Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CML.nr.12/20, të 20 janarit 2021

Nr. të lëndës KI 84/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI84/21, Parashtrues: Telekomi i Kosovës Sh.A., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CML.nr.12/20, të 20 janarit 2021

KI84/21, Aktgjykim i 24 nëntorit 2021, publikuar më 17 dhjetor 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, parimi i “barazisë së armëve”, procedurë përmbarimi,  “juridiksion i plotë” 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Marrëveshjen për Shërbimet Mbështetëse të Operatorit Virtual të Rrjetit Mobil (Marrëveshja), të lidhur në mes të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Telekomit të Kosovës dhe Kompanisë “Dardafon”, lidhur me ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile. Marrëveshja e lartcekur, kishte rezultuar në një kontest në mes të palëve dhe si pasojë, kompania “Dardafon” kishte iniciuar tri (3) procedura të ndryshme, si në vijim: (i) procedurën para Tribunalit të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare (ICC) lidhur me zgjidhjen e kontestit nga Marrëveshja e lartcekur, e cila kishte rezultuar në nxjerrjen e Vendimit përmes të cilit, ndër tjerash, detyrohej parashtruesi i kërkesës që kompanisë “Dardafon”, t’i paguaj një shumë të caktuar parash për shkak të mos respektimit të Marrëveshjes; (ii) procedurën lidhur me njohjen e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së, e cila kishte rezultuar në njohjen e këtij Vendimi nga Gjykata Themelore, vendim ky që ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht kishte arritur formën e prerë; si dhe (iii) procedura lidhur me përmbarimin e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së.

Objekti i çështjes para Gjykatës ndërlidhet vetëm me procedurën e tretë, përkatësisht procedurën lidhur me përmbarimin e Vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit të ICC-së. Kontesti në procedurë përmbarimore kishte filluar pasi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar prapësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Urdhrit Përmbarimor të nxjerrë nga Përmbaruesi Privat pas kërkesës së kompanisë “Dardafon”.

Kontestuese ndërmjet palëve në procedurat e zhvilluara para Gjykatës Themelore, ndër tjerash, ishte shuma e përgjithshme e borxhit kryesor, përkatësisht shuma e cila do të ishte objekt përmbarimi. Për pasojë, Gjykata Themelore kishte nxjerr një Konkluzion përmes të cilit detyroi kompaninë “Dardafon”, që në afat prej tri (3) ditësh, të bëjë precizimin e propozimit për përmbarim përkitazi me shumën e përgjithshme të borxhit kryesor. Në përgjigje të konkluzionit të lartcekur, kompania “Dardafon” dorëzoi në Gjykatën Themelore plotësimin e propozimit për përmbarim dhe një ekspertizë vetanake. Këto dokumente, Gjykata ia kishte dorëzuar edhe parashtruesit i kërkesës dhe i cili i kishte pranuar më 6 korrik 2020, ndërsa përgjigjen e tij në Gjykatë e kishte dorëzuar, të nesërmen përkatësisht, më 7 korrik.

Megjithatë, më 6 korrik 2020, Gjykata Themelore kishte nxjerrë vendimin e saj, duke refuzuar si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shumën prej 24,684,003.15 euro, ndërsa kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar prapësimin lidhur me shumën prej 315,99.85 euro. Kundër këtij Aktvendimi, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se Gjykata Themelore, mes tjerash, nuk e kishte marrë fare për bazë parashtresën e tij, sepse Aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte nxjerrë një ditë më herët, pra më 6 korrik 2020, pa pritur dhe pa e shqyrtuar përgjigjen e parashtruesit të kërkesës rreth precizimit të propozimit për përmbarim të kompanisë “Dardafon” dhe dokumenteve tjera, përfshirë ekspertizën, në shkelje të të drejtave të tij të garantuara me ligj dhe në cenim të parimit të “barazisë së armëve” të garantuar me Kushtetutë. Gjykata e Apelit, e kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke mos adresuar pretendimin përkitazi me pamundësinë e deklarimit të parashtruesit të kërkesës rreth precizimit të propozimit për përmbarim të kompanisë “Dardafon”. Zyra e Prokurorit të Shtetit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit gjithashtu e kishte refuzuar kërkesën si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese, ndër tjerash, pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta në procedurë përmbarimi ishin nxjerrë në shkelje të parimit të “barazisë së armëve” të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse (i) Gjykata Themelore i kishte mohuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës që të deklarohet lidhur me precizimin e borxhit të kompanisë “Dardafon” dhe dokumenteve e provave tjera shtesë, përfshirë ekspertizën, sepse Aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte nxjerrë në ditën kur parashtruesi i kërkesës kishte pranuar dokumentet përkatëse dhe Gjykata nuk kishte pritur as një ditë për përgjigjen e parashtruesit të kërkesës; dhe (ii)  Gjykata e Apelit, nuk kishte adresuar fare pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimin për shkeljen e parimit të “barazisë së armëve”.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me parimin e “barazisë së armëve” dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, rikujtoi se, sipas parimit të “barazisë së armëve”, është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, të cilat kanë për qëllim që të ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës, pa dijeninë e palës tjetër apo pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet përkitazi me to. Gjykata po ashtu theksoi se, mangësitë procedurale në instancë të parë mund të përmirësohen nëpërmjet ankesës, me kusht që institucioni i cili vendos për ankesën përkatëse, të ketë “juridiksion të plotë” lidhur me rastin para saj.

Gjykata, pasi i analizoi shkresat e lëndës dhe siç është sqaruar detajisht në Aktgjykimin e publikuar gjeti se: (i) në cenim të parimit të “barazisë së armëve”, Gjykata Themelore i kishte mohuar parashtruesit të kërkesës të drejtën që të deklarohet lidhur me parashtresën e kompanisë “Dardafon” përkitazi me precizimin e propozimit për përmbarim dhe dokumenteve e provave shtesë, kjo pasi që, Aktvendimi i Gjykatës Themelore, ishte nxjerrë po në ditën kur parashtruesi i kërkesës kishte pranuar dokumentet dhe pa pritur përgjigjen përkatëse të tij; dhe (ii) Gjykata Supreme, e veçanërisht Gjykata e Apelit, e cila edhe pse kishte “juridiksion të plotë” për të vendosur lidhur me rastin, duke përfshirë kompetencën për të korrigjuar të metat e procedurës së ndjekur në Gjykatën Themelore, kishin dështuar të adresojnë të njëjtat, duke mos rikuperuar për pasojë, cenimin e parimit të “barazisë së armëve”.

Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit, marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka “juridiksion të plotë” për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore.

Parashtruesit:

Telekomi i Kosovës Sh.A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile