Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-AKP nr. 01/2021 të 30 marsit 2021.

Nr. të lëndës KI152/21

Parashtruesit: Arsim Krasniqi

Shkarko:

KI152/21, parashtrues: Arsim Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-AKP nr. 01/2021 të 30 marsit 2021.

KI152/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 korrikut 2023, publikuar më 2 gusht 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një pronë, përkatësisht banesë, pronësinë e së cilës e pretendon parashtruesi i kërkesës. Gjykata vëren se lidhur me pronën kontestuese janë zhvilluar dy procedura: (i) procedura e zhvilluar para Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore të Kosovës lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese dhe (ii) procedura e zhvilluar para AKKVP-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të  19 janarit 2007 të KKPBK-së.

Në kuadër të procedurës së parë, KKPBK përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 kishte  vendosur që kërkesa e kategorisë “A” DS000526, e palës kërkuese, z. Fadil Hulaj, të aprovohet dhe t’i kthehet e drejta pronësore në pronën kontestuese, ndërsa palës përgjegjëse në kërkesën e kategorisë “A”, sipas arsyeve të dhëna në pikën 12, 17 dhe 20, të njëjtit vendim, u vendos që t’i njihet e drejta në kompensim duke u bazuar në nenin 4 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60. KKPBK përmes të njëjtit vendim konstatoi se kërkesa e palës F.H., (Fadil Hulaj) është aprovuar me arsyetimin që z. Fadil Hulaj në cilësinë e parashtruesit të kërkesës së kategorisë “A” ka vërtetuar që ai “kishte një të drejtë banesore valide dhe se ajo e drejtë ishte revokuar si rezultat i diskriminimit gjatë periudhës 23 mars 1989 dhe 24 mars 1999”. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të KKPBK-së në shkallën e dytë duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave procedurale; vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje esenciale të dispozitave të së drejtës materiale. Më 19 janar 2007, Komisioni i shkallës së dytë të KKPBK-së nëpërmjet vendimit grupor [HPCC/REC/89/2007] aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, ndryshoi vendimin e Komisionit [HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendosi që palës kërkuese F.H., t’i njihet e drejta pronësore mbi pronën kontestuese pasi të paguan shumën e cila përcaktohet nga Drejtoria për Çështje Banesore Pronësore, dhe pas pagesës së shumës Komisioni lëshon një urdhër përfundimtar duke ia dhënë pronësinë sipas nenit 4.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60. Ndërsa pronarit të parë Vusević, nëse sjellë dëshmi se e ka kthyer çmimin blerëse të cilin e ka pranuar nga pala kërkuese, respektivisht nga parashtruesi i kërkesës, Arsim Krasniqi, sipas marrëveshjes së pavlefshme mbi shitjen të lidhur në mes tyre, pas hyrjes në fuqi të Rreg. UNMIK 2000/60. Pala ankuese sipas këtij vendimi-urdhri të ndryshuar sipas kërkesës së tij, do të këtë të drejtën të kompensohet nga Drejtorati.

Në kuadër të procedurës së dytë, KKPBK përmes vendimit të titulluar “Vendim përfundimtar”  [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 përmes të cilit duke u thirrur në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, ia konfirmoi palës F.H., pronësinë mbi pronën kontestuese dhe lejoi regjistrimin e saj në emër të tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh. Në vazhdim, KKPBK përmes vendimit të titulluar “Vendim i vërtetuar”  vendosi që t’i aprovohet pronësia palës Fadil Hulaj, dhe t’i lejohet regjistrimi i pronës kontestuese në emrin e tij dhe urdhëroi që personat të cilët e kanë uzurpuar pronën ta lirojnë brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës iu drejtua me një ankesë AKKVP-së për pronën kontestuese. AKKVP-ja përmes shkresës së titulluar “Përgjigje”  kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për implementimin e vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, dhe i komunikoi atij se deri më tani kishte refuzuar që të paraqiste kërkesë për kompensim dhe se AKKVP-ja është ende në pritje të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për zbatimin e vendimit që ndërlidhet me të drejtën për kompensim pas verifikimit të kontratës së shitblerjes. Në ndërkohë, AKKVP përmes njoftimit [DS#000526] kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që ta lirojë pronën e kontestuar. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të titulluar “Vendim përfundimtar” [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 dhe Njoftimit [DS#000526] të AKKVP-së, të nxjerra në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] përfundimtar të shkallës së dytë, të 19 janarit 2007, duke pretenduar vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [AC-AKP nr. 01/2021] të 30 marsit 2021 refuzoi ankesën si të palejuar me arsyetimin se çështja në fjalë është vendosur përmes vendimit [Nr. HPCC/D/236/2005/A&C] të 16 dhjetorit 2005 dhe vendimit [HPCC/REC/89/2007] përfundimtar të shkallës së dytë, të 19 janarit 2007 dhe se sipas nenit 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/23 të 15 nëntorit 1999, vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë objekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë, rrjedhimisht çështja e parashtruesit është res judicata.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se Aktvendimi [AC-AKP nr. 01/2021] i 30 marsit 2021, i Gjykatës Supreme, e që ndërlidhet me hedhjen e ankesës së parashtruesit të kërkesës si të palejueshme për kontestimin e vendimeve të KKPBK-së, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; 32 [E Drejta për Mjete Juridike]; 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt); 13 (E drejta për zgjidhje efektive); si dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon: (i) shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i cenimit të së drejtës së pronës të fituar dhe të regjistruar në mënyrë të ligjshme; (ii) shkelje të së drejtës në mjet juridik si rezultat i pamundësisë për ta realizuar kompensimin dhe si rezultat i refuzimit të ankesës së tij nga Gjykata Supreme; si dhe (iii) shkelje e të drejtës në pronë.

Gjykata konstaton se (i) pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me procedurën e zhvilluar para KKPBK-së lidhur me njohjen e të drejtave të pronësisë mbi pronën kontestuese përmes vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007, duhet të shpallet i papranueshëm sepse nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën duke u bazuar në rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 32 të Kushtetutës, në kuadër të procedurës së  zhvilluar para KKPBK-së lidhur me zbatimin e vendimit [HPČĆ/REČ/89/2007] të 19 janarit 2007 përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, duhet të shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara me Kushtetutën duke u bazuar në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës me arsyetimin se vendimi [HPCC/REC/89/2007] i 19 janarit 2007 ishte vendim përfundimtar i cili kishte përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve në procedurë si dhe Gjykata Supreme kishte hedhur si të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër “Vendimit përfundimtar”  [KPCC/D/COMP/03/2020] të 7 majit 2020 përmes të cilit duke u thirrur në zbatim të vendimit [HPCC/REC/89/2007] të 19 janarit 2007 me arsyetimin se ky i fundit është i plotfuqishëm, i formës se prerë dhe çështje e parashtruesit të kërkesës mbi pronën kontestuese trajtohet tashmë si res judicata; (iii) ndërsa sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës lidhur me të drejtën e kompensimit duhet të refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Arsim Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile