Prishtinë, 27 maj 2024
Nr. ref.:RK 2432/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI44/23
Parashtrues
N.T.SH “ZHITIA”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-27-0710] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 20 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga N.T.SH “ZHITIA” (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Mehmet Berisha dhe Rafet Ferizi, avokatë nga shoqëria e avokatëve “ICL Laë” me seli në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [AC-I-27-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së) në lidhje me Aktvendimin [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-27-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 të Kolegjit të Specializuar i DHPGJS-së përmes të cilëve sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 2 mars 2023, parashtruesi i kërkesës u njoftua për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua DHPGJS-së.
Më 7 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI44/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Vendimit [nr. KSH. KI44/23] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu- Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues vlerësoi se kërkesa ka nevojë për shqyrtim të mëtutjeshëm në një seancë të ardhshme.
Më 17 maj 2023, Gjykata kërkoi nga DHPGJS-ja që ta dorëzon dosjen e plotë të lëndës.
Më 23 maj 2023, DHPGJS-ja dorëzoi dosjen e lartpërmendur.
Më 27 prill dhe 11 nëntor 2023, Gjykata konstatoi se raporti i Gjyqtares raportuese ka nevojë të plotësohet dhe se do të shqyrtohet në një seancë të ardhshme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 mars 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Në lidhje me rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se ishin zhvilluar procedurat si në vijim:
Procedura kontestimore
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës dhe Fabrika e Çimentos “SHARR” më 13.09.1996 kishin lidhur një kontratë (kontrata nr.1570) për këmbim të mallrave, me ç ‘rast parashtruesi i kërkesës ishte i obliguar që Fabrikës së Çimentos “SHARR” t’ia sigurojë ambalazhën për paketimin e çimentos, për kompensim me dërgimin e çimentos. Ndërkohë në vitet 1997-98 Fabrika e Çimentos “SHARR” kishte mbetur në obligim ndaj parashtruesit të kërkesës një sasi të çimentos të padërguar që kishte një vlerë të caktuar monetare.
Më 28 qershor 2000, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë duke kërkuar që e paditura Fabrika e Çimentos “SHARR, e përfaqësuar me autorizim të AKM-së t’ia paguajë borxhin gjegjësisht kundërvlerën e çimentos të cilën nuk ia ka dërguar sipas kontratës.
Më 17 shtator 2001, Gjykata Ekonomike e Qarkut [V.C.nr.14/2001] miratoi propozimin e parashtruesit duke e përfshirë të paditur edhe Sharr Beteiligung-GmbH-Hani i Elezit (SBG GmbH) në Han të Elezit, duke i obliguar të paditurit që bashkërisht t’ia paguajnë borxhin parashtruesit të kërkesës. Pas ankesës së palëve të paditura, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Ae.nr.113/2001] të 16 gushtit 2002, miratoi ankesën e paditurit të dytë, ndryshoi aktgjykimin e ankimuar në lidhje me të paditurin e dytë dhe e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës për të obliguar të paditurin e dytë që bashkërisht të paguajnë borxhin e mbetur,miratoi ankesën e paditësit të parë, duke e anuluar aktgjykimin e ankimuar dhe lënda iu kthye Gjykatës Ekonomike e Qarkut për rigjykim, e cila përmes Aktvendimit [V.C.nr.188/02] të 18 marsit 2003, e shpalli vetveten jo-kompetente për të gjykuar padinë, me arsye se DHPGJS-ja është gjykatë kompetente. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë pranë Gjykatës Ekonomike të Qarkut me qëllim të vazhdimit të procedurave gjyqësore. Gjykata Ekonomike e Qarkut përmes Aktvendimit [V.C.nr.188/02] të datës 1 nëntor 2006 e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për vazhdimin e procedurave gjyqësore. Ndërkohë parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë Gjykatës Supreme kundër vendimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut për pezullimin e procedurave. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Ae.nr.102/2006] të 17 shkurtit 2007, ndryshoi aktvendimin për pezullimin e procedurave gjyqësore dhe miratoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për vazhdimin e procedurës gjyqësore dhe lëndën e ktheu në rigjykim.
Më 4 mars 2008, Gjykata Ekonomike e Qarkut, në procedurë të rigjykimit, përmes Aktgjykimit [I.C.nr.121/2007] vendosi që të: (i) APROVOHET kërkesëpadia e paditësit-parashtruesit të kërkesës; dhe (ii) OBLIGOHET i padituri Fabrika e Çimentos “SHARR” që paditësit-parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë borxhin në shumën e specifikuar në aktgjykim; dhe (iii) REFUZOHET e pabazuar kërkesëpadia e paditësit-parashtruesit të kërkesës për shumën 75.937.83 euro.
Gjykata Ekonomike e Qarkut kishte dhënë këshillë juridike se aktgjykimi i saj në këtë çështje kontestimore mund të ankimohet pranë Gjykatës Supreme në afat prej tetë (8) ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Më 23 qershor 2010, si rezultat i ankesave të paraqitura nga parashtruesi i kërkesës dhe pala e paditur, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Ae.nr.67/2008] REFUZOI të pabazuara ankesat e paditësit-parashtruesit të kërkesës dhe të palës së paditur, dhe VËRTETOI Aktgjykimin [I.C.nr.121/2007] të 4 marsit 2008.
Fillimi i Procedurës përmbarimore
Më 21 korrik 2010, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozimin për lejimin e përmbarimit për pagesën e borxhit në shumën dhe kamatën e caktuar kundër debitorit Fabrika e Çimentos “Sharri.”
Procedura e përmbarimore e iniciuar më 21 korrik 2010, pas zhvillimit të disa procedurave para kësaj gjykatë rezultoi me nxjerrjen e Aktvendimit [E.nr.460/2010] të Aktvendimit [E.nr.460/2010] të 24 marsit 2011 përmes të cilit vendosi: HUDHET i palejuar kundërshtimi i debitorit, Fabrika e Çimentos “Sharr” Hani i Elezit, ndërsa aktvendimi i kësaj gjykate për lejimin e përmbarimit [E.nr.460/2010], i 28 korrikut 2011, mbetet në fuqi. Gjykata Ekonomike e Qarkut theksoi: “Është i pabazuar propozimi i debitorit për ndërprerjen e procedurës përmbarimore për shkak të hyrjes së debitorit në procesin e likuidimit, ngase debitori me asnjë provë nuk e argumentoi faktin e publikimit të vendimit të bordit të AKP-së, të datës 08.03.2010, se debitori ka hy në procesin e likuidimit, ndërsa për ndërprerje të procedurës, për shkak të hyrjes së ndërmarrjes shoqërore në procesin e likuidimit, përveç inicimit të procedurës së likuidimit është e nevojshme edhe publikimi i këtij procesi të likuidimit.”
Më 30 mars 2011, AKP-ja paraqiti ankesë pranë Gjykatës Supreme, kundër Aktvendimit [E.nr.460/2010] të Gjykatës Ekonomike të Qarkut, të 24 marsit 2011, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës përmbarimore-kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. AKP-ja, mes tjerash, kishte theksuar: “Meqenëse NSH-ja “Sharr” nga Hani i Elezit nuk ka prodhuar fare pas vitit 1999 e njëjta deri më tani për 10 vite rresht ka qenë e komercializuar dhe pas përfundimit të fazës së komercializimit kjo NSH është privatizuar. Kreditori gabimisht është përcaktuar dhe i ka propozuar Gjykatës për përmbushjen e detyrimit në xhirollogarinë rrjedhëse të parave për asistencë sociale të punëtorëve të kësaj NSH-je të cilat u janë dedikuar atyre për shkak se me kontratën e shitjes, blerësi ka marrë obligim kontraktues që 89 punëtorëve tu paguaj 60% të pagave vjetore. Pasi që NSH-ja “Sharr” Fabrika e çimentos nga Hani i Elezit është shitur dhe ndaj saj që nga data 18.02.2011, është filluar procedura e likuidimit konsiderojmë se e paditura gjegjësisht kreditori borxhin e vet mund ta realizoj tek Komisioni i Likuidimit, sipas nenit 44.1 (g) të rregullores së UNMIK-ut 2005/48. Vendimi i bordit të AKP-së për likuidim të NSH-së është marrë në bazë të nenit 9 të Ligjit Nr.03/L-o67 mbi AKP-në, ndërsa në nenin 9.3 të të njëjtit ligj parashihet ‘Çfarëdo padie gjyqësore kundër një ndërmarrje e cila është subjekt i likuidimit sipas këtij neni do të pezullohet me rastin e paraqitjes së kërkesës nga Agjencia në gjykatën ku është paraqitur padia’.”
Ndërkohë, më 1 janar 2013, hyri në fuqi Ligji nr. 03/L-199 për Gjykatat që parashikonte reformimin e gjyqësorit në Republikën e Kosovës, ashtu që ankesa e AKP-së e 30 marsit 2011, drejtuar Gjykatës Supreme bazuar në nenin 18 (Kompetencat e Gjykatës së Apelit) të Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat, u shqyrtua nga Gjykata e Apelit.
Më 10 korrik 2014, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr. 190/2012] vendosi që të: PRANOHET si e bazuar ankesa e debitorit, e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe PRISHET aktvendimi i Gjykatës Ekonomike të Qarkut [E.nr.460/2010], i 24 marsit 2011 dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Procedura e posaçme e zhvilluar pranë dhe DHPGJS-së
Në bazë të shkresave të lëndës, rezulton që me 7 shtator 2010, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ushtroi ankesë pranë Dhomës se Posaçme e Gjykatës Supreme për çështje qe lidhen me Agjencinë Kosovare te Mirëbesimit (DHPGJS) për anulim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Ae.nr.67/2008] të 23 qershorit 2010 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut [I.C.nr.121/07] të 4 marsit 2008 duke theksuar se Aktgjykimet në fjale janë marrë në kundërshtim me juridiksionin primare te DHPGJS.
Më 17 mars 2011, AKP parashtroi kërkesë për lëshimin e ndalimit të përkohshëm, përkatësisht për të ndaluar përmbarimin e Aktvendimit [E.nr.460/2010] të Gjykatës Ekonomike të Qarkut deri në përfundimin final të padisë lidhur me meritat nga DHPGJS-ja.
Më 16 qershor 2011, Trupi Gjykues i DHPGJS-ja përmes Aktvendimit [SCA-10-0066] vendosi që: (1) ankesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për anulimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Ae.nr.67/2008] të 23 qershorit 2010 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Ekonomike të Qarkut [I.C.nr.121/07] të 4 marsit 2008 hedhet poshtë si e papranueshme; (2) kërkesa e AKP-së për lëshimin e ndalimit të përkohshëm ndaj Aktvendimit [E.nr.460/2010] të Gjykatës Ekonomike të Qarkut hidhet poshtë si e papranueshme.
Më 22 korrik 2011, AKP paraqiti ankesë tek Kolegji i Apelit të DHPGJS-së kundër Aktvendimit të Trupit Gjykues të DHPGJS-së [SCA-10-0066] të 16 qershorit 2011..
Më 18 dhjetor 2014, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [ASC-11-0068] vendosi: (i) refuzohet ankesa e AKP-së si e pabazuar; (ii) vërtetohet aktvendimi [SCA-10-0066] i Trupit Gjykues të DHPGJS-së i datës 16 qershor 2011; (iii) nuk caktohen taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Vazhdimi i procedurës përmbarimore
Më 5 shtator 2014, Gjykata Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), në procedurë të rigjykimit, përmes Aktvendimit [E.nr.460/2010] vendosi që të: I. PEZULLOHET procedura në këtë çështje përmbarimore, për shkak të fillimit të procedurës së likuidimit të debitorit Fabrika e Çimentos “Sharr” Hani i Elezit, pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit; II. SHFUQIZOHEN të gjitha veprimet procedurale të cilat janë ndërmarrë nga ana e kësaj gjykate, në këtë çështje përmbarimore; III. NJOFTOHET kreditori-parashtruesi i kërkesës që kërkesën e tij për kompensimin e borxhit, mund t’ia drejtoj AKP-së, përkatësisht Autoritetit të Likuidimit të emëruar për ndërmarrjen Fabrika e Çimentos “Sharr” Hani i Elezit.
Më 8 tetor 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër vendimit të lartpërmendur në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave përmbaruese, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe me propozim që vendimin e kontestuar të Gjykatës Themelore ta prish dhe çështjen ta kthej në rishqyrtim.
Më 20 nëntor 2014, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ae.nr.169/2014] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [E.nr.460/2010] të 5 shtatorit 2014. Gjykata e Apelit theksoi se mbron qëndrimin e gjykatës së shkallës së parë, se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që procedura përmbaruese lidhur me këtë çështje juridike të ndërpritet sipas nenit 9.3 të Ligjit Nr. 03/L-067 të Ligjit për AKP-në dhe nenit 277 nën d) të LPK-së dhe arsyet e dhëna në aktvendimin e shkallës së parë i pranon në tërësi edhe kjo gjykatë.
Procedurat pranë Autoritetit të Likuidimit të AKP-së
Më 19 maj 2011, parashtruesi i kërkesës në procedurën e likuidimit i ishte drejtuar Autoritetit të Likuidimit i AKP-së me kërkesë kreditore mbi bazën e vendimeve të nxjerra nga Gjykata Ekonomike e Qarkut dhe Gjykata Supreme.
Më 14 nëntor 2014, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së, përmes Vendimit [nr. GJI042-4766] nga pjesa e gjykuar në bazë të aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Ekonomike të Qarkut I.C.121/2007, të 4 marsit 2008, dhe nga Aktvendimi për përmbarim të së njëjtës gjykatë [E nr. 460/2010], të 28 janarit 2011, prej shumës totale 287,730.26 euro, pjesërisht e ka pranuar kërkesën kreditore në shumën 197,770.49 euro, kurse e ka refuzuar kërkesën në shumën 89,959.77 euro.
Autoriteti i Likuidimit kishte arsyetuar: “Në pajtim me nenin 37.3 të shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-34 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, “Të gjitha kërkesat e bëra ndaj Ndërmarrjes mund të përfshijnë kamatë në çfarëdo shume themelore të grumbulluar deri para datës së Vendimit te Likuidimit, me kusht që kjo kamatë te mos tejkalojë 10% (dhjetë përqind) të shumës themelore.” Prandaj, Autoriteti i Likuidimit pranon si të vlefshme vetëm shumën prej € 17,768.32 në emër te kamatës. Shuma e refuzuar prej 89,959.77 € paraqet totalin e diferencës së kamatës së kërkuar nga parashtruesi i kërkesës dhe kamatës së pranuar nga Autoriteti i Likuidimit, në përputhje me nenin 37.3 të Ligjit për AKP-në. Duke u bazuar në arsyen e mësipërme, Autoriteti i Likuidimit vendosi ta pranojë si të vlefshme shumën prej 197,770.49€.”
Procedurat e lidhur me Aktvendimin [AC-I-27-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së në lidhje Aktvendimin [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021, të cilat janë objekt i vlerësimit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese
Më 5 janar 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër të paditurit AKP në lidhje me Vendimin [nr. GJI 042-4766] e Autoritetit të Likuidimit, të 14 nëntorit 2014. Parashtruesi i kërkesës në ankesë pretendoi se me kërkesë i ishte drejtuar të paditurës AKP me të cilën kishte kërkuar kompensimin në emër të ambalazhit për paketimin e çimentos (thasëve), obligim ky që rrjedhë nga marrëdhënia afariste. Parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se me aktgjykimin e Gjykatës Ekonomike të Qarkut [IC nr. 121/2007], të 4 marsit 2008, është aprovuar kërkesëpadia e paditësit si e bazuar dhe është obliguar Fabrika e Çimentos “Sharr” që paditësit t’ia paguaj borxhin në shumën 177,683.17 euro, me kamatë ligjore prej 3,5 %, duke filluar nga data 01.01.1997, deri në pagesën definitive, si dhe të paguaj edhe shpenzimet e procedurës në shumën 2,319.00 euro, të gjitha në afatin prej 8 ditëve. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte theksuar se me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [Ac. nr. 67/2008] të 23 qershorit 2010, janë refuzuar ankesat e paditësit dhe të paditurit, ndërsa është vërtetuar Aktgjykimi i Gjykatës Ekonomike të Qarkut [I.C. 121/2007] i 4 marsit 2008.
AKP-ja si palë e paditur ishte përgjigjur se në pajtim me nenin 37.3 të Shtojcës së Ligjit për AKP-në, nr. 04/L-034, përcaktohet “Të gjitha kërkesat e bëra ndaj Ndërmarrjes mund të përfshijnë kamatë në çfarëdo shume themelore të grumbulluar deri para datës së Vendimit të Likuidimit, me kusht që kjo kamatë të mos tejkalojë 10%, të shumës themelore.” AKP-ja kishte theksuar se Autoriteti i Likuidimit e pranon si të vlefshme, vetëm shumën 17,768.32 euro. Shuma e refuzuar prej 89,959.77 euro, paraqet totalin e diferencës së kamatës se kërkuar nga parashtruesi i kërkesës dhe kamatës së pranuar nga Autoriteti i Likuidimit, në përputhje me nenin 37.3 të Shtojcës së Ligjit.
Më 2 shtator 2020, DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-III-15-0002] vendosi që ta refuzojë të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vendimi i Autoritetit të Likuidimit [GJI 042- 4766] i 14 nëntorit 2014, vërtetohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
DHPGJS-ja arsyetoi: “Gjykata vlerëson se Ligji nr. 04/L-034 për AKP-në, kur është në kolizion me ligjet tjera, por edhe me aktgjykim të formës së prerë, të parashtruara nga pala ankuese, ka përparësi në zbatim. Procesi ligjor në procedurën e likuidimit, të NSH-ve, ligjvënësi, ka siguruar që ekziston mundësia që kreditorëve të renditur me ultë me përparësi pagese, t’iu sigurohet për të paguar diçka nga kërkesat e tyre; ndërsa me dispozitën e nenit 37, paragrafi 3 të Shtojcës së Ligjit 04/L- 034 për AKP-në, është kufizuar shuma e lartësisë së kamatës në 10%, të shumës themelore të kërkesës kreditore. Gjykata vlerëson se në rastin konkret Autoriteti i Likuidimit ka vepruar drejtë kur ka zbatuar dispozitën e nenit 40.1.7. të Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 për AKP-në që ka llogaritur kryegjënë në shumën 177,683.17 euro, dhe kamatën 17,768.32 euro, në shkallën 10 %, ashtu siç është përcaktuar me nenin 37.3 të Shtojcës së Ligjit 04/L- 034 për AKP-në. Nisur nga ky qëndrim dhe në përputhje me dispozitën e nenit 37, paragrafi 1 dhe 3 i Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 të AKP-së, sipas të cilit kjo dispozitë ka efekt superior mbi aktgjykimin e formës së prerë I.C 121/2007, të Gjykatës Ekonomike të Qarkut, në lidhje me llogaritjen e kamatës kështu që Autoriteti i Likuidimit drejtë ka vepruar kur me rastin e llogaritjes së kamatës në shumën e borxhit themelore ka zbatuar lartësinë e kamatës deri ne 10 %, të borxhit themelor.”
DHPGJS-ja njoftoi parashtruesin e kërkesës se mund të parashtrojë ankesë me shkrim në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi.
Aktgjykimi i lartpërmendur i DHPGJS-së i ishte dërguar avokatit të parashtruesit të kërkesës më 27 tetor 2020, mirëpo nuk kishte paraqitur ankesë brenda afatit ligjor.
Më 26 mars 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS duke kërkuar kthim në gjendjen e mëparshme duke arsyetuar se avokati i tij në fund të muajit tetor 2020 ishte infektuar me COVID19dhe më vonë kishte vdekur, për çka edhe nuk kishte mundur që brenda afatit ligjor të paraqesë ankesë kundër aktgjykimit të DHPGJS-së [C-III -15-0002] të 2 shtatorit 2020.
Më 22 prill 2021, shkalla e parë e DHPGJS-së lëshoi një urdhër për parashtruesin e kërkesës me të cilin është kërkuar që në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të urdhrit të dorëzoi në DHPGJS-së provën me të cilën dëshmohet koha kur është infektuar avokati i tij me virusin COVID19. Nga shkresat e lëndës rezulton që ky urdhër është pranuar nga parashtruesi i kërkesës më 7 maj 2021, mirëpo nuk është dhënë asnjë përgjigje në këtë urdhër.
Më 8 tetor 2021, shkalla e parë e DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme e hodhi poshtë si të paafatshme. DHPGJS-ja arsyetoi: (i) i autorizuari i parashtruesit të kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [C-III -15-0002] të 2 shtatorit 2020, më 27 tetor 2020; (ii) kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme është paraqitur më 26 mars 2021, çka do të thotë se kërkesa është ushtruar pas afatit objektiv prej 60 ditësh, që është përcaktuar me nenin 130.3 të LPK-së; (iii) prandaj, mbi këtë bazë kërkesa e paafatshme nuk mund të aprovohet.
Më 29 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021, duke kërkuar nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së që të prishet aktvendimi i ankimuar me pretendimin për zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe që njëkohësisht nuk është vërtetuar as gjendja faktike.
Më 20 tetor 2022, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-21-0710] vendosi: (1) Ankesa e parashtruesit të kërkesës refuzohet si e pabazuar; (2) Vërtetohet Aktvendimi i shkallës së parë të DHPGJS-së [C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021; (3) Nuk caktohen taksa për procedurën ankimore.
Kolegji i Apelit arsyetoi: “Aktvendimi i ankimuar i shkallës së parë të DHPGJS-së është i saktë në rezultat dhe në arsyetimin ligjor, andaj duhet të vërtetohet. Kolegji i Apelit vëren se me Aktvendimin [C-III-15-0002] të datës 2 shtator 2020, është refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe është vërtetuar vendimi i ankimuar i Autoritetit te Likuidimit [GJI042-4766] i datës 14 nëntor 2014, me të cilin vendim ishte refuzuar si e pa vlefshme kërkesa për pagesën e pjesës së refuzuar në emër të kamatës në borxhin kryesor që ishte kërkuar në shumë prej 89.959,77 euro. Në këtë procedurë kreditori-parashtruesi i kërkesës përfaqësohej nga avokati i tij M.Sh., dhe ky Aktgjykim i është dorëzuar avokatit të parashtruesit të kërkesës M.Sh., me datë 27 tetor 2020, i cili në afatin ligjor nuk kishte paraqitur ankesë ndaj këtij Aktgjykimi refuzues. Tutje Kolegji i Apelit vëren se kreditori-parashtruesi i kërkesës me datë 26 mars 2021, e kishte dorëzuar një parashtrese në DHPGJS për shkallën e parë të DHPGJS-së dhe kërkonte që të kthehej gjendja e mëparshme pasi që ai pohon se e ka humbur afatin ligjor të paraqes ankese ndaj Aktgjykimit të shkallës së parë. Kreditori- parashtruesi i kërkesës në këtë parashtresë humbjen e afatit ligjor e ka arsyetuar me vdekjen e avokatit që ishte i autorizuari i tij, si rezultat i infektimit me virusin Covid-19. Nga sa u tha më sipër në bazë të nenit 9.10 të LDHP është vendosur si në dispozitiv.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të shfuqizojë Aktvendimin [AC-I-21-0710] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 20 tetorit 2022 dhe Aktvendimin [C-III-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, të 8 tetorit 2021 dhe të konstatojë se të njëjtit janë nxjerrë në kundërshtim me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Të dy këto Aktvendime të kontestuara nga ana e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me kërkesën e tij për kthim në gjendje të mëparshme dhe procedurën e zhvilluar në lidhje me këtë kërkesë. Për pasojë Gjykata do t’i paraqes pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me Aktvendimet e fundit, të nxjerra në procedurën që ndërlidhen me kërkesën e tij për kthim në gjendje të mëparshme, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0710] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 20 tetorit 2022 dhe Aktvendimin [C-III-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, të 8 tetorit 2021.
Parashtruesi i kërkesës në kontekst të Aktvendimit [C-III-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së të 8 tetorit 2021 pretendon se: “ [...] ka humbur të njëjtin afat, për shkak të vdekjes së Avokatit të tij, tashmë i ndjeri z. M.Sh., i cili ishte infektuar me virusin Covid - 19, e që si pasojë kishte rezultuar në vdekjen e tij, gjë që kishte rezultuar edhe në mos paraqitjen e ankesës brenda afatit kohor ndaj Aktgjykimit C - III - 15 - 0002 të "DHPGJS". "DHPGJS" kishte kërkuar nga "ZHITIA", që prova të dorëzohet brenda afatit prej 7 ditëve me të cilën dëshmohet koha kur është infektuar me virus in Covid - 19, i ndjeri z. M.Sh., në mënyrë që t’ia miratojë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, Paditësi nuk kishte pranuar asnjëherë urdhrin e tillë për shkak se atë e kishte pranuar një person tjetër familjar z. M.Zh., i cili nuk e kishte njoftuar Paditësin me kohë.”
Parashtruesi i kërkesës në kontekst Aktvendimit [AC-I-21-0710] të Kolegjit të Apelit të 20 tetorit 2022 pretendon se: “Kolegji i Apelit të DHPGJS, me Aktvendimin AC - I - 21 - 0710 si në piken e parë të dispozitivit, refuzon ankesën e [parashtruesit të kërkesës] si të pabazuar, ndërsa në pikën 2 të dispozitivit vërteton Aktvendimin e Shkallës së 1- rë të "DHPGJS", C - III - 15 - 0002, me të cilin Aktvendim është vërtetuar dhe pranuar në tërësi vendimi nr. GJI 042 - 4766, dt. 14.11.2014 i "AKP-së". Në vijim, parashtruesi i kërkesës nënvizon se: "Kolegji i Apelit të DHPGJS", me Aktvendimin AC - I - 21- 0710, nuk udhëzon palën për të paraqitur provat pranë po të njëjtit organ në mënyrë që të konstatohet se i ndjeri z. M.Sh., kishte vdekur gjatë kohës së Covid - 19, por me të njëjtin Aktvendim AC - I - 21 - 0710, nxjerr konstatime dhe pritje se [parashtruesi i kërkesës] do të duhej të kishte sjellur dëshmi edhe të "Kolegji i Apelit të DHPGJS", të cilat i janë kërkuar me urdhrin e Shkallës së 1-rë të "DHPGJS", duke mos i dhënë mundësi palës që po të njëjtat t'i paraqes pranë "Kolegjit të Apelit të DHPGJS.”
Në vijim, parashtruesi ne kërkesën e tij para Gjykatës ngritë pretendime që ndërlidhen me procedura e zhvilluara para gjykatave të rregullta e që i paraprijnë nxjerrjes së dy Aktvendimeve të fundit dhe të kontestuara nga ai, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0710] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 20 tetorit 2022 dhe Aktvendimin [C-III-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, të 8 tetorit 2021, të cilat në mënyrë të përmbledhur do ti paraqes si në vijim:
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Kolegji i Apelit të DHPGJS-së dhe DHPGJS-ja në një kohë të caktuar kishte shpallur veten jo kompetente për çështjen në fjalë dhe kishin njohur Aktgjykimet e Gjykatës Ekonomike të Qarkut dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilat parashtruesit të kërkesës iu kishte njohur e drejta e borxhit kryesor 177,683.17 euro me kamatë ligjore prej 3.5%, duke filluar nga dt. 01.01.1997 deri në pagesën definitive të borxhit me Aktvendimin E.nr.46/2010 mbi lejimin e përmbarimit të borxhit të lartcekur.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “DHPGJS-ja me Aktvendimin SCA-10-0066 citonte Gjykata Supreme është organi më i lartë gjyqësorë në vend dhe si i tillë nuk mund të ankimohet. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së në Aktvendimin C-III-15-0002 vënte theks të veçantë se çështja në fjalë është vendosur me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës Supreme të Kosovës Ac.nr.67/2008 dhe si i tillë nuk mund të ankimohet.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se rrjedha e tërë procedurës ndryshon pas fillimit të procesit të likuidimit, rreth katër vite më vonë nga koha kur do duhej të ekzekutohej borxhi përmes procedurës së përmbarimit, ku Gjykata Themelore në Prishtinë pezullon dhe shfuqizon tërë procedurën me arsyetimin: “Përmbarimi nuk ishte realizuar përkundër se Gjykata ka ndërmarrë shumë veprime procedurale por nuk ka mundur ta ekzekutojë borxhin. Për këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëzon parashtruesin e kërkesës që t’i drejtohet AKP-së për realizmin e të drejtës kreditore, duke përdorur arsyetimin tjetër se ka filluar procedura e likuidimit. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, parashtruesi i kërkesës i drejtohet AKP-së, ku po e njëjta, më datë 14.11.2014 me vendimin nr. GJI. 042-4766, shuma totale borxhit të gjykuar refuzon kërkesën në shumën 89,959.77 euro.”
Lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Autoriteti i Likuidimit, vendimin e saj e ka bazuar në dispozitën e nenit 37.3 të Shtojcës së Ligjit 04 L - 034, përmes së cilës ka pranuar vetëm 10% të kamatës në shumat e kërkuara. Duke pas parasysh kornizën ligjore që rregullon përmbushjen e kërkesave kreditore ndaj Ndërmarrjeve Shoqërore në Kosovë, përmes një procesi të likuidimit vullnetar të zbatuar nga AKP-ja në cilësinë e administratorit, të paktën ishte dashur që kërkesat e plotfuqishme ligjore të zbatohen dhe të trajtohen me prioritet ashtu siç e kërkon e drejta universale sipas parimeve të likuidimit dhe përmbushjes së kërkesave kreditore. Ajo çfarë ndodhi në këtë rast ishte shkelje e nenit 6 te “Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ... Rrjedhimisht, politikat publike duhet të jenë uniforme në interes të përgjithshëm duke ngritur kësisoj standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Pezullimi i procedurës përmbarimore dhe shfuqizimi i të gjitha veprimeve gjyqësore nga Gjykata Themelore, Prishtinë, pas kalimit të plotë 4 (katër) viteve nga koha kur do të duhet të ekzekutohej borxhi i gjykuar, dhe udhëzimi ndaj Parashtruesit të Kërkesës që kërkesën kreditore ta paraqes tek “AKP”, krijon dyshimin dhe pasiguri për palën lidhur me mbrojtjen që Sistemi Gjyqësor i Kosovës është i obliguar sipas Kushtetutës ta ofroj ndaj palës së dëmtuar. Mos ndërmarrja e veprimeve procedurale për të ekzekutuar një borxh të gjykuar, fillimi i procedurës së likuidimit vetëm pas kalimit të një afati të gjatë kohor, detyrimi i palës të paraqes prap mjetet juridike të dyfishta në drejtim të realizimit të kërkesës, gjykimi i çështjes në fjalë nga “Kolegji i Apelit të DHPGJS” dhe “DHPGJS”, përkundër se në një kohë të caktuar pretendonin se nuk janë kompetente për gjykimin e po të njëjtit pasi që çështja është Res Judicata, dërgon në shkelje direkte të dispozitave kushtetuese dhe ndërkombëtare të përcaktuara, për gjykimin e drejtë dhe të paanshëm nga Gjykata.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë: (i) që kërkesa e tij të shpallet e pranueshme; (ii) shkelje të neneve 24 dhe 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (iii) të shfuqizojë Aktvendimin [AC-I-21-0710] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 20 tetor 2022 dhe Aktvendimin [C-III-15-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, 8 tetorit 2021 me të cilat vërtetohet vendimi i AKP-Autoritetit të Likuidimit; (iv) të urdhërojë Autoritetin e Likuidimit për N.SH. “SHARR” të aprovojë kërkesën e plotë kreditore të parashtruesit të kërkesës sipas Aktvendimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut E.nr.460/2010 të 28 janarit 2011.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
RREGULLORE NR. 2008/4 MBI THEMELIMIN E DHOMËS SË POSAÇME NË GJYKATËN SUPREME TË KOSOVËS
Neni 4
Juridiksioni
“4.1 Panelet gjyqësore të Dhomës së Posaçme kanë juridiksion parësor për kërkesat dhe kundërkërkesat që lidhen me:
(a) Kundërshtimet ndaj vendimeve ose veprimeve të tjera të Agjencisë, të marra në përputhje me Rregulloren nr. 2002/12, duke përfshirë shqiptimin e gjobave, siç është përcaktuar në nenin 27 të Rregullores nr. 2002/12;
(b) Paditë kundër Agjencisë për humbjet financiare që rezultojnë nga vendimet apo veprimet e marra në përputhje me kompetencat e saj si administruese e një ndërmarrjeje apo korporate;”
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 1
Fushëveprimi dhe zbatueshmëria e kësaj Shtojce
“Kjo Shtojcë përcakton bazat dhe procedurat për likuidimin e Ndërmarrjeve dhe Aseteve mbi të cilat Agjencia ka autoritet, në pajtim me Ligjin për AKP-në dhe të drejtat dhe obligimet e të gjithë pjesëmarrësve dhe palëve të prekura.”
LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 74
Shqyrtimi i vendimeve të Autoritetit për likuidim
“1. Procedura para Dhomës së Posaçme për kundërshtimin e vendimit të një Autoriteti të Likuidimit që është duke kryer likuidimin e një ndërmarrje ose aseti sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të rregullohet në bazë të këtij neni.
2. Çdo kreditor i Ndërmarrjes i cili ka dorëzuar me kohë kërkesën në Agjenci dhe i cili cenohet nga një vendimi i Autoritetit të Likuidimit mund ta kundërshtojë vendimin e tillë, duke parashtruar një ankesë në Dhomën e Posaçme kundër Agjencisë brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit të vendimit. Çdo ankesë e këtillë duhet të bazohet në pretendimin se procesi i likuidimit nuk është kryer në pajtim me Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ankesa duhet të jetë në pajtim me kërkesat e paragrafit 2 të nenit 35 të këtij ligji dhe të bashkëngjisë një kopje të vendimit ndaj të cilit është ngritur kundërshtimi.
3. Në shkallë të parë, zhvillimi i lëndës apo procedurës lidhur me ankesa të tilla do t’i caktohet Gjyqtarit të vetëm sipas rregullave të përcaktuara për shpërndarjen dhe caktimin e lëndëve.
4. Dispozitat e tjera të përgjithshme procedurale në nenet 22-63 të këtij ligji zbatohen për lëndët dhe procedurat bazuar në ankesa të tilla. Gjyqtari i vetëm apo aty kur është e zbatueshme Kolegji përkatës, mund të nxjerrë një Aktgjykim për vërtetimin, shfuqizimin dhe ndryshimin e vendimit të Autoritetit të Likuidimit.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 130
Pa titull
“130.1 Propozimi për kthimin në gjendje të mëparshme i paraqitet gjykatës në të cilën është dashur të kryhet veprimi procedural i pakryer.
130.2 Propozimi duhet të paraqitet brenda afatit shtatë (7) ditor nga dita kur ka pushuar shkaku i mosveprimit, e po që se pala më vonë ka mësuar për mosveprimin, atëherë afati llogaritet nga dita kur ka mësuar për mosveprimin.
130.3 Pas kalimit të gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e mosveprimit nuk mund të kërkohet kthimi në gjendjen e mëparshme.
130.4 Po që se kthimi në gjendje të mëparshme kërkohet për shkak të mos ruajtjes së afatit për kryerjen e veprimit procedural, propozuesi ka për detyrë që propozimit t’ia bashkëngjisë veprimin e shkruar procedural të pakryer me kohë.”
Neni 399
Pa titull
“399.1 Kur gjykata, pasi t’i arrijë përgjigja në padi, konstaton se nga faktet e treguara në padi nuk del themelësia e kërkesëpadisë, atëherë ajo do te jep vendimin meritor me të cilin refuzohet si e pathemeltë kërkesëpadia.
399.2 Kërkesëpadia është e pathemeltë, në vështrim të paragrafit 1 të këtij neni, po që se qartazi është në kundërthënie me faktet e treguara në padi, apo, po që se faktet mbi të cilat mbështetët kërkesëpadia qartazi janë në kundërthënie me provat të cilat i ka propozuar paditësi, apo me faktet që janë botërisht të ditura.”
UDHËZUES JURIDIK NR. 38/2023 I GJYKATËS SUPREME LIDHUR ME LIGJIN E APLIKUESHËM: LIGJI NR. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT ( i miratuar në Seancën e Përgjithshme të Gjykatës Supreme, mbajtur më datë 27 shkurt 2023)
“I. Nga data e parashtrimit të Njoftimit të Vendimit për Likuidim, e deri në përfundimin e likuidimit, PEZULLOHET çdo procedurë gjyqësore, administrative apo e arbitrazhit që është kundër ndërmarrjes dhe aseteve të saj që është subjekt i Vendimit për Likuidim, përfshirë edhe procedurat përmbarimore të vendimeve të formës së prerë lidhur me kërkesat monetare.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0710] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 20 tetorit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ka të bëj me një kontratë për këmbim të mallrave të lidhur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Fabrikës së Çimentos “SHARR” më 13 shtator 1996, me ç ‘rast janë themeluar marrëdhëniet detyrimore të ndërsjella. Në kontratë ishte paraparë që parashtruesi i kërkesës ishte i obliguar që Fabrikës së Çimentos “SHARR” t’ia sigurojë ambalazhën për paketimin e çimentos, për kompensim me dërgimin e çimentos. Në vitet 1997-98 Fabrika e Çimentos “SHARR” kishte mbetur në obligim ndaj parashtruesit të kërkesës një sasi të çimentos të padërguar që kishte një vlerë të caktuar monetare. Duke qenë se kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me borxhin që Fabrika e Çimentos “SHARR” ia kishte borxh parashtruesit të kërkesës; i njëjti më 28 qershor 2000, paraqiti padi në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë duke kërkuar që e paditura Fabrika e Çimentos “SHARR” t’ia paguajë borxhin gjegjësisht kundërvlerën e çimentos të cilën nuk ia ka dërguar sipas kontratës. Ndërkohë, lidhur me mosmarrëveshjen në fjalë u zhvilluan procedura kontestimore dhe përmbarimore me palë ndërgjyqëse parashtruesin e kërkesës dhe Fabrikën e Çimentos “SHARR”, të cilat procedura ishin ndërprerë nga gjykatat e rregullta me kërkesë të AKP-së për shkak se kjo e fundit kishte marrë vendim për likuidimin e Fabrikën e Çimentos “SHARR”. Parashtruesi i kërkesës në procedurën e likuidimit i ishte drejtuar Autoritetit të Likuidimit i AKP-së me kërkesë kreditore të bazuar në borxhin që ai pretendonte se duhej t’i paguhej nga Fabrika e Çimentos “SHARR”. Autoriteti i Likuidimit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës duke arsyetuar se të gjitha kërkesat e bëra ndaj Ndërmarrjes Fabrika e Çimentos “SHARR” mund të përfshijnë kamatë në çfarëdo shume themelore të grumbulluar deri para datës së Vendimit te Likuidimit, me kusht që kjo kamatë të mos tejkalojë 10% (dhjetë përqind) të shumës themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së. Më 2 shtator 2020, DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-III-15-0002] vendosi që ta refuzojë të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vendimi i Autoritetit të Likuidimit ishte vërtetuar si i drejtë dhe i bazuar në ligj. DHPGJS-ja njoftoi parashtruesin e kërkesës se mund të parashtrojë ankesë me shkrim në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi. Aktgjykimi [C-III-15-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së, i ishte dërguar avokatit të parashtruesit të kërkesës, mirëpo, i njëjti nuk kishte paraqitur ankesë brenda afatit ligjor. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS duke kërkuar kthim në gjendjen e mëparshme duke arsyetuar se avokati i tij ishte infektuar me COVID19dhe më vonë kishte vdekur, për çka edhe nuk kishte mundur që brenda afatit ligjor të paraqesë ankesë kundër Aktgjykimit [C-III -15-0002] të 2 shtatorit 2020 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së. Në vijim të kërkesës së tij, DHPGJS-ja lëshoi një urdhër për parashtruesin e kërkesës me të cilin është kërkuar që në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të urdhrit të dorëzojë në DHPGJS-së provën me të cilën dëshmohet koha kur është infektuar avokati i tij me COVID19, mirëpo ky i fundit DHPGJS-së nuk i kishte dhënë asnjë përgjigje. Më 8 tetor 2021, shkalla e parë e DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] të të 8 tetorit 2021 kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme e hodhi poshtë si të paafatshme duke arsyetuar se kjo kërkesë është ushtruar pas afatit objektiv prej 60 ditësh, të përcaktuar me dispozitat përkatëse të ligjit të aplikueshëm. Kundër këtij Aktvendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së duke kërkuar prishjen e Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 të DHPGJS-së, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe që njëkohësisht nuk ishte vërtetuar as gjendja faktike. Më 20 tetor 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-21-0710] vendosi: (i) ankesa e parashtruesit të kërkesës refuzohet si e pabazuar; dhe (ii) të vërtetohet Aktvendimi i shkallës së parë të DHPGJS-së [C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021.
Në vijim të elaborimit të procedurës së zhvilluar para gjykatave, Gjykata vë në dukje se të gjitha procedurat kontestimore dhe përmbarimore të reflektuara si më lart kanë për qëllim dhënien e sfondit të plotë të rastit sepse objekt i vlerësimit kushtetues ne rastin konkret janë: (i) Aktvendimi [AC-I-27-0710] i 20 tetorit 2022 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; dhe, (ii) Aktvendimi[C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021, i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Thënë këtë, Gjykata rikujton se Aktvendimi [AC-I-27-0710] i 20 tetorit 2022 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; dhe, (ii) Aktvendimi[C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021, i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së janë objekt vlerësimi të kërkesës së parashtruesit të kërkesës, sepse janë: (i) vendimet e fundit të kontestuara nga ai; dhe, (ii) i njëjti shprehimisht ka kërkuar nga Gjykata “shfuqizimin” e Aktvendimit [AC-I-27-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, i cili është vendimi i fundit përmes të cilit janë finalizuar të gjitha procedurat në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [C-III-15-0002] i Kolegjit të Specializuar i 8 tetorit 2021 dhe Aktvendimi [AC-I-21-0710] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 20 tetorit 2022, janë në kundërshtim me garancitë nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sepse të njëjtat kanë vërtetuar se Vendimi [GJI-042-4766] i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së i 14 nëntorit 2014. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi [GJI-042-4766] i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, i 14 nëntorit 2014 përveç se është arbitrar po aq është edhe diskriminues në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës, sepse ka “krijuar një pozitë të disfavorshme juridike për Kreditorët të cilët do të realizojnë kërkesat e tyre të njohura dhe gjykuara tashmë, ndaj Ndërmarrjeve Shoqërore që janë në procesin e likuidimit në AKP-së.”
Në kuptim të pretendimeve të ngritura në kërkesën e tij, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 dhe 24 të Kushtetutës.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata do të vijojë me shqyrtimin e asaj nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me dy vendimet e kontetsuara të DHPGJ-së, përkatësisht Aktvendimin [C-III-15-0002] e Kolegjit të Specializuar i 8 tetorit 2021 dhe Aktvendimin [AC-I-21-0710] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 20 tetorit 2022 plotëson kriterin e përcaktuar me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, përmes të cilit përcaktohet që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkese të papranueshme pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht, nëse e njëjta vlerëson që përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores se punës (shih, ndër tjerash, rastet KI26/23, me parashtrues Kastrioti Petrol, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 nëntorit 2023, paragrafi 46; KI216/21, me parashtrues Kujtim Rezniqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 marsit 2022, paragrafi 45; KI203/21 dhe KI205/21, me parashtrues Nexhmije dhe Sahit Kabashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 9 marsit 2022, paragrafi 73; dhe KI175/20, me parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 26 marsit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’ju referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Pretendimet qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, bazuar në praktikën gjyqësore, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, në këtë kuptim, rastet e Gjykatës, KI40/20, me parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Paprnueshmëri, i 20 janarit 2021; (ii) KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; (iii) KI21/21, me parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021; dhe (iv) KI107/21, me parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në kontekst të vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit e kontekst te pretendimeve përkatëse të parashtruesit të kërkesës, dhe vendimeve te kontestuara në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës për Aktvendimin e DHPGJS-së [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021, Gjykata rikujton se: (i) DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-III-0002] të 2 shtatorit 2020, kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Vendimit të Autoritetit të Likuidimit [GJI-042-4766] të 14 nëntorit 2014; (ii) Aktgjykimi [C-III-0002] i DHPGJS-së i 2 shtatorit 2020 i ishte dorëzuar avokatit të parashtruesit të kërkesës i cili nuk kishte arritur që ankesën ta paraqesë brenda afatit ligjor; (iii) më 26 mars 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi parashtresë në DHPGJS duke kërkuar kthim në gjendje të mëparshme me arsyetimin e avokati i tij kishte vdekur nga Covid19 në fund të muajit tetor për çka nuk kishte mundur ta paraqesë ankesën brenda afatit ligjor; (iv) më 22 prill 2021, DHPGJS-ja kishte urdhëruar parashtruesin e kërkesës që në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të urdhrit, të dorëzojë provën që dëshmon se kur është infektuar me Covid19 avokati i tij; (v) parashtruesi i kërkesës kishte pranuar Urdhrin e DHPGJS-së më 7 maj 2021, mirëpo nuk kishte ofruar asnjë përgjigje; (vi) përfundimisht, DHPGJS-ja përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 konstatoi se kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme është paraqitur pas afatit objektiv prej 60 ditësh të parashikuar me nenin 130.3 të LPK-së duke theksuar se mbi këtë bazë kërkesa e paafatshme nuk mund të aprovohet.
Në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit [AC-I-21-0710] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 20 tetorit 2022, Gjykata vëren: (i) parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit [C-III-15-0002] të DHPGJS-së të 8 tetorit 2021 duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe mos vërtetim të gjendjes faktike; (ii) Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-21-0710] të 20 tetorit 2022 e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e DHPGJS-së [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021; (iii) Kolegji i Apelit të DHPGJS-së kishte konstatuar: (i) në kontekst të Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së [GJI-042-4766] të 14 nëntorit 2014, refuzohet e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me lartësinë e kamatës për borxhin kryesor; (ii) në kontekst të Aktvendimit të DHPGJS-së [C-III-15-0002] i datës 8 tetor 2021 kërkesa e parashtruesit të kërkesës u refuzua sepse i njëjti nuk kishte ofruar provë që dëshmon kohën se kur ishte infektuar avokati i tij me COVID19; dhe, (iii) për shkak se parashtruesi i kërkesës po ashtu nuk ka paraqitur kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme brenda afatit objektiv prej 60 ditësh siç parashikohet me nenin 130.2 të LPK-së.
Bazuar si në shtjellimin e mësipërm, Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret: (i) Aktgjykimi [C-III-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së i ishte dorëzuar avokatit të parashtruesit të kërkesës, i cili nuk kishte arritur që ankesën kundër aktgjykimit në fjalë ta paraqesë brenda afatit ligjor; (ii) për shkak të ikjes së afatit ligjor për ta kontestuar Aktgjykimin [C-III-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme me arsyetimin se avokati i tij kishte vdekur nga COVID19, për çka nuk kishte mund ta paraqesë ankesën brenda afatit ligjor; (iii) DHPGJS-ja ia kishte dhënë mundësinë parashtruesit të kërkesës që në afat prej shtatë ditësh të sjellë dëshmi se kur avokati i tij ishte infektuar me COVID19; mirëpo parashtruesi i kërkesës nuk kishte sjellë ndonjë dëshmi në atë drejtim; (iv) Kolegji i Specializuar përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 refuzoi kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme, i cili vendim më pas u vërtetua me Aktvendimin [AC-I-21-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; rrjedhimisht, (v) nga procedurat e zhvilluara rezulton se parashtruesi i kërkesës ka humbur afatin për ankesë dhe i është refuzuar kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme.
Prandaj, në kontekst të vendimeve të kontestuara të DHPGJS-së nga ana e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Aktvendimit [AC-I-21-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, si vendime të fundit të nxjerra në procedurën e zhvilluar para DHPGJS-së, Gjykata duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në lidhje me këto dy vendimet e fundit vlerëson se parashtruesi i kërkesës përgjatë këtyre procedurave respektive përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës provat përkatëse që atij i ishin kërkuar e që ndërlidheshin me kërkesën e tij për kthim të gjendjes së mëparshme. Thënë këtë, DHPGJS parashtruesit të kërkesës i kishte dhënë mundësinë që të justifikojë humbjen e afatit dhe kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme, megjithatë i njëjti në mungesë të paraqitjes së provave përkatëse të kërkuara nga DHPGJS ankesën e tij kundër Aktgjykimit [C-III-15-0002] të Kolegjit të Specializuar të 2 shtatorit 2020 e kishte paraqitur jashtë afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm. Për pasojë, Gjykata vlerëson se shikuar objektivisht arsyet faktike dhe ligjore për vendimet e kontestuara janë dhënë në hollësi dhe (i) procedurat që ndërlidheshin me afatin për parashtrimin e ankesë së tij kundër Aktgjykimit [C-III-15-0002] të Kolegjit të Specializuar të 2 shtatorit 2020 dhe (ii) kërkesës së tij për kthim në gjendje të mëparshme ishin të drejta, të cilat kishin rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit [C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe Aktvendimit [AC-I-21-0710] i 20 tetorit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së ishin të drejta (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Për pasojë, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të dorëzuar para Gjykatës në kuptim të procedurës së zhvilluar e që specifikisht ndërlidhet me Aktvendimin [AC-I-21-0710] të 20 tetorit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Aktvendimin [C-III-15-0002] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, të 8 tetorit 2021 thjeshtë ka përmendur nenet 24 dhe 31 Kushtetutës, pa shpjeguar se si të njëjtat janë shkelur në rastin e tij (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës KI126/22, me parashtrues Gëzim Bajrami, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 janarit 2023, paragrafët 86-87; KI119/21, me parashtrues Ahmet Hoti dhe të tjerët, Aktvendim për Papranueshmëri, i 22 qershorit 2022, paragrafi 94; dhe KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafët 86- 87).
Mbështetur në elaborimin si më sipër, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë pretendime që ndërlidhen me Aktvendimin [AC-I-21-0710] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 20 tetorit 2022, janë pretendime “të pambështetura dhe të paarsyetuara” dhe si të tilla në baza kushtetuese duhet të shpallen si qartazi të pabazuara ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113 (1) dhe (7) dhe nenin 21 (4) të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 20 mars 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
N.T.SH “ZHITIA”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile