KI219/23, Parashtrues: Ibrahim Bajrami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-21-0453-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 15 qershorit 2023
KI219/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 18 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesa individuale, 20% nga privatizimi, pretendime të paarsyetuara, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për herë të dytë. Kërkesa e parë e parashtruesit të kërkesës është regjistruar nga Gjykata me shenjën KI17/15, dhe në lidhje me këtë kërkesë, Gjykata nxori Vendimin për heqje të kërkesës nga lista, për arsye se “parashtruesi nuk e plotësoi kërkesën e tij brenda afatit”.
Kërkesën KI219/23, parashtruesi e dorëzoi në Gjykatë duke konsideruar se janë shkelur të drejtat e tij nga neni 31 i Kushtetutës, sepse të dy kolegjet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë refuzuar kërkesën e tij për pagesën e 20% nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore, duke konkluduar se ai nuk ka qenë punëtor i NSH “Ramiz Sadiku”.
Duke e shqyrtuar kërkesën e parashtruesit në kontekst të principeve dhe parimeve të praktikës së GJEDNJ-së dhe të praktikës së saj gjyqësore, Gjykata gjeti se në kërkesën e paraqitur nuk është ofruar ndonjë analizë e thukët lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin e specifikuar të Kushtetutës apo arsyetimin rreth pranueshmërisë dhe meritave të kërkesës. Thënë këtë, në kërkesë vetëm është përmendur neni 31 i Kushtetutës, pa ofruar përshkrimin se si aktvendimet e kontestuara të Dhomës së Posaçme kanë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin e specifikuar të Kushtetutës.
Gjykata theksoi veçanërisht se parashtruesi i kërkesës në procedurën para Gjykatës Kushtetuese, ishte përfaqësuar nga një përfaqësues-avokat, nga i cili pritet të ketë njohuri lidhur me kriteret procedurale që duhet plotësuar me rastin e parashtrimit të një kërkese pranë Gjykatës Kushtetuese për sa i përket pranueshmërisë së saj. Për më tepër, ai kishte jo një, por dy mundësi për të ndërtuar rastin për parashtruesin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, gjë që sigurisht nuk e bëri.
Rrjedhimisht, Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit si të pabazuar sepse konstatoi se pretendimet nga kërkesa kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Ibrahim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile