Prishtinë, më 16 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2191/23
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI118/22
Parashtrues
Bekim Bajrami
Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani , kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Bekim Bajrami, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e akteve të paspecifikuara të autoriteteve publike.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së akteve të paspecifikuara të autoriteteve publike, përmes së cilave pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 34 [E Drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 gusht 2022, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH118/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese) Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 10 gusht 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës si dhe kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që i) të specifikonte para Gjykatës se cilin akt të autoritetit publik e konteston ; dhe ii) të dorëzon në Gjykatë vendimin e kontestuar dhe vendimet e tjera që ndërlidhen me rastin.
Më 25 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike dorëzoi përgjigje në Gjykatë, duke përsëritur të njëjtat pretendime që i kishte ngritur në kërkesën e tij fillestare, si dhe të dorëzojë dokumente shtesë lidhur me rastin.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 4 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Përmbledhja e fakteve që ndërlidhet me njehsorin e shërbimeve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 5 mars 2014, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur Aktakuzën [PP. II. nr. 333/2014] kundër parashtruesit të kërkesës nën dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale “Vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK-së).
Më 20 maj 2015, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur edhe një Aktakuzë [PP. II. nr. 2410/15] kundër parashtruesit të kërkesës nën dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale” Ndryshim i njehsorit të shërbimeve” nga paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të nenit 358 të KPRK-së.
Më 30 shtator 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [P. nr. 805/14] hodhi poshtë Aktakuzën [PP. II. nr. 333/2014] përmes të cilës parashtruesi i kërkesës ishte akuzuar se kishte kryer veprën penale “Vjedhja e shërbimeve komunale” me arsyetimin se ndjekja penale në rastin konkret kishte arritur parashkrimin absolut. Gjykata Themelore më tej në vendimin e saj, theksoi se Kompania Kosovare për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike (në tekstin e mëtejmë: KEDS) për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil.
Më 28 dhjetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [P. nr. 1992/15] hodhi poshtë Aktakuzën [PP. II. nr. 2410/15] përmes të cilës parashtruesi i kërkesës ishte akuzuar se kishte kryer veprën penale “Ndryshim i njehsorit të shërbimeve” me arsyetimin se ndjekja penale në rastin konkret kishte arritur parashkrimin absolut. Gjykata Themelore më tej në vendimin e saj, theksoi se KEDS për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil.
Përmbledhja e fakteve që ndërlidhet me kompensim dëmi material kundër parashtruesit të kërkesës
Më 1 qershor 2021, KEDS parashtroi padi për kompensim dëmi material kundër parashtruesit të kërkesës, duke pretenduar se prej datës së paevidentuar deri më 26 shkurt 2014, me qëllim që vetit t’i sillte pasuri të kundërligjshme parashtruesi i kërkesës kishte dëmtuar njësorin për matjen e shpenzimeve të energjisë elektrike.
Më 21 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [C. nr. 2726121] obligoi parashtruesin e kërkesës që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të paraqes përgjigje në padinë e ushtruar nga KEDS.
Nga shkresat e lëndës nuk rezulton që parashtruesi i kërkesës t’i jetë përgjigjur Gjykatës Themelore në kërkesën e saj.
Më 28 prill 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktvendimit [C. nr. 4054/2019] obligoi parashtruesin e kërkesës që të paraqesë përgjigje në padi në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nën kërcënimin e pasojave procedurale.
Nga shkresat e lëndës vërehet se më 6 maj 2022 parashtruesi i kërkesës parashtroi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përgjigje në padinë e ushtruar nga KEDS.
Rrjedhimisht, Gjykata nga shkresat e rastit vlerëson se sa i përket kontestit civil në mes të parashtruesit dhe KEDS-it, Gjykata nuk ka ndonjë informacion me interes për atë se deri ku ka arritur kjo procedurë ne Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e paspecifikuara të autoriteteve publike i janë shkelur, i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 34 [E Drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Në kërkesën e tij parashtruesi i kërkesës thekson se, “Ankesën e parashtroj pranë jush, me shpresën se do t’i jepni fund telasheve të cilat është duke m’i shkaktuar KEDS që nga viti 2013, duke më akuzuar dhe ndjekur penalisht në gjykata, me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike nga njehsori DPR 123810, njehsor që është komplet në pronë të tjetër kujt që nga viti 2005. Njehsori në fjalë, ka qenë në emrin tim që nga viti 1996 kur edhe e kemi ndërtuar atë pronë, dhe unë kam jetuar aty deri me 01/08/2005 kur edhe jam larguar nga bashkësia familjare dhe nga prona në fjalë, dhe prona në fjalë ka mbetur pronë e vëllait”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përballet me akuza të ndryshme për keqpërdorim të energjisë elektrike. Parashtruesi i kërkesës pretendimet për shkelje të nenit 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] i ndërlidhë me faktin se për punësim në institucione publike kërkohej certifikata që vërteton se i njëjti nuk është në hetime, dhe që nga viti 2014, parashtruesi i kërkesës i figuron se është në hetime për keqpërdorim të energjisë elektrike.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata, “ne ju lusim që të hidhni të pabazë vendimet e KEDS për mos ndryshim të pronarit paraprak tek pronari faktik, ngase definitiv ka shkaktuar problem jetësor enorm tek unë”.
Dispozitat relevante të Kushtetutës
Neni 23
[Dinjiteti i Njeriut]
Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut
Neni 34
[E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër]
Askush nuk mund të gjykohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale.
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata, po ashtu i referohet nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit, i cili përcakton:
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Në rastet kur kërkesa nuk i përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të pranueshmërisë, Ligji dhe Rregullorja e punës përcaktojnë procedurën që duhet ndjekur nga Gjykata në mënyrë që parashtruesit t’i jepet mundësi për të kompletuar dhe plotësuar kërkesën e tij.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se kërkesën e parashtruesit të kërkesës e kishte pranuar më 3 gusht 2022. Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, më 10 gusht 2022, në pajtim me paragrafin 4, të nenit 22 të Ligjit, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij, duke: a) specifikuar aktet e autoriteteve publike të cilat i konteston; b) dorëzuar kopjet e dokumenteve dhe informatave tjera që mbështesin pretendimet e tij.
Më 25 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës është përgjigjur me një shkresë para Gjykatës, duke ripërsëritur të njëjtat argumente si në kërkesën e tij fillestare, por duke mos specifikuar se cilin vendim të autoritetit publik e konteston në mënyrë shprehimore para Gjykatës.
Në këtë aspekt, dhe duke marrë parasysh atë që u cek më lartë, Gjykata në bazë të Rregullores së saj të punës, mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Gjykata i referohet rregullit 35 të Rregullores, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 35
[Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
“35 (5) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është e paplotë ose e paqartë përkundër kërkesave të Gjykatës ndaj palës që të plotësojnë apo qartësojnë kërkesën, nëse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata,[...]”
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës kërkon që të refuzohen si të pabaza vendimet e KEDS për mos ndryshim të njehsorit të rrymës nga pronari paraprak në rastin konkret parashtruesi i kërkesës, tek pronari aktual.
Siç është elaboruar më lart parashtruesi para Gjykatës nuk ofron përmbledhje të qarta të fakteve lidhur me procedurat para gjykatave, përkatësisht nuk ofron informacion procedural dhe substantiv.
Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesave, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesave nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve të kërkesave (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI121/21, parashtrues Bajram Hasani, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 23 shtatorit 2021, paragrafi 38; KI135/21 Isuf Musliuu, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 10 shtatorit 2021, paragrafi 35; dhe KI101/21, ‘N.T.SH. Morina B”, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 8 shtatorit 2021, paragrafi 36).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 21, 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata përfundon se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 35 të Rregullores së punës, më 4 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Bekim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Administrative