Prishtinë, më 15 maj 2023
Nr. ref.:RK 2172/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI194/22
Parashtrues
Agim Trakaniqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit AC-I-21-0779-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të 25 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Agim Trakaniqi, me vendbanim në Pejë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [AC-I-21-0779-A0001] të 25 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJSK) dhe Aktvendimin [SCL-11-0017] të 9 dhjetorit 2019 të Shkallës së Parë të DHPGJSK-së.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimeve të kontestuara. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) i janë cenuar përmes akteve të kontestuara.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më 7 dhjetor 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.KSH.KI194/22] caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Gjykata po ashtu në të njëjtën datë pranoi kopjen e kërkesës nga DHPGJS.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Ndërmarrjen Shoqërore “Dardania”, e cila në ndërkohë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP). Nga shkresat e lëndës po ashtu rezulton se në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës te Autoriteti i Likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore “Dardania” kishte parashtruar kërkesë për kompensimin e pagave të papaguara.
Më 22 mars 2011, Komisioni Shqyrtues i Autoritetit të Likuidimit përmes Vendimit [KSHL LRC/11/0015/PE] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 26 prill 2011, parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit të lartcekur të Komisionit Shqyrtues të Likuidimit parashtroi ankesë në DHPGJSK.
Më 12 nëntor 2019, DHPGJSK parashtruesit të kërkesës i dërgoi kërkesën për pagesën e taksës gjyqësore, duke ia tërhequr vërejtjen se në rast të mos pagesës së taksës, ankesa e tjj do të konsiderohej e tërhequr.
Më 15 nëntor 2019, parashtruesi i kërkesës pranoi kërkesën e DHPGJSK për pagesën e taksës gjyqësore. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk e pagoi taksën e kërkuar gjyqësore në DHPGJSK.
Më 9 dhjetor 2019, Shkalla e parë e DHPGJSK-së përmes Aktvendimit [ SCL-11 0017] konsideroi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të tërhequr për shkak të mospagesës së taksës gjyqësore.
Më 27 dhjetor 2019, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të lartcekur të Shkallës së Parë të DHPGJSK-së parashtroi ankesë në Kolegjin e Apeli të DHPGJSK-së. Përmes ankesës së tij, parashtruesi i kërkesës pretendoi se ai kishte paguar taksën gjyqësore.
Më 11 shkurt 2021, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar. Kolegji i Apelit arsyetoi se: “[...] ka rishikuar të gjitha provat në shkresat e lëndës dhe nuk ka gjetur asnjë dëshmi që të jetë paguar taksa gjyqësore. Po të kishte një dëshmi të tillë, paditësi do të mund ta dëshmonte edhe në fazën e ankesës, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, andaj ankesa është e pa bazuar. [...] Kolegji Apelit vëren se [parashtruesi i kërkesës] me qëllim apo pa qëllim i ka ngatërruar fazat e procedurës para Dhomës së Posaçme. Kolegji i Apelit sqaron se Shkalla e Parë e ka marrë vendimin me të cilin është konsideruar ankesa e tërhequr më 09 dhjetor 2019 për shkak se nuk është paguar taksa gjyqësore në këtë fazë, ndërsa pagesa e taksës gjyqësore për të cilën pretendon [parashtruesi i kërkesës], ka të bëj ëme ankesën para Kolegji të Apelit. [...]”
Më 24 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] të Kolegjit të Apelit, të 11 shkurtit 2021 në DHPGJSK-së parashtroi parashtresë përmes të cilës pretendoi se ai e kishte paguar taksën gjyqësore, duke e prezantuar këtë si dëshmi gjatë ushtrimit të ankesës së tij kundër Aktvendimit të Shkallës së Parë të DHPGJSK-së, të 9 dhjetorit 2019.
Më 25 tetor 2022, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit parashtresën e parashtruesit të kërkesës e hodhi poshtë si të papranueshme. Kolegji i Apelit, në thelb arsyetoi se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së i 11 shkurtit 2021, ishte vendim përfundimtar dhe kundër tij nuk është i lejuar ankesa apo ndonjë mjet tjetër i jashtëzakonshëm juridik. Kolegji i Apelit mbështetur në nenin 9 [Aktgjykimet, Aktvendimet dhe Ankesat] paragrafi 14 të Ligjit nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Dhomën e Posaçme) arsyetoi se: “të gjitha Aktgjykimet dhe Aktvendimet e Kolegjit të Apelit janë përfundimtare dhe nuk janë subjekt i ndonjë ankimi të serishëm. Përveç kësaj, [Ligji për Dhomën e Posaçme] dhe shtojca e tij që më herët ishin në zbatim po ashtu nuk parashohin ndonjë mjet të jashtëzakonshëm kundër aktvendimeve apo aktgjykimeve të tilla të Kolegjit të Apelit (asnjë mjet i tillë i jashtëzakonshëm nuk është paraprak as me Rregulloren e UNMIK-ut 2008/4 dhe Urdhëresën Administrative të UNMIK-ut 2008/6)”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se cilat të drejta dhe liri të mbrojtura me Kushtetutë pretendon se i janë shkelur përmes Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit.
Parashtruesi i kërkesës, në thelb kërkon vlerësimin e ligjshmërisë së Aktvendimit [AC-I-21-0779-A0001] të 25 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK-së dhe Aktvendimin [SCL-11-0017] të 9 dhjetorit 2019 të Shkallës së Parë të DHPGJSK-së.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-21-0779-A0001] të 25 tetorit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë: (i) cili është “vendimi i fundit” në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës në ndërlidhje me rrjedhjen e afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, përkatësisht “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”; dhe (ii) nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” në procesin e shterjes së mjeteve juridike. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesave duhet t’i shterojnë vetëm mjetet juridike të cilat janë efektive, përkatësisht mjetet juridike lejueshmëria e të cilave është përcaktuar me ligj. Kjo sepse parashtruesit e kërkesave nuk mund të zgjasin afatet kohore strikte të përcaktuara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojnë mjete juridike pranë autoriteteve përkatëse e të cilat nuk kanë kompetencë ligjore që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave dhe të lirive themelore cenimin e të cilave e pretendojnë parashtruesit e kërkesave (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09,45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktvendimin [AC-I-19-0230-A0001] të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK-së, të 11 shkurtit 2021. Pas pranimit të këtij të fundit, ai ka parashtruar parashtresë në DHPGJSK, mjet ky i palejuar me ligj pasi që neni 9, paragrafi 14 i Ligjit për Dhomën e Posaçme përcakton që: “Të gjitha aktgjykimet dhe aktvendimet e kolegjit të apelit janë të prera dhe nuk i nënshtrohen asnjë apeli tjetër.”
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje që përmes Aktvendimit [AC-I-21-0779-A0001] të 25 tetorit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK, kjo e fundit, bazuar në nenin 9, paragrafin 14 të Ligjit për Dhomën e Posaçme, e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të palejuar, duke mos e trajtuar në merita rastin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata tutje shton, se në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] të 11 shkurtit 2021, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, asgjë nuk e ka ndaluar atë që t’i drejtohet Gjykatës. Megjithatë, ai kundër vendimit përfundimtar të Kolegjit të Apelit, të 11 shkurtit 2021 ka parashtruar një parashtresë, mjet ky i cili nuk ka qenë i paraparë me ligj.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së Punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” dhe i cili është përfundimtar është Aktvendimi [AC-I-19-0230-A0001] i 11 shkurtit 2021, i Kolegjit të Apelit të DHPGJSK-së, përmes të cilit ishte vërtetuar Aktvendimin [SCL-11-0017] i Shkallës së Parë të DHPGJSK-së, i 9 dhjetorit 2019 (shih, mutatis mutandis, rastin KI 120/17, me parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, pargrafi 36 dhe rastin e GJEDNJ-së Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë sw Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002).
Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Gjykata nga shkresat e lëndës vëren se parashtruesi i kërkesës parashtresën kundër Aktvendimit [AC-I-19-0230-A0001] të 11 shkurtit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJSK-së, e ka parashtruar më 24 nëntor 2021, që nënkupton se Aktvendimin [AC-I-19-0230-A0001] e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 11 shkurtit 2021 si vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik, sipas përcaktimit të mësipërm të Gjykatës, e ka pranuar para datës së lartcekur, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 7 dhjetor 2022, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
Gjykata, në këtë kontekst, rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/21, me parashtrues Shkelzen Mustafa, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 shtator 2021, paragrafi 40; dhe KI64/21, me parashtrues Ali Gjonbalaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2021, paragrafi 38; dhe shih, gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se: Kevin O’Loughlin dhe të tjerët, kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 23274/04, Vendim i 25 gushtit 2005).
Si përfundim, bazuar në arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Agim Trakaniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile