006). Lidhur me kriteret e lartcekura, Gjykata vlerëson fillimisht se kërkesa për shterimin e mjeteve juridike dhe kriterin që kërkesa të paraqitet brenda afatit prej 4 (katër) muajve janë të ndërlidhura ngushtësisht (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-se, Jeronovičs kundër Letonisë, kërkesa nr. 44898/10, aktgjykim i 6 qershorit 2016, paragrafi 75).
Në këtë drejtim, Gjykata do të vlerësojë më tej nëse, në rrethanat e këtij rasti, Njoftimi [KMLC. nr. 44/2022] i Zyrës së Prokurorit të Shtetit, i 17 majit 2022, ishte mjet efektiv juridik përkitazi me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje kushtetuese. Përgjigja në ketë pyetje, do të jetë vendimtare për vlerësimin nëse kërkesa e parashtrueses së kërkesës është paraqitur brenda afatit katër (4) mujor.
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se në këtë rast parashtruesja e kërkesës ka iniciuar dhe zhvilluar procedurë kontestimore me qëllim të ushtrimit të së drejtës për pagesën e tri pagave jubilare nga punëdhënësi i saj KEK. Procedura në lidhje me kërkesëpadinë në fjalë të parashtrueses së kërkesës përfundoi me aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21] e Gjykatës së Apelit, të 5 janarit 2022.
Megjithatë, pas pranimit të Aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit, parashtruesja e kërkesës i është drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozim që të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit. Lidhur me këtë, Gjykata thekson se kjo kërkesë është plotësisht diskrecionale për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në këtë aspekt, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, KEDNJ nuk kërkon që mjetet juridike diskrecionale, apo mjetet juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, siç; është rasti me kërkesën para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duhet të shteren para se parashtruesit e kërkesave t'i drejtohen GJEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, X dhe të tjerët kundër Letonisë, kërkesa nr. 27773/08, vendim i 6 qershorit 2008, paragrafi 20, dhe referencat e cekura aty; shih po ashtu rastin e Gjykatës KI102/16, parashtrues: Shefqet Berisha, aktvendim për papranueshmëri i 14 dhjetorit 2016, paragrafi 38).
Më konkretisht, lidhur me propozimet e ngjashme, siç është propozimi që bëhen para Zyrës së Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para organeve gjyqësore në emër të parashtruesve të kërkesave, GJEDNJ kishte trajtuar në rastin Lepojić kundër Serbisë. Në këtë rast, GJEDNJ kishte vlerësuar nëse propozimi i paraqitur para prokurorit të shtetit duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë është mjet efektiv, ku kishte deklaruar se “[GJEDNJ] gjen se është vetëm prokurori i shtetit ai që mund të dorëzoj [kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë] në emër të parashtruesit, dhe, për më tepër, ky i fundit ka diskrecion nëse dëshiron të bëjë një gjë të tillë. Përderisa parashtruesi i kërkesës mund të kërkoj një veprim të tillë të prokurorit, ai nuk ka të drejtë sipas ligjit për të përdorur një mjete të tillë juridik [kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë] personalisht [...] Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, për këtë arsye, ishte jo efektive [...]”. (shih rastin e GJEDNJ-se Lepojić kundër Serbisë , kërkesa nr. 13909/05, Aktgjykim i 6 nëntorit 2007, paragrafi 54).
Po ashtu, duke u thirrur në këtë praktikë gjyqësore (rastin e GJEDNJ-së Lepojic kundër Serbisë), GJEDNJ në rastin Knapić kundër Kroacisë, nuk kishte marrë për bazë njoftimin e prokurorit të shtetit për qëllim të llogaritjes së afatit, kur ky i fundit kishte konstatuar se nuk kishte bazë të mjaftueshme për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. GJEDNJ në këtë rast kishte theksuar se “kërkesa e parashtruesit para prokurorit publik, nuk ishte mjet që duhej të shterej për qëllime [KEDNJ]. Rrjedhimisht, periudha kohore për të përdorur atë mjet juridik nuk e ndal rrjedhjen e afatit gjashte (6) mujor [për të paraqitur kërkesë para GJEDNJ lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit” dhe rrjedhimisht, GJEDNJ gjeti se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit të paraparë (shih, rastin e GJEDNJ-së Knapić kundër Kroacisë, kërkesa nr. 2839/08, vendim i 4 janarit 2008).
Megjithatë, Gjykata rikujton që praktika e saj gjyqësore, njeh edhe raste në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e njoftimeve të Prokurorit të Shtetit përmes së cilit nuk është pranuar kërkesa e palëve për ngritje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në favor të tyre. Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rastit të saj nr. KI42/18, parashtruese: Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2020, i cili kishte vlerësuar pretendimet e parashtrueses për shkelje kushtetuese ndaj Njoftimit të Prokurorit të Shtetit, mbështetur edhe në rastin e GJEDNJ-së Gorou kundër Greqisë (nr. 2), kërkesa nr. 12686/03, aktgjykim i 20 marsit 2009.
Megjithatë, në këtë rast të parashtrueses së kërkesës, është evidente se ajo e ka bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në “zbatim të gabuar të së drejtës materiale nga Gjykata e Apelit, e cila sipas pretendimeve të saj gabimisht ka konkluduar se MPKK nuk ka qenë në fuqi në kohën e parashtrimit të padisë, se Gjykata e Apelit gjithashtu bën aplikim të gabuar të së drejtës materiale edhe për faktin se fare nuk vlerëson se e paditura KEK, çështjen e pagave jubilare e ka rregulluar sipas aktit të brendshëm“.
Gjykata vëren se të gjitha këto pretendime të parashtrueses së kërkesës, në bazë të të cilave ajo e bazoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, janë shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, dhe jo nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. Kjo e fundit në fakt ka vendosur ekskluzivisht nëse janë plotësuar kushtet ligjore për paraqitjen e një kërkese të tillë në Gjykatën Supreme.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se përmes njoftimit [KMLC. nr. 44/2022] të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, të 17 majit 2022, e njoftoi parashtruesen e kërkesës se propozimi i saj për të iniciuar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022, u refuzua pasi u konstatua se nuk plotësoheshin kushtet ligjore për një gjë të tillë. Arsyen e mosmiratimit të propozimit e arsyetoi si në vijim “Pas shqyrtimit të propozimi Juaj dhe shkresave të lëndës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ju njofton se propozimi juaj nuk është aprovuar, sepse në këtë çështje nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 247 par. 247.1 pika b) Ligjit të Procedurës Kontestimore. Gjykata e Apelit drejtë ka zbatuar drejtën materiale”.
Pikërisht në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtrueses së kërkesës është refuzuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, vetëm pas analizës së plotësimit të kushteve ligjore të përcaktuara me dispozitat përkatëse ligjore që rregullojnë pikërisht këtë çështje. Rrjedhimisht rezulton që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i ka shqyrtuar dispozitat e së drejtës materiale që kanë shërbyer si bazë ligjore për Gjykatën e Apelit në bazë të së cilës e refuzoi kërkesëpadinë për pagesën e pagave jubilare, duke konstatuar se “Gjykata e Apelit drejtë ka zbatuar drejtën materiale “.
Andaj, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, Gjykata rikujton se, në rastin konkret, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përmes Prokurorit të Shtetit, përveç që është në diskrecionin e këtij të fundit, do të mund të ngritët nga Prokurori Shtetit vetëm nëse plotësohen kushtet e caktuara ligjore, që nuk kishte ndodhur kështu në kërkesën konkrete. Gjithashtu, pretendimet e parashtrueses së kërkesës i referohen mënyrës sesi Gjykata e Apelit e ka zbatuar ligjin me rastin e vendosjes së bazueshmërisë së kërkesëpadisë për pagesën e pagave jubilare. Përveç kësaj, parashtruesja e kërkesës parashtron në Gjykatë të njëjtat pretendime që ajo parashtroi ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 1557/21], të cilat pretendime Zyra e Prokurorit nuk ka qenë kompetente për t'i shqyrtuar ato në kuptimin esencial, sepse ka kompetencë vetëm të paraqesë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme dhe jo të vlerësojë shkeljet ligjore të kryera nga Gjykata e Apelit.
Prandaj, në lidhje me këto pretendime, në rastin e parashtrueses së kërkesës, pas pranimit të aktgjykimit [Ac. nr. 1557/21] të Gjykatës së Apelit të 5 janarit 2022, asgjë nuk e pengoi atë t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Andaj, Gjykata vlerëson se “vendim i fundit”, në pajtim me nenin 49 të Ligjit, lidhur me kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, konsiderohet aktgjykimi [Ac. nr. 1557/21] i Gjykatës së Apelit i 5 janarit 2022, përmes të cilit është refuzuar kërkesëpadia e saj për pagesën e pagave jubilare (shih: mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 46477/99, vendim i 14 marsit 2002; shih rastin e Gjykatës KI120/17, me parashtrues: Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 36).
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Aktgjykimi [Ac. nr. 1557/21] i Gjykatës së Apelit, i 5 janarit 2022, sipas fletëkthesës, i është dorëzuar përfaqësuesit të parashtrueses së kërkesës më 14 shkurt 2022, prej kur rrjedh edhe afati ligjor prej 4 muajsh për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë.
Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës, në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 1557/21], e Gjykatës së Apelit e 5 janarit 2022, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së: Franz Hofstiidter kundër Austrisë, kërkesa nr. 25407/94, vendim i 12 shtatorit 2000; Olivier Gaillard kundër Francës, kërkesa nr. 47337/99, vendim i 11 korrikut 2000; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI140/13, me parashtrues: Ramadan Cakiqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 marsit 2014, paragrafi 24; dhe KI120/17, me parashtrues: Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 39).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtrueses së kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2022, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Sebahate Dervishi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile