Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr. 575/2021] të Gjykatës Supreme të 10 janarit 2022

Nr. të lëndës KI130/23

Parashtruesit: Rexhep Ismaili

Shkarko:

KI130/23, Parashtrues  Rexhep Ismaili  Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr. 575/2021] të Gjykatës Supreme të 10 janarit 2022

KI130/23, Aktvendim për papranueshmëri i 21 janarit 2024, publikuar më 12 shkurt 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, korrigjim i gabimit procedural, e drejta në pagë jubilare 

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke konsideruar se Gjykata ka bërë gabim teknik me rastin e llogaritjes së afateve në kërkesën e tij të mëparshme KI 87/22 të cilën Gjykata e ka shqyrtuar dhe e ka refuzuar si kërkesë që është parashtruar jashtë afatit kohor.

Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës kërkoi që të konstatohet se ka pasur gabim teknik gjatë llogaritjes së afateve në lidhje me kërkesën e tij të mëparshme në rastin KI87/22, për të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) ka vendosur më 22 maj 2023, si dhe që Gjykata të konstatojë se me vendimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Sa i përket kërkesës së parë që Gjykata ka bërë gabim teknik gjatë llogaritjes së afateve, Gjykata nga shkresat e lëndës konstatoi se parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar kërkesën e tij me postë më 16 qershor 2022, pikërisht ditën e fundit të afatit për paraqitjen e kërkesës, duke e llogaritur nga dita kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin [Rev. nr. 575/2021] të Gjykatës Supreme të 10 janarit 2022. Kjo dëshmohet edhe me fletëkthesën të cilën parashtruesi i kërkesës ia ka bashkangjitur shkresave të lëndës në kërkesën KI 130/23. Lidhur me këtë, Gjykata deklaroi se, për shkak të mënyrës specifike të paraqitjes së kërkesës KI 87/22, me rastin e vlerësimit të përmbushjes së kushteve procedurale të kërkesës së parashtruar në lidhje me afatin e paraqitjes, është bërë gabim teknik në aspekt të llogaritjes së afatit, sepse nuk është vërtetuar rrethana se kërkesa është parashtruar përmes postës. Prandaj, Gjykata konstatoi se kërkesa KI 87/22  është dorëzuar brenda afatit kohor prej 4 muajsh.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se në procedurën e ushtrimit të së drejtës për pagën jubilare i janë cenuar të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, gjatë analizës së këtyre pretendimeve, Gjykata zbatoi praktikën e Gjykatës si dhe parimet e GJEDNJ-së dhe analizoi me kujdes ndarazi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se ato janë të pabazuara në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Rexhep Ismaili

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile