KI71/24, Parashtrues: Fehmi Kupina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit ARJ.nr.217/2023 të 21 dhjetorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI71/24, Aktvendim i 17 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, palë e paautorizuar, statusi i viktimës
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me mbledhjen e Kuvendit Komunal të 27 qershorit 2023, të udhëhequr nga anëtari më i vjetër i saj, ku parashtruesi i kërkesës u shkarkua nga pozita e kryesuesit të Kuvendit. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi kishte pranuar për shqyrtim të ligjshmërisë aktet e Kuvendit Komunal të miratuara në seancën e 27 qershorit 2023, përmes shkresës drejtuar Kryetarit të Prishtinën dhe parashtruesit të kërkesës kishte theksuar se vendimet e Kuvendit Komunal të mbajtur më 27 qershor 2023, nuk “krijojnë asnjë efekt juridik”. Më tej, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal inicioi procedurë gjyqësore për anulimin e vendimit duke pretenduar se mbledhja ishte e jashtëligjshme. Në këtë procedurë, Gjykata Themelore i njohu parashtruesit të kërkesës statusin e palës së interesuar. Kjo procedurë nuk u kontestua nga parashtruesi i kërkesës dhe nuk ishte objekt i shqyrtimit të kërkesës. Më 21 korrik 2023, Kuvendi Komunal zgjodhi një kryesues të ri. Parashtruesi i kërkesës inicioi procedurë administrative për kontestimin e këtij vendimi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe inicioi konflikt administrativ në Gjykatën Themelore, duke kundërshtuar zgjedhjen e P.B si kryesues të ri. Gjykata Themelore hodhi poshtë padinë dhe kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, duke argumentuar se vendimi i kontestuar nuk ishte përfundimtar administrativ dhe parashtruesit të kërkesës i mungonte interesi juridik. Këtë vendim e konfirmuan edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Si rezultat, parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktvendimin e Gjykatës Supreme, duke argumentuar se interpretimi i gabuar i dispozitave ligjore nga gjykatat kishte çuar në përfundimin se ai nuk kishte interes juridik në këtë çështje. Pretendimet e tij për shkelje kushtetuese përfshinin shkeljen e të drejtave të garantuara nga neni 31 i Kushtetutës, dhe pamundësinë për të shfrytëzuar në mënyrë efektive mjetet juridike bazuar në të drejtat e garantuara nga nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës këmbëngulte se padia e tij duhej trajtuar në merita, pasi kishte interes juridik, sepse vendimi për shkarkimin e tij ishte i paligjshëm dhe për rrjedhojë, zgjedhja e kryesuesit të ri ishte po ashtu e jashtëligjshme.
Fillimisht, Gjykata theksoi se për qëllime të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese nga autoritetet publike, para Gjykatës mund të paraqiteshin: (i) personat fizikë; (ii) personat juridikë; dhe (iii) grupe individësh fizikë dhe/ose juridikë, me kusht që të kishin statusin përkatës të viktimës. Më tej, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me nocionin e viktimës së shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në rastin konkret, Gjykata fillimisht vlerësoi nëse parashtruesi i kërkesës kishte “statusin e viktimës” së shkeljeve të të drejtave dhe lirive të tij, të garantuara me Kushtetutë, në mënyrë që të parashtrojë kërkesë individuale në Gjykatë Kushtetuese, ashtu siç përcaktohej me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës. Më tej, Gjykata vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e palës paditëse në procedurën për kontestimin e zgjedhjes së P.B si kryesues i Kuvendit Komunal, ishte palë në procedura para gjykatave të rregullta. Në padinë dhe kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Kuvendit Komunal, ai theksonte se të drejtat e tij ishin cenuar pasi ligjërisht ai ishte Kryesues i Kuvendit Komunal. Gjykata vuri re se procedurat për shkarkimin e tij, bazuar në Vendimin e Kuvendit Komunal të 27 qershorit 2023, ende ishin në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte kontestuar ato para Gjykatës. Dhe se sipas shkresave të lëndës, Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës përmes rastit të tanishëm nuk kishte iniciuar procedurat ndaj Vendimit për shkarkimin të 27 qershorit 2023, vendim ky në të cilin kishte interes juridik, por ndaj Vendimit për Zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit, të 21 korrikut 2023. Edhe pse ai theksonte në pretendimet e tij se në dosje i kishte bashkëngjitur dy vendimet, kjo nuk nënkuptonte se dy vendimet ishin objekt shqyrtimi gjyqësor. Gjykata vuri në pah se parashtruesi i kërkesës, si para gjykatave të rregullta ashtu edhe para Gjykatës, nuk kishte theksuar apo paraqitur fakte se Vendimi për Zgjedhjen e P.B Kryesues i Kuvendit, i 21 korrikut 2023, kishte afektuar apo shkelur të drejtat e tij.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113, nenit 47 të Ligjit dhe pikës (a) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës nuk ka statusin e viktimës para Gjykatës, për arsye se i njëjti nuk është i afektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Vendimi kontestuar i Kuvendit Komunal.
Fehmi Kupina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Civile