KI109/22, Parashtrues: Sabit Gori, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 11/2022 të 25 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI109/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 dhjetorit 2022, publikuar më 13 prill 2023
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, mosshterim i mjeteve juridike
Nga shkresat e lëndës rezulton që Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Pronë, përmes Vendimit [Nr. 13-465/01-69477120] urdhëroi parashtruesin e kërkesës që ta lirojë pronën, me arsyetimin se e njëjta është shfrytëzuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, respektivisht e njëjta ishte uzurpuar nga parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Komunës së Prishtinës-Drejtorisë për Pronë duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartpërmendur dhe anulimin e të njëjtit. Gjykata Themelore pasi i kishte dhënë dy herë mundësi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë padinë, refuzoi këtë të fundit me arsyetimin se e njëjta është e paplotë. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk kishte plotësuar padinë e tij, ashtu siç i ishte kërkuar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, kërkesë kjo e cila u refuzua si e pabazuar, duke aprovuar si të drejtë vendimet e instancave më të ulëta.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në thelb pretendimet e parashtruesit para Gjykatës kanë të bëjnë me faktin se sipas tij Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj nuk i kishte marrë parasysh pretendimet e parashtruesit, se gjendja e tij financiare ishte e rëndë dhe se bashkëshortja e tij kishte probleme shëndetësore, ku kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komunës së Prishtinës-Drejtorisë së Pronës.
Gjykata pasi shtjelloi standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës lidhur me shterimin e mjeteve juridike, konsideroi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komunës së Prishtinës dhe anulimin e të njëjtit, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.
“N.T. Doli”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile