Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 94 (Mbikëqyrja) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës

Nr. të lëndës KO27/21

Parashtruesit: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 16 dhjetor​​ ​​ 2022

Nr. ref.: AGJ 2098/22

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTGJYKIM

 

 

rastin nr. KO27/21

 

Parashtrues

 

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës​​ 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit​​ 94​​ [Mbikëqyrja]

të Ligjit​​ Nr. 03/L-121​​ të Punës

 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ 

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ gjykata referuese), e nënshkruar nga kryetari i saj,​​ Enver Peci.

Ligji i kontestuar

 

  • Gjykata referuese e konteston kushtetutshmërinë e nenit 94 të Ligjit​​ Nr. 03/L-212​​ të Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës) lidhur me juridiksionin e Inspektoratit të Punës.​​ 

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i pajtueshmërisë kushtetuese​​ të nenit 94 të Ligjit të Punës, me pretendimin se kjo dispozitë nuk është në​​ përputhshmëri​​ me​​ nenet​​ 3​​ [Barazia para Ligjit],​​ 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me parimet e sigurisë juridike dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës.

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në​​ paragrafin 8, të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, në nenet 51​​ [Saktësimi i kërkesës], ​​ 52 [Procedura pranë Gjykatës]​​ dhe 53​​ [Vendimi]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 77​​ [Kërkesa në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit],​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më 5 shkurt 2021, gjykata referuese​​ e​​ dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • Më 8 shkurt 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi, gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bekim Sejdiu (kryesues), Selvete Gërxhaliu-Krasniqi dhe Gresa Caka-Nimani.​​ 

 

  • Më 1o shkurt 2021, Gjykata njoftoi për regjistrimin e kërkesës Kryetarin e gjykatës ​​ referuese, z. Enver Peci, Sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ismet Krasniqi, Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, Avokatin e Popullit, z. Naim Qelaj, Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, z. Ekrem Kastrati dhe ud. Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Feim Osmani.​​ 

 

  • Të njëjtën ditë, gjykata referuese u njoftua se në bazë të nenit 52 të Ligjit për Gjykatën dhe të rregullit 77 (5) të Rregullores së punës, procedura lidhur me rastin që ndërlidhet me kërkesën e parashtruar në Gjykatë duhet të pezullohet derisa të merret vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

 

  • Më 12 shkurt 2021, Gjykata njoftoi shkëlqesinë e saj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, ​​ ud. Presidente e Republikës së Kosovës.

 

  • Në të njëjtën datë, Gjykata njoftoi edhe​​ Teuta Nuhiu-Sherifi, në cilësinë e palës procedurale, për parashtrimin e kërkesës nga gjykata referuese.​​ 

 

  • Më 23 shkurt 2021, Teuta Nuhiu-Sherifi përmes përfaqësuesit të saj dorëzoi informata shtesë në lidhje me kërkesën.

 

  • Më 30 prill 2021, Avokati i Popullit, në cilësinë e palës së interesuar, dorëzoi komentet e tij në lidhje me kërkesën.

 

  • Më 17 maj 2021, bazuar në paragrafin 5 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës dhe rregullit 12 (Zgjedhja e Kryetarit dhe e Zëvendëskryetarit) të Rregullores së punës, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani u zgjodh Kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në paragrafin (4) të rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP.71-2/21, u përcaktua që gjyqtarja Gresa Caka-Nimani, detyrën e Kryetares së Gjykatës e merr pas përfundimit të mandatit të Kryetares aktuale të Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi, më 26 qershor 2021.​​ 

 

  • Më 25 maj 2021, bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1 të nenit 9 (Përfundimi i mandatit para kohës) të Ligjit dhe rregullit 7 (Dorëheqja e gjyqtarëve) të Rregullores së punës, gjyqtari Bekim Sejdiu paraqiti dorëheqjen e tij nga pozita e gjyqtarit pranë Gjykatës Kushtetuese.

 

  • Më 27 maj 2021, Kryetarja  e Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi, përmes Vendimit KSH27/21, emëroi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi anëtar të Kolegjit shqyrtues në vend të gjyqtarit Bekim Sejdiu.​​ 

 

  • Më 31 maj 2021, Kryetarja e Gjykatës,​​ Arta Rama-Hajrizi, me Vendimin nr. KK160/21 për zëvendësimin e gjyqtareve kryesues në kolegje shqyrtuese, caktoi Kryetaren e zgjedhur të Gjykatës,​​ Gresa-Caka Nimani, kryesuese të kolegjit për rastin KO27/21.​​ 

 

  • Më 26 qershor 2021, bazuar në paragrafin (4) të rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP.71-2/21, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani mori detyrën e Kryetares së Gjykatës, ndërsa bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1 të nenit 8 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit, Kryetarja Arta Rama-Hajrizi përfundoi mandatin e Kryetares dhe të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.

 

  • Më 29 korrik 2021​​ dhe me​​ 23 shtator 2021, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe vendosi shtyrjen e shqyrtimit të rastit për një seancë të radhës shqyrtuese.

 

  • Më​​ 21​​ dhjetor​​ 2021, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe​​ me shumicë votash​​ i rekomandoi​​ Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë​​ më​​ shumicë​​ votash​​ Gjykata​​ votoi se kërkesa është e pranueshme​​ për​​ shqyrtim​​ dhe​​ më shumicë votash konstatoi se neni 94 i Ligjit të Punës është në​​ përputhshmëri​​ me​​ Kushtetutën.

 

  • Në të njëjtën datë,​​ gjyqtari raportues në bazë të paragrafit (4) të rregullit 58 (Këshillimet​​ dhe​​ Votimi) të Rregullores së punës, kërkoi nga Kryetarja e Gjykatës që të caktohet një gjyqtar tjetër, nga shumica, për të përgatitur​​ draft-Aktgjykimin​​ sipas propozimit të shumicës së gjyqtareve.​​ Në bazë të rregullit të lartcekur, Kryetarja e Gjykatës e caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, si njërin nga​​ anëtarët​​ e Kolegjit shqyrtues, për të përgatitur​​ draft-Aktgjykimin,​​ sipas​​ këshillimit dhe votimit të shumicës. ​​ 

 

  • ​​ 14​​ nëntor 2022, gjyqtari​​ ​​ e përgatiti​​ draft-Aktgjykimin,​​ ia​​ dorëzoi​​ të njëjtin​​ përbërjes​​ së plotë​​ ​​ Gjykatës.​​ 

 

  • ​​ 1 dhjetor​​ 2022,​​ drafti​​ përfundimtar i​​ Aktgjykimit​​ u qarkullua tek të gjithë gjyqtarët në pajtim me paragrafin 8 të nenit 22 të Ligjit dhe paragrafin (2) të rregullit 64 të Rregullores së punës.​​ 

 

  • ​​ 7 dhjetor 2022, Gjykata e​​ votoi​​ tekstin përfundimtar​​ ​​ Aktgjykimit,​​ me të​​ cilin​​ më shumicë​​ votash u vendos që​​ kërkesa​​ të deklarohet​​ e pranueshme për shqyrtim meritor dhe se neni 94 [Mbikëqyrja] i Ligjit të​​ Punës është​​ ​​ përputhshmëri me Kushtetutën.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Më 1 nëntor 2010, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Ligjin e Punës, i cili u shpall në Gazetën Zyrtare me dekretin Nr. DL-077-2010, të 18 nëntorit 2010. Ligji i Punës hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas shpalljes së tij në Gazetën Zyrtare, respektivisht më 2 dhjetor 2010.

 

Procedura​​ administrative

 

  • Më 8 nëntor 2017, Drejtoria Komunale për Arsim në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: DKA në Gjilan), shpalli konkursin publik 05 nr. 112825 për themelimin e marrëdhënies së punës për pozitën “Edukatore” në Institucionin parashkollor Dardania 1 (një) në Gjilan.​​ 

 

  • Më 15 shkurt 2018, DKA në Gjilan përmes Vendimit nr. 15688, shpalli emrat e 10 (dhjetë) kandidatëve të suksesshëm,​​ të cilët u përzgjodhën për pozitën e edukatores. ​​ 

 

  • Në një datë të pasaktësuar, kandidatja Teuta Nuhiu-Sherifi parashtroi ankesë pranë Komisionit për shqyrtimin e ankesave të komunës së Gjilanit​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ Komisioni​​ i ankesave), lidhur me parregullsitë e konkursit.

 

  • Më 28 shkurt 2018, Komisioni​​ i​​ ankesave,​​ nëpërmjet​​ Vendimit nr. 17367/2018, refuzoi si të pabazuar ankesën e Teuta Nuhiu-Sherifi. Këshilla juridike në këtë rast e udhëzoi parashtruesen e ankesës që t’i drejtohet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përkatësisht Inspektoratit të Punës në​​ Gjilan.​​ 

 

  • Më 6 prill 2018,​​ Teuta Nuhiu-Sherifi, bazuar në këshillën juridike të​​ lartcekur, parashtroi​​ ankesë [nr. 04-118/18] në Inspektoratin e Punës në Gjilan, kundër Vendimit [nr.17367/2018] të Komisionit​​ ​​ ankesave, të 28 shkurtit 2018.

 

  • Më 11 prill 2018, Inspektorati i Punës në Gjilan,​​ nëpërmjet​​ Vendimit nr. 02/c-134, refuzoi ankesën e Teuta Nuhiu-Sherifi dhe vërtetoi vendimin e Komisionit për ankesa, të 28 shkurtit 2018. Këshilla juridike në këtë rast udhëzoi: “Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale - Inspektoratit të Punës në Prishtinë në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së këtij vendimi- Ankesa dërgohet përmes Inspektorit të Punës”.

 

  • Më 18 prill 2018, Teuta Nuhiu-Sherifi, parashtroi ankesë pranë Inspektoratit të​​ Punës në Prishtinë, në kuadër të MPMS-së,​​ kundër vendimit të​​ [nr. 02/c-134] të 11 prillit 2018 të Inspektoratit të Punës në Gjilan, në ndërlidhje me vendimin e​​ DKA-së në Gjilan, të 15 shkurti 2018 dhe vendimit të Komisionit të​​ ankesave të​​ Komunës së Gjilanit, të 28 shkurtit 2018,​​ për shkak të shkeljes së procedurave ligjore gjatë përzgjedhjes së kandidateve për pozitën “Edukatore” në Institucionin parashkollor ​​ Dardania 1 (një) në Gjilan.​​ 

 

  • Në ndërkohë,​​ më​​ 24 prill 2018, përkatësisht një javë me pas, Teuta Nuhiu-Sherifi, paralelisht​​ me ankesën​​ e​​ parashtruar​​ pranë​​ Inspektoratit të​​ Punës në Prishtinë,​​ parashtroi​​ padi​​ sipas procedurës kontestimore​​ në Gjykatën Themelore në Gjilan,​​ kundër vendimit të DKA-së në Gjilan, të 15 shkurti 2018 dhe vendimit të Komisionit​​ të​​ ankesave, të 28 shkurtit 2018, të cilat veçse​​ i kishte​​ kontestuar në​​ procedurë​​ administrative​​ pranë Inspektoratit​​ të​​ Punës​​ ​​ Gjilan​​ dhe ishte në pritje të vendimit nga​​ Inspektorati i​​ Punës në​​ Prishtinë, në kuadër të MPMS-së.

 

  • Më 8 qershor 2018,​​ Inspektorati​​ i​​ Punës në Prishtinë,​​ duke vendosur sipas ankesës së​​ 18 prillit 2018, nxori​​ Vendimin nr. 218/2018:​​ nëpërmjet të​​ cilit:​​ 1) aprovoi si të bazuar ankesën e Teuta Nuhiu-Sherifi; 2) anuloi Vendimin [nr. 02/c-134] e Inspektoratit të Punës në Gjilan, të 11 prillit 2018; dhe 3) detyroi DKA-në në Gjilan që ta përsërisë konkursin 05 nr. 112825 të 7 nëntorit 2017 për themelimin e marrëdhënies së punës për pozitën “Edukatore” në Institucionin parashkollor Dardania 1 (një) në Gjilan. Vendimmarrja e Inspektoratit të Punës është bazuar në:​​ “... dispozitën e nenit 94 të Ligjit​​ nr.03/L-212 i Punës, nenit 24 të Ligjit Nr.04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nenit 19 të Ligjit Nr.04/L-156 për Kontrollin e Duhanit, nenit 4 dhe 6 të Ligjit Nr.2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosovë, Ligjit Nr.03/L-017 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës Nr.2002/9, dhe nenit 132 të Ligjit Nr. 05/L -031 të LPPA”.​​ 

 

  • Më 18 korrik 2018, DKA në Gjilan,​​ duke vepruar sipas vendimit​​ të Inspektoratit të​​ Punës në Prishtinë, të 8 qershorit 2018, shpalli njoftimin​​ nr. 74969,​​ për​​ ​​ përsëritjen e​​ konkursit​​ publik për rekrutimin e 10 (dhjetë) edukatoreve në institucionin​​ parashkollor Dardania 1 (një) në Gjilan, sipas vendimit të Inspektoratit të Punës ​​ në Prishtinë, të 8 qershorit 2018.​​ 

 

Procedura kontestimore

 

  • Më 15 janar 2019,​​ duke vepruar sipas​​ padisë​​ ​​ 24 prillit 2018,​​ Gjykata Themelore në Gjilan, me Aktgjykimin C. nr. 404/18, refuzoi si të pabazuar, padinë e Teuta Nuhiu-Sherifi,​​ përmes së​​ cilës u kërkua anulimi i vendimeve të​​ organeve të​​ Komunës së​​ Gjilanit dhe përsëritja e​​ konkursit​​ ​​ shpallur nga DKA në Gjilan, më 8 nëntor 2017. Gjykata në fjalë e refuzoi padinë me arsyetimin se:​​ “... nuk ka vërtetuar shkeljet e pretenduara nga paditësja se e paditura ka shkelur kriterin e pritjes dhe të përvojës së punës kur ka poentuar kundërkandidatët tjerë, pasi që këto dy kritere janë përcaktuar në formularin e intervistimit nën kushtet e barabarta për çdo kandidate, andaj këto kritere nuk janë në kundërshtim as me kushtet e përgjithshme të konkursit e as me dispozitat ligjore të Udhëzimit Administrativ të MASHT-it nr.05/2015”.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, Teuta Nuhiu-Sherifi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit [C. nr. 404/18] të Gjykatës Themelore në Gjilan, të 15 janarit 2019, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të ligjit procedural.​​ 

 

  • Më 23 prill 2019, Gjykata e Apelit, nëpërmjet​​ Aktgjykimit Ac. nr. 834/19, refuzoi si të pabazuar ankesën e Teuta Nuhiu-Sherifi, dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, si të drejtë dhe të bazuar në ligj.

 

  • Më 17 maj​​ 2019, Teuta Nuhiu-Sherifi, brenda afatit ligjor,​​ ushtroi​​ kërkesë për revizion në gjykatën referuese, kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 834/19] të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të ligjit procedural.

 

  • Më 2 shkurt 2021, gjykata referuese,​​ nëpërmjet​​ Aktvendimit Rev.nr.209/19,​​ vendosi të pezullojë​​ kërkesën​​ për revizion të Teuta Nuhiu-Sherifi,​​ në pajtim me nenin​​ 52 [Procedura para​​ gjykatës] të Ligjit​​ dhe ta referonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese,​​ për vlerësim​​ ​​ përpushmërisë​​ së nenit 94 të Ligjit të Punës,​​ me​​ parimet e sigurisë juridike​​ dhe të rendit juridik​​ të Republikës së Kosovës, si dhe​​ nenet 3, 24, 31, 49 dhe 54 të​​ Kushtetutës.​​ 

 

  • Më 5 shkurt 2021, gjykata referuese e dorëzoi kërkesën​​ ​​ Gjykatë,​​ për vlerësim​​ ​​ përputhshmërisë së​​ nenit 94 të Ligjit të Punës me​​ dispozitat kushtetuese të​​ lartcekura.​​ 

 

  • Më 10 shkurt 2021, Gjykata informoi gjykatën referuese,​​ se​​ në bazë të nenit 52 të Ligjit për​​ Gjykatën dhe rregullin​​ 77 (5) të Rregullores së punës, procedura lidhur me rastin​​ në shqyrtim të​​ Teuta Nuhiu-Sherifi,​​ që ndërlidhet me kërkesën​​ KO27/21 të​​ parashtruar në Gjykatë,​​ duhet të pezullohet derisa të merret vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

 

Pretendimet e gjykatës referuese​​ 

 

  • Gjykata referuese kërkon vlerësimin e​​ përputhshmërisë së​​ nenit 94 të Ligjit të Punës,​​ me parimet​​ e sigurisë juridike dhe​​ ​​ rendit​​ juridik​​ të Republikës së Kosovës,​​ si dhe​​ me nenet 3​​ [Barazia para Ligjit],​​ 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.​​ 

 

  • Gjykata referuese pretendon se: “... juridiksioni i Inspektoratit të Punës që të vendosë ​​ sipas kërkesave të punonjësve, të punësuarave lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të punëdhënësve për rekrutimin e punonjësve, për pagat dhe kërkesat tjera materiale, për kthimin e punëtoreve në punë, për masat disiplinore, etj., ​​ me referencë në dispozitën 94 të Ligjit të Punës nr.03/212, lidhur me juridiksionin e Inspektoratit të Punës, ... është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese nga neni 3 Barazia para Ligjit. Neni 24​​ [Barazia para Ligjit], neni 31​​ [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të paanshëm], neni 49​​ [E Drejta e Punës dhe ushtrimit të Profesionit]​​ dhe neni 54​​ [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]”.

 

  • Gjykata referuese tutje pretendon se:​​ Inspektorati i Punës, duke iu referuar dispozitës​​ së nenit 94 të Ligjit të Punës​​ është duke vendosur në mënyrë meritore paralelisht me gjykatat për çështjet dhe kërkesat e punonjësve lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës”.​​ Në këtë kontekst gjykata referuese pyet Gjykatën se: 1)​​ a munden dy institucione të vendosin paralelisht për çështje të njëjta? ​​ 2) Nëse po, a cenohet siguria juridike dhe rendi juridik në këtë mënyrë dhe rrjedhimisht a cenohet Kushtetua e Republikës së Kosovës?”. ​​ 

 

  • Mbi këtë bazë gjykata referuese pretendon se: “Inspektorati i Punës përveç faktit se është duke vendosur paralelisht me gjykata për konteste të punës, në shumë raste është duke konsumuar në tërësi çështjen kontestuese të palëve punëdhënës, i punësuar, në atë mënyrë që vendimi i Inspektoratit të Punës, merr karakterin e dokumentit përmbarimor, pasi që vendimeve të kësaj natyre u vendoset klauzola e ekzekutueshmërisë nga vet Inspektorati i Punës.​​ 

 

  • Tutje, gjykata referuese thekson se:​​ “... në momentin që vendimeve të kësaj natyre u vendoset klauzola e ekzekutueshmërisë nga ana e Inspektoratit të Punës, atëherë organet përmbaruese për shkak të pranimit të “legalitetit rigoroz formal” nuk kanë autorizim të lëshohen në shqyrtimin e ligjshmërisë materiale dhe të rregullsisë së dokumentit ekzekutiv në bazë të cilit lejohet përmbarimi”. Përkitazi me këtë​​ dhe jo vetëm​​ gjykata referuese,​​ përtej rastit konkret,​​ si dëshmi​​ ia ka bashkëngjitur​​ kërkesës vendimet​​ e Inspektoratit të​​ Punës, si në vijim:​​ Vendimin​​ 01. nr. 60-27-1/2018,​​ ​​ 24 majit 2018;​​ Vendimin​​ nr. 56-14/2016-A1,​​ të 12 prillit 2015;​​ Vendimin​​ 01. nr. 60-68-1/2019 të 5 korrikut 2019; dhe​​ Vendimin​​ 01/37-142/19 të 22 korrikut 2019 dhe plotësimin e këtij vendimi, të​​ 10 shkurtit 2020.

 

  • Gjykata referuese, në vazhdën e argumentimeve të mësipërme, pretendon se:​​ ...vendimet e Inspektoratit të Punës, të kësaj natyre cenojnë rëndë sigurinë juridike, veçanërisht barazinë para ligjit, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën e punës, të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe mbrojtjen gjyqësore të drejtave”.​​ Kjo sepse,​​ “duke vepruar si organ paralel për çështje në fjalë u pamundëson​​ apo u vështirëson dukshëm, të paktën njërës palë, që të realizojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, sikurse që u pamundëson në shumë raste palëve të përfshira mbrojtjen gjyqësore të të drejtave”.​​ 

 

  • Gjykata referuese tutje thekson se:​​ Dispozita e nenit 94 të Ligjit të Punës, përcakton se​​ Mbikëqyrja e zbatimit të dispozitave të këtij ligji, të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë në punë dhe mbrojtjen në punë e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe​​ Ligjit nr. 2003/9 për sigurinë në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës”. Nga interpretimi i dispozitës së cituar nënkuptohet se Inspektorati i punës e bën mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të ligjit në fjalë në bazë të Ligjit për Inspektoratin e punës dhe Ligjit nr. 2003/9 për Sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës. Në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës në Kosovë, nr. 2002/9, respektivisht Ligjit nr. 06/L-017, për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës, nr. 2oo2/9, rezulton se Inspektorati i​​ Punës me vendim mund të shqiptojë gjobë për shkeljet e konstatuara, por nuk mund të vendosë për kërkesa që kanë të bëjnë me të drejtat e punonjësit, të punësuarit e që i referohen kërkesave për paga dhe kërkesa të tjera materiale, ligjshmërinë e vendimeve, për masat disiplinore, kthimin e punëtoreve në punë, etj.

 

  • Gjykata referuese pretendon se:​​ Ligji i Punës e ka përcaktuar procedurën për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, si:​​ 1) mbrojtja e të punësuarit në gjykatë; 2) mbrojtja e të punësuarit përmes ndërmjetësimit; 3) mbrojtjen e të punësuarit​​ nga Inspektorati i​​ Punës; dhe 4) Masat ndëshkuese.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, gjykata referuese iu është referuar​​ neneve 78 (1, 2 dhe 3), 79, 81, 82 (1 dhe 2) dhe 83 të Ligjit të Punës dhe thekson​​ se:​​ Dispozitat e cituara të Ligjit të Punës e përcaktojnë në mënyrë të qartë procedurën për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës: 1) në gjykatë; 2) përmes ndërmjetësuesit; dhe 3) pranë Inspektoratit të Punës. Gjykata referuese në këtë kontekst argumenton se ajo që është e rëndësishme dhe që rezulton nga interpretimi i dispozitave, të referuara si më sipër, ka të bëjë me pamundësinë e veprimit paralel të organeve që mund të​​ ofrojnë​​ mbrojtje për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës. Me dispozitat e nenit 78 të Ligjit të Punës është paraparë e drejta e të punësuarit që të paraqes kërkesë tek punëdhënësi për realizimin e të drejtave të shkelura, për çka punëdhënësi është i detyruar që të vendosë për kërkesën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, kurse i punësuari, në rast se është i pakënaqur me vendimin e punëdhënësit apo për shkak të mosvendosjes brenda afatit, ka të drejtë të kërkojë mbrojtje gjyqësore në gjykatën kompetente.​​ Në këtë kuptim, gjykata referuese shton se:​​ “Inspektorati i Punës, nuk është një organ i vendosur as në vijë horizontale, respektivisht paralele me gjykatën, sepse natyra e të drejtave për të cilat i punësuari mund të kërkojë mbrojtje tek Inspektorati i Punës, është e ndryshme me të drejtat, mbrojtja e të cilave kërkohet në gjykatë”.​​ 

 

  • Tutje, gjykata referuese potencon se:​​ Dispozitat e nenit 82 të Ligjit të Punës janë të qarta dhe i referohen juridiksionit të Inspektoratit të Punës, të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin e Punës nr. 2002/09, respektivisht Ligjit nr. 06/L0017 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës nr. 2002/9. Sipas gjykatës referuese, Inspektorati i Punës për kërkesat e të punësuarve që janë në juridiksionin e tij, sipas Ligjit të Punës, nenit 83, përcakton se Inspektorati i Punës mund të shqiptojë masa ndëshkuese, bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës. Masat ndëshkuese janë gjobat që i shqiptohen punëdhënësit në përputhje me dispozitat e nenit 4 dhe 5 të Ligjit për Inspektoratin e Punës në Kosovë, nr. 2002/9, respektivisht Ligjit nr. 06/L-017, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit​​ nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës”.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, gjykata referuese​​ thekson​​ se:​​ “E drejta për të shqiptuar gjoba ndaj punëdhënësit nuk është analoge me juridiksionin për të vendosur lidhur me kërkesat e të punësuarit, lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës e që janë pagat, ligjshmëria e procedurave disiplinore, kthimi i punëtoreve në punë, etj. Problematika sipas gjykatës referuese qëndron edhe në faktin se disa nga punëdhënësit për shkak të "praktikës së krijuar nga Inspektorati i Punës" me rastin e vendosjes për kërkesat e të punësuarave apo ankesat e tyre, me udhëzimin për mjetin juridik i udhëzojnë palët që të drejtohen për pakënaqësi tek Inspektorati i Punës. Kjo praktikë e krijuar, jo vetëm që cenon rendin juridik me institucione/organe paralele por njëkohësisht cenon apo ndikon në vendimmarrjen e gjykatave lidhur me kërkesat e të punësuarave. Udhëzimet juridike në shumë vendime të punëdhënësve (madje edhe institucioneve publike, p. sh. komunat), i hamendësojnë të punësuarit lidhur me procedurën për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në gjykatë dhe në këtë mënyrë ndikohet drejtpërdrejt në humbjen e afateve për realizimin e të drejtave të punës”.

 

  • Për me tepër, gjykata referuese thekson se:​​ “Për çështjen konkrete (dhe jo vetëm) është e rëndësishme të bëhet vlerësimi i përshtatshmërisë kushtetuese të dispozitës së kërkuar, për shkak se vendimi i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vlerësimin për lejueshmërinë e mbrojtjes gjyqësore në rastin konkret. Kjo për shkak se pala paditëse në rastin konkret, sipas udhëzimit të paditurës, para se të kërkonte mbrojte gjyqësore në gjykatë, e ka konsumuar edhe procedurën në Inspektoratin e Punës, dhe në këtë mënyrë ka krijuar shkëputje të procedurës punëdhënës-gjykatë. Procedura punëdhënës-gjykatë është procedurë ligjore dhe lejueshmëria e procesit diktohet nga shterimi i mjeteve të brendshme tek punëdhënësi si dhe parashtrimi i padisë në gjykatë brenda afatit të caktuar. Në të kundërtën, padia do të hedhet poshtë si e palejueshme. Gjykatat e rregullta nuk kanë mundësi të përjashtojnë vlerësimin e lejueshmërisë së padisë për mbrojtje gjyqësore të të drejtave nga marrëdhënia e punës, pa marrë në konsideratë respektimin e procedurës dhe afatit për parashtrimin e padisë. Kjo për shkak se është detyrim ligjor për çështje të kësaj natyre të vlerësohet nëse padia është e lejueshme lidhur me afatin dhe respektimin e procedurës.

 

  • Kjo mënyrë e veprimit, sipas gjykatës referuese:​​ i paraqet tri çështje për vlerësim nga gjykatat e rregullta dhe atë: 1) a mundet Inspektorati i Punës të paraqitet në hierarki vertikale në këtë rast, respektivisht a është i përligjur aktiviteti i Inspektoratit të Punës; 2) a do të llogaritet afati për parashtrimin e padisë nga veprimi i fundit i punëdhënësit apo nga veprimi i fundit i Inspektoratit të Punës; dhe 3) cilat janë mundësitë ligjore të punëdhënësit për ta kundërshtuar vendimin e Inspektoratit të Punës, kur me të njëjtin vendim punëdhënësi është urdhëruar të marrë veprime siç është rasti tani lidhur me zhvillimin e intervistave apo testeve.

 

  • Gjykata referuese argumenton se:​​ “Në shumë raste, ndërveprimi i Inspektoratit të Punës për çështjet jashtë juridiksionit të përcaktuar me ligj, ndikon në humbjen e mundësisë ligjore për të kërkuar mbrojtje në gjykatë, apo në rastet kur konsumohet në tërësi çështja kontestuese, atëherë i mohohet punëdhënësit e drejta për një proces gjyqësor të drejtë dhe të ligjshëm. Kjo situatë vjen në shprehje kur Inspektorati i​​ Punës anulon vendimin e punëdhënësit për rekrutim të punonjësve apo për çështje tjera, duke e detyruar​​ punëdhënësin​​ të​​ ndërmerr veprime të caktuara​​ (siç është rasti konkret, ku është detyruar e paditura​​ (DKA-Gjilan)​​ për mbajtjen e testit me shkrim dhe me gojë) e të​​ cilin vendim (të inspektoratit)​​ punëdhënësi nuk mund ta kundërshtojë as në konflikt administrativ për shkak se nuk është vendim përfundimtar”.​​ 

 

  • Në fund, Gjykata referuese thekson:​​ “Nga arsyet e sipërtheksuara vlerësojmë se pranimi i kësaj kërkese për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese do të ndikojë në​​ vendosjen e drejtë dhe të ligjshme të rastit konkret por' njëkohësisht do të ndikojë në rivendosjen e standardit kushtetues dhe ligjor për të drejtën e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore nga secili si dhe të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”.

 

Komentet e Avokatit të Popullit​​ 

 

  • Avokati i Popullit,​​ më 24 prill 2021, i dorëzoi komentet e tij përkitazi me pretendimet e gjykatës referuese, ku theksohet:​​ “Avokati i Popullit vëren se bëhet fjalë për problemet praktike të zbatimit të Ligjit të Punës, të cilat kanë rezultuar me ngritjen e shqetësimit nga Gjykata Supreme, rreth juridiksionit të Inspektoratit të Punës, në mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës, përkatësisht të nenit 94 të Ligjit të Punës, duke theksuar në lidhje me këtë se ... sipas kësaj dispozite, Inspektorati i Punës është kompetent për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës që bien në kompetencën e tij, në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe të Ligjit nr. 2003/19 për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të të Punësuarve dhe Mbrojtjen e Ambientit të Punës (i shfuqizuar nga Ligji nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë).

 

  • Përkitazi me parimin e ndarjes së pushteteve, Avokati i Popullit:​​ “... tërheq vëmendjen te Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht te neni 4, paragrafi 5, sipas të cilit: "Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat". Në këtë kuptim, dispozitat kushtetuese kanë përcaktuar qartë dhe shprehimisht se pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat. Përderisa një organ i cili vepron në kuadër të pushtetit ekzekutiv shqyrton dhe vendos për rastet të cilat bien në kompetencë të gjykatave, Avokati i Popullit konsideron se me këtë jo vetëm që veprohet në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve, por cenohet edhe e drejta e të punësuarve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si dhe e drejta për mbrojtje gjyqësore të të drejtave.

 

  • Avokati i Popullit tutje thekson:​​ “Sipas nenit 2 të Ligjit nr. 03/L-017 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, Inspektorati i Punës është trup ekzekutiv i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Prandaj, sipas përkufizimit të vetë ligjit, Inspektorati i Punës është trup që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pra Inspektorati i Punës vepron në kuadër të pushtetit ekzekutiv.

 

  • Rrjedhimisht, Avokati i Popullit thekson se:​​ “Inspektorati i Punës nuk i plotëson kriteret për të qenë një "gjykatë" apo “tribunal i pavarur” dhe, përveç kësaj, ligji nuk i jep juridiksion për të vendosur për çështje të cilat i ka ngritur Gjykata Supreme. Prandaj, çfarëdo veprimi i Inspektoratit të Punës për të vendosur për çështjet mbi të cilat sipas ligjit është e autorizuar gjykata, përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pa dyshim se veprimet e Inspektoratit të Punës, i cili jashtë juridiksionit vendos lidhur me çështjet e ngritura nga Gjykata Supreme, tek qytetarët krijon bindje që çështja përfundimisht do të vendoset nga Inspektorati i Punës, me ç’ rast i parandalohet të punësuarit që t'i drejtohet organit kompetent, që në këtë rast është gjykata, dhe me këtë ta humbasin afatin ligjor për​​ inicimin​​ e procedurave​​ gjyqësore, sipas dispozitave 78 dhe 79​​ të Ligjit të Punës. Kushtetuta në mënyrë parimore garanton mbrojtjen në gjykatë, si formën më të rëndësishme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në të drejtën e brendshme. Të drejtën e mbrojtjes në gjykatë e ka çdokush, të cilit i është shkelur apo mohuar e drejta e garantuar me Kushtetutë. Pos kësaj, neni 54 i Kushtetutës e përmban dispozitën e cila ia garanton çdo individi edhe të drejtën për masa efikase juridike, nëse konstatohet se e drejta i është shkelur. Nga kjo del se secilit i është garantuar e drejta për gjykim të pavarur, të paanshëm dhe të bazuar në ligj, që do të thotë se në këtë mënyrë është garantuar e drejta për gjykim të drejtë (neni 31 i Kushtetutës) dhe e drejta për mbrojtje të barabartë në gjykata.

Dispozitat relevante​​ 

Kushtetua​​ e Republikës së Kosovës

 

Kapitulli I

[Dispozitat Themelore]

 

Neni 3 [Barazia para Ligjit]

1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.​​ 

2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

 

Neni​​ 4

[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]

1.  ​​​​ Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.

2.  ​​​​ Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.

[…]

4. ​​ Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.

5.  ​​​​ Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.

[…]

Neni 102

[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]

  • Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat.

[...]

Kapitulli II

[Të Drejtat dhe Liritë Themelore]

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]

1.  ​​​​ Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

2.  ​​​​ Askush ​​ nuk ​​ mund ​​ ​​ diskriminohet ​​ ​​ bazë ​​ ​​ racës, ​​ ngjyrës, ​​ gjinisë, ​​ gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

3.  ​​​​ Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

Neni 49

[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]

1. E drejta e punës garantohet.

2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.

 

 

Neni 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.

 

Ligji​​ Nr. 06/L- 054 për Gjykatat

 

Neni 3

[Ushtrimi i Pushtetit Gjyqësor]

1.​​ Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat e themeluara me këtë ligj.​​ 

2. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik, i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.

 

Neni 4

[Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatave]

1. Gjykatat e themeluara me këtë ligj gjykojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së ​​ Kosovës dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

[...] ​​ 

 

Ligji ​​ Nr. 03/L-006 për​​ Procedurën​​ Kontestimore

 

Neni 49​​ 

[Kompetenca në kontestet nga marrëdhënia e punës]

Në qoftë se në kontestin nga marrëdhënia e punës paditës është punëtori, për gjykim është kompetente, përpos gjykatës së kompetencës së përgjithshme territoriale për të paditurin, edhe gjykata në territorin e së cilës kryhet puna ose është kryer, respektivisht gjykata në territorin e së cilës puna është dashur të kryhet, si dhe gjykata në territorin e së cilës është themeluar marrëdhënia e punës.

 

Neni 475​​ 

Në kontestet nga marrëdhënia e punës, e sidomos me rastin e caktimit të afateve dhe konvokimit të seancave gjyqësore, gjykata gjithmonë do të ketë parasysh nevojën e zgjidhjes së ngutshme të kontesteve nga marrëdhënia e punës.

 

Neni 486

Nuk konsiderohen konteste të vlerës së vogël, në kuptimin e dispozitave të këtij kreu, kontestet lidhur me sendet e paluajtshme, kontestet nga marrëdhëniet e punës dhe kontestet për shkak të pengimit të posedimit.​​ 

 

Ligji​​ Nr.03/L-212​​ i Punës​​ 

 

Neni 78​​ 

[Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit]

1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.  ​​ ​​​​ 2. Punëdhënësi ​​ është i obliguar​​ për të vendosur sipas kërkesës së të ​​ punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës. ​​ 

3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh.

 

Neni 79

[Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë]

Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.

 

Neni 82

[Mbrojtja e të ​​ punësuarit nga Inspektorati i Punës]

1. I ​​ punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien nën kompetencat e këtij organi.​​ 

2. Inspektorati i Punës duhet të nxjerrë vendime lidhur me ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve ose ta informojë parashtruesin e ankesës lidhur me zgjatjen e afatit brenda të cilit duhet të merret vendimi.​​ 

 

Neni 83

[Masat ndëshkuese]

Për shkeljen e dispozitave të këtij ligji nga ana e punëdhënësit, ​​ Inspektorati i Punës do t’i shqiptojë masat ndëshkuese bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës.​​ 

 

Nenin 94

[Mbikëqyrja]

Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe mbrojtjen në punë, e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligji Nr. 2003/19 për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.

 

Ligji Nr. 2002/9 për Inspektoratin e​​ Punës,​​ i​​ miratuar në dhjetor 2002, i​​ plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-017

 

Vërejtje:​​ më poshtë është versioni i​​ konsoliduar i tekstit të​​ Ligjit 2002/9​​ për​​ Inspektoratin e Punës.

 

Neni 1

[Fushëveprimi i Inspektoratit të​​ Punës]

1.1 Me këtë ligj themelohet Inspektorati i Punës si trup Ekzekutiv i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Inspektorati i Punës mbikëqyrë zbatimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore në lëmin e punës në mënyrë gjithë përfshirëse duke përfshirë marrëdhëniet e punës, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.​​ 

 

Neni 2

[Funksionet e Inspektoratit të punës]

2. Inspektorati i punës:

a) Do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit të punës, Ligjit për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës, si dhe dispozitave tjera të aplikueshme nga fusha e punësimit dhe mbrojtjes në punë.​​ ​​ 

b) Do t’iu siguroj informacion teknik dhe këshilla punëdhënëseve dhe punëtorëve për çështjet më të efektshme të zbatimit të dispozitave ligjore.

c) Do të njoftoj ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale apo ndonjë organ tjetër kompetent për ndonjë mungesë apo ndonjë shpërdorim në ligjin e aplikueshëm.

d) Do t’iu siguroj informatat dhe këshillat punëdhënësve dhe punëmarrësve të cilat do të jenë në pajtim me ligjin dhe t’i paralajmërojnë autoritetet kompetente për çfarëdo defektesh apo shpërdorimesh që nuk janë përfshirë me dispozita ligjore ekzistuese.

e) Do t’iu jep këshilla për çështje lidhur me ligjin e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve me rastin e riorganizimit apo ristrukturimit të një ndërmarrjeje.2

 

Neni 3

[Autoriteti i Inspektoratit të punës]

3.1 Inspektorati i punës themelohet nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe është përgjegjës para kësaj Ministrie në lidhje me koordinimin e veprimeve ekzekutive sa i përket Inspektorit të punës në Kosovë.

3.2 Autoriteti i Inspektoratit të punës përbëhet nga Kryeinspektori i punës dhe inspektorët e punës të cilët ushtrojnë funksionet e tyre në tërë Kosovën.

3.3 Inspektorati i Punës përbëhet nga Kryeinspektori i punës dhe inspektorët e punës të cilët ushtrojnë funksionin e tyre kudo në territorin e Republikës së Kosovës’’.

3.4​​ Me qëllim të zbatimit të ligjit nga​​ fushëveprimatria​​ e tij,​​ Inspektorati​​ i​​ punës koordinon veprimet dhe bashkëpunon me qeveritë komunale,​​ inspektoratet,​​ me autoritetet tjera relevante dhe me policinë e Kosovës.

3.5​​ Kryeinspektorin e punës e emron Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

3.6​​ Inspektorët komunal i zgjedhë Kuvendi i komunës

 

Ligji Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, miratuar më 16​​ maj 2013

 

Neni 24

​​ [Mbikëqyrja]

Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji e bën Inspektorati i Punës.​​ 

 

Neni 25​​ 

[Gjobat]

1. Personi fizik dhe personi juridik, që nuk i zbaton dispozitat e këtij ligji, në procedurë ligjore do të dënohet në të holla për secilën dispozitë të shkelur.

 

Pranueshmëria e​​ kërkesës

 

  • Gjykata së pari do të shqyrtojë nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 8, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

  • “Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

8. Gjykatat kanë të drejtë t’i referojnë Gjykatës Kushtetuese çështje përkitazi me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji, nëse ajo përputhshmëri është ngritur gjatë procedurës gjyqësore dhe gjykata referuese nuk është e sigurt për përputhshmërinë e Ligjit të kontestuar me Kushtetutën dhe nëse vendimi i gjykatës referuese për rastin e caktuar, varet nga përputhshmëria e ligjit në fjalë.”​​ 

[…]

 

  • Gjykata tutje i referohet neneve 51, 52 dhe 53 të Ligjit, që përcaktojnë:

 

Neni 51

[Saktësimi i kërkesës]

“1. Kërkesat e ngritura në pajtim me nenin 113, ​​ paragrafi 8 të Kushtetutës do të parashtrohet nga gjykata vetëm nëse Ligji i kontestuar duhet zbatohet drejtpërsëdrejti në çështjen që është pjesë e lëndës në​​ 
shqyrtim dhe vetëm nëse ligjshmëria e Ligjit të kontestuar është parakusht për marrjen e vendimit nga ana e gjykatës.

2. Kërkesa do të specifikojë se cilat dispozita të ligjit konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën.”

 

Neni 52

[Procedura para Gjykatës]

Pas ngritjes së kërkesës në pajtim me nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës, procedura para gjykatës referuese do të suspendohet deri në nxjerrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

 

Neni 53

[Vendimi]

“Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për pajtueshmërinë e dispozitës ligjore me Kushtetutën dhe nuk vendos për çështje të tjera faktike ose juridike që kanë të bëjnë me kontestin para gjykatës referuese.”

 

  • Gjykata, po ashtu, merr parasysh dispozitat e rregullit 77 të Rregullores së punës, që përcaktojnë:​​ 

 

Rregulli 77

[Kërkesa në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës​​ dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit]

 

(1) Kërkesa e ngritur sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me nenin 113.8 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53​​ të Ligjit.

 

(2) Çdo gjykatë e Republikës së Kosovës mund të parashtrojë një kërkesë sipas këtij rregulli, me kusht që:

 

  • ​​ Ligji i kontestuar duhet të zbatohet drejtpërdrejt nga gjykata në lidhje me çështjen në pritje; dhe

 

  • ligjshmëria e Ligjit të kontestuar është parakusht për vendimin lidhur me rastin në pritje të gjykatës.

 

(3) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të specifikojë se cilat dispozita të Ligjit të kontestuar konsiderohen të papajtueshme me Kushtetutën. Dokumenti i shqyrtuar nga Gjykata i bashkëngjitet kërkesës.

 

(4) Gjykata referuese mund të parashtrojë kërkesë ex officio ose me kërkesën e njërës prej palëve në rast dhe pavarësisht nëse një palë në rast ka kontestuar kushtetutshmërinë e dispozitës përkatëse ligjore.

 

(5) Pas parashtrimit të kërkesës, Gjykata urdhëron gjykatën referuese që të pezullojë procedurën lidhur me rastin në fjalë derisa të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese.​​ 

 

  • Në dritën e dispozitave të sipërcekura, rezulton se çdo kërkesë e dorëzuar sipas nenit 113, paragrafit​​ 8 të Kushtetutës, që të jetë e pranueshme, duhet t’i plotësojë kriteret në vijim:​​ 

 

  • Kërkesa të jetë dorëzuar nga një gjykatë;​​ 

  • Gjykata referuese​​ nuk është e sigurt për përputhshmërinë e Ligjit të kontestuar me Kushtetutën;

  • Gjykata referuese duhet të specifikojë se cilat dispozita të Ligjit konsiderohen të papajtueshme me Kushtetutën;

  • Ligji duhet të zbatohet drejtpërdrejt nga gjykata referuese në rastin në shqyrtim para saj;​​ 

  • Kushtetutshmëria e Ligjit të Punës është parakusht për të marrë vendim në rastin në shqyrtim.

 

  • Gjykata sjellë në vëmendje praktikën e saj gjyqësore e cila konfirmon kriteret e lartpërmendura përkitazi me pranueshmërinë e kërkesave të​​ paraqitura në bazë të nenit 113,​​ paragrafit​​ 8,​​ të Kushtetutës (shih, mutatis mutandis,​​ rastin e Gjykatës,​​ KO126/16, parashtrues:​​ Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 27 marsit 2017, paragrafi 62;​​ si dhe rastin e Gjykatës Kushtetuese​​ KO142/16, parashtrues:​​ Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit,​​ Aktgjykimi i​​ 9 majit 2017, paragrafi 58).​​ 

 

Sa i përket​​ kriterit​​ ​​ parë​​ 

 

  • Gjykata rikujton se kërkesa është dorëzuar nga Gjykata Supreme dhe është nënshkruar nga kryetari i saj, në kuadër të autorizimeve që lidhen me funksionin e tij. Në kërkesë theksohet qartë se ajo paraqitet nga Gjykata Supreme e cila duhet të vendosë për “kërkesën për revizion” të paditëses Teuta Nuhiu-Sherifi. Prandaj, Gjykata konsideron se kërkesa KO27/21 është dorëzuar nga një “gjykatë” në kuptim të nenit 113.8 të Kushtetutës (shih rastin e Gjykatës Kushtetuese,​​ KO04/11,​​ parashtrues:​​ Gjykata Supreme e Kosovës, të 1 marsit 2011). ​​ 

 

Sa i përket kriterit​​ ​​ dytë​​ 

 

  • Gjykata po ashtu vëren se gjykata referuese ka ngritur dyshime për kushtetutshmërinë e​​ dispozitës​​ së​​ Ligjit të Punës në lidhje me juridiksionin e Inspektoratit të Punës. Pra, gjykata referuese nuk është e sigurt për përputhshmërinë e​​ dispozitës përkatëse të​​ Ligjit të Punës,​​ me Kushtetutën, siç përcaktohet me nenin 113.8 të Kushtetutës.

 

Sa i përket kriterit​​ ​​ tretë​​ 

 

  • Gjykata përkitazi me përmbushjen e këtij kriteri,​​ vëren​​ se​​ gjykata referuese ka specifikuar në mënyrë të veçantë dispozitën e​​ nenit 94 të​​ Ligjit të Punës,​​ si dispozitë të cilën e konsideron​​ si të papajtueshme me Kushtetutën.​​ Po ashtu gjykata referuese​​ i​​ ka cekur dhe dispozitat kushtetuese me të cilat pretendon se​​ neni 94 i​​ Ligjit të Punës bie ndesh,​​ përkatësisht​​ nenet 3, 24, 31, 49 dhe 54 të Kushtetus.​​ 

 

​​ Sa i përket​​ kriterit të​​ katërt​​ dhe të​​ pestë​​ 

 

  • Në vijim, Gjykata vlerëson nëse Ligji i Punës apo dispozita specifike e tij duhet të zbatohet drejtpërdrejt nga gjykata referuese në rastin në shqyrtim e sipër para saj dhe nëse​​ kushtetutshmëria​​ e Ligjit të Punës është parakusht për marrjen e​​ vendimit nga gjykata referuese.​​ Gjykata konsideron se “zbatimi i drejtpërdrejtë” i normës konkrete, nënkupton se nga zbatimi apo moszbatimi i saj varet rezultati i vendimit nga ana e gjykatës referuese. Përkatësisht, si pasojë e zbatimit apo moszbatimit të drejtpërdrejtë të normës konkrete, gjykatat e rregullta do të mund të merrnin vendime me rezultate të ndryshme (shih, rastet e Gjykatës,​​ KO126/16, cituar me lartë​​ dhe​​ KO157/18, me parashtrues​​ Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, Aktgjykimi​​ i​​ 13 marsit 2019).​​ 

 

  • Së këndejmi, në mënyrë që të ekzistojë lidhje e drejtpërdrejtë, duhet të ketë një raport të domosdoshëm ndërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese,​​ zgjidhjes së çështjes së kushtetutshmërisë së ligjit nga kjo Gjykatë​​ dhe zgjidhjes së çështjes kryesore nga gjykata referuese, në kuptimin që gjykimi nga gjykata referuese nuk mund të përfundojë në mënyrë të pavarur pa vendosur Gjykata Kushtetuese (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rastet e Gjykatës,​​ KO126/16,​​ cituar​​ më lart, paragrafi 65;​​ KO142/16,​​ cituar​​ më lart, paragrafi 62; dhe​​ KO157/18, cituar me lartë, paragrafi 53).

 

  • Në kontekstin e përmbushjes së​​ kriterit​​ të​​ katërt​​ dhe​​ të​​ pestë,​​ se​​ ligji duhet të zbatohet drejtpërdrejt nga gjykata referuese në rastin në shqyrtim para saj dhe se​​ kushtetutshmëria e ligjit të kontestuar është​​ parakusht​​ për të marrë vendim në rastin në shqyrtim, gjykata referuese argumenton:​​ “...Për çështjen konkrete (dhe jo vetëm) është e rëndësishme të bëhet vlerësimi i përshtatshmërisë kushtetuese të dispozitës së kërkuar, për shkak se vendimi i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje do të ketë ndikim të​​ drejtpërdrejtë​​ në vlerësimin për lejueshmërinë e mbrojtjes gjyqësore në rastin konkret. Kjo për shkak se pala paditëse në rastin konkret, sipas udhëzimit të paditurës, para se të kërkonte mbrojte gjyqësore në gjykatë, e ka konsumuar edhe procedurën në Inspektoratin e Punës, dhe në këtë mënyrë ka krijuar shkëputje të procedurës punëdhënës-gjykatë. ...lejueshmëria e procesit diktohet nga shterimi i mjeteve të brendshme tek punëdhënësi si dhe parashtrimi i padisë në gjykatë brenda afatit të caktuar... Kjo për shkak se është detyrim ligjor për çështje të kësaj natyre të vlerësohet nëse padia është e lejueshme lidhur me afatin dhe respektimin e procedurës”.

 

  • Esenca e lidhjes së rastit konkret me nevojën e vlerësimit të kushtetutshmërisë së nenit 94 të Ligjit të Punës dhe zbatimin e​​ kësaj dispozite​​ nga​​ gjykata​​ ​​ referuese,​​ në rrethanat e rasti konkret,​​ ka të bëjë me faktin se​​ vendimmarrja e Gjykatës​​ Kushtetuese​​ do të​​ këtë ndikim​​ ​​ pranimin e kërkesës për revizion dhe shqyrtimin e meritave të kërkesëpadisë​​ së Teuta Nuhiu-Sherifi, ose hedhjen poshtë,​​ si të pasafatshme të​​ kërkesëpadisë​​ ​​ saj,​​ për shkak​​ ​​ shkëputjes së procedurës, gjegjësisht​​ ​​ humbjes së​​ afati për​​ ​​ kërkuar mbrojtje gjyqësore në​​ gjykatë,​​ sipas nenit 79 të​​ Ligjit të Punës, qe do të rezultonte me ndryshimin e aktgjykimeve të gjykatave të instancës me të​​ ulët.​​ Nga shkresat e​​ lëndës, Gjykata vëren se inicimi paralel i​​ procedurave, gjegjësisht ​​ ushtrimi paralel të mjeteve juridike​​ në njërën anë pranë​​ Inspektoratit të​​ Punës, sipas procedurës administrative​​ dhe​​ ​​ anën tjetër​​ ​​ Gjykatën Themelore në Gjilan,​​ sipas procedurës kontestimore,​​ në rastin e​​ Teuta Nuhiu-Sherifi​​ ka rezultuar​​ si pasojë e​​ këshillës​​ juridike​​ ​​ dhënë​​ në Vendimin​​ [nr.17367/2018], e​​ 28 shkurtit 2018​​ nga Komisioni​​ i ankesave​​ i​​ Komunës së Gjilanit.​​ 

 

  • Për këto arsye dhe jo vetëm,​​ gjykata​​ referuese thekson​​ se:​​ “...pranimi i kësaj kërkese për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese do të ndikojë në vendosjen e drejtë dhe të ligjshme të rastit konkret, por njëkohësisht do të ndikojë në rivendosjen e standardit kushtetues dhe ligjor për të drejtën e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore nga secili si dhe të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm”.

 

  • Andaj, Gjykata konsideron​​ se​​ vlerësimi​​ i​​ kushtetutshmërisë së​​ nenit 94 të Ligjit të Punës, do të ketë​​ ndikim​​ vendimtar​​ në​​ vendosjen e​​ rastit të​​ Teuta Nuhiu-Sherifi​​ nga gjykata referuese. ​​ 

 

  • Rrjedhimisht,​​ sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë, Gjykata konstaton:​​ 1)​​ se​​ kërkesa është dorëzuar nga Gjykata Supreme, si gjykatë referuese,​​ e cila​​ është​​ palë e autorizuar;​​ 2)​​ se​​ gjykata referuese​​ nuk është e sigurt​​ për​​ përputhshmërinë​​ e nenit 94 të​​ Ligjit të Punës, me dispozita kushtetuese;​​ 3)​​ se​​ gjykata referuese​​ i​​ ka specifikuar po ashtu​​ dispozitat​​ kushtetuese, më të cilat​​ neni 94 i​​ Ligjit të Punës është​​ i papajtueshëm; 4)​​ ajo po ashtu​​ ka​​ argumentuar​​ se​​ neni​​ 94 i​​ Ligjit​​ ​​ Punës​​ duhet të zbatohet drejtpërdrejt​​ në rastin nën shqyrtim para saj; dhe 5)​​ se​​ kushtetutshmëria e​​ nenit 94 të​​ Ligjit të​​ Punës​​ është parakusht për të marrë vendim në rastin në shqyrtim.

 

  • Për më tepër, Gjykata vëren​​ gjithashtu​​ se kërkesa nuk është e papranueshme në asnjë nga bazat e tjera të përfshira në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, prandaj, Gjykata deklaron që kërkesa është e pranueshme për shqyrtim të meritave të saj.

 

Meritat e kërkesës​​ 

 

  • Gjykata vëren se gjykata referuese ka para saj një kërkesë për revizion të parashtruar nga Teuta Nuhiu-Sherifi, e cila​​ procedurë​​ është pezulluar në pajtim me nenin 52​​ të Ligjit​​ për Gjykatën Kushtetuese, derisa Gjykata të vendosë për përputhshmërinë e nenit 94 të Ligjit të Punës me dispozita specifike të Kushtetutës. Parashtruesja, Teuta Nuhiu-Sherifi kishte ushtruar në mënyrë paralele mjetet juridike,​​ ​​ procedurë administrative dhe​​ ​​ procedurë kontestimore,​​ për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të saj.​​ Fillimisht​​ kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimeve të DKA-Gjilan, pranë Inspektoratit të Punës në Gjilan,​​ i cili nëpërmjet Vendimit nr. 17367/2018, kishte refuzuar ankesën e saj dhe kishte konfirmuar Vendimin e Komisionit të ankesave, të 28 shkurtit 2018. E pakënaqur me këtë vendim ajo kishte parashtruar ankesë pranë Inspektoratit të Punës në Prishtinë (shkalla e dytë), i cili nëpërmjet Vendimit nr. 218/2018 kishte aprovuar ankesën e saj dhe kishte urdhëruar​​ Komunën e Gjilanit të përsëriste konkursin për pozitën​​ “Edukatore”​​ në shkollën Dardania 1 (një). Megjithatë, Teuta Nuhiu-Sherifi, krahas ushtrimit të ankesës në Inspektoratin e​​ Punës në Prishtinë, vetëm një javë​​ ​​ pas, kishte parashtruar edhe padi në Gjykatën Themelore në Gjilan. Gjykata Themelore​​ me Aktgjykimin C.nr.404/18, kishte refuzuar padinë dhe kishte konfirmuar vendimet e organeve të komunës së Gjilanit. Ky Aktgjykim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit me Aktgjykimin Ac. nr. 834/19, të 23 prillit 2019.​​ 

 

  • Aktgjykimet e gjykatave me të ulëta u kontestuan nga Teuta Nuhiu-Sherifi nëpërmjet ushtrimit të kërkesës për revizion, në Gjykatën Supreme (gjykata referuese). Megjithatë, gjykata referuese me Aktvendimin Rev.nr.209/19, kishte pezulluar vendimmarrjen dhe e kishte referuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke sqaruar se​​ “ajo nuk mund të vendosë sipas revizionit deri sa Gjykata Kushtetuese të merr vendim meritor lidhur me këtë kërkesë”,​​ për arsye se neni 94 i Ligjit të Punës, i cili duhej zbatuar në rastin konkret, ngrenë pretendime të bazuara për mos përputhshmërinë e tij me parimet e sigurisë juridik dhe të rendit juridik të Republikës së Kosovës, si dhe nenet 3, 24, 31, 49 dhe 54 të Kushtetutës.

 

  • Gjykata, bazuar në analizimin e pretendimeve të ngritura​​ në kërkesë​​ nga gjykata referuese, vëren se thelbi i pretendimeve të gjykatës referuese në të vërtetë ka të bëjë me​​ juridiksionin​​ e Inspektoratit të Punës,​​ përkatësisht me​​ ushtrimin paralel të kompetencave të këtij të fundit, nëpërmjet nenit 94 të Ligjit të Punës, sikurse të ishte gjykatë​​ e themeluar me ligj.​​ 

 

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ nenit 94 të Ligjit të​​ Punës, me Kushtetutën​​ 

 

  • Gjykata, bazuar në thelbin e pretendimeve të ngritura nga gjykata referuese,​​ në vazhdim do të analizojë nëse në rrethanat e rastit konkret ndërhyrja e Inspektoratit të Punës në kompetenca të gjyqësorit,​​ ​​ ka ndodhur si rezultat i papajtueshmërisë së normës së ligjit, me​​ Kushtetutën,​​ ​​ apo si rezultat​​ i​​ interpretimit dhe zbatimit të normës në fjalë.

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht i referohet përmbajtjes së nenit 94 të Ligjit të Punës, që përcakton:​​ 

 

Neni​​ 94

[Mbikëqyrja]

Mbikëqyrjen​​ e zbatimit të dispozitave të këtij ligji të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe mbrojtjen në punë, e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligji Nr. 2003/19 për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.”

 

  • Gjykata, vëren se përmbajtja e këtij neni i referohet Inspektoratit të Punës, si institucion, i cili e bën mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës, të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës,​​ i punësuar/punëdhënës, sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve në vendin e punës. Këtë mbikëqyrje sipas kuptimit të kësaj norme, Inspektorati i Punës duhet ta bëjë në bazë të kompetencave të përcaktuara nga ligjvënësi me​​ Ligjin​​ për Inspektoratin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.​​ 

 

  • Gjykata rikujton se​​ Ligji nr. 2003/9 për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të ​​ Punësuarve dhe Mbrojtjen e Ambientit të Punës,​​ të cilit i referohet​​ nenit​​ 94​​ ​​ Ligjit të​​ Punës është shfuqizuar dhe zëvendësuar me Ligjin nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, miratuar nga Kuvendi​​ i Republikës së Kosovës​​ më 16 maj 2013. Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se neni 94 i Ligjit të​​ Punës duhet të reflektojë Ligjin nr. 04/L-161, në fuqi.

 

  • Duke qenë se Ligji i Punës përmban dispozita të tjera që ndërlidhen me Inspektoratin e Punës​​ edhe​​ në lidhje me të kuptuarit e gjuhës së​​ nenit​​ 94 të këtij ligji, Gjykata tutje i referohet përmbajtjes së neneve 82 dhe 83 të Ligjit të Punës, që përcaktojnë:​​ ​​ 

 

Neni​​ 82

[Mbrojtja e të punësuarit nga Inspektorati i Punës]

  • I ​​ punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien nën kompetencat e këtij organi.

​​ 2. Inspektorati i Punës duhet të nxjerrë vendime lidhur me ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve ose ta informojë parashtruesin e ankesës lidhur me zgjatjen e afatit brenda të cilit duhet të merret vendimi.

 

Neni​​ 83

[Masat ndëshkuese]

Për shkeljen e dispozitave të këtij ligji nga ana e punëdhënësit, ​​ Inspektorati i Punës do t’i shqiptojë ​​ masat ndëshkuese bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës.

 

  • Gjykata vëren se paragrafi 1, i nenit 82 përcakton të drejtën e të punësuarit për t’u ankuar pranë Inspektoratit të Punës, për çështjet që​​ janë​​ në kompetencë të tij. Ndërsa fjalia​​ vijuese​​ e paragrafit 1, përcakton afatin brenda të cilit Inspektorati i Punës duhet të vendos për ankesën e parashtruar pranë tij. ​​ Tutje, neni 83 i Ligjit të Punës përcakton masat ndëshkuese që Inspektorati i Punës mund t’i​​ shqiptojë ndaj punëdhënësit, për​​ parregullsitë e konstatuara, brenda fushëveprimit dhe në përputhje me funksionet e përcaktuara shprehimisht me ligj. Nga përmbajtja e këtyre neneve​​ është e vetëkuptueshme​​ që​​ Inspektorati i Punës​​ mund t’u ofrojë​​ të punësuarve​​ mbrojte vetëm brenda kompetencave të përcaktuara me ligjin themelues, përkatësisht me Ligjin nr.​​ 2002/9 për Inspektoratin e Punës.​​ 

 

  • Gjykata nga përmbajtja e normave të​​ sipërcituara​​ vëren​​ se roli i Inspektoratit të Punës, si​​ “trupë inspektuese”​​ është mbikëqyrja e zbatimit të dispozitave të Ligjit të​​ Punës. Përkatësisht, Inspektoratin e Punës, ligjvënësi nëpërmjet neneve​​ 82, 83 dhe​​ 94, të Ligjit të Punës, e ka​​ autorizuar​​ për ta bërë​​ “mbikëqyrjen”​​ e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës, të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës ndërmjet të punësuarit dhe punëdhënësit, si dhe mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin​​ në Punë, pra të mbikëqyrë zbatimin e​​ masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë.​​ 

 

  • Megjithatë, Ligji i Punës, përveç mbrojtës së të punësuarave nga Inspektorati i Punës, mes tjerash përcakton gjithashtu edhe të drejtën e të punësuarve për të kërkuar​​ “mbrojtje gjyqësore”​​ të të drejtave në gjykatë. Kjo e drejtë në mënyrë​​ shprehimore​​ është e rregulluar me nenet 78 dhe 79 të Ligjit të Punës, dispozitat e të cilëve përcaktojnë:​​ 

 

Neni 78

[Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit]

1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë të punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.  ​​​​ 

2. ​​ Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të ​​ punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës. ​​ 

3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh.

 

 

Neni​​ 79

[Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë]

Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj​​ kontest pune​​ në Gjykatën Kompetente .

 

  • Nga leximi i përmbajtjes së nenit 78, Gjykata vëren se ligjvënësi nëpërmjet këtij neni ka përcaktuar hapat që i punësuari duhet t’i ndërmarrë, paraprakisht tek punëdhënësi, para se të kërkojë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tij nga marrëdhënia e punës. Paragrafët​​ vijues​​ 2 dhe 3 të nenit 78 të Ligjit të Punës, përcaktojnë afatet brenda të cilëve punëdhënësi duhet t’i përgjigjet të punësuarit, nëpërmjet një vendimi në formë të shkruar.​​ 

 

  • Ndërsa neni 79 i Ligjit të Punës, përcakton të drejtën e të punësuarit për të kërkuar mbrojte gjyqësore të të drejtave në gjykatë,​​ pasi që i punësuari t’i ketë shterur mjetet e brendshme juridike tek punëdhënësi i tij. Në këtë kontekst, neni 79 i Ligjit të Punës e përcakton gjykatën si të vetmin autoritetet në Republikën e Kosovës që vendosë dhe zgjidhë​​ kontestet e punës”​​ (kompetenca lëndore), mes të punësuarit dhe punëdhënësit. Kjo dispozitë si e tillë del të jetë në​​ pajtueshmëri​​ edhe me kërkesat e nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.​​ 

 

  • Gjykata, nga analizimi i neneve 78, 79, 82, 83 dhe 94 të Ligjit të Punës dhe​​ po​​ ashtu duke pasur gjithnjë në vëmendje​​ parimet​​ e​​ përgjithshme përkitazi me sigurinë juridike,​​ vlerëson​​ se nenet e në fjalë, për nga​​ qëllimi,​​ qartësia​​ ​​ dhe parashikueshmëria e tyre janë të kuptueshëm, ngase nuk ekziston​​ ndonjë​​ paqartësi dhe​​ as​​ kundërthënie ndërmjet tyre. Të njëjtit po ashtu janë të qartë, sa i përket ofrimit të mbrojtjes​​ përkatëse​​ nga ana e Inspektoratit të Punës dhe gjykatës. Kjo për faktin se Inspektorati i Punës, sipas kuptimit të dispozitave të Ligjit të Punës, përcaktohet si organ i cili “mbikëqyrë” zbatimin e dispozitave që rregullojnë lëminë​​ e punës, sigurinë dhe shëndetin e të punësuarit në vendin e punës dhe në rast të konstatimit të parregullsive aplikon masa ndëshkuese (gjoba) ndaj punëdhënësit, në përputhje me funksionet e dhëna ligjore. Ndërsa, për dallim nga Inspektorati i Punës, neni 79 i Ligjit të Punës e përcakton​​ gjykatën​​ si të vetmin autoritet në Republikën e Kosovës që​​ zgjidhë “kontestet e punës” nga e drejta e punës, mes të punësuarit dhe punëdhënësit të tij.​​ Çdo interpretim ndryshe, do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve sikurse është përcaktuar në nenin 4 të Kushtetutës.​​ 

 

  • Në​​ këtë kuptim, Gjykata konsideron se nuk ekziston paqartësi ose kundërthënie në atë se kush ​​ e “mbikëqyrë” zbatimin e dispozitave të Ligjit të Punës dhe të Ligjit për Siguri​​ dhe Shëndetin​​ në Punë, dhe kush vendos dhe zgjidhë​​ “kontestet e punës”​​ dhe ofron mbrojte gjyqësore të të drejtave, nga e drejta e punës, sipas ligjit në fjalë.

 

  • Për​​ me tepër, Gjykata​​ vëren​​ se statusi dhe juridiksioni i Inspektoratit të Punës, përcaktohet me​​ Ligjin Nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-161, të 16 majit 2013.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata i referohet nenit 1.1 [Fushëveprimi i Inspektoratit të Punës], që përcakton: ​​ 

 

Neni 1

[Fushëveprimi i Inspektoratit të Punës]

1.1 Me këtë ligj themelohet Inspektorati i Punës si trup Ekzekutiv i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Inspektorati i Punës​​ mbikëqyrë​​ zbatimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore në lëmin e punës në mënyrë gjithëpërfshirëse duke përfshirë marrëdhëniet e punës, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës.”​​ 

 

  • Nga​​ si më sipër, Gjykata vëren se fjalia e parë e paragrafit 1, e përcakton Inspektoratin e Punës si “trupë ekzekutive” që themelohet në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS]. Ndërsa fjalia e dytë e të njëjtit paragraf përcakton fushëveprimin e Inspektoratit të Punës, si trupë ekzekutive, i cili do të​​ “mbikëqyrë”​​ zbatimin e legjislacionit primar dhe sekondar në lëminë​​ e punës, përfshirë rregullimin e marrëdhënies së punës, ndërmjet të punësuarit dhe punëdhënësit, sigurinë dhe shëndetin e të punësuarit në vendin e punës.​​ 

 

  • Tutje, Gjykata i referohet​​ edhe​​ nenit​​ 2 [Funksionet e Inspektoratit të Punës] të​​ Ligjit nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, që përcakton:​​ ​​ 

 

Neni​​ 2

[Funksionet e Inspektoratit të Punës]

2. Inspektorati i Punës:

a) Do të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit të Punës, Ligjit për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës, si dhe dispozitave tjera të aplikueshme nga fusha e punësimit dhe mbrojtjes në punë.​​ ​​ 

b) Do t’iu siguroj informacion teknik dhe këshilla punëdhënëseve dhe punëtorëve për çështjet më të efektshme të zbatimit të dispozitave ligjore.

c) Do të njoftoj ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale apo ndonjë organ tjetër kompetent për ndonjë mungesë apo ndonjë shpërdorim në ligjin e aplikueshëm.

d) Do t’iu siguroj informatat dhe këshillat punëdhënësve dhe punëmarrësve të cilat do të jenë në pajtim me ligjin dhe t’i paralajmërojnë autoritetet kompetente për çfarëdo defektesh apo shpërdorimesh që nuk janë përfshirë me dispozita ligjore ekzistuese.

e) Do t’iu jep këshilla për çështje lidhur me ligjin e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve me rastin e riorganizimit apo ristrukturimit të një ndërmarrjeje.

 

  • Gjykata​​ vëren​​ se neni 1 i Ligjit për​​ Inspektoratin e Punës përcakton se në kuadër të cilit pushtet themelohet Inspektorati i Punës, ​​ se çfarë rregullative ligjore mbikëqyr, dhe në cilët segmente në lëminë​​ e punës.

 

  • Sipas rregullimit të nenit​​ 2 të Ligjit për​​ Inspektoratin e Punës, Gjykata vëren se funksionet e Inspektoratit të Punës janë: 1) mbikëqyrja efektive e zbatimit të legjislacionit primar dhe sekondar nga marrëdhënia e punës, siguria dhe shëndeti në punë; 2) të ofruarit e informatave dhe këshillave të natyrës teknike, për të punësuarin dhe punëdhënësin; 3) të njoftuarit e MPMS-së ose ndonjë organ tjetër kompetent për​​ moszbatim apo mosrespektim​​ të mundshëm të ligjit të aplikueshëm; 4) të identifikuarit e mangësive që nuk janë përfshirë me dispozita ligjore ekzistuese; si dhe 5) dhënia e informatave dhe këshillave të të punësuarve dhe punëdhënësve në raste të riorganizimit apo ristrukturimit të një ndërmarrjeje.​​ 

 

  • Thënë këtë, Gjykata konsideron se​​ funksionet, përkatësisht përgjegjësitë apo​​ juridiksioni​​ i​​ Inspektoratit​​ të Punës është përcaktuar në​​ mënyrë specifike​​ ​​ Ligjin​​ nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës. Kjo për faktin se mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës dhe të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (neni 82 dhe 94 i Ligjit të Punës) Inspektorati i Punës do ta ushtrojë në kuadër të​​ përgjegjësive​​ që​​ i janë dhënë atij nga ligjvënësi me Ligjin nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës.​​ Ajo çfarë i është lejuar Inspektoratit të Punës me nenin 83 [Masat ndëshkuese] të Ligjit të Punës dhe nenin 25 [Gjobat] të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin është mundësia e​​ zbatimit​​ të masave ndëshkuese (gjobave) në rast të konstatimit të parregullsive nga ana e punëdhënësit, si dhe raportimi i këtyre parregullsive në MPMS ose tek ndonjë autoritetet tjetër kompetent.​​ 

 

  • Në dritën e analizave të mësipërme, Gjykata vlerëson se Inspektorati i Punës është trupë ekzekutive e MPMS-së, dhe si i tillë pjesë e pushtetit ekzekutiv, e​​ që​​ si të tillë e përcakton​​ qartësisht​​ Ligji nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës. Për me tepër, asnjë normë e Ligjit të Punës dhe e Ligjit nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, nuk​​ parasheh apo nënkupton që​​ Inspektoratit​​ ​​ Punës​​ t’i jepet​​ autoritet me atribute të një​​ “gjykate”​​ apo të një​​ “tribunali të pavarur”.​​ Gjykata rikujton se neni 79 i Ligjit të Punës do të ishte i pakuptimtë dhe i pazbatueshëm, sepse​​ kjo dispozitë​​ e përcakton gjykatën si të vetmin autoritet publik në Republikën e Kosovës​​ ​​ do të vendosë për “kontestet e punës” dhe të drejtat e punës të garantuara me Kushtetutë dhe Ligjin e Punës. Në këtë kuptim, duket qartë se ligjvënësi, formulimin e përmbajtjes së këtij neni e ka bërë në pajtueshmëri të plotë me dispozitat e neneve 31 dhe 54 të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

[...]

2.  ​​​​ Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

Neni 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”

 

  • Gjykata tërheq vëmendjen se në mënyrë që një institucion të ketë atributet e një​​ “gjykate”​​ apo të një​​ “tribunali të pavarur”,​​ para së gjithash duhet të përmbushë disa kritere, njëri ndër të cilët është të qenurit plotësisht i pavarur nga ekzekutivi (shih GJEDNj, rastin​​ Beaumartin kundër Francës,​​ nr. 15287/89,​​ Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994,​​ paragrafi 38, ku citohet se​​ "vetëm një institucion që ka juridiksion të plotë dhe që përmbush një varg kërkesash, siç është: pavarësia nga ekzekutivi ..., meriton të quhet "'tribunal" brenda kuptimit të nenit 6 par. 1").​​ Pavarësia nga ekzekutivi është kriter i padiskutueshëm (shih​​ GJEDNj, rasti​​ Belilos kundër Zvicrës,​​ nr.​​ 10328/83,​​ Aktgjykimi i 29 prillit 1988,​​ paragrafi 64;​​ dhe së fundmi rastin​​ Beg S.P.A kundër Italisë,​​ nr. 5312/11, Aktgjykimi i 20 majit 2020, paragrafi 128, dhe rastet e cituara aty).​​ Thënë këtë, Gjykata rikujton se kriteret e përcaktuara nga GJEDNJ​​ i reflekton edhe Kushtetua në nenin 4 të saj.​​ 

 

  • Andaj,​​ duke pasur parasysh shtjellimet e mësipërme, Gjykata konsideron se në rastin konkret pretendimi për ndërhyrje në kompetenca të gjyqësorit,​​ , nga ana e Inspektoratit të Punës, nuk rezulton të jetë shkak i papajtueshmërisë së nenit 94 të Ligjit të Punës me Kushtetutën,​​ gjegjësisht​​ me nenet 3, 24, 31, 49 dhe 54 të Kushtetutës, por rezultat i interpretimit dhe i​​ interpretimit dhe​​ zbatimit​​ të gabuar​​ të nenit 94 të Ligjit të Punës dhe i​​ Ligjit nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, nga ana e Inspektoratit të Punës.​​ ​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se Kushtetuta në paragrafin 3 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], i ka​​ mveshur me juridiksion të plotë gjykatat e rregullta, duke përcaktuar në mënyrë shprehimore se:​​ “3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”.​​ Sipas kuptimit të kësaj dispozite të Kushtetutës, gjykata referuese, por edhe gjykatat e instancave me të ulëta, gëzojnë juridiksion të plotë, që në situatat kur ato ballafaqohen, qoftë me kolizione të ligjeve, me interpretim a zbatim të gabuar ose arbitrar të ligjeve të aplikueshme, me tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj nga ana e një autoriteti publik, apo me çfarëdo veprimi tjetër që bie ndesh me ligjin, t’i shpallin vendimet dhe veprimet e tyre të jashtëligjshme.​​ 

 

Përfundime

 

  • Gjykata vëren se Ligji i Punës, Ligji për Inspektoratin e Punës, Ligji për Siguri dhe Mbrojtje në​​ punë, mandatojnë​​ Inspektoratin e Punës​​ për mbikëqyrjen e zbatimit të​​ këtyre ligjeve në​​ pajtim me​​ fushëveprimin dhe​​ funksionet e përcaktuara në​​ nenin​​ 1 dhe​​ 2 të​​ Ligjit nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës.​​ Por, as​​ në dispozitat e këtij ligji,​​ ligjeve​​ të​​ tjera​​ dhe as nga gjuha e nenit 94 të​​ Ligjit të​​ Punës, nuk mund të​​ kuptohet e as​​ të​​ nënkuptohet që​​ një​​ organ inspektues mund të​​ përvetësojë​​ funksione​​ gjyqësore. Gjuha e normës kushtetuese​​ është​​ e qartë.​​ Funksione​​ gjyqësore mund të​​ ushtrojnë​​ vetëm gjykatat, sipas parimeve të​​ përcaktuara me Kushtetutë​​ dhe ligjet përkatëse.​​ 

 

  • Organet inspektuese sipas natyrës së​​ funksioneve që​​ ushtrojnë​​ dhe statusit institucional të​​ përcaktuar nga aktet që​​ kanë​​ themeluar ato, janë​​ pjesë​​ e pushtetit ekzekutiv dhe si të​​ tilla nuk mund të​​ ushtrojnë​​ funksione të​​ natyrës gjyqësore. Nëse do të​​ veprohej kështu,​​ kjo do të​​ përbënte shkelje të​​ parimit të​​ ndarjes së​​ pushteteve dhe po ashtu do të​​ rezultonte edhe në​​ cenimin e garancive​​ themelore​​ kushtetuese​​ të​​ përcaktuara në​​ Kapitullin II dhe​​ në​​ Kapitullin VII të​​ Kushtetutës.​​ 

 

  • Gjyqësorit i është besuar autoriteti i ushtrimit të një funksioni të rëndësishëm shoqëror, ai i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve e kontesteve të natyrës juridike, andaj i takon atij që përmes vendimmarrjes gjyqësore në përputhje me normat e zbatueshme, të përmbush këtë funksion shoqëror.​​ 

 

  • Duke marrë parasysh arsyet e​​ sipërtheksuara,​​ Gjykata konkludon se neni 94 i Ligjit të Punës është në përputhshmëri me Kushtetutën, gjegjësisht me parimin e sigurisë juridike dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, sikundër dhe me nenet:​​ 3​​ [Barazia para Ligjit],​​ 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës, me nenet 20, 51, 52 dhe 53 të Ligjit dhe me rregullat 59​​ (1)​​ dhe 77 të Rregullores së punës, më​​ 7 dhjetor​​ 2022:​​ 

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË,​​ me shumicë​​ votash, kërkesën të pranueshme;

 

  • TË KONSTATOJË,​​ me shumicë​​ votash,​​ që neni 94 i Ligjit​​ nr. 03/L-212 të Punës është në​​ përputhshmëri​​ me​​ Kushtetutën;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;​​ 

​​ 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe

 

  • Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

 

Parashtruesit:

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër