Prishtinë, më 8 korrik 2024
Nr. ref.: RK 2462/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI281/23
Parashtrues
Lendita Zherka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Lendita Zherka, me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e akteve të paspecifikuara të autoriteteve publike.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së akteve të paspecifikuara të autoriteteve publike, nëpërmjet të cilave parashtruesja e kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj, të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 21 dhjetor 2023, parashtruesja e kërkesës, nëpërmjet postës elektronike, dorëzoi kërkesën e saj në Gjykatë.
Më 28 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [GJR. KSH/281/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe me Vendimit [KSH/KI281/23] anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët Gresa Caka-Nimani (kryesuese) Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 23 janar 2024, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Parashtruesja e kërkesës parashtron për herë të dytë kërkesë në Gjykatë.
i. Faktet e rastit në lidhje me kërkesën e parë KI56/23
Më 23 shkurt 2023, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar kërkesën KI56/23 në Gjykatë. Nëpërmjet kësaj kërkese, parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. nr. 1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, më 21 qershor 2023, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 22 të Ligjit, Gjykata i kërkoi parashtrueses së kërkesës që të plotësojë kërkesën e saj, duke dorëzuar vendimin të cilin e kontestonte pranë Gjykatës, respektivisht Aktvendimin [E. nr. 1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, në mbështetje të pretendimeve të saj.
Në ndërkohë, parashtruesja e kërkesës kishte informuar Gjykatën se kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën e Apelit për të marr vendimin e kontestuar, si dhe kërkoi shtyrje të afatit deri më 5 korrik 2023. Megjithatë, edhe pas kësaj date, parashtruesja e kërkesës nuk kishte dorëzuar vendimin të cilin e kontestonte pranë Gjykatës.
Gjykata vë në dukje se parashtruesja e kërkesës në mënyrë specifike e kontestonte Aktvendimin [E. nr. 1029/2010] e 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Megjithatë, Gjykata përgjatë shqyrtimit të kërkesës KI56/23, nuk e dispononte aktvendimin e sipërcituar dhe rrjedhimisht Gjykata nuk ishte lëshuar në vlerësimin e kushtetutshmërisë se tij, në mungesë të informatave mbi përmbajtën e saktë të tij.
Më 31 gusht 2023, Gjykata, nëpërmjet Vendimit për Refuzim të Kërkesës, e refuzoj kërkesën KI56/23 me procedurë të shkurtër, meqë kërkesa nuk i përmbushte kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç përcaktohej me paragrafin 4 të nenit 22 dhe nenin 48 të Ligjit, dhe me rregullin 26 (3) dhe 54 (2) të Rregullores së punës.
ii. Faktet e rastit në lidhje me kërkesën aktuale KI281/23
Më 21 dhjetor 2023, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë, duke përsëritur pretendimet e njëjta sikurse i kishte ngritur në kërkesën e parë KI56/23. Parashtruesja e kërkesës, nëpërmjet kësaj kërkese, kërkoi përsëri vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. nr. 1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, me pretendimin se ky vendim ishte dorëzuar në Gjykatë në kërkesën fillestare, si dhe duke kërkuar shfuqizimin e Vendimit për Refuzim të Kërkesës KI56/23.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se me vendimet e paspecifikuara të autoriteteve publike, asaj i është shkelur e drejta e garantuar me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesja e kërkesës përsëri kërkon “vlerësim të Kushtetutshmërisë se Aktvendimit E.nr.1029/2010 të Gjykatës Komunale Gjakovë...Gjykata Themelore Gjakovë, të datës 20.07.2010, i formës së prerë [...].
Në kërkesën e saj, parashtruesja e kërkesës thekson: “Meqenëse Vendimi i datës 25 shtator 2023, ka pasaktësi sepse Kolegji ka lëshuar Vendim duke konsideruar që nuk kemi dorëzuar Aktvendimin e Gjykatës Komunale E.nr.1029/10 të datës 20 korrik 2010, e të cilin parashtruesja e kërkesës Lendita Qarri Zherka e kam dorëzuar ditën kur kam parashtruar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese me datën 23 shkurt 2023, Ky Kolegj i Gjykatës Kushtetuese me këtë Vendim Arbitrar ka bërë vetëgjyqësi duke na përjashtuar nga Akcesi në kërkesën tonë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Parashtruesja e kërkesës thekson se: “Në kërkesën tonë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, datë 03.03.2023, kemi kërkuar nga kjo Gjykatë vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit-propozimin për përmbarim-me shitjen, zbrazjen dhe dorëzimin të paluajtshmërisë, kreditorit raiffiesen bankë Kosovë (rbko). Kreditori raiffiesen bankë Kosovë (rbko), me datën 13.07.2010, pranë Gjykatës Komunale në Gjakovë ka kërkuar të caktohet përmbarimi sipas propozimit të kreditorit për fillimin e veprimeve përmbarimore gjyqësore, sepse ende nuk kishin filluar sipas ligjit puna e përmbaruesve privat”.
Parashtruesja e kërkesës tutje thekson, “Unë Lendita Qarri Zherka kam kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e këtij akti -propozimi për përmbarim i cili sipas vulës së Gjykatës Komunale është aprovuar dhe bëre i formës së prerë, më datën 20.07.2010 në kundërshtim me ligjin pasi që unë në marrëveshjet e kredisë, të gjitha marrëveshjet e kredisë kam qenë palë nënshkruar me firmë në marrëveshje ndërsa ketë propozim të kreditorit gjykata e ka pranuar dhe e ka bëre të formës së prerë pa personin tim si palë në propozim”.
Parashtruesja e kërkesës më tej potencon se, “Sipas marrëveshjeve të kredisë në hyrje dhe në pjesën përfundimtarë të marrëveshjeve shihet qartë qe unë Lendita Qarri Zherka jam palë. Mirëpo në propozimin për përmbarim të lartcekur, pala nënshkruese Lendita Qarri Zherka nuk është përfshirë si palë debitore, që do të thotë propozimi për përmbarim është i parregullt, në kundërshtim me nenin 38 dhe 39 të LPP-së, në lidhje me përmbajtjen e propozimit për përmbarim. Meqë propozimi për përmbarim i atakuar nuk përmban kriteret ligjore që i njëjti të ekzekutohet, sepse propozimi nuk përkon, nuk përputhet faktikisht e as ligjërisht me provat e lëndës marrëveshjet mbi kredinë në lidhje me përfshirjen e saktë në procedurë, ashtu që si palë duhet të përfshihet edhe Lendita Qarri Zherka, kam kërkuar duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese vlerësimi e kushtetutshmërisë së këtij aktvendimi-propozimit për përmbarim të Gjykatës Komunale Gjakovë.”
Në vazhdim, parashtruesja e kërkesës pohon, “Unë Lendita Qarri edhe pse palë nënshkruese në të gjitha marrëveshjet e kredisë dhe në shtojcat e saj asnjëherë nuk jam ftuar e as informuar për këtë procedurë në gjykatë, e as që me është dorëzuar ndonjë vendim gjyqësor, andaj, organi i autorizuar për të vlerësuar interpretimin e kushtetutës, gjykata kushtetuese, duhet ta shfuqizojë ketë akt-propozim për përmbarim të datës 20.07.2010, të formës së prerë të Gjykatës Komunale Gjakovë, si jo kushtetues, sepse nuk është në përputhshmëri me nenin 24-barazia para ligjit, në lidhje me nenin 14 ndalimi i diskriminimit -të protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Parashtruesja e kërkesës gjithashtu thekson, “Gjykata kushtetuese në kuptim të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës ka juridiksion për të shqyrtuar këtë kërkesë që pretendon shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me nenet 23, 24, dhe 26 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me aktin -propozimin për përmbarim të formës prerë nga Gjykata Komunale Gjakovë, sot Gjykata Themelore Gjakovë”.
Parashtruesja e kërkesës nënvizon se “Marrë parasysh kërkesën e bazuar konform nenit 53 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thekson; të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas interpretimit të GJEDNJ, si parashtruese e kësaj kërkesë jam viktimë serioze e shkeljes së lirive dhe të drejtave të njeriut nga ky autoritet me i lartë i drejtësisë, sepse vendimi i marruar nga ana juaj paraqet vetëgjyqësi dhe jo drejtësi bazuar në provat tona të cilat janë dëshmi e fortë, duke marrë parasysh bazën ligjore shumë të qartë. Kërkoj nga gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që këtë kundërshtim tim lidhur me vendimin e juaj ta rishqyrtoj dhe ta përmirësoj, duke e venë drejtësinë për këtë rast në vendin e saj meritor”.
Parashtruesja e kërkesës përfundon kërkesën e saj duke theksuar “Kërkoj nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shfuqizimin si antikushtetues të aktit-propozimit për përmbarim të Gjykatës Komunale Gjakovë, me numër E.nr.1029/2010, të datës 20.07.2010.”
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Rregullorja e punës
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
“[...]
(2) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
[...]
(b) kërkesa është përsëritje e një kërkesë të mëparshme të vendosur nga Gjykata; ose
[...]”
Pranueshmëria e kërkesës
Bazuar në dokumentet e dorëzuara nga parashtruesja e kërkesës, Gjykata vëren se objekti i kërkesës së tanishme KI281/22 është i njëjtë me kërkesën paraprake KI56/23, me ç’rast parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar në mënyrë shprehimore vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. nr. 1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, i cili ishte objekt përmbarimi nëpërmjet Urdhrit përmbarimor [P. nr. 634/14] të Përmbaruesit GJ.R, ku Gjykata nuk ishte lëshuar në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit, në mungesë të informatave mbi përmbajtën e tij, si rezultat i mosdorëzimit nga parashtruesja e kërkesës edhe pas kërkesës specifike të Gjykatës, të aktit të kontestuar.
Bazuar në dokumentet e dorëzuara nga parashtruesja e kërkesës, Gjykata vëren se vendimin të cilin parashtruesja e kërkesës e konteston, përkatësisht Aktvendimi [E. nr. 1029/2010] i 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, nuk është dorëzuar përsëri nga ana e saj.
Gjykata konsideron se kërkesa nën shqyrtim KI281/23 e parashtrueses së kërkesës nuk paraqet ndonjë fakt të rëndësishëm për nxjerrjen e ndonjë vendimi të ri, por është thjesht përpjekje e serishme e parashtrueses së kërkesës, për të kërkuar nga Gjykata po të njëjtin vlerësim kushtetues që e kishte kërkuar me kërkesën paraprake KI56/23.
Gjykata vëren se në kërkesën e tanishme, sikurse edhe në kërkesës paraprake KI56/23, parashtruesja e kërkesës shprehimisht e konteston Aktvendimin [E. nr. 1029/2010] e 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Megjithatë, Gjykata, në dosjen e lëndës nuk e disponon Aktvendimin e sipërcituar të cilin parashtruesja e kërkesës e konteston, dhe rrjedhimisht Gjykata nuk mund të lëshohet tutje në vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij në mungesë të informatave mbi përmbajtën e tij.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 54 (2) (b) [Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës] të Rregullores së punës, i cili parasheh se Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se “kërkesa është përsëritje e një kërkesë të mëparshme të vendosur nga Gjykata”.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, që përcakton: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Bazuar në natyrën e kërkesës dhe të pretendimeve të ngritura në të, Gjykata vlerëson se kërkesa e tanishme KI281/23 është thjesht përsëritje e kërkesës së mëparshme KI56/23, të cilën Gjykata e kishte refuzuar po ashtu me procedurë të shkurtër për shkak se kërkesa ishte e paplotë në kuptim të mosdorëzimit të vendimit të kontestuar, përkatësisht Aktvendimit [E. nr. 1029/2010] të 20 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Në mënyrë që Gjykata të shqyrtojë një kërkesë rishtazi, parashtruesi i kërkesës duhet të ofrojë prova dhe informata të reja që më parë nuk janë shqyrtuar nga Gjykata (Shih, mutatis mutandis, GjEDNj, Kafkaris kundër Qipros, nr. 9644/09, Vendim i 21 qershorit 2011, paragrafi 68).
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës nuk ka treguar “kujdesin e duhur” për t’i mbrojtur të drejtat e saj, duke ndërmarrë hapat procedural në pajtueshmëri me kriteret ligjore dhe rregullat e procedurës për të mbështetur kërkesën e saj me dokumentacion përkatës. Prandaj, ajo rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesës (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI60/20, parashtrues Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame, Vendim për refuzim i 18 shkurtit 2021, paragrafi 36; KI90/20, parashtrues Arben Boletini, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 25; dhe rastet nr. KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 7 dhjetorit 2020, paragrafi 33 dhe referencat e përdorura aty).
Si përmbledhje, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtrueses së kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se njëjta është përsëritje e një kërkese të mëparshme. Prandaj, në pajtueshmëri me rregullin 54 (2) (b) të Rregullores së punës, rrjedhimisht, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113, si dhe paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit, si dhe rregullin 54 (2) (b) të Rregullores së punës, më 26 qershor 2024, njëzëri
VENDOS
TA REFUZOJË kërkesën me procedurë të shkurtër;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenin 20 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Lendita Zherka
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile, Tjetër