Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr. 1129/2019, të 16 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 10/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI10/21, Parashtrues: D.P.H “DENI” me pronar Asdren Salihu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr. 1129/2019, të 16 nëntorit 2020

 KI10/21, Aktvendim i 13 prill 2021, publikuar më 26 prill 2021

 Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit ndërlidhen mos përmbajtjen e marrëveshjeve të kredisë të lidhura mes parashtruesit të kërkesës dhe bankës përkatëse. Banka përkatësisht Kreditori, kishte kërkuar nga Përmbaruesi Privat të lejojë përmbarimin përkatës kundrejt parashtruesit të kërkesës. Përmbaruesi Privat përmes Urdhrit Përmbarimor [P.nr. 313/2017] kishte lejuar përmbarimin të cilin përmes prapësimit e kishte atakuar parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës ndër të tjera përmes prapësimit të tij kishte prezantuar dhe çështjen e pasqyrës së llogarisë bankare, bilanci i së cilës më 25 mars 2015 atij i kishte rezultuar të jetë 0.00 Euro. Gjykata Themelore, fillimisht,  i kishte arsyetuar parashtruesit se ai nuk kishte bashkangjitur prova, ndërsa pas procedurës së ankesës, Gjykata e Apelit kishte theksuar se fakti që pasqyra e llogarisë bankare paraqitet me 0.00 Euro, nuk nënkupton se kredia është paguar në tërësi.

Rrjedhimisht, kjo e fundit është dhe esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës pranë Gjykatës, i cili pretendon se ka paguar në tërësi kredinë, duke iu referuar kështu  pasqyrës së llogarisë bankare.

Gjykata, fillimisht theksoi qëndrimin e saj se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që të merret me mënyrën sesi gjykatat e rregullta kanë bërë konstatimet e gjendjes faktike dhe interpretimet përkatëse ligjore (ligjshmëria) përveç dhe për aq sa interpretimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmërinë).

Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta në mënyrë të mjaftueshme kanë trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe të njëjtat nuk kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës. Duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës për vërtetimin e gabuar të fakteve përkitazi me pasqyrën e llogarisë bankare, Gjykata të njëjtat i konsideroi si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, dhe rrjedhimisht, duhen të deklarohen të papranueshme, bazuar në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

D.P.H “DENI” me pronar Asdren Salihu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar