Prishtinë, më 29 nëntor 2022
Nr. Ref.:RK 2084/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI70/22
Parashtrues
Melihate Hasi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit Ac. nr. 6192/20 të 9 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Melihate Hasi, me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac. nr. 6192/20] të 9 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Urdhrin [P. nr. 353/18] e 18 nëntorit 2020 të përmbaruesit privat Gj. R.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të lartcekur, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 102.5 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 1 i Protokollit nr. 1 (E drejta në Pronë) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], në lidhje me nenin 21.4 të Kushtetutës, nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 18 maj 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) u regjistrua më 24 maj 2022.
Më 30 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 8 qershor 2022, Gjykata për regjistrimin e kërkesës njoftoi parashtruesen e kërkesës, së cilës iu kërkua plotësimi i formularit në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh. Të njëjtën ditë, nga një kopje e kërkesës iu dërgua përmbaruesit privat Gj. R. dhe Gjykatës së Apelit.
Më 15 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me procedurë përmbarimore, gjegjësisht me kontestimin e Urdhrit përmbarimor [P.nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020, të përmbaruesit privat Gj. R., me të cilin ishte urdhëruar, me kërkesë të kreditorit NLB Bank sh. a, shitja në ankand publik e paluajtshmërisë, përkatësisht banesës në sipërfaqe prej 89.62 m2 (metra katror), e cila ndodhet në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë, hyrja nr. II, kati i IV, e cila sipas shkresave të lëndës është lënë si hipotekë nga bashkëshorti i ndjerë i parashtrueses së kërkesës.
Më 18 nëntor 2020, përmbaruesi privat Gj. R., me kërkesë të kreditorit NLB Bank sh. a, lëshoi Urdhrin [P. nr. 353/18], me të cilin u urdhërua, si në vijim:
SHITEN paluajtshmëritë e debitorëve: - Shukri (Halil) Hasi nga Gjakova, me përfaqësuese të përkohshme Melihate Hasi, banesa e cila gjendet në Gjakovë, rr. "Yll Morina", hyrja nr. II, kati IV-të, e cila përbëhet prej dhomave, kuzhine, banjo, pjesë tjera të shfrytëzuara, me sipërfaqe prej 89.86 m2,...”;
Paluajtshmëritë e përshkruara në pikën I të këtij Urdhri i shiten kreditorit NLB Bank sh.a., në Prishtinë, sipas kushteve mbi bazën e konkluzionit për shitjen publike të dt.21.10.2020, për çmimin e përgjithshëm prej 144,951.00 euro.
DETYROHEN debitorët dhe të gjithë mbajtësit e tjerë, që kreditorit t’ ia lirojnë paluajtshmëritë lëndore nga njerëzit dhe sendet e tyre që ndodhen në to dhe t’ ia dorëzojnë atë paluajtshmëri në posedim kreditorit.
Shërbimi pronësoro-juridik pranë Drejtorisë Komunale për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjakovës do të bëjë fshirjen e të drejtave të pronësisë nga debitori Sh. Hasi ish nga Gjakova, ... dhe paluajtshmëritë nga pika I e këtij Urdhri t’ i regjistroj si prona në emër të kreditorit-blerësit NLB Bank sh. a., me seli në Prishtinë.
Urdhërohet shërbimi pronësor e juridik i Drejtorisë Komunale për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, që në librin publik të paluajtshmërive të fshihen të drejtat dhe barrët e regjistruara, përpos atyre që mbeten për paluajtshmërinë edhe pas dorëzimit të saj blerësit ose të cilat ky i fundit i ka marrë përsipër.
Në pjesën arsyetuese të Urdhrit të lartcekur, theksohet: “Meqenëse debitorët edhe pas lejimit të përmbarimit nuk e kanë përmbushur detyrimin ndaj kreditorit, sipas kërkesës së kreditorit, Përmbaruesi me dt. 27.11.2019 ka nxjerrë konkluzion për shitje dhe ka caktuar ankandin për shitjen e parë publike për dt. 13.01.2020. Po ashtu nga Drejtoria Kadastrale në Komunën e Gjakovës është kërkuar informatë me shkrim për paluajtshmëritë e lëna hipotekë lidhur me këtë lëndë. Sipas certifikatave të pronës të lëshuara me dt. 05.12.2019 nga Drejtoria Kadastrale në Komunën e Gjakovës, kemi arritur që të sigurojmë informatë me shkrim për gjendjen aktuale për paluajtshmëritë e lëna hipotekë të debitorëve, ku sipas certifikatave të pronës shihet se ngastrat kadastrale të debitorëve janë hipotekë e prioritetit të parë tek kreditori NLB Bank sh.a”.
Më 25 nëntor 2020, parashtruesja e kërkesës ndaj Urdhrit [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës përmbarimore, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me pretendimin se nuk kishte dijeni për lënien në hipotekë të paluajtshmërisë së lartcekur nga bashkëshorti i ndjerë dhe se nuk pajtohej me vlerën e caktuar të çmimit.
Përgjigje në ankesë të parashtrueses së kërkesës kishte parashtruar edhe pala kreditore NLB Bank sh.a, me propozimin që të lihet në fuqi Urdhri [P. nr. 353/18] i 18 nëntorit 2020, i përmbaruesit privat GJ. R., për urdhrin e shitjes së paluajtshmërisë dhe ankesa të refuzohet si e pabazuar.
Më 9 mars 2022, Gjykata e Apelit me Aktvendimin [Ac. nr. 6192/20], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe konfirmoi Urdhrin [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020, me arsyetimin vijues: “Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit urdhri për shitjen është i drejtë konform dispozitës së nenit 222 të LPP-së, ngase pasi të kryhet procedura për përcaktimin e vlerës së paluajtshmërisë, organi përmbarues jep konkluzion për shitjen e paluajtshmërisë me të cilin e cakton vlerën e paluajtshmërisë, mënyrën dhe kushtet e shitjes, si dhe kohën dhe vendin e shitjes, po që se shitja bëhet me ankand publik. Organi përmbarues konform nenit 223 të LPP-së, konkluzionin për shitjen e paluajtshmërisë e shpall në tabelën e organit përmbarues me vendimin e organit përmbarues dhe në mënyrë tjetër përkatëse”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se aktvendimi i kontestuar në ndërlidhje me Urdhrin [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020, të përmbaruesit privat GJ. R., shkelin të drejtat e saj të garantuara me nenet 31, 32 dhe 102.5 të Kushtetutës, si dhe nenet 6.1, 13 dhe 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, për shkak se urdhri dhe vendimi gjyqësor në fjalë janë kundërligjor, ngase janë marrë me shkelje të rënda të dispozitave të procedurës kontestimore dhe përmbarimore.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se në kohën kur ishte marrë kredia nga ish i ndjeri bashkëshorti i saj Sh. H., ajo nuk kishte dijeni për banesën e hipotekuar dhe se në lidhje me këtë fakt kishte mësuar pasi ishin iniciuar procedurat përmbarimore nga përmbaruesi privat. Mbi këtë bazë, parashtruesja e kërkesës thekson: “është dashur që banka të ketë pëlqimin dhe garantimin tim lidhur me kredinë, prandaj edhe më janë cenuar të drejtat e mia, sepse unë nuk kam dhënë në bankë kurrfarë pëlqimi lidhur me këtë kredi”. Për më tepër, parashtruesja e kërkesës pretendon se nuk është respektuar Ligji nr. 2004/32 për Familjen e Kosovës, duke iu referuar kapitullit IV (katër), nenit 47 “pasuria e përbashkët” dhe duke shtuar se në rastin konkret është vepruar në kundërshtim me këtë ligj.
Tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon se përmbaruesi privat Gj. R. nuk e ka ftuar ekspertin në seancë dëgjimore dhe se prezenca e tij ishte e domosdoshme, sipas nenit 362 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, i cili sipas saj aplikohet edhe në këtë procedurë. Në vazhdim, parashtruesja e kërkesës pretendon se “Gjykata e Apelit ... nuk ka analizuar në masë të duhur ankesën e parashtruar nga ankuesja Melihate Hasi nga Gjakova. Ankesa kishte bazë të mjaftuar ligjore që lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje apo që të prishet dhe të ndryshohet për shkak se kishte shkelje ligjore në procedurë”.
Parashtruesja e kërkesës, përveç tjerash, kërkon nga Gjykata të marr parasysh faktin se në rastin konkret bëhet fjalë për parashkrim (vjetërsim) të borxhit, dhe se ky kundërshtim nuk është trajtuar sipas legjislacionit në fuqi nga gjykatat, duke arsyetuar si në vijim: “... dispozita e nenit 34 të Ligjit për ndryshimet dhe plotësimin e ligjit për marrëdhëniet detyrimore “Gazeta Zyrtare RFJ” 31/93 e dt.18.06.1993 e cila ka hyrë në fuqi me dt.25.06.1993, e cila dispozitë e rregullon ndryshe atë lëmi nga ajo e rregulluar me dispozitë ligjore në fuqi, deri më 22 mars 1999 është DISPOZITË E PAAPLIKUESHME, e cila as përjashtimisht NUK MUND TË APLIKOHET, pavarësisht se është jodiskriminuese, prej nga del se neni 34 i Ligjit për ndryshim dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhëniet detyrimore "Gazeta zyrtare e RFJ-së" 31/93 i dt. 18 qershor 1993 është ligj i paaplikueshëm.
Në fund, parashtruesja e kërkesës nga Gjykata kërkon që të anulojë dhe të shpallë 1. antikushtetues Urdhrin [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020 të përmbaruesit privat Gj. R. dhe 2. Aktvendimit [Ac. nr. 6192/2020] të 9 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Dispozitat relevante
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 102
[Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
[...]
“5. Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
[...]
Neni 13
(E drejta për zgjidhje efektive)
“Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare”.
Neni 1 i Protokollit nr. 1
(E drejta në pronë)
“1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e saj të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston një akt (vendim gjyqësor) të autoritetit publik, përkatësisht Aktvendimin [Ac. nr. 6192/20] të 9 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit, pasi që i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj në lidhje me çështjen e saj. Parashtruesja e kërkesës po ashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të këtij rregulli të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit dhe Urdhrin përmbarimor, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet 31, 32 dhe 102.5 të Kushtetutës, si dhe nenin 6, 13 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, sepse gjatë zhvillimit të procedurës përmbarimore aktet në fjalë janë marrë në shkelje të rënda të dispozitave të procedurës kontestimore dhe përmbarimore, në shkelje të ligjit për familjen dhe se janë aplikuar dispozitat e ligjeve që nuk ishin të aplikueshme në rastin e saj, duke theksuar se borxhi ishte parashkruar (vjetërsuar).
Nga ky përkufizim, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës ka të bëjë me i) mënyrën e interpretimit dhe zbatimin të ligjit material dhe procedural. Në këtë kontekst, Gjykata do t’i shqyrtojë këto pretendime në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Kushtetuese është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
i. Përkitazi me “interpretimin dhe aplikimin e ligjit material dhe procedural”
Referuar shkeljeve të pretenduara të parashtrueses së kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës para gjykatës thekson se Gjykata e Apelit me refuzimin e ankesës së saj ka bërë shkelje të rënda të dispozitave të procedurës kontestimore dhe përmbarimore, se nuk ka respektuar ligjin për familjen e Kosovës.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, e cila arsyetoi: “Nga shkresat e lëndës rezulton se kreditori NLB Bank sh.a, me seli në Prishtinë, Rr. "Ukshin Hoti" nr. 124, më datë 12.05.2009, ka paraqitur propozim për përmbarim ndaj debitorëve, në bazë të dokumentit përmbarues-aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, IC.nr.427/2008, të datës 17.12.2008, i plotfuqishëm nga data 24.04.2009. Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin Ekz.nr.669/09, të datës 12.05.2009, ndaj të cilit debitorja Melihate Hasi dhe debitori I.K., kanë parashtruar prapësime, për të cilat ka vendosur Gjykata Komunale në Gjakovë me aktvendimet E.nr.669/09, të datës 22.05.2012 dhe E.nr.669/09, të datës 26.04.2012, me të cilët aktvendime i ka refuzuar prapësimet e debitorëve. Tutje, Gjykata e Apelit arsyetoi se “Gjykata e shkallës së parë ka vazhduar procedurën përmbarimore, ku pas kërkesës së kreditorit, gjykata me konkluzionin E.nr.669/09, të datës 30.03.2018, lëndën ia ka transferuar Përmbaruesit Privat Gj. R., për vazhdimin e procedurës përmbarimore”.
Sa i përket pretendimeve të parashtrueses së kërkesës për shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, Gjykata e Apelit arsyetoi: “... përmbaruesi privat, në bazë të provave të cilat gjinden në shkresat e lëndës, ka marrë urdhër të drejtë dhe të bazuar në dispozita konkrete ligjore, i njëjti është i kuptueshëm dhe i qartë, prandaj urdhrin e organit përmbarues, lidhur me këtë çështje e pranon edhe Gjykata e Apelit, duke vlerësuar se urdhri i atakuar është i rregullt dhe i ligjshëm, për arsye se i njëjti nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182, paragrafi 1 dhe 2 të LPK-së, drejtë është vërtetuar gjendja faktike dhe është zbatuar e drejta materiale, kështu që mund të hetohet dhe vlerësohet ligjshmëria e këtij urdhri, shkelje të cilat gjykata e shkallës së dytë i heton sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të LPK-së”.
Sa i përket pretendimit të parashtrueses së kërkesës për mosdijeni të lënies në hipotekë të banesës nga ana e të ndjerit bashkëshortit Sh. H., Gjykata vëren se Gjykata e Apelit, arsyetoi: “... lidhur me atë se në momentin e lënies hipotekë të paluajtshmërisë nuk është marrë pëlqimi i bashkëshortes së debitorit-këtu Melihate Hasi, gjegjësisht është bërë shkelje nga neni 47 i LFK-së, për Gjykatën e Apelit një pretendim i tillë është pretendim tërësisht i pabazuar për faktin se nga shkresat e lëndës respektivisht nga certifikata mbi të drejtat e pronës së paluajtshme ... me nr. 15-952-01-2129/2008, e lëshuar nga Zyra Kadastrale Komunale në Gjakovë, shihet se Sh. H., (paraardhësi i debitorës Melihate Hasi) në momentin e lënies në hipotekë, ka qenë pronar ekskluziv i paluajtshmërisë (banesës), respektivisht ka qenë pasuri e veçantë e tij, andaj edhe në këtë drejtim sipas vlerësimit të kësaj gjykate urdhri për shitje i përmbaruesit privat duhet vërtetuar dhe të refuzohet ankesa e debitorës së gjashtë Melihate Hasi nga Gjakova, si e pathemeltë”.
Gjykata vëren se Gjykata e Apelit i ishte përgjigjur edhe pretendimeve tjera të parashtrueses së kërkesës, duke arsyetuar: “Gjykata e Apelit i ka vlerësuar edhe pretendimet tjera ankimore të debitorës Melihate Hasi nga Gjakova, por të cilat pretendime sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit nuk paraqesin bazë të mjaftueshme për shtyrjen e përmbarimit dhe rrjedhimisht nënkuptohet se përmbaruesi privat në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, pasi që aktvendimi për lejimin e përmbarimit ka marrë formën e prerë, i njëjti konform dispozitave ligjore të LPP-së, ka vazhduar procedurën përmbarimore dhe pas mbajtjes së dy seancave të ankandit publik ka vendosur për shitjen e paluajtshmërisë, rrjedhimisht pretendimet e palës debitore rezultojnë të jenë të pathemelta të cilin gjykata ankimore vendosi ta refuzojë ndërsa urdhrin për shitje ta vërtetojë”.
Sa më sipër, Gjykata thekson se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të ligjit material dhe procedural, kanë marrë përgjigjen të arsyetuar nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës mbi të njëjtat pretendime për shkelje ligjore e ka ndërtuar kërkesën edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës e ka ndërtuar kërkesën në baza ligjshmërie dhe jo në baza kushtetutshmërie. Vetëm një pretendim i ngritur në nivel kushtetutshmërie, mund ta vejë në lëvizje Gjykatën për të ndërhyrë në riparimin e shkeljeve të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm (shih, në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese, rasti KI76/21, me parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, e cila ndërlidhet me doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht e ka qartësuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata vazhdimisht ka pohuar se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, rastin e GjEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, nr. 38366/97, 38688/97, 40777/98, 40843/98, 41015/98, 41400/98, 41446/98, 41484/98, 41487/98 dhe 41509/98, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës (për një sqarim më të detajuar përkitazi me konceptin e “aplikimit të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, shih, ndër të tjera, Udhëzuesin e GjEDNj-së për nenin 6 të KEDNj-së (aspekti civil), të 31 gushtit 2020, pjesën IV. Kriteret Procedurale; 3. Shkalla e Katërt; b. Fushëveprimi dhe Kufizimet e mbikëqyrjes së Gjykatës, paragrafët 329-333; dhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 36).
Duke marrë parasysh pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe duke iu referuar shkresave të lëndës, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur megjithatë të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale janë jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Për më tepër, nga arsyetimi i aktvendimit të kontestuar vërehet qartë se në rrethanat e rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës së Apelit.
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në lidhje me këtë pjesën bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla, të njëjtat duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
ii. Përkitazi me “parashkrimin e borxhit”
Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës, përveç tjerash kërkon nga Gjykata ta trajtojë edhe çështjen e parashkrimit të borxhit, duke theksuar se gjykatat aplikuan dispozita të ligjeve që nuk ishin të aplikueshme, sa i përket parashkrimit të borxhit, në rrethanat e këtij rasti. Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës e ka lëshuar mundësinë (afatin) për t’i kontestuar vendimet paraprakë të gjykatave të rregullta që i kanë paraprirë procedurës përmbarimore, sepse në këtë fazë të procedurës kontestohet Aktvendimi [Ac. nr. 6192/2020] i 9 marsit 2022 i Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Urdhrin përmbarimor [P. nr. 353/18] të 18 nëntorit 2020 të përmbaruesit privat Gj. R., procedurë e cila u iniciua bazuar në procedurat e mëparshme të përfunduara në gjykatat e rregullta me vendime të formës së prerë (shih, si më sipër paragrafin 29). Rrjedhimisht në lidhje me këtë pretendim, Gjykata e deklaron kërkesën të paafatshme, në pajtim me nenin 49 të Ligjit.
iii. Përkitazi me pretendimet tjera
Përveç pretendimeve të lartcekura, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës i referohet po ashtu nenit 32 dhe 102.5 të Kushtetutës, nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së. Megjithatë, Gjykata përsërit se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të neneve tjera të Kushtetutës ose të KEDNj-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet në nivel kushtetutshmërie se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata, vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; dhe së fundmi rastin KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 32 dhe 102. 5 të Kushtetutës, nenit 13 dhe nenit 1 Protokollit nr. 1 të KEDNj-së i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese të njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, lidhur me interpretimin dhe zbatimin e ligjit material dhe procedural, bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla duhet të shpallën qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese; (II) pretendimi i parashtrueses së kërkesës në lidhje me parashkrimin e borxhit, deklarohet i paafatshëm në pajtim me nenin 49 të Ligjit; (III) pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 33 dhe 102. 5 të Kushtetutës, nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese duhet shpallur po ashtu qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me nenin 49 të Ligjit, dhe rregullat 39 (1) (c) e (2) të Rregullores së punës, shpallet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20, 47 dhe 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c) dhe (2), si dhe 59 (b) të Rregullores së punës, më 15 nëntor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Melihate Hasi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër