Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AA. nr. 51/2023] të 5 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI179/23

Parashtruesit: Kastriot Thaqi

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

 

Prishtinë, më​​ 31 maj​​ 2024

Nr.​​ ref.: RK 2438/24

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM​​ PËR​​ PAPRANUESHMËRI

 

​​ 

 

rastin nr. KI179/23

 

Parashtrues

 

Kastriot Thaqi​​ 

 

 

Vlerësim​​ i kushtetutshmërisë së Aktvendimit​​ [AA.​​ nr.​​ 51/2023]​​ të​​ 5 korrikut​​ 2023​​ të Gjykatës​​ së​​ Apelit​​ ​​ Republikës së​​ Kosovës​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS​​ 

 

 

e përbërë nga:​​ 

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ 

Enver Peci, gjyqtar dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Kastriot Thaqi,​​ me​​ vendbanim​​ në​​ Gjakovë​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ i​​ përfaqësuar​​ nga​​ Ylli Bokshi​​ avokat.

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës konteston kushtetutshmërinë e​​ Aktvendimit​​ [AA.​​ nr.​​ 51/2023] të​​ 5​​ korrikut 2023​​ të Gjykatës​​ së Apelit​​ të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ e​​ Apelit), në ndërlidhje me​​ Aktvendimin​​ [A.​​ nr.​​ 214/2022]​​ e​​ 11 tetorit 2022​​ të​​ Gjykatës​​ Themelore​​ në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).​​ 

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt​​ i çështjes​​ së kësaj kërkese​​ është​​ vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ aktvendimit​​ të​​ lartcekur të​​ Gjykatës​​ së Apelit,​​ me të cilin​​ parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave​​ të​​ tij, të​​ garantuara me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të​​ Drejtë​​ dhe të​​ Paanshëm]​​ dhe​​ nenin​​ 32 [E Drejta për Mjete Efektive Juridike]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si​​ dhe me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët​​ 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], ​​ të Kushtetutës, në nenet 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ dhe 47​​ [Kërkesa​​ individuale]​​ të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • Më​​ 23​​ gusht 2023,​​ parashtruesi i kërkesës​​ e dorëzoi kërkesën në​​ filialet e Postës së Kosovës, e cila​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), arriti dhe u regjistrua më 29 gusht 2023.​​ 

 

  • Më 1​​ shtator​​ 2023, Kryetarja e Gjykatës​​ me Vendimin​​ GJR.​​ KI179/23,​​ caktoi gjyqtarin​​ Radomir Laban, gjyqtar​​ raportues​​ dhe​​ me Vendimin​​ KSH.​​ KI179/23,​​ caktoi​​ anëtarët​​ e Kolegjit​​ shqyrtues,​​ të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi dhe​​ Safet Hoxha​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 22 shator 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës​​ e​​ njoftoi parashtruesin e kërkesës. Të njëjtën ditë,​​ një kopje e​​ kërkesës​​ iu​​ dërgua​​ Gjykatës​​ ​​ Apelit.​​ 

 

  • Më​​ 11 mars 2024, gjyqtari​​ Jeton Bytyqi​​ dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më​​ 30 prill​​ 2024,​​ Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të​​ gjyqtarit​​ raportues dhe njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja​​ e fakteve​​ 

 

  • ​​ 23 dhjetor 2021,​​ Komisioni Disiplinor i Telekomit të Kosovës​​ me Vendimin [nr.​​ 03-2957/21],​​ suspendoi parashtruesin e​​ kërkesës​​ nga puna​​ për periudhën​​ kohore​​ prej 1​​ janarit 2022​​ deri më​​ 31 janar 2022.

 

  • Më 24 janar 2022, Komisioni i Ankesave i Telekomit të Kosovës, bazuar në ankesën e parashtruesit të kërkesës nxori​​ Vendimin [nr.​​ 01-17/22],​​ me të​​ cilin​​ refuzoi ankesën e​​ tij​​ dhe​​ vërtetoi Vendimin​​ [nr.​​ 03-2957/21]​​ e​​ intencës së parë të​​ Telekomit të Kosovës.​​ ​​ 

 

  • ​​ 1 shkurt 2022,​​ parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ ankesë​​ ​​ Gjykatën Themelore​​ kundër​​ Vendimit​​ [Nr.​​ 01-17/22]​​ ​​ Komisionit të Ankesave të Telekomit të Kosovës, për shkak të​​ shkeljeve​​ ​​ dispozitave të​​ procedurës administrative, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, duke kërkuar​​ ndalimin e efektit​​ pezullues të vendimit të​​ lartcekur.​​ 

 

  • ​​ 19 shtator 2022, Gjykata Themelore i kërkoi parashtruesit të​​ kërkesës​​ ​​ ​​ plotësojë dhe​​ precizojë​​ parashtresën.​​ ​​ konkretisht​​ në kërkesën e gjykatës theksohet,​​ duke​​ e​​ trajtuar parashtresën​​ si padi,​​ duke​​ pasur parasysh palën kundër​​ ​​ cilit është adresuar parashtresa​​ dhe​​ faktin​​ se​​ e njëjta​​ nuk përmban të​​ dhëna​​ në kuptim të nenit 30 të​​ LKA-së, e​​ kthen​​ ​​ plotësim​​ parashtresën​​ e 1​​ shkurtit​​ 2022​​ ​​ parashtruesit të kërkesës​​ për​​ ​​ precizuar (i) organin e​​ paditur,​​ (ii) aktin​​ administrativ​​ përfundimtar​​ ​​ kontestuar,​​ dhe që​​ parashtruesit​​ t’ia bashkëngjiste​​ aktin​​ e kontestuar​​ dhe​​ dëshmitë për shterjen​​ e​​ mjeteve​​ juridike.​​ 

 

  • Më 7 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës e​​ precizoi​​ padinë, duke​​ qartësuar​​ se në​​ këtë rast nuk kemi të bëjmë me​​ padi klasike​​ por me​​ ankesë​​ në kuptim të​​ paragrafit 4​​ ​​ nenit 130 të​​ Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA). ​​ 

 

  • Më 11​​ tetor 2022, Gjykata Themelore​​ me​​ Aktvendimin​​ [A.​​ nr.​​ 214/2022]​​ hedhë​​ poshtë si të​​ palejuar ankesën​​ e​​ 1 shkurtit 2022 dhe​​ ​​ 7 tetorit 2022​​ ​​ parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se​​ i njëjti​​ nuk​​ ka​​ parashtruar padi, në​​ mënyrë që të kërkojë prishje të​​ vendimit dhe ndalim të efektit pezullues​​ të vendimit të kontestuar, duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 26 të LKA-së,​​ dhe se​​ parashtruesi​​ i kërkesës​​ nuk​​ e​​ ka plotësuar parashtresën e​​ 1 shkurtit​​ 2022, në kuptim të dispozitave ligjore të LKA-së.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës,​​ kundër Aktvendimit​​ [A. nr. 214/2022]​​ të Gjykatës Themelore, parashtroi ankesë​​ në Gjykatën e Apelit,​​ për shkak​​ ​​ vërtetimit të​​ gabuar​​ të​​ gjendjes faktike,​​ aplikimit të​​ gabuar​​ të së​​ drejtës materiale dhe​​ shkeljes së​​ rregullave të​​ procedurës administrative.​​ 

 

  • Më 5 korrik 2023, Gjykata e Apelit,​​ me Aktvendimin​​ [AA.​​ nr.​​ 51/2023],​​ refuzoi si të pabazuar ankesën e​​ parashtruesit të kërkesës​​ dhe​​ vërtetoi Aktvendimin​​ [A. nr. 214/2022]​​ të​​ Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi​​ se​​ Gjykata Themelore,​​ “...​​ me të​​ drejtë e ka​​ hedhur​​ poshtë parashtresën e paditësit në këtë çështje​​ juridiko-administrative, si të palejuar, meqë paditësi nuk ka arritur që të bëjë të qartë kërkesën​​ e tij për anulimin e ndonjë akti administrativ përfundimtar apo nxjerrjen e ndonjë akti administrativ në rast të heshtjes administratës”.

 

“Andaj, në​​ situatën konkrete pretendimet ankimore të paditësit se ka shfrytëzuar të​​ drejtën e garantuar me nenin 130 të LPPA-së​​ dhe​​ nëse​​ dispozitat ligjore janë në kolizion nuk duhet​​ që pasojat t’i vuaj ankuesi. Pastaj,​​ se​​ gjykata e shkallës së​​ parë i ka shkelur të​​ drejtën e garantuar me nenin 32 (e drejta​​ për​​ mjete​​ juridike) të​​ Kushtetutës​​ ​​ Republikës së Kosovës.​​ Kolegji i​​ kësaj​​ gjykate​​ këto​​ pretendime​​ ankimore i vlerëson se​​ janë të pabazuara dhe të​​ paargumentuara me prova konkrete​​ për​​ vendosjen​​ ndryshe të​​ kësaj​​ çështje​​ juridike. Sepse,​​ sipas​​ vlerësimit​​ ​​ kolegjit​​ ​​ kësaj​​ gjykate​​ aktvendimi​​ i ankimuar i​​ gjykatës së​​ shkallës​​ së parë është i qartë​​ dhe i kuptueshëm,​​ si dhe përmban​​ arsye të​​ mjaftueshme​​ për​​ faktet​​ vendimtare,​​ ​​ cilat​​ i pranon dhe kjo​​ gjykatë.​​ Andaj,​​ ankesa​​ e paditësit u refuzua,​​ si e pabazuar,​​ ndërsa​​ aktvendimi​​ i​​ ankimuar u vërtetua​​ si i drejtë​​ dhe i​​ ligjshëm”.​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës pretendon se​​ me Aktvendimin e​​ Gjykatës​​ së Apelit i janë shkelur ​​ ​​ drejtat​​ e​​ garantuara​​ me​​ nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Efektive Juridike] të Kushtetutës​​ dhe me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së.

 

Pretendimet​​ për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6​​ ​​ KEDNj-së

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ pretendon se​​ Gjykata e Apelit​​ dhe​​ Gjykata​​ Themelore​​ kanë​​ shkelur​​ të​​ drejtën​​ e tij​​ për​​ një​​ vendim brenda​​ afatit të​​ arsyeshëm”,​​ të garantuar me nenin 31 të​​ Kushtetutës, në​​ ndërlidhje​​ me​​ paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së,​​ për shkak​​ se​​ nuk kanë vendosur brenda afatit​​ 5​​ (pesë)​​ ditor,​​ në​​ pajtim me nenin 130 të​​ LPPA-së.

 

Pretendimet për shkelje të​​ nenit 32 të​​ Kushtetutës

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ po ashtu​​ pretendon se​​ gjykatat respektive​​ nuk e​​ kanë trajtuar ankesën e tij​​ sipas​​ paragrafit​​ 5 të​​ nenit​​ 130 të​​ LPPA-së, duke shtuar se​​ me paragrafin 4 të nenit​​ 130 të LPPA-së​​ atij​​ i është garantuar e drejta në​​ ankesë​​ pranë​​ gjykatave​​ ​​ rregullta. Andaj,​​ sipas tij,​​ hedhja poshtë e padisë​​ nga Gjykata Themelore dhe refuzimi i ankesës nga​​ ana e Gjykatës së​​ Apelit​​ ka cenuar të​​ drejtat​​ tij, të​​ garantuara me nenin 32 të​​ Kushtetutës.​​ 

 

Dispozitat​​ relevante​​ 

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

1. ​​ Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.​​ 

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.​​ 

Neni 32

[E Drejta për Mjete Juridike]

Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6

(E Drejta për një proces të rregullt)

1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.​​ 

LIGJI NR. 05/l-031​​ PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE

 

Neni 130

Efektet e parashtrimit të ankesës

[...]

4. Pala mund të paraqesë ankesë kundër vendimit për ndalimin e efektit pezullues në gjykatën kompetente për konfliktet administrative, brenda pesë (5) ditëve nga njoftimi i tij.​​ 

5. Gjykata merr vendim brenda pesë (5) ditëve dhe vendosë prishjen e vendimit për shkak të mosekzistencës së kushteve të parapara në paragrafin 3 të këtij neni, apo për shkak të disproporcionalitetit të ndalimit të efektit pezullues.

 

LIGJI NR. 03/l-202​​ PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE

 

Neni 22​​ 

1. Padia nuk e ndalon ekzekutimin e aktit administrativ kundër të cilit është paraqitur përveç kur kjo me ligj është parashikuar ndryshe.​​ 

2. Me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.​​ 

3. Bashkë me kërkesën për shtyrje duhet paraqitur prova, që tregon se padia është parashtruar.​​ 

4. Për shtyrje të ekzekutimit, organi kompetent nxjerr vendimin brenda tri (3) ditëve nga data e marrjes së kërkesës për shtyrje.​​ 

5. Organi nga paragrafi 2. i këtij neni mund të shtyjë ekzekutimin e aktit të kontestuar edhe për shkaqe të tjera të arsyeshme deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse nuk është në kundërshtim me interesin publik.​​ 

6. Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.​​ 

7. Për kërkesën, gjykata​​ vendos brenda tri (3) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

 

Neni 26

Procedura në bazë të padisë

1. Konflikti administrativ fillohet me padi​​ 

2. Me padi mund të kërkohet:​​ 

2.1. anulimi ose shpallja e pavlefshme e aktit kontestues;​​ 

2.2. nxjerrja e aktit administrativ, i cili nuk është​​ nxjerrur​​ në afatin e parashikuar; dhe​​ 

2.3. kthimi i sendeve të marrura dhe kompensimi i dëmit i shkaktuar me ekzekutimin e aktit administrativ të kontestuar.

 

Pranueshmëria e​​ kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari​​ vlerëson nëse​​ janë​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me​​ Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me​​ Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

Neni 113

[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]

 

1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese​​ vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]​​ 

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

[…]​​ 

 

  • Në vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj.​​ Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.

 

  • Rreth përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin​​ [AA.​​ nr.​​ 51/2022] të 5​​ korrikut 2023​​ të Gjykatës​​ së Apelit, pasi​​ që​​ i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata po ashtu​​ shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara​​ në nënrregullin 2 të​​ rregullit 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton:​​ 

 

Rregulli 34

(Kriteret e papranueshmërisë)

 

2 Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të​​ GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si​​ “qartazi e pabazuar”​​ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave,​​ si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të​​ GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”;​​ (ii) pretendime që kategorizohen me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”;​​ (iii) pretendime​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”,​​ atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret në vijim:​​ a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe​​ KEDNj-së (shih rastin e​​ GJEDNj-së​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues,​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe​​ në fund (iv) pretendime​​ “konfuze dhe të paqarta”​​ (shih rastet e​​ GJEDNj-së,​​ Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, kategoria (i),​​ Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe​​ Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, kategoria (iii)).

 

  • Përveç kësaj, praktika gjyqësore e​​ GJEDNj-së​​ përcakton që​​ një ankesë​​ mund të​​ karakterizohet​​ për​​ nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih rastin e​​ GJEDNJ-së:​​ Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).​​ 

 

  • Gjykata,​​ në këtë rast​​ rikujton se parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se Gjykata​​ e Apelit​​ ​​ dhe Gjykata Themelore​​ kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin​​ 31​​ të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të​​ KEDNj-së​​ dhe nenin 32 të Kushtetutës.

 

I.​​ ​​ Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet për shkelje të​​ nenit 31 të Kushtetutës​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se​​ esenca e​​ ankesës​​ kushtetuese, e​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ për shkelje të së drejtës për “gjykim të drejtë” ndërlidhet me faktin se gjykata e shkallës së​​ parë nuk​​ vendosi​​ brenda​​ afatit të​​ arsyeshëm kohor,​​ siç kërkohej​​ me​​ paragrafin​​ 5 të nenit 130 të LPPA-së.​​ 

 

  • Në​​ këtë​​ kontekst,​​ Gjykata​​ rikujton​​ se pretendimi i parashtruesit të​​ kërkesës për mos​​ vendosje për ankesën​​ brenda afatit të​​ paraparë me ligj, ngre çështje të ligjshmërisë​​ dhe jo çështje kushtetuese,​​ sepse i gjithë argumentimi i shkeljes së​​ kësaj të drejte, mbështetet​​ në supozimin se gjykata​​ e shkallës së parë​​ është dashur të​​ vendos​​ në bazë të afateve të përcaktuara me dispozitat e​​ nenit​​ 130 të LPPA-së​​ dhe jo të​​ hedhë​​ poshtë,​​ si të palejuar,​​ ankesën​​ e tij.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila arsyetoi:​​ ...​​ duke pasur parasysh kërkesën e parashtruesit, në​​ kuptim të nenit 130, para. 4 të LPPA-së, në kuptim të ndalimit të​​ efektit​​ pezullues, të​​ njëjtën Gjykata nuk mund ta trajtoj,​​ edhe duke pasur parasysh​​ nenin 22 të​​ LKA-së,​​ për​​ faktin​​ se nuk ka padi të​​ parashtruar​​ ashtu​​ siç​​ përcaktohet​​ ​​ nenin 22,​​ par.​​ 3,​​ ku përcaktohet​​ se bashkë​​ me​​ kërkesën​​ për​​ shtyrje​​ duhet​​ paraqitur prova që​​ tregon se padia​​ është​​ parashtruar.​​ Po ashtu e paqartë ishte​​ edhe referimi ndaj vendimit të​​ Komunës​​ së​​ Gjakovës,​​ përderisa një​​ vendim i tillë​​ nuk është bashkëngjitur​​ në shkresat e lëndës dhe as me parashtresën ​​ e datës 07.10.2022”.

 

  • Tutje, Gjykata Themelore theksoi:​​ “Gjykata kishte parasysh referimin në nenit​​ 130 të LPPA-së, mirëpo me Ligjin për konfliktet administrative janë rregulluar kompetencat e kësaj Gjykate​​ dhe rregullat e procedurës, në bazë të të cilave gjykatat kompetente vendosin për ligjshmërinë e akteve administrative, me të cilat organet kompetente të administratës publike vendosin për të drejtat, detyrimet dhe interesat juridike​​ të personave fizikë​​ dhe juridikë dhe palëve të tjera, si dhe për ligjshmërinë e veprimeve të organeve administrative, andaj dhe në kuptim të nenit 22 dhe 26 është përcaktuar procedura, sipas padisë dhe kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit. Po ashtu,​​ me nenin 17.1 ​​ të ligjit për​​ gjykatat përcaktohet se​​ Departamenti për​​ çështje​​ administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjykon dhe vendosë në konflikt administrativ, sipas padive kundër akteve administrative përfundimtare, andaj në këtë kuptim parashtesa është e palejueshme”.​​ 

 

  • Gjykata vëren se​​ arsyetimi i​​ Gjykatës Themelore​​ është pranuar​​ në​​ tërësi​​ nga Gjykata e Apelit,​​ e cila lidhur me ankesën e parashtruar pranë saj nga parashtruesi i kërkesës theksoi​​ se Gjykata Themelore:​​ “...​​ me të drejtë e ka​​ hedhur​​ poshtë parashtresën e paditësit në këtë çështje juridiko-administrative, si të palejuar, meqë paditësi nuk ka arritur që të bëjë të qartë kërkesën​​ e tij për anulimin e ndonjë akti administrativ përfundimtar apo nxjerrjen e ndonjë akti administrativ në rast të heshtjes administrative.

 

  • Si përfundim, Gjykata e Apelit, arsyetoi​​ se:​​ “...​​ në situatën konkrete pretendimet ankimore të paditësit se ka shfrytëzuar të drejtën e garantuar me nenin 130 të LPPA-së​​ dhe nëse dispozitat ligjore janë në kolizion nuk duhet që pasojat ti vuaj ankuesi. Pastaj,​​ se gjykata e shkallës s parë i ka shkelur të drejtën e garantuar me nenin 32 (e drejta për mjete juridike) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kolegji i kësaj gjykate​​ këto pretendime ankimore i vlerëson se janë të pabazuara dhe të pa argumentuara me prova konkrete për vendosjen ndryshe të kësaj çështje juridike. Sepse sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate​​ aktvendimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon dhe kjo gjykatë. Andaj,​​ ankesa e paditësit u refuzua, si e pabazuar, ndërsa aktvendimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm.​​ 

 

  • Nga konkluzionet e gjykatave të rregullta, Gjykata​​ vëren se​​ të njëjtat​​ e kanë​​ hedhur​​ poshtë, si të​​ palejuar,​​ parashtresën​​ e parashtruesit të​​ kërkesës​​ me​​ arsyetimin​​ se​​ e njëjta​​ ishte e​​ paplotë dhe e​​ paqartë​​ për t’u​​ trajtuar tutje​​ thelbi i saj.​​ ​​ këtë kontekst,​​ Gjykata​​ vëren​​ se parashtresa e parashtruesit të kërkesës​​ nuk u​​ procedua në kuptim të dispozitave të nenit 130 të LPPA-së, andaj ky fakt e bën të paqëndrueshëm​​ pretendimin e tij​​ për​​ shkelje të së​​ drejtës​​ për një vendim​​ brenda afatit​​ ​​ arsyeshëm.​​ Po të​​ ishte trajtuar parashtresa e tij në kuptim të këtij neni, Gjykata do​​ ​​ aplikonte testin e zvarritjes së procedurës, megjithatë,​​ ky nuk është rasti.

 

  • Andaj, marrë​​ parasysh​​ shtjellimet e mësipërme,​​ Gjykata​​ vlerëson​​ se parashtruesi i kërkesës​​ ​​ fakt​​ e ka ndërtuar​​ pretendimin​​ e tij në baza ligjshmërie, duke insistuar​​ që çështja e vonesës për të​​ marrë​​ vendim​​ nga gjykatat e rregullta,​​ sipas dispozitave​​ të​​ nenit 130 të​​ LPPA-së, në​​ rastin e tij​​ të konsiderohet shkelje e nenit 31 të​​ Kushtetutës.​​ Gjykata​​ rikujton se vetëm​​ pretendimet e​​ ngritura​​ në nivel kushtetutshmërie, mund ta vejnë në lëvizje atë, për të intervenuar në​​ korrigjimin​​ e shkeljeve të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm (shih, në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese, rasti​​ KI76/21, me parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).

 

  • Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, e cila ndërlidhet me doktrinën e​​ shkallës së katërt”,​​ vazhdimisht e ka qartësuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës​​ KI179/18, parashtrues​​ Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68;​​ KI49/19, parashtrues​​ Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”,​​ Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47;​​ KI56/17,​​ me parashtruese​​ Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ me parashtrues,​​ Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).

 

  • Gjykata vazhdimisht ka pohuar se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e​​ “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së​​ García Ruiz kundër Spanjës,​​ nr. 30544/96,​​ Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës,​​ KI49/19,​​ cituar më lart, paragrafi 48; dhe​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21, parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).​​ 

 

  • Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, rastin e GjEDNj-së,​​ Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës,​​ nr.​​ 38366/97, ​​ 38688/97,  40777/98, ​​ 40843/98, ​​ 41015/98, ​​ 41400/98, ​​ 41446/98, ​​ 41484/98, ​​ 41487/98 dhe​​ 41509/98,​​ Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës (për një sqarim më të detajuar përkitazi me konceptin e “aplikimit të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, shih, ndër të tjera, Udhëzuesin e GjEDNj-së për nenin 6 të KEDNj-së (aspekti civil), të 31 gushtit 2020, pjesën IV. Kriteret Procedurale; 3. Shkalla e Katërt; b. Fushëveprimi dhe Kufizimet e mbikëqyrjes së Gjykatës, paragrafët 329-333; dhe rastin e Gjykatës​​ KI154/17 dhe KI05/18,​​ cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty, dhe së fundmi rasti​​ KI76/21,​​ parashtrues​​ Qemajl Babuni,​​ Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 36).

 

  • Nga shtjellimet e mësipërme, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale janë jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Për më tepër, nga konkluzionet e gjykatave të rregullta qartazi mund të vërehet se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e tyre.​​ 

 

  • Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në lidhje me këtë pjesë të kërkesës, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve​​ të​​ natyrës​​ së​​ shkallës së katërt”​​ dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel​​ ligjshmërie​​ sepse nuk janë argumentuar në nivel​​ kushtetutshmërie,​​ andaj, të njëjtat​​ shpallen​​ qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.

 

II.  ​​ ​​​​ Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 32​​ të Kushtetutës

 

  • Gjykata në​​ lidhje me këtë pretendim rikujton se secili person ka të drejtë të shterojë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative, të cilat i cenojnë të drejtat ose interesat e tij/saj​​ në mënyrën e përcaktuar me ligj (shih,​​ mutatis mutandis, rastin e GJEDNj-së,​​ Voytenko kundër Ukrainës, nr. 18966/02, Aktgjykimi i 29 qershorit 2004, paragrafët 46-48). Duke pasur parasysh konstatimet e saj lidhur me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit​​ 6 të KEDNj-së, Gjykata konsideron se ankesat përkitazi me ato nene janë të “argumentueshme” për qëllime të​​ neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të KEDNj-së (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rasti e GJEDNj-së,​​ Boyle dhe Rice kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. Aktgjykimi i 27 prillit​​ 1998, paragrafi 52).

 

  • Gjykata rithekson se nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNj-së, përcaktojnë që​​ sistemi juridik duhet të vë në dispozicion një mjet efektiv juridik që autorizon organin kompetent të adresojë thelbin e një pretendimi për shkelje të Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih rastin e GJEDNj-së,​​ Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 106113/16, Aktgjykim i 11 janarit 2018, paragrafi 81).

 

  • GJEDNj​​ në disa raste ka potencuar se efekti i nenit 13 është detyrimi për shtetet që të ofrojnë mjete juridike efektive, që mundësojnë shqyrtimin e thelbit të një kërkese të argumentueshme sipas Konventës dhe për të mundësuar korrigjimin e duhur. GJEDNj​​ po​​ ashtu ka theksuar se “efektiviteti i mjetit juridik”, në kuptim të nenit 13 të KEDNj-së, nuk është i kushtëzuar me garancinë për një zgjidhjeje të favorshme për parashtruesin e kërkesës (shih rastet e GJEDNj-së,​​ Kudla kundër Polonisë, nr. 30210/96, Aktgjykimi i 26 tetorit 2000).​​ 

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës shkeljen e të drejtës për mjet efektiv juridik ​​ e ndërlidhë me supozimin se​​ gjykatat​​ e rregullta​​ nuk e kanë trajtuar ankesën e tij sipas paragrafit 5 të nenit 130 të LPPA-së, duke shtuar se​​ me paragrafin 4 të nenit​​ 130 të LPPA-së​​ atij​​ i është garantuar e drejta në ankesë pranë gjykatave​​ ​​ rregullta. Andaj,​​ sipas tij​​ hedhja poshtë e padisë nga Gjykata Themelore dhe refuzimi i ankesës nga​​ ana e Gjykatës së​​ Apelit ka cenuar të drejtat​​ e​​ tij,​​ të garantuara me nenin 32 të Kushtetutës.​​ 

 

  • Gjykata​​ sa​​ më​​ lart​​ i​​ bëri të ditura shkaqet e​​ hedhjes​​ poshtë​​ të parashtresës​​ së​​ parashtruesit të kërkesës. Për më​​ tepër, Gjykata​​ vëren​​ se Gjykata Themelore​​ i ka dhënë mundësi që mjetet juridike në dispozicion të ligjit ti përdorte në mënyrë efektive, duke kërkuar nga ai të​​ precizonte parashtresën në kuptim të nenit 30 të​​ LKA-së.​​ 

 

  • Për këto arsye,​​ Gjykata konstaton se pretendimi i​​ parashtruesit të kërkesës për shkelje​​ të​​ së drejtës për​​ “mjet efektiv juridik”​​ si i tillë kualifikohet në kategorinë e dytë (ii) të​​ pretendimeve që kategorizohen me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.​​ 

 

Përfundim

 

  • Bazuar në​​ të gjitha shtjellimet e​​ mësipërme, Gjykata konkludon se:​​ (I)​​ pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për​​ shkelje​​ të së​​ drejtës për​​ vendim brenda afatit​​ të arsyeshëm,​​ të​​ garantuar me​​ nenin​​ 31 të Kushtetutës, në​​ lidhje me​​ paragrafin 1 të​​ nenin​​ 6​​ të​​ KEDNJ-së,​​ i​​ takojnë​​ kategorisë së​​ parë​​ (i) të pretendimeve​​ që​​ kualifikohen si të​​ natyrës​​ ​​ “shkallës së katërt”​​ prandaj​​ ​​ njëjtat,​​ në baza kushtetuese,​​ i​​ shpall​​ qartazi të pabazuara;​​ (II)​​ pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për​​ mjet efektiv juridik​​ të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës,​​ si i tillë kualifikohet në kategorinë e dytë (ii) të​​ pretendimeve që kategorizohen me një​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, duhet deklaruar e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 34​​ (2) të Rregullores së punës.​​ 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese,​​ në pajtim me​​ paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113​​ të Kushtetutës,​​ në pajtim​​ me​​ nenet​​ 20 dhe​​ 47​​ të Ligjit dhe​​ në mbështetje të​​ rregullave​​ 34​​ (2)​​ dhe 48 (1) b)​​ të Rregullores së punës,​​ më​​ 30 prill​​ 2024,​​ njëzëri​​ 

 ​​​​ 

VENDOS ​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

 

    • TË DEKLAROJË ​​ kërkesën të papranueshme;  ​​​​ 

 

    • T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve; ​​ 

 

    • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës, në pajtim me​​ paragrafin 4 të nenit 20​​ të Ligjit;​​ 

 

    • Ky aktvendim hyn në fuqi​​ hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me​​ paragrafin 5 të​​ nenit​​ 20 të Ligjit.

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Radomir Laban​​  ​​​​  ​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

1

 

Parashtruesit:

Kastriot Thaqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative