Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-20-0556-A000] të 25 nëntorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe Njoftimit [KMLC.nr.2/2023] të 10 janarit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Nr. të lëndës KI22/23
Parashtruesit: Belka Mladenović
Prishtinë, më 11 dhjetor 2023
Nr.ref.: RK 2299/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI22/23
Parashtrues
Belka Mladenović
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit [AC-I-20-0556-A0001] të 25 nëntorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe Njoftimit [KMLC. nr. 2/2023] të 10 janarit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Belka Mladenović nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston Aktvendimin [AC-I-20-0556-A0001] të 25 nëntorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) dhe Njoftimit [KMLC. nr. 2/2023] të 10 janarit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara, përmes së cilave pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe me nenin 6 [ E Drejta për Proces të Rregullt Gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 janar 2023, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila kërkesë arriti dhe u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) më 2 shkurt 2023.
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes vendimit [Nr. GJR. KI22/23], caktoi gjyqtaren Remzie Istrefi-Peci gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.
Më 24 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Gjykata po ashtu një kopje të kërkesës ia dërgoi Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit.
Më 12 korrik 2023, Gjykata ia dërgoi një shkresë DHPGJS-së dhe kërkoi nga ta që të sjellin fletkthesën që dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesja e kërkesës, Aktvendimin [AC-I-20-0556-A0001] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Më 17 korrik 2023, DHPGJS dorëzoi në Gjykatë fletkthesën e kërkuar.
Më 14 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në shkresat e lëndës, më 27 nëntor 2015, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) kishte refuzuar si të pavlefshme kërkesën e parashtrueses së kërkesës për njohjen e pronësisë së aksioneve ndaj Ndërmarrjes Shërbyese “Blegtori - Bujqësi” në Prizren, pasi që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dorëzuar dokumentet e kërkuara nga AL i AKP-së.
Më 28 janar 2016, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në DHPGJS kundër vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së.
Më 27 shkurt 2019, DHPGJS kishte kërkuar nga parashtruesja e kërkesës që të paguajë taksën gjyqësore në emër të ankesës së parashtruar.
Më 19 mars 2019, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar një kërkesë për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore me arsyetimin se është e moshuar dhe se pas vdekjes së bashkëshortit ajo e ka të pamundur të bëjë një pagesë të tillë, megjithatë ajo nuk kishte ofruar asnjë dëshmi apo provë në mbështetje të kësaj kërkese.
Më 15 qershor 2020, DHPGJS ia kishte dërguar një urdhër për ofrimin e provave për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore.
Më 19 tetor 2020, shkalla e parë e DHPGJS-së, përmes aktvendimit [C-IV-16-0142], e refuzoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore dhe konsideroi të tërhequr ankesën, pasi që nuk ishte paguar taksa gjyqësore. Sipas arsyetimit të dhënë nga gjykata, pasi që parashtruesja e kërkesës kishte refuzuar pranimin e urdhërit të gjykatës për të ofruar prova për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore, vendosi që ta refuzojë kërkesën për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore dhe ankesën ta konsiderojë si të tërhequr.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë kundër aktvendimit të shkallës së parë të DHPGJS-së, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të të drejtës materiale.
Më 25 nëntor 2021, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, përmes Aktvendimit [AC-I-20-0556-A0001], e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar dhe e vërtetoi aktvendimin [C-IV-16-0142] të 19 tetorit 2020 e shkallës së parë të DHPGJS-së.
Më 30 dhjetor 2022, parashtruesja e kërkesës paraqiti propozim për parashtrimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Më 10 janar 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes njoftimit [KMLC. nr. 2-2023] njoftoi parashtruesen e kërkesës se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk është e lejuar. Në arsyetimin e njoftimit, ndër të tjera, theksohet “... vendimet e Kolegjit të apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nuk mund të jenë lëndë e asnjë shkalle tjetër të apelit, përveç që mund të jenë lëndë i shqyrtimit para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e kjo është përcaktuar në Ligjin për Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që kanë të bëjnë me Agjencinë kosovare të privatizimit, respektivisht nenin 9, pika 15 i cili përcakton se “Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të interpretohet ose zbatohet për të kufizuar ose për të tentuar për të kufizuar të drejtën kushtetuese të çdo personi për të paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me ligjin dhe rregullat procedurale për një kërkese të këtillë, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë e cilitdo Vendim ose Aktgjykim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme ose cilado gjykatë tjetër”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës e konteston Aktvendimin [AC-I-20-0556-A0001] e 25 nëntorit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Njoftimin [KMLC. nr. 2-2023] e 10 janarit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me pretendimin se të njëjtit janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta Për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, pasi që siç pohon ajo ”... sepse palës së pa ditur e cila krahas kësaj është e moshuar, nuk i është mundësuar që në mënyrë efektive përmes procedurës gjyqësore të mbrojë të drejtat e saj të cilat i garantohen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.” Parashtruesja e kërkesës pretendon edhe shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, pasi që siç thekson “ nuk i është mundësuar që në mënyrë adekuate përmes gjykatës ti mbrojë të drejtat e veta themelore, respektivisht, nuk i është mundësuar procedurë e drejtë gjyqësore, respektivisht, gjykim, sepse jo me fajin e saj, për arsye qe nuk ka paguar taksën me kohë, padia e saj është konsideruar e tërhequr”.
Tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të nenit 25 të Kartës Sociale Evropiane, ku thekson se përmes saj “garanton të gjitha të drejtat e punëtorit pa kurrfarë kushtëzimi kur punëdhënësi është në falimentim-siç ka qenë rasti me KBI Progres-Prizren-në likuidim”.
Në fund, parashtruesja e kërkesës thekson se pas pranimit të njoftimit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka pasur tjera mjete juridike në dispozicion përveç paraqitjes së kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së pranë Gjykatës.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ajo e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-20-0556-A0001] e 25 nëntorit 2021 të Kolegji të Apelit të DHPGJS-së dhe Njoftimin [KMLC. nr. 2-2023] të 10 janarit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, që përcakton:
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].
Në këtë aspekt, Gjykata në vazhdim do të vlerësojë nëse në rrethanat e rastit konkret Njoftimi [KMLC. nr. 2-2023] i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i 10 janarit 2023 ishte mjet efektiv lidhur me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje kushtetuese. Përgjigja në këtë pyetje do të jetë vendimtare për vlerësimin nëse kërkesa e parashtrueses të kërkesës i përmbush kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me nenin 34 të Rregullores së punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se në rastin konkret, procedura ndaj parashtrueses së kërkesës e zhvilluar para DHPGJS-së ishte zhvilluar para dy instancave gjyqësore, shkallës së parë dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, që kishte rezultuar me nxjerrjen e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-20-0556-A0001] e 25 nëntorit 2021.
Pas pranimit të Aktvendimi të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, parashtruesja e kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozimin që kjo e fundit të paraqesë në emër të parashtrueses së kërkesës, kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë, kundër Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Lidhur me këtë, Gjykata thekson se kjo kërkesë është plotësisht diskrecionale për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në këtë aspekt, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, KEDNJ nuk kërkon që mjetet juridike diskrecionale, apo mjetet juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, siç është rasti me kërkesën para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duhet të shteren para se parashtruesit e kërkesave t’i drejtohen GJEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së X dhe të tjerët kundër Letonisë, Vendim i 6 qershorit 2008, paragrafi 20, dhe referencat e cekura aty; shih po ashtu rastin e Gjykatës KI174/20, me parashtrues DE-KO SH.p.k, Aktvendimi për papranueshmëri i 25 shkurtit 2021, paragrafi 38).
Më konkretisht, lidhur me propozimet e ngjashme, siç është propozimi që bëhet para Zyrës së Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para organeve gjyqësore në emër të parashtruesve të kërkesave, GJEDNJ kishte trajtuar në rastin Lepojić kundër Serbisë. Në këtë rast, GJEDNJ kishte vlerësuar nëse propozimi i paraqitur para prokurorit të shtetit duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë është mjet efektiv, ku kishte deklaruar se “[GJEDNJ] gjen se është vetëm prokurori i shtetit ai që mund të dorëzojë [kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë] në emër të parashtruesit, dhe, për më tepër, ky i fundit ka diskrecion nëse dëshiron të bëjë një gjë të tillë. Përderisa parashtruesi i kërkesës mund të kërkoj një veprim të tillë të prokurorit, ai nuk ka të drejtë sipas ligjit për të përdorur një mjetë të tillë juridik [kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë] personalisht [...] Kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë, për këtë arsye, ishte jo efektive [...]” (shih rastin e GJEDNJ-së Lepojić kundër Serbisë, aplikimi nr. 13909/05, Aktgjykim i 6 nëntorit 2007, paragrafi 54; po ashtu shih rastin e Gjykatës KI174/20, cituar më lart, paragrafi 39).
Po ashtu, duke u thirrur në këtë praktikë gjyqësore (rastin e GJEDNJ-së Lepojić kundër Serbisë), GJEDNJ në rastin Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nuk kishte marrë për bazë njoftimin e prokurorit të shtetit për qëllim të llogaritjes së afatit, kur ky i fundit kishte konstatuar se nuk kishte bazë të mjaftueshme për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para Gjykatës Supreme të Maqedonisë. GJEDNJ në këtë rast kishte theksuar se “kërkesa e parashtruesit para prokurorit publik, nuk ishte mjet që duhej të shterej për qëllime [KEDNJ]. Rrjedhimisht, periudha kohore për të përdorur atë mjet juridik nuk e ndal rrjedhjen e afatit gjashtë (6) mujor [për të paraqitur kërkesë para GJEDNJ lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit]” dhe rrjedhimisht, GJEDNJ gjeti se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit të paraparë (shih rastin e GJEDNJ-së Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, aplikimi nr. 1431/03, Vendim i 22 tetor 2009).
Megjithatë, Gjykata rikujton që praktika e saj gjyqësore, njeh edhe raste në të cilat është vlerësuar kushtetutshmëria e njoftimeve të Prokurorit të Shtetit përmes së cilit nuk është pranuar kërkesa e palëve për ngritje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në favor të tyre. Lidhur me këtë, Gjykata i referohet rastit të saj nr. KI42/18, parashtruese Asija Muslija, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2020, i cili kishte vlerësuar pretendimet e parashtrueses për shkelje kushtetuese ndaj Njoftimit të Prokurorit të Shtetit, mbështetur edhe në rastin e GJEDNJ Gorou kundër Greqisë (Nr. 2), aplikimi nr. 12686/03, Aktgjykim i 20 marsit 2009.
Megjithatë, rasti i lartcekur, KI42/18, dallon nga rasti konkret. Në këtë kontest, Gjykata rikujton se në rastin e lartcekur, KI42/18, parashtruesja e kërkesës kishte kontestuar specifikisht Njoftimin KMLC nr. 09/2018 të Prokurorit të Shtetit të 2 marsit 2018, duke argumentuar se si ky Njoftim kishte shkelur të drejtat e saj kushtetuese që ndërlidheshin, mes tjerash, edhe me mungesën e arsyetimit të pretenduar të Njoftimit të kontestuar të Prokurorit të Shtetit. Ndërsa lidhur me Aktvendimit AC. nr. 3538/2017 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës të 8 dhjetorit 2017, që po ashtu ishte kontestuar në rastin KI42/18, si pretendim kryesor ishte mosvërtetimi i faktit nga Gjykata e Apelit se parashtruesja e kërkesës nuk e kishte nënshkruar Kontratën për Hipotekën e 2 dhjetorit 2011. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës së rastit KI42/18, lidhur me Aktvendimin AC. nr. 3538/2017 të Gjykatës së Apelit ndaras nga Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit, ishte paraqitur në Gjykatë po ashtu brenda afatit të paraparë me Ligj dhe Rregullore të punës.
Ndërsa, në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës nuk paraqet pretendime specifike që kanë të bëjnë me arsyet e dhëna nga Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se si Njoftimi i kësaj të fundit për të mos paraqitur kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë kishte cenuar të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vëren se pretendimet e parashtrueses së kërkesës ishin shqyrtuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së dhe jo nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. Kjo e fundit, në fakt, kishte vendosur vetëm nëse janë plotësuar kushtet ligjore që të paraqitet një kërkesë e tillë.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se në Njoftimin [KMLC. nr. 2-2023] e 10 janarit 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e informoi parashtruesen e kërkesës se ishte refuzuar propozimi i saj për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pasi konsideroi se vendimet e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nuk mund të jenë lëndë e asnjë shkalle tjetër të apelit, përveç që mund të jenë lëndë të shqyrtimit para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e kjo është përcaktuar në Ligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, respektivisht nenin 9, pika 15 i cili përcakton se “Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të interpretohet ose zbatohet për të kufizuar ose për të tentuar për të kufizuar të drejtën kushtetuese të çdo personi për të paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me ligjin dhe rregullat procedurale për një kërkese të këtillë, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë e cilitdo Vendim ose Aktgjykim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme ose cilado gjykatë tjetër”.
Prandaj, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, Gjykata rikujton se, në rastin konkret, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përmes Prokurorit të Shtetit, përveç që është në diskrecionin e këtij të fundit, do të mund të ngritët nga Prokurori i Shtetit vetëm nëse plotësohen kushtet e caktuara ligjore. Për më tepër, parashtruesja e kërkesës nuk paraqet pretendime specifike lidhur me Njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, por paraqet para Gjykatës të njëjtat pretendime që i paraqet ndaj Aktvendimit [AC-I-20-0556-A0001] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pretendime, të cilat Zyra e Kryeprokurorit nuk ka pasur juridiksion t‘i adresojë sepse ajo vetëm ka kompetencë të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe jo të vlerësojë shkeljet ligjore të bëra nga gjykatat. Prandaj, lidhur me këto pretendime, në rastin e parashtrueses së kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, [AC-I-20-0556-A0001] të 25 nëntorit 2021, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Prandaj, Gjykata vlerëson se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit, lidhur me procedurat që janë zhvilluar në gjykatat e rregullta, konsiderohet Aktvendimi [AC-I-20-0556-A0001] i 25 nëntorit 2021 i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtrueses së kërkesës kundër aktvendimit të shkallës së parë të DHPGJS-së [C-IV-16-0142] të 19 tetorit 2020. Atëherë, Gjykata do të vlerësojë Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [ AC-I-20-0556-A0001] nëse plotëson kriteret e nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së Punës së Gjykatës.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-20-0556-A0001] ishte nxjerrë më 25 nëntor 2021. Në bazë të fletkthesës së dorëzuar në Gjykatë nga ana e DHPGJS, vërehet se përfaqësuesja e parashtrueses së kërkesës aktvendimin në fjalë në gjuhen shqipe e ka pranuar më 30 nëntor 2021, ndërsa kopjen e aktvendimit në gjuhen serbe e ka pranuar më 22 mars 2022. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së saj në postë, më 30 janar 2023, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.
Si pasojë, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-20-0556-A0001] të 25 nëntorit 2021, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08) të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258; Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë, nr. 56080/13 të19 dhjetorit 2017, paragrafi 129; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI120/17, me parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendimi për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 39; KI115/20, parashtrues Muharem Rama, Aktvendim për Papranueshmëri i 2 dhjetorit 2021, paragrafi 54).
Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së Sabri Gunes kundër Turqisë, aplikimi nr. 27396/06, e29 qershorit 2012, paragrafi 39; shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese e kërkesës Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2020, paragrafi 42).
Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontrolli i tillë nuk është me i mundur (shih Vendimin e GJEDNJ-së Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, e 25 janarit 2000; shih gjithashtu Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Sabri Gunes kundër Turqisë, të cituar më lart, paragrafi 40; shih po ashtu edhe rastet e Gjykatës KI53/18, parashtrues i kërkesës Hajri Ramadani, Aktvendimi për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 45; KI115/20, cituar më lart, paragrafi 56).
Prandaj, mbi bazën e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 14 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzie Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Belka Mladenović
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile