Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.582/21] të Gjykatës Supreme të 28 shkurtit 2022

Nr. të lëndës KI218/22

Parashtruesit: Sadri Rexhepi

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 20​​ mars​​ 2023

Nr. Ref.:RK​​ 2137/23

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.​​ KI218/22

 

Parashtrues​​ 

 

Sadri Rexhepi​​ 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev.nr.582/21 të 28 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme ​​ 

 

 

GJYKATA​​ KUSHTETUESE E REPUBLIKËS​​ SË​​ KOSOVËS​​ 

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar​​ 

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Sadri Rexhepi, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.582/21] e 28 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Aktvendimi i kontestuar).​​ 

 

  • Aktvendimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës,​​ më 28 mars 2022.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).​​ 

​​ 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në​​ nenet​​ 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më 30 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 11 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani,​​ me​​ Vendimin​​ Nr. GJR. KI218/22, caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH.KI 218/22 caktoi anëtaret e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi Peci dhe Enver Peci (anëtarë).

  • ​​ 24​​ janar 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin​​ e kërkesë për regjistrimin e kërkesës​​ dhe​​ njëkohësisht​​ i kërkoi​​ ​​ njëjtit qe në afat prej 15 ditësh, t’ia​​ bashkëngjisë​​ kërkesës dokumentacionin​​ relevant.​​ Në të njejtën datë, një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.

 

  • ​​ 25​​ janar 2023,​​ Gjykata​​ nga​​ Gjykata Themelore në​​ Prishtinë,​​ kërkoi informata​​ përkitazi​​ me​​ datën​​ e​​ dorëzimit të​​ Aktvendimet të​​ kontestuar te​​ parashtruesi i​​ kërkesës.​​ 

 

  • ​​ 1 shkurt​​ 2023, Gjykata Themelore në​​ Prishtinë,​​ informoi Gjykatën se parashtruesit të kërkesës​​ i​​ është dorëzuar​​ Aktvendimi i kontestuar,​​ ​​ 28 mars 2021.​​ 

 

  • ​​ 7 mars​​ 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Parashtruesi i kërkesës, ka ushtruar profesionin e mësimdhënësit në lëndën e historisë, në shkollën “Asim Vokshi”, në Prishtinë.​​ 

 

  • Më​​ 27​​ dhjetor 2018, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: DKA),​​ nxori vendim: “Nëpunësit​​ publik zt.​​ Sadri Rexhepi, i caktuar në​​ vendin e punës Mësimdhënës i lëndës së​​ Historisë, në​​ ShFMU “Asim Vokshi”, në​​ kuadër të​​ Drejtorisë​​ së​​ Arsimit të​​ Komunës së​​ Prishtinës, i Ndërprehet marrëdhënia e Punës”.

  • Më 18​​ janar 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë pranë Komisionit për Zgjidhjen e Ankesave (në tekstin e mëtejmë: Komisioni), kundër vendimit 27 dhjetorit 2018​​ të DKA-së.

 

  • Më 22 shkurt 2019, Komisioni, nëpërmjet vendimit [01-070/01-13768/19], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Më 22 mars 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të 22 shkurtit 2019 të Komisionit [në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ Themelore], me të cilën kërkoi anulimin e vendimit të 22 shkuarit 2019 të​​ Komisionit.

 

  • ​​ 5 shtator 2019, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktvendimit [C.nr. 839/19], e cilësoi si të palejueshme padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e refuzoi atë me arsyetimin se padia ishte parashtruar jashtë afatit kohor, të përcaktuar me nenin 78 dhe 79 të Ligjit të Punës. Sipas interpretimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës është dashur ta dorëzojë padinë në Gjykatën Themelore më së largu më​​ 4 mars 2019, ndërsa i njëjti padinë e kishte parashtruar më 22 mars 2019, respektivisht 18 (tetëmbëdhjetë) ​​ ditë pas përfundimit të afatit të përcaktuar me dispozitat e lartcekura.​​ 

 

  • Më 26 dhjetor 2019,​​ parashtruesi i kërkesës, parashtroi ankesë në Gjykatën e​​ Apelit, kundër Aktvendimi të 5 shtatorit 2019​​ të Gjykatës Themelore, me të cilën kërkoi anulimin e aktvendimit të kësaj të fundit.

 

  • Më 3 qershor 2021, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit Ac.nr. 2880/2020, refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e 17 dhjetorit 2018 të Gjykatës Themelore, me arsyetimin vijues: Gjykata e Apelit pranoi vlerësimin dhe përfundimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm, për arsye se aktvendimi i atakuar me ankesë nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika (b), (g), (j), (k) dhe (m) e LPK-së, për të cilat Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera të cilat i ka pretenduar pala paditëse me ankesë.

 

  • Parashtruesi i kërkesës, brenda afatit ligjor,​​ ushtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, për shkak të​​ shkeljeve të dispozitave të ligjit material dhe procedural.​​ 

 

  • Më 28 shkurt 2022, Gjykata Supreme,​​ nëpërmjet Aktvendimit Rev.nr.582/21, refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke lënë në fuqi aktvendimet e goditura të instancave me të​​ ulëta, me arsyetimin: ​​ “gjykatat e instancës më të ulët, me gjendjen faktike të konstatuar kanë zbatuar drejt dispozitat e procedurës kontestimore dhe të drejtën materiale kur kanë gjetur se padia e paditësit është e palejuar”. Gjykata Supreme tutje në arsyetim shtoi se “e pranon si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e dhënë në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe të gjykatës së shkallës së parë, pasi që këto aktvendime nuk janë të përfshira në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe as në zbatim të gabuar të së drejtës materiale”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktvendimi i kontestuar shkel të drejtat e tij të garantuara me Kushtetute dhe​​ konventa ndërkombëtare pa përmendur ndonjë nen specifik të Kushtetutës apo të instrumenteve tjera ndërkombëtarë të aplikueshme drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës. Megjithatë, nga pretendimet e tij kuptohet që parashtruesi i kërkesës ankohet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, gjegjësisht për qasje në​​ drejtësi​​ të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të​​ Paanshëm] të Kushtetutës dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropianë për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat e rregullta i kanë shkelur nenet 78 dhe 79 të Ligjit të Punës [Nr. 03/L2012], dhe nenet 391, 134 dhe 182 të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore, duke mos vendosur për meritat e padisë me të cilin kishte kërkuar anëlumin e vendimeve të autoriteteve të​​ komunës së Prishtinës për largimin e tij nga puna, duke thekuar se padia ishte ushtruar në pajtueshmëri me afatet ligjore të përcaktuara me ligjin e punës.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës, në esencë pretendon që gjykatat e rregullta kanë mohuar qasjen e tij në drejtësi, sepse nuk e kanë trajtuar fare padinë e tij, por e kanë hedhur poshtë si të palejueshme, duke mos u lëshuar në merita dhe vlerësimin e padisë.​​ 

 

Dispozitat relevante Kushtetueses dhe ligjore​​ 

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës​​ 

Nenit​​ 113

[Juridiksioni​​ dhe Palët e​​ Autorizuara]

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

[...]

Ligji nr. 04/L-021 për Gjykatën Kushtetuese

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj​​ saktësisht​​ se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin​​ parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”​​ 

 

Neni 49

(Afatet)

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”

 

Rregullorja e punës së​​ Gjykatës Kushtetuese

 

Rregulli 39​​ 

(Kriteret e pranueshmërisë)

“(1)​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

[…]

c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe

[…].”

 

Pranueshmëria​​ e​​ kërkesës

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  • Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev.nr.582/21] të 28 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.​​ 

 

  • Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve, i cili​​ fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe​​ me rregullin​​ 39​​ (Kriteret e pranueshmërisë), nënrregullin (1), shkronjën (c)​​ ​​ të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.582/21] të 28 shkurtit të Gjykatës Supreme, i cili bazuar në fletëkthesën e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, i është dorëzuar të njëjtit​​ më 28 mars 2022, ndërsa parashtruesi i kërkesës e​​ dorëzoi​​ kërkesën në Gjykatë më​​ 30 dhjetor 2022.​​ Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht​​ e njëjta nuk i përmbush kushtet për shqyrtim të mëtejmë.

 

  • Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati​​ katër mujor​​ llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNj-së​​ Ëorm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).

 

  • Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës​​ KI48/21, me parashtrues​​ Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe​​ KI45/21, me parashtrues​​ Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNj-se​​ Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).​​ 

 

  • Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse​​ me Aktvendimi e​​ kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c), më​​ 7 mars​​ 2023,​​ njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi   ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

1

Parashtruesit:

Sadri Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri