Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit, Ac. nr. 1449/2011, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 janarit 2012 dhe Aktgjykimit, Rev. nr. 333/2019 të Gjykatës Supreme, të 6 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI 40/20

Parashtruesit: Sadik Gashi

Shkarko:

KI40/20, Parashtruesi i kërkesës: Sadik Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit, Ac. nr. 1449/2011, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 janarit 2012 dhe Aktgjykimit, Rev. nr. 333/2019 të Gjykatës Supreme, të 6 nëntorit 2019

KI40/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 21 janar 2021, i publikuar më 05 shkurt 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e pasaftashme, mosshterrim substancial, kërkesë e papranueshme.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkurorëzimin e parashtruesit të kërkesës dhe B.F.-së, dhe procedurat pasuese në lidhje me pjesëtimin e pasurisë së përbashkët. B.F., fillimisht kishte iniciuar (i) kërkesën për masën e sigurimit, përmes së cilës, kishte kërkuar ndalimin e tjetërsimit, ngarkimit me barrë, hipotekë, peng ose vërtetim dhe legalizim të çfarëdo kontrate të shitblerjes së paluajtshmërisë kontestuese; dhe (ii) procedurën përkitazi me kërkesën për pjesëtimin e pasurisë së përbashkët, kërkesë kjo e cila gjatë seancës shqyrtuese para Gjykatës Themelore, ishte zëvendësuar me kërkesë për kompensimin e pasurisë së veçantë bazuar në nenin 46 të Ligjit për Familjen. Procedurat në lidhje me masën e sigurisë, kishin rezultuar në favor të B.F-së. Ndërsa, në procedurë për kompensim të pasurisë së veçantë, Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e B.F.-së, duke e detyruar parashtruesin e kërkesës që asaj t‘ia kompensojë shumën në vlerë prej 31,582 euro. Gjykata Themelore, kishte konstatuar se shtëpia ishte ndërtuar me investimin e babait të B.F.-së, dhe rrjedhimisht kategorizohej si pasuri e veçantë e saj. Vlerën e kompensimit Gjykata Themelore e kishte përcaktuar pasi kishte vlerësuar dy ekspertiza, ndërsa kishte bazuar vendimin e saj në ekspertizën të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte vlerësuar si “më të afërt me realitetin ekzistues”. Përkundër ankesës dhe kërkesës për revizion, në Gjykatë të Apelit dhe Gjykatë Supreme, respektivisht, të njëjtat kishin konfirmuar konstatimet e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston (i) Aktvendimin [Ac. nr. 1449/2011] e 30 janarit 2012 të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë përmes  të cilit ishte vërtetuar vendosja masës së sigurimit ndaj paluejtshmërisë kontestuese sipas kërkesës së B.F.; dhe (ii) Aktgjykimin [Rev.nr.333/2019] të 6 nëntorit 2019 të Gjykatës Supreme, duke pretenduar se të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtave të tij të garantuara me  nenin 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, theksoi se (i) Aktgjykim i kontestuar i Gjykatës Supreme është i përfshirë me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor; dhe (ii) në procedurën e zhvilluar para Gjykatës Themelore “nuk janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e propozuar nga ai, por janë dëgjuar vetëm dëshmitarët e propozuara nga B.F., dhe për pasojë sipas tij kjo paraqet shkelje procedurale”.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me Aktvendimin [Ac.nr.1449/2011] e 30 janarit 2012 të Gjykatës së Qarkut, janë të pasafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës; ndërsa pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me Aktgjykimin [Rev.nr. 333/2019] të 6 nëntorit 2019 të Gjykatës Supreme (i) lidhur me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) lidhur me mungesën e dëgjimit të dëshmitarëve përkatës para Gjykatës Themelore, janë gjithashtu të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në kuptimin substancial, ashtu siç kërkohet me paragrafin 1 dhe 7 te nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit, dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sadik Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri