Prishtinë, më 22 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2194/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI87/22
Parashtrues
Rexhep Ismaili
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. 575/2021, të 10 janarit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Rexhep Ismaili (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Prishtinë, i cili përfaqësohet nga Jeton Osmani, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit Rev. nr. 575/2021 të Gjykatës Supreme të Republikës se Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4379/2020] të 22 shkurtit 2021, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 1136/19] të 10 korrikut 2019, të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës aktvendimin e kontestuar e ka pranuar më 16 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj), nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetua) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNj-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 21 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata)
Më 23 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 24 qershor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës, në pajtim me Ligjin, iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 24 qershor 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë informata lidhur me datën e pranimit të aktvendimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 20 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë informoi Gjykatën se Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 16 shkurt 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Korporatën Energjetike e Kosovës Sh. A. (në tekstin e mëtejmë: KEK), deri në arritjen e moshës së pensionimit, respektivisht deri në arritjen e 37 vite përvojë pune.
Më 19 mars 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për dhënien e tri pagave jubilare në KEK bazuar në nenin 52, paragrafi 1, pika (3) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi prej 1 janarit 2015 deri më 1 janar 2018.
Më 26 mars 2019, KEK nëpërmjet shkresës [nr. 1782] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin e tri pagave jubilare, me arsyetimin se “një kërkesë e tillë është parashkruar”.
Më 15 prill 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke kërkuar nga Gjykata që ta detyroj KEK-un që t'ia paguajë parashtruesit të kërkesës një shumë të pacaktuar në emër të tri pagave jubilare. Parashtruesi e bazoi kërkesën e tij në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, respektivisht në paragrafin 3 të nenit 52.
Ndërkohë, KEK parashtroi përgjigje në kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke e kontestuar në tërësi çështjen e kërkuar në kërkesëpadi me pretendimin se e njëjta është parashkruar.
Më 10 korrik 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 1136/19] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që kërkesëpadia e tij të aprovohet.
Më 22 shkurt 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 5071/2019] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të ligjit material, me pretendimin se Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar drejtë gjendjen faktike dhe nuk ka zbatuar ligjin e aplikueshëm, respektivisht Ligjin e Punës dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive kur ka vendosur ta refuzoj kërkesëpadinë.
Më 10 janar 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 575/2021] hodhi poshtë si të palejuar kërkesën për revizion me arsyetimin se në bazë të nenit 211.2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit duhet të jetë mbi shumën prej 3000 €, në mënyrë që të lejohet revizioni.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të KEDNj-së, nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në lidhje me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNj-së.
Pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së
Parashtruesi i kërkesës pretendon se konstatimi i Gjykatës Supreme se kërkesa për revizion është e palejuar është i pabazuar, i papranueshëm dhe rrjedhimisht i kundërligjshëm me arsyetimin se mosvendosja në merita të rastit për revizion në kundërshtim me nenin 211 të LPK-së, ka bërë që vendimmarrja e kësaj gjykate të rezultojë me shkeljen e së drejtës së tij për gjykim të drejtë, e cila garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij është cenuar parimi i administrimit të drejtësisë dhe barazia e armëve, e cila ka konsistuar më pas në pamundësinë e shfrytëzimit në mënyrë efektive të mjetit juridik në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme, sipas parashtruesit të kërkesës, gabimisht ka vlerësuar se nuk kemi të bëjmë me kontest civil mbi vlerën 3000 € dhe se nuk është e lejuar kërkesa për revizion në këtë rast.
Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendon se është vënë në pozitë të pafavorshme përballë të paditurës në kundërshtim me parimin e barazisë së armëve, i cili përcakton se secila palë në procedurë, duhet të ketë mundësinë e arsyeshme për të paraqitur rastin e vet në kushte që nuk e vënë atë në pozitë të pafavorshme përballë kundërshtarit të vet.
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, me të cilin është refuzuar në tërësi kërkesëpadia e tij, është marrë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe me zbatimin e gabuar të ligjit material me arsyetimin se në rastin e tij nuk janë marrë parasysh aktet e brendshme të të paditurës me të cilat ishte vazhduar dhënia e shpërblimit jubilar.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se kërkesëpadia e tij nuk është parashkruar dhe se e njëjta është e afatshme në kuptim të Ligjit të punës dhe të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, sepse të drejtën e shpërblimit jubilar, për tri paga jubilare e kishte fituar gjatë kohës sa ishte ende në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe se kërkesën për shpërblim jubilar e kishte parashtruar brenda afatit të paraparë me nenin 87 të Ligjit të punës, dhe atë pasi që kishte plotësuar kushtet e përcaktuara me nenin 52.1.3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, përkatësisht pasi që kishte mbushur 37 vjet të përvojës së punës tek punëdhënësi.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se kërkesa për shpërblim jubilar për tri pagat jubilare që është kërkuar me kërkesëpadi është brenda afateve ligjore, sepse të drejtën e shpërblimit e ka fituar në kohën sa ishte në zbatim Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, ndërsa afati për paraqitjen e kërkesave monetare ka vazhduar edhe për 3 vite tjera, sipas nenit 87 të Ligjit të punës. Parashtruesi i kërkesës pretendon se të drejtën e shpërblimit e gëzon edhe në kuptim të nenit 193 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, pasi që sipas këtij neni, në rastin e tij kemi të bëjmë me pasurim të pabazë, meqenëse e paditura duke ia mohuar të drejtën e tij për shpërblim jubilar, e ka dëmtuar atë, duke ia ndalur pa bazë ligjore shumën e precizuar në kërkesëpadi.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur për raste në rrethana tërësisht të ngjashme faktike dhe juridike sikurse të tij, duke aprovuar kërkesëpaditë e punëtorëve të së paditurës ndërmarrja publike KEK, prandaj parashtruesi i kërkesës pretendon se është vënë në pozitë të pabarabartë para ligjit. Parashtruesi më tutje argumenton se neni 31 i Kushtetutës thekson, çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Pretendimet për shkelje të nenit 32, në lidhje me nenin 54 të Kushtetutës, si dhe nenin 13 të KEDNj-së
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme duke hedhur poshtë si të palejuar revizionin, në kundërshtim me nenin 211 të LPK-së, ka shkelur të drejtat e tij për mjete efektive juridike të garantuara me nenin 32 dhe 54 të Kushtetutës, me arsyetimin se atij i është pamundësuar mbrojtja gjyqësore e të drejtave dhe shqyrtimi i meritave të rastit.
Pretendimi për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se është diskriminuar në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës, me arsyetimin se është vënë në pozitë të pabarabartë me paditësit tjerë që u janë aprovuar kërkesëpaditë në kushte të ngjashme.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se gjykatat e rregullta kanë shkelur edhe nenin 102 të Kushtetutës, me arsyetimin se nuk kanë vepruar dhe vendosur në bazë të ligjit të aplikueshëm dhe siç kërkohet me Kushtetutë.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr. 575/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 janarit 2021, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston aktvendimin [Rev. nr. 575/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 janarit 2021. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 16 shkurt 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 21 qershor 2022 më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 e 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Rexhep Ismaili
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative