KI281/23, Parashtrues: Lendita Zherka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
KI281/23, Vendim për refuzim të kërkesës, i 26 qershorit 2024, publikuar më 11 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë e shkurtër
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest civil, për të cilin parashtruesja e kërkesës parashtroi për herë të dytë kërkesë në Gjykatë. Gjatë shqyrtimit të kërkesës së dytë Gjykata vërejti se për të njëjtën çështje parashtruesja e kërkesës, më parë kishte parashtruar kërkesën KI56/23, e cila ishte refuzuar nga Gjykata me procedurë të shkurtër, nëpërmjet Vendimit për refuzim të kërkesës, të 31 gushtit 2023, për arsye të moskompeltimit të kërkesës me dokumentacion relevant. Pas kësaj faze, parashtruesja e kërkesës më 21 dhjetor 2023, parashtroi kërkesën KI281/23, nëpërmjet së cilës kërkoi rishqyrtimin e Vendimit të 31 gushtit 2023 të Gjykatës, duke pretenduar se Gjykata Kushtetuese gabimisht kishte refuzuar kërkesën e saj, sepse vendimi i kontestuar sipas saj ishte dorëzuar në Gjykatë në momentin e parashtrimit të kërkesës së parë KI56/23.
Parashtruesja e kërkesës për arsyet cekura më lart, nëpërmjet parashtrimit të kërkesës së dytë KI281/23, në Gjykatë pretendoi shkeljen e të drejtave të saj, të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konsideroi se kërkesa e tanishme KI281/23, nuk paraqiste asnjë rrethanë të re faktike për ta rishikuar Vendimin e saj, të 31 gushtit 2023, për arsye se parashtruesja e kërkesës nuk kishte dorëzuar përsëri asnjë akt të autoritetit publik apo vendim gjyqësor, kushtetutshmëria e të cilit do të mund të kontestohej. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se kërkesa e tanishme KI281/23 ishte thjesht përsëritje e kërkesës së parë KI56/23, të cilën Gjykata e kishte refuzuar po ashtu me procedurë të shkurtër për shkak se ishte e paplotë në kuptim të mosdorëzimit të vendimit të kontestuar të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Prandaj, për këto arsye Gjykata rikujtoi se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen efektivisht dhe meritorisht nga Gjykata. Gjykata më tej sqaroi se, kur parashtruesi\ja i/e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata këto kërkesa i deklaron si të paqarta dhe të paplota, dhe si rezultat nuk i shqyrton fare pretendimet e parashtruesve të kërkesës.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës nuk i përmbushte kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se njëjta ishte përsëritje e kërkesës së mëparshme. Prandaj, në pajtueshmëri me rregullin 54 (2) (b) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtrueses së kërkesës u refuzua me procedurë të shkurtër.
Lendita Zherka
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile, Tjetër