Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit A. Nr. 791/13 të 24 korrikut 2014 të Gjykatës Themelore në Prishtinë 

Nr. të lëndës KI201/21

Parashtruesit: Enver Krasniqi

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 9 dhjetor​​ 2022

Nr.​​ ref.:RK 2089/22

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

në

 

rastin nr.​​ KI201/21

 

Parashtrues

 

Enver Krasniqi

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ 

të Gjykatës Themelore në Prishtinë​​ A.​​ Nr.​​ 791/13 të 24 korrikut 2014​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

 

​​ përbërje:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi,​​ zëvendës kryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi,​​ gjyqtar

 

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është parashtruar nga​​ Enver Krasniqi, me banim në​​ Prishtinë​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i​​ kërkesës).

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston​​ Aktvendimin​​ [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ e​​ 24 korrikut 2014 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ të kontestuar,​​ përmes​​ të cilit pretendohet​​ se​​ parashtruesit të kërkesës​​ i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore​​ të ​​ garantuara​​ me​​ nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm],​​ nenin​​ 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe​​ nenin 55 [Kufizimi i të​​ Drejtave dhe Lirive Themelore]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ në​​ paragrafët​​ 1 dhe​​ 7​​ të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ nenet 22 (Procedimi i kërkesës)​​ dhe 47 (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ 10 nëntor​​ 2021, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e​​ dorëzoi kërkesën​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 16​​ nëntor 2021, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në po të njëjtën ditë,​​ Gjykata njoftoi​​ Gjykatën Themelore​​ për regjistrimin e kërkesës​​ dhe kërkoi​​ që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën​​ që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktvendimin​​ [A.nr.791/13]​​ e​​ 24 korrikut 2014 të Gjykatës Themelore.

 

  • Më 17 nëntor 2021, Gjykata pranoi nga Gjykata Themelore dosjen e plotë të lëndës.

 

  • ​​ 26​​ nëntor​​ 2021, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes Vendimit [nr.GJR.KI201/21]​​ caktoi gjyqtaren​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi,​​ gjyqtare​​ raportuese​​ dhe Kolegjin shqyrtues, të​​ përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi​​ dhe Nexhmi Rexhepi​​ (anëtarë).

 

  • Më​​ 25 nëntor​​ 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares​​ raportuese​​ dhe​​ njëzëri​​ i rekomandoi​​ Gjykatës​​ papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e​​ lëndës​​ rezulton se, më 14 janar 2010, Komisioni i Fondit për Kuadro pranë Zyrës së Kryeministrit,​​ nxori Vendimin [Ref:​​ S/2010] përmes të cilit u aprovuan pozitat e propozuara nga Ministria e Drejtësisë që hynin në Skemën e Fondit për Kuadro, përfshirë këtu pozitën e Kryeshefit të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.​​ 

 

  • Më 20 korrik 2010, Ministria e Drejtësisë përmes Vendimit [01/735] caktoi parashtruesin e kërkesës​​ Ushtrues​​ ​​ Detyrës së​​ Kryeshefit Ekzekutiv​​ në Agjencinë për​​ Administrimin​​ e Pasurisë së Sekuestruar ose të​​ Konfiskuar pranë Ministrisë së​​ Drejtësisë.​​ 

 

  • Më 1 qershor 2011, Vendimi [Ref.​​ S/2010] u ndryshua dhe plotësua përmes Vendimit [Ref:​​ 158/2011] të Komisionit të Fondit për Kuadro pranë Zyrës së Kryeministrit, vendim ky me të cilin pozita e Kryeshefit për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar pranë Ministrisë së Drejtësisë ishte aprovuar për përfshirje në Skemën e Fondit për Kuadro.​​ 

 

  • Më 3 prill 2013, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi kërkesë në Fondin për Kuadro pranë​​ Zyrës së Kryeministrit​​ (në tekstin e mëtejmë: Fondi për Kuadro),​​ përmes së cilës​​ kërkoi kompensim​​ bazuar në Rregulloren​​ përkatëse për Fondin për Kuadro.

 

  • Më 3 maj 2013,​​ në mungesë të përgjigjes së Fondit për Kuadro, parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ ankesë pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës​​ për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK),​​ duke kërkuar që t’i kompensohet​​ në mënyrë retroaktive​​ shuma prej 4,377.27 euro për kohën sa kishte ushtruar detyrën e Kryeshefit​​ të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar​​ pranë Ministrisë së Drejtësisë.

 

  • Më 24 maj 2013,​​ KPMSHCK​​ përmes Vendimit [A. 02/205/2013]​​ refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar​​ me arsyetimin​​ se​​ sipas paragrafit 4 të nenit 4 të​​ Rregullores nr.14/2012 për funksionimin e Fondit për Kuadro​​ ishte përcaktuar që​​ Stafi politik, sekretarët e përgjithshëm, ushtruesit e detyrave të​​ pozitave të​​ caktuara nuk kanë​​ të​​ drejte të​​ përfitojnë nga FK-ja", që​​ në​​ rastin e ankuesit konstatohet se ka qenë​​ me statusin e ushtruesit të​​ detyrës.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi​​ padi për kompensim​​ të​​ dëmit material​​ pranë​​ Gjykatës Themelore, duke kërkuar kompensimin e shumës​​ prej​​ 4,377.27 euro, për kohën sa ishte ushtrues detyre​​ pranë Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar​​ ose të Konfiskuar, kompensimin e kamatës​​ ligjore si dhe shpenzimet procedurale.

 

  • Më​​ 2 tetor 2013, parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ Urgjencë pranë Gjykatës Themelore,​​ për shqyrtim​​ urgjent të lëndës së tij​​ pasi​​ që​​ përbënte​​ kontest administrativ në marrëdhënie pune.​​ Në këtë shkresë parashtruesi i kërkesës kishte theksuar adresën e tij të vendbanimit dhe numrin e telefonit.

 

  • Më 2 dhjetor 2013, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi sërish Urgjencë pranë Gjykatës Themelore, duke kërkuar shqyrtim urgjent të​​ lëndës​​ së tij​​ meqenëse​​ kishte të bëjë​​ me kontest administrativ në marrëdhënie pune.

 

  • Më 16 prill 2014, Gjykata Themelore përmes​​ Aktvendimit [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ i ktheu​​ parashtruesit të kërkesës​​ padinë​​ për plotësim, ashtu që në afat prej tetë (8) ditësh, nga dita e marrjes së Aktvendimit,​​ i kërkohej​​ të​​ rregullonte​​ kërkesëpadinë​​ ​​ duke precizuar​​ saktë​​ se​​ cili​​ organ​​ i administratës​​ ishte​​ i paditur​​ dhe cilin vendim kërkonte​​ ta anulojë.​​ Përmes këtij Aktvendimi, Gjykata Themelore theksoi se në qoftë se parashtruesi i kërkesës nuk do bënte rregullimin e padisë brenda afatit të përcaktuar, atëherë do të nxirrte Aktvendim me të cilin padia e parashtruesit të kërkesës do të hidhej poshtë​​ sipas​​ paragrafit 2 të nenit 33 ​​ të Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (GZ. numër 82, 21 tetor 2010) (në tekstin e mëtejmë: LKA).​​ 

 

  • Më 1 korrik 2014, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi pranë Gjykatës Themelore​​ parashtresë për shqyrtim të​​ lëndës me urgjencë,​​ në afat sa më të shkurtër kohor.

 

  • Më 9 korrik 2014, Gjykata Themelore,​​ përmes Aktvendimit [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ vendosi që​​ dorëzimi i mëtejshëm i të gjitha shkresave dhe parashtresave​​ për​​ parashtruesin e kërkesës të bëhej​​ me afishimin e tyre në tabelën e shpalljeve,​​ derisa​​ parashtruesi i kërkesës​​ apo përfaqësuesi i​​ tij të njoftonte Gjykatën për adresën e saktë. Tutje, sipas Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore,​​ komunikimi​​ konsiderohej i kryer​​ pas kalimit të afatit prej shtatë (7)​​ ditëve​​ nga dita e afishimit të tyre në tabelën e shpalljeve të gjykatës.​​ 

 

  • Në arsyetimin e Aktvendimit [A. nr. 793/13]​​ e​​ 9 korrikut 2014 të Gjykatës​​ Themelore​​ u theksua​​ se​​ “Në tentim që t’i dorëzohet paditësit aktvendimi për plotësim të padisë, në fletëkthesën e gjykatës është konstatuar se paditësi është i panjohur në adresën e dhënë në​​ padi”.​​ Në këtë aspekt, Gjykata Themelore​​ në vendimin​​ e saj​​ u bazua​​ në atë se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte adresën e saktë në padi dhe nuk e kishte njoftuar gjykatën për ndërrim të adresës, gjë për të cilën obligohej​​ sipas paragrafit 5​​ të nenit 116​​ dhe pikat r dhe s të paragrafit 1 të nenit 387​​ të​​ Ligjit nr. 03/L-006​​ për Procedurën Kontestimore​​ (GZ. numër 38, 20 shtator 2008) (në tekstin e mëtejmë:​​ LPK).

 

  • Më 24 korrik 2014, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A.​​ nr.​​ 791/13] hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës si të parregullt. Duke iu referuar Aktvendimit të 16 prillit 2014 për plotësim dhe rregullim të padisë, Gjykata Themelore​​ theksoi se​​ “Nga fletëkthesa për dorëzim personal vërtetohet se paditësi aktvendimin për rregullimin e padisë e ka pranuar me datë 18.07.2014, dhe i njëjti as tani e as në afatin e përcaktuar nga gjykata nuk e ka bërë rregullimin e padisë”.

 

  • Sipas shkresave të lëndës rezulton se​​ Aktvendimet e Gjykatës Themelore të 16 prillit 2014 dhe​​ ​​ 9 korrikut​​ 2014​​ janë vendosur në tabelë të Gjykatës Themelore​​ nga​​ 9 korriku​​ 2014 deri më 18 korrik 2014.​​ Ndërkaq,​​ sipas shkresave të lëndës, Aktvendimi i Gjykatës Themelore i 24 korrikut 2014​​ ishte vendosur në tabelë​​ nga 30 korriku​​ 2014 deri më 7 gusht 2014.

 

  • Më 6 tetor 2015, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi urgjencë pranë​​ Gjykatës Themelore,​​ për​​ shqyrtim urgjent të ​​ lëndës​​ së tij.

 

  • Më 24 mars 2016, parashtruesi i kërkesës​​ paraqiti​​ kërkesë në Gjykatën Themelore​​ ​​ për dorëzim të vendimit të marrë në lëndën e tij. Përmes kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës theksoi se​​ “Ju drejtohem lidhur me lëndën në fjalë, meqenëse jam informuar se Gjykata ka marrë vendim me datën 26.07.2014 dhe lënda është arkivuar me A. 791/13 por i njëjti vendim nuk më është dorëzuar. Andaj kërkoj nga Gjykata që të më përcjelli Vendimin e marrë.

 

  • Me 29 mars 2016, parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike, kërkoi nga Gjykata Themelore​​ lëndën e tij me numër A.​​ nr.​​ 791/13, duke theksuar se të njëjtën nuk e ka pranuar, dhe kërkon që e njëjta t’i dorëzohet në mënyrë që ai të shfrytëzoj të drejtën e tij ligjore për ankesë.

 

  • Me 11​​ gusht 2016, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në Gjykatën Themelore duke kërkuar që çdo vendim t’i dorëzohet zyrës përkatëse të Avokatisë, si përfaqësues të autorizuar.

 

  • Më 26 maj 2017, parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ urgjencë​​ për procedim të shpejtë të çështjes​​ në Gjykatën​​ Themelore​​ marrë parasysh faktin që​​ kishte​​ të bëjë me kontest në të holla dhe ndikonte​​ në gjendjen e​​ rënduar të​​ paditësit.

 

  • Më 12 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës sërish​​ dorëzoi​​ urgjencë​​ përmes së cilës​​ kërkoi nga Gjykata Themelore procedim​​ më të shpejtë të lëndës, duke​​ marrë parasysh​​ që lënda kishte të bëjë me kontest në të holla, gjë e cila​​ ndikonte në gjendjen financiare të​​ paditësit.

 

  • ​​ 5 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës, dorëzoi​​ një kërkesë në Gjykatë Themelore, përkatësisht në arkivë duke kërkuar kopjen e Aktvendimit ​​ [A.​​ nr.​​ 791/13].

 

  • Më 13 tetor 2021,​​ parashtruesi i kërkesës paraqiti parashtresë në​​ Gjykatën​​ Themelore​​ përmes së cilës kërkoi​​ ​​ t’i​​ dorëzohej​​ nga arkiva​​ Aktvendimi [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ i 26 korrikut 2014​​ i Gjykatës Themelore,​​ në mënyrë që t’i shfrytëzonte​​ të drejtat e tij.​​ Parashtruesi i kërkesës kishte cekur datat që kishte parashtruar kërkesat e tij disa here.

 

  • Më 15 tetor 2021, Gjykata Themelore,​​ përmes Njoftimit,​​ informoi​​ parashtruesin e kërkesës​​ për të gjitha Aktvendimet e nxjerra në lëndën e tij.​​ Duke iu referuar Aktvendimit të 24 korrikut 2014,​​ përmes të cilit ishte hedhur poshtë padia e parashtruesit të kërkesës si e parregullt,​​ Gjykata Themelore​​ njoftoi atë se meqenëse ndaj​​ atij aktvendimi​​ nuk ishte​​ parashtruar ankesë,​​ i njëjti kishte​​ marrë formë të prerë dhe ishte​​ arkivuar.​​ Në fund të Njoftimit të lartcekur,​​ Gjykata Themelore​​ konstatoi se dorëzimi i Aktvendimit​​ ishte​​ bërë në mënyrë të​​ rregullt përmes shpalljes në tabelë​​ dhe rrjedhimisht nuk mund të bëhej dorëzimi i të njëjtit​​ sepse​​ nuk parashihej me​​ LPK,​​ “duke mos ju kufizuar në të​​ drejtën e ushtrimit të mjeteve tjera juridike”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ me​​ Aktvendimin e kontestuar të​​ Gjykatës Themelore​​ i​​ janë shkelur të drejtat​​ dhe liritë​​ e garantuara​​ me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe​​ nenin 55 [Kufizimi i të​​ Drejtave dhe Lirive Themelore]​​ të Kushtetutës.

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ fillimisht i referohet Vendimit të KPMSHCK-së për refuzimin e ankesës së tij, ​​ duke theksuar se edhe pse​​ ai kishte kërkuar kompensimin retroaktiv për 5 muaj të vitit 2010 dhe 9 muaj të vitit 2011, KPMSHCK në arsyetim të vendimit i ishte referuar Rregullores nr. 14/2012 për Funksionimin e Fondit për Kuadro, që kishte hyrë në fuqi me 5 korrik 2012.

 

  • Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ Gjykata Themelore​​ përmes​​ Aktvendimit​​ [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ të 24 korrikut 2014 ka hedhur​​ poshtë padinë e tij pa të drejtë,​​ me arsyetim i cili nuk​​ është i vërtetë,​​ i provuar​​ dhe​​ as​​ i​​ qëndrueshëm.​​ Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës​​ i referohet Njoftimit të Gjykatës Themelore të 15 tetorit 2021,​​ dorëzuar përfaqësuesit të tij ligjor,​​ ku​​ theksohet​​ se​​ “Nga fletëkthesa vërtetohet se pala është e pa njohur në adresën të cilën e ka paraqitur pala paditëse”.​​ Sipas parashtruesit të kërkesës, ky konstatim​​ është në kundërshtim të plotë me arsyetimin e Aktvendimit [A.​​ nr.​​ 791/13] të 24 korrikut 2014​​ të Gjykatës Themelore​​ ku thuhet se​​ “Nga fletë kthesa për dorëzim personal vërtetohet se paditësi aktvendimin për rregullimin e padisë e ka pranuar me datën​​ ​​ 18.07.2014”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se ai nuk e ka pranuar asnjëherë nga Gjykata Themelore​​ Aktvendimin [A.​​ nr.​​ 791/13] të​​ 16 prillit​​ 2014 për rregullimin e padisë.​​ 

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës​​ shton​​ se konstatimi që​​ “Pala është e panjohur në adresën të cilën e ka paraqitur pala paditëse​​ nuk qëndron. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës,​​ thekson se​​ nëse çfarëdo arsye, nuk është gjetur adresa​​ e tij,​​ kanë mundur të​​ shfrytëzohen​​ edhe dy mundësi tjera kontakti, pasi në padi përveç adresës​​ ai ka​​ shënuar e-mail adresën dhe numrin e telefonit mobil.

 

  • Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se ka dorëzuar një sërë urgjencash përgjatë periudhës 2013-2021, personalisht dhe më pas përmes përfaqësuesit ligjor, për të cilat nuk ka pranuar asnjë përgjigje, deri më 18 tetor 2021, kur përfaqësuesi tij ligjor ​​ pranoi Njoftimin​​ [A.​​ nr.​​ 791/13] e 15 tetorit 2021 të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës deklaron se​​ atij i​​ është mohuar e drejta, sepse shkresat e lëndës nuk i​​ janë dorëzuar deri më tani, dhe sipas tij e vetmja mundësi​​ për ankesë​​ është​​ Gjykata Kushtetuese, meqenëse Aktvendimi [A.​​ nr.​​ 791/13] i 24 korrikut 2014, është pranuar nga përfaqësuesi i tij ligjor së bashku me Njoftimin​​ [A.​​ nr.​​ 791/13]​​ e​​ 15 tetorit 2021​​ ​​ Gjykatës Themelore,​​ më​​ 18 tetor 2021.

 

  • Në fund, parashtruesi i kërkesës​​ kërkon nga Gjykata që​​ rasti ​​ i​​ tij të kthehet në ri-gjykim.​​ 

 

Dispozitat përkatëse​​ kushtetuese dhe​​ ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 24

​​ [Barazia para Ligjit]

 

  • Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

  • Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

  • Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.

 

Neni 31

​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  • ​​ Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

  • Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.​​ 

  • Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.​​ 

  • Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.

  • Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.

  • Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.

 

Neni 32

​​ [E Drejta për Mjete Juridike]

 

Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Neni 55

​​ [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore]

 

  • Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.

  • Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.

  • Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar.

  • Me rastin e kufizimit të të drejtave të njeriut dhe interpretimit të atyre kufizimeve, të gjitha institucionet e pushtetit publik, dhe sidomos gjykatat, e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.

[...]

 

 

LIGJI NR. 03/L-006​​ për Procedurën Kontestimore​​ 

 

KTHIMI NE GJENDJEN E MËPARSHME

Neni 129

 

129.1 Ne qoftë se pala nuk shkon në seancë fare apo e humbë afatin për kryerjen e ndonjë veprimi procedural dhe për këtë shkak e humbë të drejtën që më vonë të kryejë veprimin procedural të lidhur me afat, gjykata do t’i lejojë kësaj pale, me propozimin e saj, ta kryejë më vonë këtë veprim, po që se e konstaton se ekzistojnë shkaqe të arsyeshme të cilat nuk kanë mundur të parashikohen e as të evitohen.​​ 

 

29.2 Kur lejohet kthimi në gjendje të mëparshme procesi kontestimor kthehet në atë gjendje në të cilën ndodhej para mosveprimit dhe prishen te gjitha vendimet që i ka dhënë gjykata për shkak të mosveprimit.​​ 

 

Neni 130

 

130.1 Propozimi për kthimin në gjendje të mëparshme i paraqitet gjykatës në të cilën është dashur të kryhet veprimi procedural i pakryer.​​ 

 

130.2 Propozimi duhet të paraqitet brenda afatit shtatë (7) ditor nga dita kur ka pushuar shkaku i mosveprimit, e po që se pala më vonë ka mësuar për mosveprimin, atëherë afati llogaritet nga dita kur ka mësuar për mosveprimin.​​ 

 

130.3 Pas kalimit të gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e mosveprimit nuk mund të kërkohet kthimi në gjendjen e mëparshme.​​ 

 

130.4 Po që se kthimi në gjendje të mëparshme kërkohet për shkak të mos ruajtjes së afatit për kryerjen e veprimit procedural, propozuesi ka për detyrë që propozimit t’ia bashkëngjisë veprimin e shkruar procedural të pakryer me kohë.

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata së pari​​ shqyrton​​ nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7​​ të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e​​ Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[…]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  • Bazuar në këtë dispozitë kushtetuese, ekzistojnë dy kritere bazë që përcaktojnë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht (i) që kërkesën​​ ta ketë parashtruar​​ një individ i cili është i autorizuar të paraqesë shkelje të pretenduara të të drejtave individuale nga autoritetet publike; dhe (ii) që një kërkesë e tillë mund​​ të dorëzohet në​​ Gjykatën​​ Kushtetuese vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike të​​ parapara​​ me ligj. Në vijim,​​ Gjykata do të vlerësojë plotësimin e këtyre dy kritereve, bazuar në dispozitat e Ligjit dhe të Rregullores së​​ punës.

 

Përkitazi me palën e autorizuar

 

  • Lidhur me plotësimin e këtyre kushteve, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në cilësinë e palës së autorizuar, duke kontestuar aktvendimin e Gjykatës Themelore [A. nr. 791/13]​​ ​​ të 24 korrikut 2014.

 

Përkitazi me shterimin e mjeteve juridike

 

  • ​​Kur bëhet fjalë për​​ shterimin​​ e mjeteve juridike, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cituar më sipër; paragrafi 2 i nenit 47 të Ligjit, dhe pika (b) e paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së​​ punës, të cilët​​ përcaktojnë

 

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“2.​​ Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“1.​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

[...]

(b)​​ janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar

 

 

  • Kur është fjala për​​ parashtrimin​​ e kërkesës brenda afatit, Gjykata i referohet nenit 49 të Ligjit dhe paragrafit (1) c) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

Neni 49

(Afati)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga​​ dita​​ kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor​​ ...”.

 

 

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“1.​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

[...]

 

c)​​ kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit”.​​ 

 

48.Rrjedhimisht, në mënyrë që Gjykata të marrë në shqyrtim pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ajo është e detyruar që fillimisht të përcaktojë nëse kërkesa e​​ parashtruar​​ i plotëson të gjitha kërkesat procedurale, më konkretisht nëse​​ parashtruesi i kërkesës​​ i ka plotësuar kërkesat e shterimit të mjeteve juridike, të përcaktuara. në paragrafin 7​​ të nenit​​ 113​​ ​​ Kushtetutës, paragrafin​​ 2​​ ​​ nenit 47​​ ​​ Ligjit dhe pikën​​ (b)​​ ​​ paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.

 

Përkitazi me shterimin e mjeteve juridike​​ 

 

  • Në mënyrë që Gjykata të​​ vlerësojë​​ nëse parashtruesi i kërkesës i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj para dorëzimit të kërkesës, Gjykata rikujton​​ që​​ kriteret e vlerësimit nëse detyrimi për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike​​ është​​ përmbushur, janë mirë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së,​​ në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar gjithashtu në praktikën gjyqësore të Gjykatës, duke përshirë por duke mos u kufizuar në rastet e Gjykatës​​ KI211/19,​​ parashtrues​​ Hashim Gashi, Selajdin​​ Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I. dhe S.R,​​ aktvendim për papranueshmëri i 11 nëntorit 2020;​​ KI43/20,​​ parashtruese​​ Fitore Sadikaj,​​ aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020; i​​ KI42/20,​​ parashtrues​​ Armend Hamiti,​​ aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020.​​ 

 

Në lidhje me shterimin e mjeteve juridike​​ 

 

  • Gjykata rikujton se​​ bazuar në parimin e subsidiaritetit, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që​​ pasqyrohet në nenin 32 të Kushtetutës dhe në nenin 13 të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, ndër tjerash, rastet e GJEDNJ-së​​ kundër Sllovenisë, nr.​​ 37169/03, Vendim i 14 shkurtit 2012; dhe​​ Aksoy kundër Turqisë, nr.​​ 21987/93, Aktgjykimi i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).

 

  • Gjykata në vazhdimësi e respekton parimin e subsidiaritetit, duke konsideruar se të gjithë parashtruesit e kërkesave duhet të shterojnë të gjitha mundësitë procedurale në procedurat para gjykatave të rregullta, me qëllim që të parandalojnë shkeljen e Kushtetutës ose, nëse ka, të korrigjojnë shkeljen e tillë të një të drejte themelore të garantuar me Kushtetutë. Gjykata po ashtu ka pohuar në vazhdimësi se parashtruesit e kërkesës janë përgjegjës kur rastet e tyre përkatëse shpallen të papranueshme nga Gjykata, nëse nuk kanë shfrytëzuar procedurën e rregullt ose nuk kanë raportuar shkelje të Kushtetutës në procedurat e rregullta (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës:​​ KI89/15, parashtrues​​ Fatmir Koçi, Aktvendim për papranueshmëri i 22 marsit 2016, paragrafi 35; dhe shih, gjithashtu, ndër tjerash, rastin e GJEDNJ-së​​ Vučković dhe të tjerët kundër Serbisë, nr.​​ 17153/11​​ ​​ dhe 29 të tjerë, Aktgjykim i 25 marsit 2014, paragrafi 70).

 

  • Rrjedhimisht, në mënyrë që Gjykata të arrijë në një përgjigje konkrete në lidhje me përmbushjen e këtij kushti procedural, ajo duhet të rikujtojë të gjitha veprimet procedurale të​​ rastit konkret​​ që janë ndërmarrë, si nga Gjykata Themelore ashtu edhe nga parashtruesi​​ i kërkesës​​ me qëllim që të zgjidh kërkesën në fjalë. Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstaton se Gjykata Themelore më 24 korrik 2014,​​ nxori​​ aktvendimin [A. nr. 791/13], me të cilin​​ e hodhi poshtë si të parregullt padinë e parashtruesit të kërkesës.​​ Aktvendimi​​ [A. nr. 791/13], i 24 korrikut​​ 2014, është​​ vendosur​​ në tabelën e shpalljeve të Gjykatës Themelore më 30 korrik 2014, kur ka filluar afati për parashtrimin e ankesave në Gjykatën e Apelit.​​ Aktvendimi​​ [A. nr. 791/13] i Gjykatës Themelore​​ mori​​ formë të prerë më 7 gusht 2014, kur është hequr nga tabela e shpalljeve dhe është arkivuar së bashku me shkresat e lëndës.

 

  • Megjithatë, më 24 mars 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore,​​ përmes së cilës​​ kërkoi dorëzimin e​​ aktvendimit [A. nr. 791/13] në lidhje me kërkesën e tij në fjalë,​​ ​​ në vetvete paraqet një fakt të rëndësishëm që përcakton vetë rrjedhën e kërkesës së paraqitur në gjykatë.

​​ 

  • Pikërisht, Gjykata duhet të përgjigjet këtu nëse​​ parashtruesi i kërkesës, në momentin kur kishte​​ kuptuar​​ faktin se Gjykata Themelore kishte marrë një vendim lidhur me​​ kërkesëpadinë​​ e tij, kishte në dispozicion mjete​​ juridike, përmes shfrytëzimit të të cilave​​ ai ka​​ mundur​​ ​​ “ringjallë”​​ në mënyrë procedurale​​ kërkesëpadinë​​ në fjalë​​ pranë​​ gjykatave të rregullta.​​ 

 

  • Për të arritur në një përgjigje të tillë, Gjykata shqyrtoi dispozitat e LPK-së, duke vënë në dukje nenin 129 të LPK-së, i cili rregullon çështjen e kthimit në gjendjen e mëparshme (restitutio in integrum). Procedura e​​ paraparë​​ në nenin 129 të​​ LPK-së​​ parashikon kthimin në gjendjen e mëparshme të procesit gjyqësor në gjendjen në të cilën ndodhej para​​ humbjes​​ së “justifikuar” të afatit ose të seancës, e cila​​ solli pasojat e​​ këtij lëshimi. Vetë procedura e kthimit të procesit gjyqësor në gjendjen e mëparshme është një mjet procedural që duhet të mundësojë heqjen e pasojave të dëmshme të mosveprimeve nëse ato kanë ndodhur për “arsye të justifikuara”. Rregullat procedurale i​​ mundësojnë​​ palës që ka humbur afatin, seancën​​ ose një fazë të tërë të procedurës dhe për këtë arsye ka humbur mundësinë për të ndërmarrë një veprim të caktuar në vazhdim të procedurës, të kërkojë që procedura të kthehet në gjendjen në të cilën ka qenë​​ para humbjes së​​ tillë, për të anuluar të gjitha pasojat e lëshimit dhe​​ eventualisht të merret​​ një vendim​​ i​​ ri.

 

  • Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se procedura e kthimit në gjendjen e mëparshme nuk është një veprim procedural automatik, por kushtëzohet nga plotësimi i disa kushteve ligjore që parashikohen në vetë përmbajtjen e nenit të përmendur të​​ LPK-së.​​ Më konkretisht, kthimi në gjendjen e mëparshme lejohet me ligj në kushte të përcaktuara saktë dhe ato janë; a) se pala ka humbur afatin, seancën ose fazën për marrjen e një veprimi të caktuar kontestimor, b) që pala nuk mund ta ndërmarrë më veprimin e humbur në vazhdim të procedurës dhe për rrjedhojë pëson pasoja të dëmshme, c) se për shkak të mosveprimit, ka humbur të drejtën për të ndërmarrë veprimin e humbur më pas, d) se ka një arsye të justifikuar që e ka shkaktuar këtë humbje.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, rezulton se gjykata do ta lejojë palën që më pas të kryejë veprimin nëse vlerëson se ka arsye të justifikuara për mosveprim. Përmbajtja e atij supozimi përcaktohet nga gjykata përmes interpretimit të standardeve ligjore. Arsyeja e justifikuar duhet të jetë një ngjarje e një natyre më​​ serioze​​ që pritet të pengojë palën në marrjen e një veprimi procedural. Nëse rrethanat e​​ rastit konkret​​ kualifikohen si ngjarje të një natyre​​ serioze,​​ përkatësisht​​ nëse kërkesa e paraqitur për kthim në gjendjen e mëparshme të​​ parashtruesit të kërkesës​​ ka plotësuar​​ apo jo një nga kategoritë e përmendura ligjore të parashikuara​​ me​​ nenin​​ 129​​ të LPK-së, është diçka për të cilën vendos gjykata e rregullt të cilës i drejtohet kërkesa e tillë.

 

  • Në mbështetje të kësaj, Gjykata thekson veçanërisht faktin se aktvendimi përmes të cilit mundësohet kthimi në gjendjen e mëparshme ka një efekt​​ ex tunc​​ në vetë procedurën​​ kontestimore,​​ i cili​​ e kthen atë në gjendjen në të cilën ishte përpara mosveprimit, duke anuluar kështu të gjitha vendimet që​​ gjykata e rregullt​​ i mori​​ për shkak të​​ këtij lëshimi.​​ 

 

  • Gjithashtu, është e rëndësishme të përmendet edhe një fakt tjetër i rëndësishëm se edhe në raste të tilla ka afate ligjore për paraqitjen e kërkesave për kthim në gjendjen e mëparshme, gjë që parashikohet me nenin 130 të LPK-së. Në bazë të dispozitës ligjore të lartpërmendur, pala mund të kërkojë kthimin në gjendjen e mëparshme brenda afatit ligjor prej 8 ditësh. Afati prej 8 ditësh është një afat subjektiv dhe fillon të ecë nga dita kur ka pushuar shkaku që ka shkaktuar​​ mosveprimin​​ dhe nëse pala e merr vesh më vonë, afati fillon të ecë nga dita kur pala​​ mori​​ vesh​​ për këtë. Pas kalimit të afatit prej 60 ditësh nga dita e​​ mosveprimit, sipas dispozitës ligjore të sipërpërmendur, nuk mund të kërkohet më kthimi​​ në gjendjen e mëparshme (periudha objektive).

 

  • Në rastin konkret, është evidente se parashtruesi i kërkesës që në momentin​​ kur ka kuptuar për​​ ekzistencën​​ e​​ vendimit të gjykatës, që në rastin më të mirë është prej 24​​ marsit 2016,​​ ai​​ ka ndërmarrë hapa proceduralë që nuk kanë bazë ligjore, e për rrjedhojë edhe efekt konkret,​​ me këtë​​ ai humbi afatin subjektiv dhe objektiv në të cilin​​ ai ka​​ mundur​​ të​​ parashtrojë​​ kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme.

 

  • Nëse përdorimi i këtij mjeti juridik do të ishte efektiv në rastin konkret, Gjykata në rrethanat e dhëna nuk mund ta elaborojë atë saktësisht nga fakti se​​ parashtruesi i kërkesës​​ nuk u përpoq të përdorë mjetin e paraparë juridik në kuptimin procedural, dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë vendim​​ gjyqësor​​ kundër të cilit ai do të vlerësonte efektivitetin e tij. Për më tepër,​​ parashtruesi i kërkesës​​ nuk ka shpjeguar pse ai nuk e ka përdorur këtë mjet juridik,​​ dhe​​ as nuk ka dhënë ndonjë shpjegim në lidhje me joefektivitetin apo efektivitetin e tij.

 

  • Për më tepër, sa i përket efektivitetit të këtij mjeti juridik, Gjykata duhet të konstatojë se në punën e deritanishme ka hasur në praktika të ndryshme të aplikuara nga gjykatat e rregullta me rastin e vendosjes për kërkesën e parashtruar. Në mbështetje të kësaj, Gjykata mund të citojë raste nga praktika e saj ku kërkesa për kthimin në gjendjen e​​ mëparshme është pranuar nga gjykatat e rregullta që kanë vepruar​​ në pajtim me këtë. Në kërkesën​​ KI10/14, parashtrues​​ Shoqëria aksionare​​ Raiffeisen Bank Kosova​​ SH. A.,​​ Gjykata Supreme pranoi kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme (shih paragrafët 22 dhe 23), përveç kësaj, Gjykata rikujton se edhe​​ ajo ka pasur​​ kërkesat​​ KI 147/20, KI149/20, KI150/20, KI151/20​​ dhe​​ KI 152/20,​​ e​​ parashtruesve,​​ Nezir Neziri​​ dhe të tjerët​​ në të cilën, duke vlerësuar plotësimin e kushteve për kthim në gjendjen e mëparshme nga neni 50 i Ligjit për Gjykatën, ka pranuar njërën nga kërkesat e parashtruesit dhe e ka konsideruar​​ atë​​ si kërkesë të paraqitur brenda afatit.

 

  • Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, Gjykata konstaton se​​ parashtruesi i kërkesës​​ në rastin konkret nuk ka shteruar të gjitha mjetet​​ juridike​​ para​​ dorëzimit të kërkesës​​ në gjykatë siç parashikohet​​ me​​ nenin​​ 47​​ të Ligjit dhe pikën​​ (b)​​ ​​ paragrafit (1)​​ të​​ rregullit 39 të Rregullores së​​ punës.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7​​ të Kushtetutës, nenet 20,​​ 47​​ të Ligjit​​ si​​ dhe rregullin​​ 39 (1) b)​​ të Rregullores së punës,​​ në seancën e mbajtur më​​ 15 nëntor 2022​​ njëzëri,

 

VENDOS

 

  • TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;​​ 

 

  • TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • ​​ Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtarja​​ raportuese    ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ​​ ​​​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

1

Parashtruesit:

Enver Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile