Prishtinë, më 31 korrik 2023
Nr. ref.: RK 2239/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI152/21
Parashtrues
Arsim Krasniqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-AKP nr. 01/2021, të 30 marsit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Arsim Krasniqi, me vendbanim në Komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-AKP nr. 01/2021] të 30 marsit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e kontestuar më 27 prill 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive), si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 25 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 1 shtator 2021, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. Gjr. KI152/21], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 22 dhjetor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 22 dhjetor 2021, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të njoftojë se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 10 janar 2022, Gjykata dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën se kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar.
Më 16 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe vendosi që rasti të shtyhet për shqyrtim në një nga seancat e radhës, me kërkesë që i njëjti të plotësohet.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 22 dhjetor 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Supreme që të dorëzojë dosjen e plotë të rastit.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata Supreme dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 4 korrik 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në dokumentacionin e bashkëngjitur, lëndë e kontestit është banesa e cila gjendet në Prishtinë në adresën “Agim Ramdani” nr. 28, Hyrja I, kati i 2-të, numër 7 (në tekstin e mëtejmë: prona kontestuese).
Sipas pohimeve të parashtruesit të kërkesës, rezulton se më 19 maj 1997, Vidoje (Jovana) Mitrić i ishte ndarë prona kontestuese nga Ndërmarrja Publike Banesore. Më 26 shtator 1998, ish-pronari i banesës ka lidhur Kontratën e vërtetuar me numër [Vr. 4693/97], për blerjen e pronës kontestuese. Ndërsa, më 15 shtator 1998, sipas Aneks Kontratës së evidentuar me numër [Vr. 2532/98], z. Vidoje (Jovana) Mitrić, ka bërë pagesën e tërësishme për blerjen e pronës kontestuese dhe atë në shumë prej 49.708,85 dinarë.
Më 26 tetor 2001, sipas pohimeve në kërkesën e dorëzuar, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë [Vr. 4693/97] për blerjen e pronës kontestuese në vlerë prej 80.000 DN me Vidoje (Jovana) Mitrić të vërtetuar pranë gjykatës me [nr. Vr. 1480/2001] dhe sipas parashtruesit të kërkesës kjo kontratë është e vërtetuar edhe në Komunën e Prishtinës përmes Aktvendimit [nr. 03-1/1240] të 31 tetorit 2001.
Në bazë të shkresave të lëndës, më saktësisht sipas Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës rezulton se pala përgjegjëse Olivera Mitrić – “si pronar i parë i pronës kontestuese është munduar ta shes pronën një pronari tjetër (që do të thotë palës kërkuese) [parashtruesit të kërkesës - Arsim Krasniqit]. Por shitja është bërë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60 dhe para zgjidhjes së kësaj kërkese sipas Rregullores së sipërpërmendur. Shitja ishte lidhur duke i shkelur nenet 5.1 dhe 5.2 të Rregullores së UNMIK-ut 200/60 dhe anulohet dhe është e pavlefshme. Rrjedhimisht, apartamenti në fjalë [prona kontestuese] mbetet në pronësi të Pronarit të Parë. Neni 4 prandaj aplikohet në këtë kërkesë, Pra, paraqitësi i kërkesës së kategorisë A [Fadil Hulaj] ka të drejtë në rikthim pas pagesës Drejtoratit të shumës që do të përcaktohet nga drejtorati në kohën e duhur. Me urdhër të cekur më lart, Komisioni e suspendon datën efektive prej 120 ditëve deri në një kohë të tillë kur Drejtorati të marrë vendimin. Komisioni do të lëshoj urdhër përfundimtar duke i dhënë të drejtë pronësore, duke e dëbuar banuesin aktual dhe kthyer posedimin e pronës pas pagesës së shumës.[...]”.
Gjykata vëren se lidhur me pronën kontestuese janë zhvilluar dy procedura, të cilat do të reflektohen në vijim.
Procedura e zhvilluar para Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese
Komisioni për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KKPBK) kishte pranuar një kërkesë nga personi me iniciale F. H., (Fadil Hulaj, si paraqitës i kërkesës së kategorisë “A”) për vërtetim të pronësisë mbi pronën kontestuese, si dhe shpërnguljen e personit që i kishte uzurpuar banesën. Kërkesa tek KKPBK-ja ishte regjistruar si kërkesë me numër [DS 000526].
Më 16 dhjetor 2005, KKPBK përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] kishte vendosur që kërkesa e kategorisë “A” DS000526, e palës kërkuese, z. Fadil Hulaj, të aprovohet dhe t’i kthehet e drejta pronësore në pronën kontestuese, ndërsa palës përgjegjëse në kërkesën e kategorisë “A”, të palës kërkuese si më lart, Olivera Mitrić, sipas arsyeve të dhëna në pikën 12, 17 dhe 20, të të njëjtit vendim, u vendos që t’i njihet e drejta në kompensim duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60.
KKPBK përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] theksoi si në vijim:
Në secilën prej 15 kërkesave të kategorisë A të identifikuar në pjesën A në listën e bashkëngjitur, Komisioni jep urdhër që kërkesa të aprovohet dhe t’i kthehet e drejta pronësore e paraqitësit të kërkesës. Ky urdhër duhet të hyj në fuqi sa i përket secilës kërkesë. nga data kur Drejtorati për çështje Pronësore Banesore të vendosë lidhur me shumën që duhet të paguhet nga paraqitësi i kategorisë A për, banesën, sipas alinesë 4,2 të UNMIK/RREG/2000/60. Në mënyrën që ta ushtrojë të drejtën e tij/saj mbi kthimin, paraqitësi A duhet ta paguaj këtë shumë në Drejtorat brenda 120 ditësh nga data e njoftimit lidhur me vendimin e Drejtoratit, me përjashtim nëse kjo periudhë zgjatet nga Drejtorati në përputhje me alinenë 4.2(b) të UNMIK/RREG/2000/60. Me pagesën e kësaj shume, komisioni do ta lëshoj një urdhër final me të cilin do t'ia pranojë pronësinë mbi pronën paraqitësit të kërkesës A, sa i përket kërkesave DS000526, DS004187, DS300826, DS300849, DS302n58 dhe DS302212, si dhe një urdhër ku urdhërohet pala përgjegjëse apo ndonjë person tjetër që është në banim të pronës për ta liruar atë, në përputhshmëri me dispozitat e nenit 12.3, 12,6 dhe 12.7 të UNMIK/REG/2000/60. [...]
Nëse paraqitësi i kategorisë A e paguan shumën të cilës i referoheni në paragrafin 1 më lart, paraqitësit përkatës C nuk do t’i jepet posedimi lidhur me kërkesën korresponduese, por do t’i jepet e drejta, sipas kërkesës, që t’i kompensohet nga Drejtorati një shume të cilën ai e ka paguar për blerjen e pronës, plus përqindja e vlerës aktuale e pronës në treg, e përcaktuar nga Drejtorati, gjithashtu edhe çmimi i ndonjë meremetimi që ai/ajo mund ta ketë bërë në pronë; dhe
Nëse paraqitësi A nuk e paguan shumën të cilës i referohemi në paragrafin 1 më lart, atij/asaj do t’i lëshohet një certifikatë nga Drejtorati në pajtim me alinenë 4.4 të UNMIK/REG/2000/60 për qëllime të kompensimit sipas alines 4.5 të asaj rregulloreje.
KKPBK përmes të njëjtit vendim konstatoi se kërkesa e palës F. H. (Fadil Hulaj) është aprovuar me arsyetimin që z. Fadil Hulaj në cilësinë e parashtruesit të kërkesës së kategorisë "A" ka vërtetuar që ai “kishte një të drejtë banesore valide dhe se ajo e drejtë ishte revokuar si rezultat i diskriminimit gjatë periudhës 23 mars 1989 dhe 24 mars 1999”.
Gjithashtu, KKPBK në paragrafin 12 të të njëjtit vendim kishte theksuar se “... palët përgjegjëse në kërkesat e kategorive “A” me numër DS000526 ...”, respektivisht në rastin konkret pala përgjegjëse, Olivera Mitrić, “pohojnë se ata janë pronarët e pronave në fjalë dhe kanë paraqitur kontrata të verifikuara të shitblerjeve duke dëshmuar pronësinë e tyre”.
Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të KKPBK-së në shkallën e dytë, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje esenciale të dispozitave të së drejtës materiale.
Më 19 janar 2007, Komisioni i shkallës së dytë të KKPBK-së nëpërmjet vendimit grupor [HPCC/REC/89/2007], aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, ndryshoi vendimin e Komisionit [HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendosi që palës kërkuese F. H., t’i njihet e drejta pronësore mbi pronën kontestuese pasi të paguan shumën e cila përcaktohet nga Drejtoria për Çështje Banesore Pronësore, dhe pas pagesës së shumës Komisioni lëshon një urdhër përfundimtar duke ia dhënë pronësinë sipas nenit 4.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60. Ndërsa pronarit të parë Vusević, nëse sjellë dëshmi se e ka kthyer çmimin e blerjes të cilin e ka pranuar nga pala kërkuese, respektivisht nga parashtruesi i kërkesës, Arsim Krasniqi, sipas marrëveshjes së pavlefshme mbi shitjen të lidhur në mes tyre, pas hyrjes në fuqi të Rreg. UNMIK 2000/60. Pala ankuese sipas këtij vendimi-urdhri të ndryshuar sipas kërkesës se tij, do të këtë të drejtën të kompensohet nga Drejtorati.
KKPBK në vendimin [HPCC/REC/89/2007] e 19 janarit 2007, ndër të tjera, theksoi:
“(a) Kërkesa e kategorisë "A" Nr. DS000526 të aprovohet dhe e drejta pronësore e Paraqitësit të kërkesës të kthehet. Urdhri do të jetë efektiv nga data në të cilën Drejtorati për çështje Pronësore dhe Banesore ka përcaktuar shumën që Paraqitësi "A" duhet të paguaj për apartamentin përkatës sipas nenit 4.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60. Për të ushtruar të drejtën e tyre në rikthim, Paraqitësi i kërkesës së kategorisë "A" duhet t'i paguajnë këtë shumë Drejtoratit brenda 120 ditësh pas njoftimit mbi përcaktimin e Drejtoratit, pos nëse nuk vazhdohet nga Drejtorati në pajtim me në nenin 4.2 (b) të Rregullores se UNMIK-ut 2000/60. Pas pagesës së kësaj shume, Komisioni do të lëshojë urdhrin përfundimtar duke ia dhënë pronësinë dhe posedimin e pronës paraqitësit të kërkesës së kategorisë "A";
(b) Nëse Paraqitësi i kategorisë "A" në kërkesë DSOOOS26 paguan shumën e referuar në paragrafin (b) të mësipërme, dhe për kërkesën e kategorisë "A" nr. DSOOOS26, Pronari i Parë sjellë dëshmi të mjaftueshme në Drejtorat se ka kthyer çmimin blerës të cilin e ka paguar nga pala kërkuese sipas marrëveshjes së pavlefshme mbi shitjen në mes tyre, Pronari i Parë në kërkesën nr. DS000526 ka të drejtë, sipas kërkesës, të kompensohet nga Drejtorati për shumën të cilën e ka paguar për blerjen e pronës përkatëse, përqindjen e vlerës aktuale të pronës në treg, siç është përcaktohet nga Drejtorati, dhe gjithashtu edhe për ndonjë renovim që ka mundur të këtë bërë në pronë; dhe
(c) Nëse Paraqitësi i kërkesës së kategorisë "A" Nr. DS000526 nuk paguan shumën referuar në paragrafin (a) të mësipërme, Paraqitësi i kërkesës së kategorisë "A" do t’i lëshohet certifikatë nga Drejtorati sipas nenit 4.4 të Rregullores së UNMIK -ut 2000/60, për qëllim kompensimi sipas nenit 4.4 të asaj Rregulloreje”. [...]
Më pas, rezulton se Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKKVP), sipas Ligjit 05/010, përveç mandatit kryesor, kishte trashëguar edhe një pjesë të kompetencave të Agjencisë Kosovare të Pronës dhe Drejtorisë për Kërkesa Pronësore Banesore (kryesisht për implementimin e vendimeve të saj të plotfuqishme).
Procedura e zhvilluar para AKKVP-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007 të KKPBK-së
Më 7 maj 2020, KKPBK nxori vendimin të titulluar “Vendim Përfundimtar” [KPCC/D/COMP/03/2020] përmes të cilit, duke u thirrur në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, ia konfirmoi palës F. H. pronësinë mbi pronën kontestuese dhe lejoi regjistrimin e saj në emër të tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh.
KKPBK përmes të njëjtit vendim [KPCC/D/COMP/03/2020] vendosi si në vijim:
“[...] Paraqitësit të kërkesës së kategorisë “A” t’i miratohet pronësia për pronën e kërkuar, siç është specifikuar në vendimin individual përkatës;
[...]
Urdhëron që
a) Pronësia e paraqitësit të kërkesës së kategorisë “A”, lidhur me pronën e kërkuar, të regjistrohet në shënimet publike përkatëse;
b) Çdo person tjetër i cili ka uzurpuar pronën në mënyrë të kundërligjshme, ta liroj atë brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të këtij urdhri; dhe
c) Nëse çdo person tjetër i cili ka uzurpuar pronën në mënyrë të kundërligjshme, nuk i bindet këtij urdhri për ta liruar pronën brenda kohës së dhënë, do të dëbohet nga prona”.
(3) Në 1 (një) kërkesë të identifikuar në pjesën B të listës së bashkëngjitur, Komisioni
Vendos që
Paraqitësi i kërkesës i kategorisë “A” të kompensohet për pronën e kërkuar, siç është specifikuar në vendimin individual përkatës;
(4) Në kërkesën e referuar në paragrafin 3, më sipër, Komisioni
Urdhëron që;
a) Paraqitësi i kërkesës i kategorisë “A”, lidhur me pronën e kërkuar, të kompensohet:
b) Një vërtetim për qëllim të kompensimit i lëshohet paraqitësit të kërkesës të kategorisë “A”; dhe
c) Paraqitësi i kërkesës i kategorisë “C” ka të drejtë në posedim të pronës së kërkuar dhe Komisioni do të lëshoj urdhër-dëbim në përputhje me rrethanat. [...]”.
Më 17 qershor 2020, KKPBK nxori vendimin e titulluar “Vendim i vërtetuar”, përmes të cilit vendosi që t’i aprovohet pronësia palës Fadil Hulaj, dhe t’i lejohet regjistrimi i pronës kontestuese në emrin e tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh.
Më 27 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës iu drejtua me një ankesë AKKVP-së për pronën kontestuese.
Më 30 tetor 2020, AKKVP-ja përmes shkresës se titulluar “Përgjigje”, kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për implementimin e vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, dhe i komunikoi atij se deri më tani kishte refuzuar që të paraqiste kërkesë për kompensim dhe se AKKVP-ja është ende në pritje të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për zbatimin e vendimit që ndërlidhet me të drejtën për kompensim pas verifikimit të kontratës së shitblerjes.
AKKVP, ndër të tjera, kishte informuar parashtruesin e kërkesës si në vijim:
“[...] z. Millaku për z. Hulaj e ka paguar shumën e privatizimit të banesës, dhe lënda i është dërguar Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës (Komisioni) për marrjen e vendimit përfundimtar. Komisioni pas shqyrtimit të shkresave të kërkesës, me Vendimin Përfundimtar KPCC/O/COMP/03/2020, të dt. 7 maj 2020, vendosë që z. Hulaj t’ i aprovohet pronësia mbi pronën e kërkuar, pronësia e z. Hulaj të regjistrohet në libra përkatës publik dhe pala përgjegjëse apo çdo person tjetër që e ka uzurpuar pronën ta liroj atë brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij urdhri”.
“Po ashtu, Agjencia dëshiron t’ ju njofton, se e ju ka njoftuar edhe ju z. Krasniqi se ka filluar me procesin e zbatimit të vendimit nr. HPCC/REC/89/2007 të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore dhe iu keni refuzuar të parashtroni kërkesë për kompensim por prap Agjencia është në pritje të kërkesës tuaj për zbatimin e vendimit e që ndërlidhet me të drejtën tuaj për KOMPENSIMIN për Ju z. Krasniqi e që ndërlidhet me pronën e lartpërmendur vetëm pasi të verifikojmë kontratën e shitblerjes dhe të konfirmojmë me znj. Mitrić”.
Në ndërkohë, AKKVP përmes njoftimit [DS#000526] kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që ta lirojë pronën e kontestuar.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të titulluar “Vendim përfundimtar” [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 dhe Njoftimit [DS#000526] të AKKVP-së, të nxjerra në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] përfundimtar të shkallës së dytë, të 19 janarit 2007, duke pretenduar vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 30 mars 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [AC-AKP nr. 01/2021] refuzoi ankesën si të palejuar me arsyetimin se çështja në fjalë është vendosur përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendimit [HPCC/REC/89/2007] përfundimtar të shkallës së dytë, të 19 janarit 2007 dhe se sipas nenit 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999, vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë objekt i ri i shqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.
Në arsyetim të Aktvendimit të Gjykatës Supreme, shtohet se Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të vendosur lidhur me vendimet e KKPBK-së dhe vendimet e AKKVP-së, me arsyetimin:
“Vendimi HPCCIREC/89/2007, i datës 19 janar 2007, është i plotfuqishëm, në pajtim me nenin 2, paragraf 7, të Rregullores së lartcekur, nr. 1999/23, i njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë, as sipas Rregullores së UNMIK-ut nr. 2000/60, sepse dispozitat e këtyre dy rregulloreve të cekura si më lart, si dhe aktet ligjore të mëvonshme dhe tani në fuqi që e rregullojnë këtë lëmi, nuk parashohin ndonjë mjet juridik të rregullt, apo të jashtëzakonshëm të goditjes ndaj vendimeve përfundimtare të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore.
Sipas dispozitave të Rregullores së lartcekur, nr. 1999/23, pas vendosjes nga Komisioni për Kërkesa Pronësore Banesore me vendim i cili është bërë i formës së prerë, çështja e vendosur trajtohet, res judikata, sepse sipas nenit 2.5, të kësaj rregulloreje, në çështjet e pronave banesore, juridiksioni i gjykatave lokale ishte përjashtues, ndërsa komisioni ka kompetenca ekskluzive për të zgjidhur kategoritë e kërkesave të theksuara si në nenin 1.2, të kësaj rregulloreje”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [AC-AKP nr. 01/2021] i 30 marsit 2021, i Gjykatës Supreme, e që ndërlidhet me hedhjen e ankesës së parashtruesit të kërkesës si të palejueshme për kontestimin e vendimeve të KKPBK-së, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike]; 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive), si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon: (i) shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i cenimit të së drejtës së pronës të fituar dhe të regjistruar në mënyrë të ligjshme; (ii) shkelje të së drejtës në mjet juridik si rezultat i pamundësisë për ta realizuar kompensimin dhe si rezultat i refuzimit të ankesës së tij nga Gjykata Supreme; si dhe (iii) shkelje e të drejtës në pronë.
Pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës
Pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me shkeljen e parimit të sigurisë juridike. Lidhur me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës thekson se është pronar legjitim i pronës kontestuese, meqë e kishte blerë në mënyrë të ligjshme përmes kontratës dhe më pas e kishte regjistruar në librat kadastral dhe njohja e të drejtës së pronësisë së personit F. H. mbi pronën kontestuese përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se “Vendimi nr. HPCC/D/236/2005/A&C, i datës 16.12.2005, Vendimi Përfundimtar i Komisionit për Rishqyrtimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore Nr. HPCC/REC/89/2007 i datës 19.01.2007, Vendimi i Komisionit të Kërkesave Pronësore Nr.: KPCC/D/COMP/03/2020 i datës 07.05.2020 dhe Njoftimi i AKKVP-se për Lirimin e Pronës Nr.:DS#000526, si të tilla janë vendime të cilat shkelin parimin e sigurisë juridike, pasi që me anë të këtyre vendimeve unë privohem nga prona të cilën e kam përvetësuar në mënyrë krejtësisht të ligjshme dhe e cila është regjistruar në mënyrë të ligjshme në organet kompetente shtetërore. Parimi i sigurisë juridike është parim të cilit Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, tash e tutje referuar si "GJEDNJ" i ka dhënë rëndësi të lartë gjatë trajtimit të rasteve të cilat kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës së pronësisë nga ana e autoriteteve shtetërore”.
Pretendimi për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson se me rastin e refuzimit të ankesës nga Gjykata Supreme lidhur me kontestimin e vendimeve të KKPBK-së, duke aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar ka mohuar të drejtën e tij për mjet juridik për shkak se Gjykata Supreme duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 15 [E drejta në ankesë] të Ligjit [Nr. 05/L-010] për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës kishte kompetencë që t’i shqyrtojë vendimet e KKPBK-së.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon mungesë të mjeteve juridike në realizmin e kompensimit meqë: “... në bazë të vendimit përfundimtar të Drejtorisë për çështje Pronësore Banesore, [i] është njohur e drejta në kompensim lidhur me Pronën e Kontestuar. Lidhur me ketë, me anë të Përgjigjes së AKKVP-së, jam njoftuar që ka filluar procesi i zbatimit të Vendimit Përfundimtar nr. HPCC/REC/89/2007 të Komisionit për Rishqyrtimin e Vendimeve të Komisionit për çështje Pronësore Banesore dhe se duhet të paraqes kërkesë për kompensim”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson: “Megjithatë, në bazë të vendimeve të ankimuar, dhe në bazë të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 10/2018 për Procedurat e Skemës së Kompensimit për Zbatimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, kompensimi ndaj meje varet nga fondi i mirëbesimit, në të cilin do të grumbullohen mjetet të cilat do të përdoren për kompensimin financiar të subjekteve të cilave u është njohur e drejta e kompensimit financiar me vendim të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore. Sipas nenit 5 të këtij Udhëzimi, mjetet për këtë fond do të sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; shuma e privatizimit të pronës e cila paguhet nga paraqitësit/et e kërkesës së kategorisë "A"; dhe nga donatorët”.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, thekson: “... në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, e drejta ime në kompensim dhe posedim të pronës do të varet krejtësisht nga veprimet juridike të palëve të tjera në procedurë, pasi që fillimisht duhet të dëshmohet nëse pala e kategorisë "A" do e deponojë shumën e privatizimit të caktuar nga Komisioni Vlerësues në bazë të procedurës sipas nenit 10 të Udhëzimit, dhe nëse pala "C" (z. Vidoje (Jovana) Mitrić,) me të cilin unë nuk kam kontakt dhe nuk kam njohuri nëse është gjallë apo jo, e me të cilin sigurisht as AKVVP-ja nuk ka kontakt për shkak se adresa e tij është e panjohur, do e kthejmë çmimin e shitjes në bazë të procedurës sipas nenit 9 të Udhëzimit”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se “... kjo formë e kompensimit është joadekuate, e pasigurtë dhe nuk paraqet mjete efektive juridike në kuptim të nenit 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një formë e tillë e kompensimit është gjithashtu në kundërshtim me qëndrimet dhe parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Parashtruesi i kërkesës në lidhje me vendimin e kontestuar thekson se “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka kompetencë që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore me anë të cilave zbatohen vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore në bazë të nenit 4, par. 2, nënpar. 2.3 të Ligjit Nr. 05/L -010 për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës, tash e tutje referuar si "Ligji për AKKVP". Prandaj, kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që vendimin e Komisionit për Kërkesa Pronësore KPCC/D/COMP/03/2020 te datës 07.05.2020 dhe Njoftimin për Lirimin e Pronës të AKKVP-së Nr. DSOOOOS26 t'i vlerësoj si vendime të cilat kanë shkelur të drejtën time në pronë, dhe janë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës”.
Pretendimi për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës
Përkitazi për pretendimin për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se i është mohuar e drejta e pronësisë ndaj pronës kontestuese e cila ka qenë e regjistruar në librat kadastral në emër të tij dhe të cilën e ka në shfrytëzim që 20 (njëzet) vjet.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson: “Këto fakte e bëjnë të kundërligjshëm Vendimin e Komisionit për Çështje Pronësore Banesore Nr. HPCC/D/236/2005/A&C, i datës 16.12.2005, për shkak se i njëjti më privon nga e drejta e pronësisë, për t'ia dhënë këtë të drejtë z. Fadil Hulaj, i cili asnjëherë nuk e ka pasur të drejtën e pronësisë për këtë paluajtshmëri, por e ka pasur vetëm të drejtën banesore. Këtë të drejtë, z. Fadil Hulaj e ka humbur si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënies së punës me vullnetin e tij siç dëshmohet në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr. 722/93 të datës 15.01.1997. Rrjedhimisht, edhe Vendimi i Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës Nr.: KPCC/D/COMP/03/2020, i datës 07.05.2020, dhe Njoftimi për Lirimin e Pronës të AKKVP -së Nr.:DS#000526, të pranuara nga Ankuesi me datë 19.10.2020, të cilat janë marrë për ta zbatuar këtë vendim janë të kundërligjshme”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon: “Në bazë të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore (1 shtator 1980), i cili ka qenë në fuqi kur është lidhur Kontrata, më konkretisht sipas Nenit 33 të po këtij ligji, në bazë të veprimit juridik (Kontrata - Justus Titullus) e drejta e pronësisë mbi sendin e paluajtshëm fitohet me regjistrimin në librin publik (Certifikata e Pronësisë e Njësisë Kadastrale 0-71914059-06327-1-12-1-7-0, me adresë në Qendër, rruga "Agim Ramadani", në sipërfaqe 58 metra/katror, Zyra Kadastrale Prishtinë – Modus Acquirendl. Kurse, konform Nenit 36 të Ligjit Nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, tash e tutje referuar si "Ligji për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore", "[për bartjen e pronësisë në paluajtshmëri është e nevojshme një punë juridike e vlefshme ndërmjet tjetërsuesit dhe fituesit si bazë juridike dhe regjistrimi i ndryshimit i pronësisë në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri".
Në vazhdim, parashtruesi i kërkesës pretendon: “[...] autoritetet kompetente shtetërore si Komisioni për çështje Banesore Pronësore dhe AKVVP kanë nxjerrë vendime me anë të të cilave kanë shkaktuar ndërhyrje të kundërligjshme në pronën time, duke mos vendosur asnjë lloj baraspeshe mes interesit të përgjithshëm dhe mbrojtjes së të drejtës time në pronë, duke cenuar parimin e sigurisë juridike, si dhe duke mos e bërë kompensimin adekuat dhe të menjëhershëm lidhur me pronën. Gjithashtu, këto autoritete nuk kanë bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të tyre që nga nxjerrja e tyre e deri më tani, kur kanë kaluar më shumë se trembëdhjetë (13) vite, me ç’ rast kanë shkaktuar pasiguri të rëndë juridike dhe me anë të gjitha këtyre veprimeve dhe mosveprimeve kanë cenuar të drejtën time në pronë”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson: “Megjithatë, në bazë të vendimeve të ankimuar, dhe në bazë të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 10/2018 për Procedurat e Skemës së Kompensimit për Zbatimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, kompensimi ndaj meje varet nga fondi e mirëbesimit, në të cilin do të grumbullohen mjetet të cilat do të përdoren për kompensimin financiar të subjekteve të cilave u është njohur e drejta e kompensimit financiar me vendim të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore. Sipas nenit 5 të këtij Udhëzimi, mjetet për këtë fond do të sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; shuma e privatizimit të pronës e cila paguhet nga paraqitësit/et e kërkesës së kategorisë "A"; dhe nga donatorët”.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson: “Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, e drejta ime në kompensim dhe posedim të pronës do të varet krejtësisht nga veprimet juridike të palëve të tjera në procedurë, pasi që fillimisht duhet të dëshmohet nëse pala e kategorisë "A" do e deponojë shumën e privatizimit të caktuar nga Komisioni Vlerësues në bazë të procedurës sipas nenit 10 të Udhëzimit, dhe nëse pala "C" (z. Vidoje (Jovana) Mitrić) me të cilin unë nuk kam kontakt dhe nuk kam njohuri nëse është gjallë apo jo, e me të cilin sigurisht as AKVVP-ja nuk ka kontakt për shkak se adresa e tij është e panjohur, do e kthejmë çmimin e shitjes në bazë të procedurës sipas nenit 9 të Udhëzimit”.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se: “... kjo formë e kompensimit është joadekuate, e pasigurtë dhe nuk paraqet mjete efektive juridike në kuptim të nenit 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një formë e tillë e kompensimit është gjithashtu në kundërshtim me qëndrimet dhe parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Parashtruesi i kërkesës në lidhje me vendimin e kontestuar thekson: “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka kompetencë që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore me anë të të cilave zbatohen vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore në bazë të nenit 4, par. 2, nënpar. 2.3 të Ligjit Nr. os/L -010 për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës, tash e tutje referuar si "Ligji për AKKVP". Prandaj, kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që vendimin e Komisionit për Kërkesa Pronësore KPCC/D/COMP/03/2020 të datës 07.05.2020 dhe Njoftimin për Lirimin e Pronës të AKKVP-se Nr. DSOOOOS26 t'i vlerësoj si vendime të cilat kanë shkelur të drejtën time në pronë, dhe janë në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës”.
Përgjatë pretendimeve të tij, parashtruesi i kërkesës ka shtjelluar parimet lidhur me të drejtën e pronës, parimin e sigurisë juridike dhe në mbështetje të këtyre argumenteve, parashtruesi i kërkesës i është referuar edhe praktikes gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) në rastet Iatridis kundër Greqisë, nr. 31107/96, Aktgjykim i 19 tetorit 2000; Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë, nr. 7352/03, Aktgjykim i 22 gushtit 2006; Driza kundër Shqipërisë, nr. 33771/02, Aktgjykim i 13 nëntorit 2007; Klass dhe të tjerët kundër Gjermanisë, nr. 5029/71, Aktgjykim i 6 shtatorit 1978; Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93, Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996; Edward dhe Cynthia Zammit Maemples kundër Maltës, nr. 3356/15.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) kërkesën e tij të shpallë të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që aktvendimi i kontestuar, përkatësisht [AC-AKP nr.01/2021] i 30 marsit 2021 i Gjykatës Supreme në lidhje me vendimin [KPCC/D/COMP/03/2020] e KKPBK-së të 7 majit 2020 dhe njoftimin për lirimin e pronës [DS#000526], janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 31, 32, 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6, 13, si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
Neni 13
E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
Protokolli nr. 1 nenit 1 [Mbrojtja e Pronës]
1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
LIGJI Nr. 05/L-010 PËR AGJENCINË KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE
Neni 17
Ekzekutimi i vendimeve
1.Vendimi i Komisionit përkatës ekzekutohet tridhjetë (30) ditë pas datës së njoftimit të palëve për vendimin nëse në Gjykatën Supreme të Kosovës nuk parashtrohet ankesë.
2.Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ekzekutohet tridhjetë (30) ditë pas njoftimit të palëve mbi vendimin.
3. Agjencia vazhdon të bëjë ekzekutimin edhe të vendimeve të paekzekutuara të Komisionit përkatës për Kërkesa Pronësore, Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, të nxjerra sipas ankesës kundër vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të cilat nuk janë ekzekutuar nga Agjencia Kosovare për Prona apo nga Drejtorisë për Kërkesa Pronësore Banesore. Gjatë ushtrimit të këtyre kompetencave ekzekutive Agjencia ka të drejtat, obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat të cilat i ka pas Agjencia Kosovare për Prona.
Rregullorja e UNMIK-ut NR. 1999/23 për Themelimin e Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore dhe Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore
1.2 Si përjashtim nga juridiksioni i gjykatave lokale, Drejtoria merr dhe regjistron
kategoritë e mëposhtme të kërkesave që kanë të bëjnë me pronën banesore, duke përfshirë këtu edhe pronën e shoqëruar me të:
Kërkesat e personave fizikë, pronësia, posedimi ose e drejta e banimit në pronën e patundshme banesore të të cilëve u është revokuar pas datës 23 Mars 1989 në bazë të legjislacionit i cili është diskriminues si në zbatim ashtu edhe në qëllimet e tij;
Kërkesat e personave fizikë që kanë bërë transakcione jozyrtare me prona të patundshme banesore në bazë të vullnetit të lirë të palëve pas datës 23 mars 1989;
Kërkesat e personave fizikë të cilët kanë qenë pronarë, posedues ose që kanë pasur të drejtën e banimit në pronën banesore para datës 24 Mars 1999, e që tani nuk kanë atë pronë në posedim, dhe kur e drejta e pronësisë nuk është transferuar vullnetarisht.
Drejtoria ia paraqet këto kërkesa Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore për zgjidhje ose, nëse e sheh të përshtatshme, kërkon të ndërmjetësojë në këto mosmarrëveshje dhe kur nuk ka sukses, ia drejton ato për zgjidhje Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore. [...]
Neni 2:
Komisioni për Kërkesa Pronësore dhe Banesore
2.5 Si përjashtim nga juridiksioni i gjykatave lokale, Komisioni ka kompetencë ekskluzive për të zgjidhur kategoritë e kërkesave të theksuara në paragrafin 1.2. të kësaj rregulloreje. Megjithatë, Komisioni mund t’u drejtojë pjesë të veçanta të këtyre kërkesave gjykatave lokale apo ndonjë organi tjetër administrativ, nëse vlerësimi i pjesëve të veçanta të këtyre ankesave nuk kanë të bëjnë me çështjet e parapara në nenin 1.2. Gjatë hetimit ose zgjidhjes së një kërkese, Komisioni mund të marrë masa të përkohshme mbrojtëse.
[...]
2.7 Vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyitimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, më tej, i referohet neneve 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Neni 49
[Afatet]
Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar; e konteston Aktvendimin [AC-AKP nr. 01/2021] të 30 marsit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës; i ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kryesisht ndërlidhen me dy procedura të zhvilluara në rastin e tij, respektivisht (i) pretendimet lidhur me procedurën e zhvilluar para KKPBK-së lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese; dhe (ii) pretendimet lidhur me procedurën e zhvilluar para AKKVP-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007 të KKPBK-së.
Në vijim, Gjykata do t’i adresojë ndaras pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me dy procedurat e sipërcekura.
Pretendimet lidhur me procedurën e zhvilluar para KKPBK-së lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese
Gjykata vëren se përkitazi me procedurën e zhvilluar para KKPBK-së lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së, me arsyetimin se njohja e të drejtës së pronësisë përmes vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007 të KKPBK-së, personit F.H., mbi pronën kontestuese përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike pasi që parashtruesi pretendon se është pronar legjitim i pronës kontestuese meqë sipas tij e kishte blerë në mënyrë të ligjshme përmes kontratës dhe më pas e kishte regjistruar në librat kadastral, të cilën e ka në shfrytëzim që 20 (njëzet) vjet.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës specifikisht pretendon se “Vendimi Nr. HPCC/D/236/2005/A&C, i datës 16.12.2005, Vendimi Përfundimtar i Komisionit për Rishqyrtimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore Nr. HPCC/REC/89/2007 i datës 19.01.2007, Vendimi i Komisionit të Kërkesave Pronësore Nr.: KPCC/D/COMP/03/2020 i datës 07.05.2020 dhe Njoftimi i AKKVP-se për Lirimin e Pronës Nr.:DS#000526, si të tilla janë vendime të cilat shkelin parimin e sigurisë juridike, pasi që me anë të këtyre vendimeve unë privohem nga prona të cilën e kam përvetësuar në mënyrë krejtësisht të ligjshme dhe e cila është regjistruar në mënyrë të ligjshme në organet kompetente shtetërore. Parimi i sigurisë juridike është parim të cilit Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, tash e tutje referuar si "GJEDNJ" i ka dhënë rëndësi të lartë gjatë trajtimit të rasteve të cilat kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës së pronësisë nga ana e autoriteteve shtetërore”.
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi në lidhje me këto pretendime thekson se, “Këto fakte e bëjnë të kundërligjshëm Vendimin e Komisionit për Çështje Pronësore Banesore Nr. HPCC/D/236/2005/A&C, i datës 16.12.2005, për shkak se i njëjti me privon nga e drejta e pronësisë, për t'ia dhënë këtë të drejtë z. Fadil Hulaj, i cili asnjëherë nuk e ka pasur të drejtën e pronësisë për këtë paluajtshmëri, por e ka pasur vetëm të drejtën banesore”.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 i KKPBK-së përbën shkelje të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës, me arsyetimin se ai është pronar legjitim i pronës kontestuese meqë e kishte blerë në mënyrë të ligjshme përmes kontratës dhe më pas e kishte regjistruar në librat kadastral dhe njohja e të drejtës së pronësisë së personit F.H., mbi pronën kontestuese përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar në lidhje me të drejtat mbi pronën kontestuese kishte përfunduar me vendimin [HPCC/REC/89/2007] e 19 janarit 2007, përmes të cilit palës kërkuese, F.H., iu njoh e drejta pronësore mbi pronën kontestuese nga KKPBK.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se neni 2.7 i Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999, i cili përcakton: “Vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për tu zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë”.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 të KKPBK-së, i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 39 (3) (d) të Rregullores së punës.
Fillimisht, për të përcaktuar juridiksionin kohor të Gjykatës, është qenësore të identifikohet në secilin rast konkret koha e saktë e shkeljes së pretenduar. Duke vepruar ashtu, Gjykata duhet të marrë parasysh faktet për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës dhe shtrirjen e të drejtës kushtetuese që pretendohet se është cenuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Blečić kundër Kroacisë, nr. 59532/0, Aktgjykimi i 8 marsit 2006, paragrafi 82).
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ankohet kundër vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007 të KKPBK-së. Prandaj, vendimi përfundimtar në këtë procedurë për parashtruesin është i 19 janarit 2007.
Bazuar në atë që u tha më sipër, Gjykata konkludon se shkelja e pretenduar e të drejtave të parashtruesit të kërkesës, të garantuara me Kushtetutë, ka ndodhur me vendimin i cili është bërë res judikata para 15 qershorit 2008, që është data e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, dhe nga e cila datë Gjykata ka juridiksion kohor.
Gjykata konkludon se veprimet dhe vendimet në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në këtë procedurë janë zhvilluar në rrethana të ndryshme dhe në kohë kur Gjykata nuk kishte jurisdiksion kohor, dhe si të tilla nuk janë ratione temporis në pajtim me Kushtetutën (shih rastet e Gjykatës, rastin KI47/14, parashtrues Mustaf Zejnullahu, Aktvendimi për papranueshmërinë, i 11 gushtit 2014, paragrafi 25, KI54/14, Hamdi Ademi, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 qershorit 2014, paragrafi 21; KI62/19, Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 nëntorit 2019, paragrafi 44).
Prandaj, në pajtim me rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me këtë procedurë, duhen të shpallen të papranueshme sepse nuk janë ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.
(ii) Procedurat para KKPBK-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007
Përkitazi me këtë procedurë, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së dhe shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Pretendimi për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së
Gjykata rikujton se lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson se me rastin e refuzimit të ankesës nga Gjykata Supreme lidhur me kontestimin e vendimeve të KKPBK-së, duke aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar, ka mohuar të drejtën e tij për mjet juridik për shkak se Gjykata Supreme duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 15 [E drejta në ankesë] të Ligjit [Nr. 05/L-010] për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës kishte kompetencë që t’i shqyrtojë vendimet e KKPBK-së.
Përkitazi me procedurën e dytë të zhvilluar para KKPBK-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007, e iniciuar fillimisht nga parashtruesi i kërkesës duke paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, Gjykata vëren se pasi KKPBK përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 kishte aprovuar kërkesën e kategorisë A të personit me iniciale F. H., dhe kishte vendosur që t’i kthehet e drejta pronësore dhe t'i jepet posedimi mbi pronën kontestuese, parashtruesi i kërkesës kundër këtij vendimi parashtroi ankesë në shkallën e dytë, në KKPBK-së.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Vendimi [KPCC/D/COMP/03/2020] i KKPBK-së, i 7 majit 2020 dhe Njoftimi [DS#000526] i AKKVP-së të cilat janë nxjerrë në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007 të KKPBK-së janë të kundërligjshme.
Gjykata vëren se KKPBK në shkallë të dytë nëpërmjet vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, ndryshoi vendimin e Komisionit [HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendosi që palës kërkuese, F. H., t’i njihet e drejta pronësore mbi pronën kontestuese pasi të paguan shumën e cila përcaktohet nga Drejtoria për Çështje Banesore Pronësore, dhe pas pagesës së shumës Komisioni lëshon një urdhër përfundimtar duke ia dhënë pronësinë sipas nenit 4.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60.
Në këtë drejtim, Gjykata gjithashtu vëren se KKPBK kishte nxjerrë edhe dy vendime të tjera në lidhje me pronësinë e personit F.H., mbi pronën kontestuese, respektivisht, vendimin e titulluar “Vendim Përfundimtarë” [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 përmes të cilit duke u thirrur në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, ia konfirmoi palës F. H., pronësinë mbi pronën kontestuese dhe lejoi regjistrimin e saj në emër të tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh dhe vendimin e titulluar “Vendim i vërtetuar” të 17 qershorit 2020 përmes të cilit vendosi që t’i aprovohet pronësia palës F.H., dhe t’i lejohet regjistrimi i pronës kontestuese në emrin e tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh.
Në këtë drejtim, Gjykata gjithashtu vëren se në kontekst të vërtetimit të pronësisë mbi pronën kontestuese, AKKVP-ja më 30 tetor 2020, kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për implementimin e vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, dhe i komunikoi atij se deri më tani kishte refuzuar që të paraqiste kërkesë për kompensim dhe se AKKVP-ja është ende në pritje të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për zbatimin e vendimit që ndërlidhet me të drejtën për kompensim pas verifikimit të kontratës së shitblerjes. Ndërsa, përmes njoftimit [DS#000526] të lëshuar nga AKKVP-ja, iu kërkua parashtruesit të kërkesës që ta lirojë pronën e kontestuar.
Në kontekst të shfrytëzimit të mjeteve juridike, Gjykata vëren se pas pranimit të këtyre vendimeve, parashtruesi i kërkesës ka përdorur mjetin juridik ankesën në Gjykatën Supreme, duke iu referuar nenit 15 [E drejta në ankesë] të Ligjit nr. 05/l-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me pretendimin se vendimi i kontestuar, respektivisht Vendimi [KPCC/D/COMP/03/2020] i 7 majit 2020 dhe Njoftimi [DS#000526]: “... përmban gabim të rëndë dhe moszbatim serioz të së drejtës lëndore dhe procedurale; dhe Vendimi bazohet në fakte jo të plota apo në vlerësim të gabuar të fakteve”.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se neni 17 [Ekzekutimi i vendimeve] i Ligjit nr. 05/l-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, përcakton:
“Vendimi i Komisionit përkatës ekzekutohet tridhjetë (30) ditë pas datës së njoftimit të palëve për vendimin nëse në Gjykatën Supreme të Kosovës nuk parashtrohet ankesë”.
[...]
“Agjencia vazhdon të bëjë ekzekutimin edhe të vendimeve të paekzekutuara të Komisionit përkatës për Kërkesa Pronësore, Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, të nxjerra sipas ankesës kundër vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të cilat nuk janë ekzekutuar nga Agjencia Kosovare për Prona apo nga Drejtorisë për Kërkesa Pronësore Banesore. Gjatë ushtrimit të këtyre kompetencave ekzekutive Agjencia ka të drejtat, obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat të cilat i ka pasur Agjencia Kosovare për Prona”.
Gjykata vëren se Gjykata Supreme në arsyetimin e aktvendimit të kontestuar theksoi:
“Sipas Ligjit në fuqi nr.05/-L-010, për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës, nuk është e paraparë që vendimet e Drejtorisë për çështje Pronësore dhe Banesore (DCPB), apo aktet e tjera të lidhura me këto vendime, si në rastin konkret vendimi përfundimtar KPCC/D/COMP/03/2020, të datës 07 maj 2020, se mund të jenë objekt i kontestimit qoftë me padi apo me ankesë në Gjykatën Supreme, gjersa sipas neneve 17-19, të këtij ligji AKKVP, ka kompetenca të ekzekutojë vendimet e plotfuqishme të Komisionit për Kërkesa Pronësore, aktgjykimet e Gjykatës Supreme dhe Vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, dhe të bëjë lëshimin dhe ekzekutimin e urdhrit për dëbim të çdo personi që është duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në një pronë, të vendosur me vendim të plotfuqishëm të KKPB-së.
Nga faktet e cekura më lart rezulton se kjo çështje banesore është vendosur me Vendimin e shkallës së parë të ankimuar HPCC/D/236/20051 A&C, të dt. 16 dhjetor 2005, si dhe vendimin përfundimtar të shkallës së dytë të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, nr. HPCC/REC/89112007, të datës 19 janar 2007, ashtu siç është cekur në pikën 2, të këtij aktvendimi. Sipas nenit 2.7, të Rregullores së UNMIK-ut, nr. 1999/23 të datës 15 nëntor 1999, Vendimet e Komisionit për Kërkesa pronësore Banesore, janë të detyrueshme për tu zbatuar dhe nuk janë objekt i ri i shqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë. [...]”.
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje që përmes aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, ku parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore parashtroi ankesë kundër vendimit [KPCC/D/COMP/03/2020] të titulluar “Vendim Përfundimtar” i KKPBK-së, të 7 majit 2020 dhe Njoftimit [DS#000526] të AKKVP-së, Gjykata Supreme bazuar në arsyetimin e lartpërmendur, e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të palejuar, duke mos e trajtuar në merita rastin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ankohet kundër Aktvendimit [AC-AKP nr. 06/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 30 marsit 2021, megjithatë siç u sqarua më lart vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 i kishte trajtuar meritat e rastit dhe i cili po ashtu ishte bërë përfundimtar gjatë vitit 2007.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [AC-AKP nr. 01/2021] të 30 marsit 2021 refuzoi ankesën si të palejuar me arsyetimin se çështja në fjalë është vendosur përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendimit [HPCC/REC/89/2007] përfundimtar të shkallës së dytë, të 19 janarit 2007 dhe se sipas nenit 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999, vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë objekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.
Gjithashtu, Gjykata vëren se Gjykata Supreme, ndër të tjera, kishte arsyetuar se nuk ka kompetencë ligjore për të vendosur lidhur me vendimet e KKPBK-së dhe vendimet e AAVP-së, me arsyetimin se:
“Vendimi HPCCIREC/89/2007, i datës 19 janar 2007, është i plotfuqishëm, në pajtim me nenin 2, paragraf 7, të Rregullores së lartcekur, nr. 1999/23, i njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë, as sipas Rregullores së UNMIK nr. 2000/60, sepse dispozitat e këtyre dy rregulloreve të cekura si më lart, si dhe aktet ligjore të më vonshme dhe tani në fuqi që e rregullojnë këtë lëmi, nuk parashohin ndonjë mjet juridik të rregullt, apo të jashtëzakonshëm të goditjes ndaj vendimeve përfundimtare të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore.
Sipas dispozitave të Rregullores së lartcekur, nr. 1999/23, pas vendosjes nga Komisioni për Kërkesa Pronësore Banesore me vendim i cili është bërë i formës së prerë, çështja e vendosur trajtohet, res judikata, sepse sipas nenit 2.5, të kësaj rregulloreje, në çështjet e pronave banesore, jurisdiksioni i gjykatave lokale ishte përjashtues, ndërsa komisioni ka kompetenca ekskluzive për të zgjidhur kategoritë e kërkesave të theksuara si në nenin 1.2, të kësaj rregulloreje”.
Në këtë kontekst, Gjykata vëren në procedurën e zhvilluar nga AKKVP, e cila kishte rezultuar në nxjerrjen e Njoftimit [DS#000526], që më pas ishte kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme bashkë me vendimin e titulluar “Vendim Përfundimtar” [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 të KKPBK-së, nuk ishte zhvilluar kontest tutje meqë vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 i KKPBK-së ishte res judicata.
Gjykata gjithashtu vëren se Gjykata Supreme në refuzimin e ankesës iu referua nenit 2.5 dhe 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999, i cili përcakton:
“2.5 Si përjashtim nga juridiksioni i gjykatave lokale, Komisioni ka kompetencë ekskluzive për të zgjidhur kategoritë e kërkesave të theksuara në paragrafin 1.2. të kësaj Rregulloreje”.
[…]
“2.7 Vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë”.
Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte shqyrtuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, e cila kishte rezultuar si e palejueshme me arsyetimin se vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 i KKPBK-së ishte res judicata.
Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se (i) vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 ishte vendim përfundimtar i cili kishte përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve në procedurë; (ii) Gjykata Supreme kishte hedhur si të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër “Vendimit Përfundimtar” [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020, përmes të cilit duke u thirrur në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007 me arsyetimin se ky i fundit është i plotfuqishëm, i formës së prerë dhe çështje e parashtruesit të kërkesës mbi pronën kontestuese trajtohet tashmë si res judicata.
Në këto rrethana, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës i kishte përdorur mjetet juridike në dispozicion në bazë të ligjit të zbatueshëm.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës refuzohet si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese.
Pretendimi për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së. parashtruesi i kërkesës pretendon mohim të së drejtës për realizmin e kompensimit meqë: “... në bazë të vendimit përfundimtar të Drejtorisë për çështje Pronësore Banesore, [i] është njohur e drejta në kompensim lidhur me Pronën e Kontestuar. Lidhur me këtë, me anë të Përgjigjes së AKKVP-së, jam njoftuar që ka filluar procesi i zbatimit të Vendimit Përfundimtar nr. HPCC/REC/89/2007 të Komisionit për Rishqyrtimin e Vendimeve të Komisionit për çështje Pronësore”.
Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se i është mohuar e drejta e pronësisë ndaj pronës kontestuese e cila ka qenë e regjistruar në librat kadastral në emër të tij dhe të cilën e ka në shfrytëzim që 20 (njëzet) vjet.
Gjykata vëren se në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se “[...] autoritetet kompetente shtetërore si Komisioni për çështje Banesore Pronësore dhe AKVVP kanë nxjerrë vendime me anë të cilave kanë shkaktuar ndërhyrje të kundërligjshme në pronën time, duke mos vendosur asnjë lloj baraspeshe mes interesit të përgjithshëm dhe mbrojtjes së të drejtës time në pronë, duke cenuar parimin e sigurisë juridike, si dhe duke mos e bërë kompensimin adekuat dhe të menjëhershëm lidhur me pronën. Gjithashtu, këto autoritete nuk kanë bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të tyre që nga nxjerrja e tyre e deri më tani, kur kanë kaluar më shumë së trembëdhjetë (13) vite, me ç’ rast kanë shkaktuar pasiguri të rëndë juridike dhe me anë të gjitha këtyre veprimeve dhe mosveprimeve kanë cenuar të drejtën time në pronë”.
Përkitazi me këtë pretendim, Gjykata fillimisht thekson se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar në lidhje me të drejtat mbi pronën kontestuese kishte përfunduar me vendimin [HPCC/REC/89/2007] e 19 janarit 2007, përmes të cilit palës kërkuese F.H., iu njoh e drejta pronësore mbi pronën kontestuese nga KKPBK, vendim i cili sipas Gjykatës Supreme ishte res judicata.
Ndërsa, lidhur me çështjen e kompensimit të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vëren se AKKVP-ja e ka informuar parashtruesin e kërkesës se e ka refuzuar që të paraqiste kërkesë për kompensim dhe se AKKVP-ja është ende në pritje të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për zbatimin e vendimit që ndërlidhet me të drejtën për kompensim pas verifikimit të kontratës së shitblerjes.
Gjykata vëren se AKKVP specifikisht kishte informuar parashtruesin e kërkesës si në vijim:
“[...] Po ashtu, Agjencia dëshiron t’ ju njofton, se e ju ka njoftuar edhe ju z. Krasniqi se ka filluar me procesin e zbatimit të vendimit nr. HPCC/REC/89/2007 të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore dhe iu keni refuzuar të parashtroni kërkese për kompensim por prapë Agjencia është në pritje të kërkesës tuaj për zbatimin e vendimit e që ndërlidhet me të drejtën tuaj për KOMPENSIMIN për Ju z. Krasniqi e që ndërlidhet me pronën e lartpërmendur vetëm pasi të verifikojmë kontratën e shitblerjes dhe të konfirmojmë me znj. Mitrić”.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nga AKKVP është informuar për të drejtën e tij dhe mundësinë e paraqitjes së kërkesës për kompensim. Nga kjo rezulton që parashtruesi i kërkesës ka mundësi të ndjekë procedurat lidhur me realizimin e kompensimit pranë organit përkatës.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur me provë para Gjykatës, nëse kërkesën lidhur me kompensimin e ka ngritur para organit kompetent.
Në këtë kontekst, Gjykata thekson se shterimi i mjeteve juridike ngërthen në vete dy elemente: (i) atë të shterimit në kuptimin formal-procedural, që nënkupton mundësinë e përdorimit të mjetit juridik, kundër një akti të një autoriteti publik, në një instancë më të lartë me juridiksion të plotë; dhe (ii) shterimin e mjetit në kuptimin substancial, që nënkupton raportimin e shkeljeve kushtetuese në "substancë" para gjykatave të rregullta në mënyrë që këto të fundit të kenë mundësinë e parandalimit dhe të korrigjimit të shkeljes së të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ. Gjykata i konsideron si të shterura mjetet juridike vetëm atëherë kur parashtruesit e kërkesës, në pajtueshmëri me ligjet në fuqi, i kanë shfrytëzuar ato, në të dyja kuptimet (shih, po ashtu, rastin e Gjykatës Kushtetuese, KI71/18, parashtrues Kamer Borovci, Mustafë Borovci dhe Avdulla Bajra, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 nëntorit 2018, paragrafit 57).
Duke pasur parasysh që parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar në kërkesë nëse, për të realizuar kërkesën e tij, ai i ka ushtruar mjetet juridike që i kishte në dispozicion, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj.
Prandaj, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës hedhet poshtë nga Gjykata në pajtim me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se (i) pretendimi për shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 32 të Kushtetutës deklarohet si qartazi i pabazuar; ndërsa (ii) pretendimi për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së lidhur me realizimin e kërkesës për kompensim, deklarohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike.
Si përfundim, Gjykata konstaton se (i) pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me procedurën e zhvilluar para KKPBK-së lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese përmes vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, duhet të shpallet i papranueshëm sepse nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën duke u bazuar ne rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 32 të Kushtetutës, në kuadër të procedurës së zhvilluar para KKPBK-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007 përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara me Kushtetutën duke u bazuar në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; (iii) ndërsa pretendimi për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës lidhur me të drejtën e kompensimit duhet të refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (b), (2) dhe 39 (3) (d) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b), (2) dhe 39 (3) (d) të Rregullores së punës, më 4 korrik 2023, më shumicë
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me
nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Arsim Krasniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile