KI148/23, Parashtrues: Kumrije Ajeti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0858-A0001 të 27 prillit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
KI148/23, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2024, publikuar më 29 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, seancë dëgjimore, taksë gjyqësore, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se parashtruesja e kërkesës kishte punuar në Ndërmarrjen Shoqërore Industria e Duhanit në Gjilan e emërtuar pas privatizimit si NSH “IDGJ Tobaco.” Parashtrueses së kërkesës, punëdhënësi nuk ia kishte paguar të ardhurat personale për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Pas ndërprerjen së marrëdhënies së punës, parashtruesja e kërkesës ishte njoftuar se “shumat-pagat” që i janë mbetur borxh sipas kontratës të punësimit nga punëdhënësi, do të mbesin përgjegjësi e punëdhënësit. Kërkesa e parashtrueses së kërkesës do të shqyrtohet sipas procedurave të likuidimit dhe se ajo do të kontaktohet kur të fillojnë këto procedura. Pas fillimit të procedurës së likuidimit të NSH “IDGJ Tobaco”, AKM-ja përmes mjeteve të informimit i kishte ftuar parashtruesen e kërkesës që lidhur me çfarëdo kërkese t’i drejtohet këtij institucioni për realizimin e të drejtave të saj. Ndërkohë, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar dokumentacionin për realizmin e të drejtave të saj lidhur për pagat e papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Autoriteti i Likuidimit të AKP-së e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim të pagave të papaguara për periudhën gusht 2003 deri në maj 2004. Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte konstatuar se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është parashkruar bazuar në legjislacionin në fuqi. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës ishe ankuar në DHPGJS duke theksuar se vendimi i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm sepse-sipas ligjit në fuqi-kërkesat për kompensim të pagave të papaguara kundër NSH-ve në procedurë të likuidimit duhet të adresohen tek Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe jo ndonjë gjykatë tjetër, prandaj kërkesa për kompensim nuk mund të jetë e parashkruar. DHPGJS-ja ia kishte dërguar një vërejtje parashtrueses së kërkesës për pagesën e taksës gjyqësore. DHPGJS-ja kishte theksuar se nga shkresat e lëndës konstatohet se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar këtë vërejtje më 14 qershor 2021, por i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë. Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, me të cilën e kundërshtoi aktvendimin e ankimuar për shkak të të gjitha arsyeve ankimore. Në ankesë thuhej se konstatimi i DHPGJS-së se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e ka pranuar vërejtjen më 14 qershor 2021 nuk është i saktë, sepse ai nuk ka pranuar kurrfarë vërejtje për pagesën e taksës në emër të parashtrueses së kërkesës. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi aktvendimin e shkallës së parë të DHPGJS-së. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së konstatoi se përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e kishte pranuar këtë vërejtje më 14 qershor 2021, por i njëjti nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesja e kërkesës pretendoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak se DHPGJS-ja nuk ka mbajtur seancë dëgjimore ashtu që përfaqësuesit dhe vet asaj t’i jepej mundësia që të argumentojë lidhur me vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) ngrenë vetëm çështje ligjore të natyrës së kufizuar siç vërejtja për pagesë të taksës gjyqësore; (ii) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërinë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme; dhe; se (iii) parashtresat dhe materialet në dispozicion i kanë mundësuar DHPGJS-së nxjerrjen e vendimeve në rastin e parashtrueses së kërkesës.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Kumrije Ajeti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile