Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0779-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të 25 tetorit 2022

Nr. të lëndës KI194/22

Parashtruesit: Agim Trakaniqi

Shkarko:

KI194/22, Parashtrues Agim Trakaniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0779-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të 25 tetorit 2022

KI194/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 16 maj 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, kërkesë e pasafatshme

Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me atë se i njëjti rezulton që kishte qenë i punësuar në Ndërmarrjen Shoqërore “Dardania”, e cila në ndërkohë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës te Autoriteti i Likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore “Dardania” kishte parashtruar kërkesë për kompensimin e pagave të papaguara. Më 22 mars 2011, Komisioni Shqyrtues i Autoritetit të Likuidimit përmes Vendimit [KSHL LRC/11/0015/PE] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.  Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë  në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ishte paguar taksën gjyqësore, dhe rrjedhimisht Shkalla e parë e kësaj gjykate përmes Aktvendimit [ SCL-11 0017] konsideroi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr për shkak të mospagesës së taksës gjyqësore. Ky vendim i Shkallës së Parë ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] të 11 shkurtit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Pas këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës, sërish kishte paraqitur parashtresë në Kolegjin e Apelit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës duke deklaruar se ai kishte paguar taksën përkatëse gjyqësore. Megjithatë Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktvendimit të tij, të 25 tetorit 2022 parashtresën e parashtruesit të kërkesës  e hodhi poshtë si të papranueshme dhe konstatoi se vendim gjyqësor dhe përfundimtar në këtë çështje është Aktvendimi i Kolegjit të Apelit, i 11 shkurtit 2021.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se cilat të drejta dhe liri të mbrojtura me Kushtetutë pretendon se i janë shkelur përmes Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të 25 tetorit 2022.

Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës parashtresën kundër Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] të 11 shkurtit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK-së, e ka parashtruar më 24 nëntor 2021, që nënkupton se Aktvendimin [AC-I-19-0230-A0001] e Kolegjit të Apelit të Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 11 shkurtit 2021 si vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik, sipas përcaktimit të mësipërm të Gjykatës, e ka pranuar para datës së lartcekur, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 7 dhjetor 2022, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor. Rrjedhimisht, Gjykata vendosi që kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, për arsye se nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Agim Trakaniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile