KI97/23, Parashtrues: Gjevrije Zeqiri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar
KI97/23, Vendim i 31 gushtit 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale; personat me aftësi të kufizuara; punësim; hedhje poshtë e kërkesës
Parashtruesja e kërkesës, me profesion juriste, ishte e punësuar në Gjykatën Themelore në Pejë në punë praktike, për një periudhë 1 (një) vjeçare. Pas përfundimit të praktikës në Gjykatën Themelore ajo mbeti e papunësuar. Ajo parashtroi kërkesë në Gjykatë në të cilën theksonte se Gjykata Themelore nuk e punësoi atë përkundër premtimit që do ta bënte një gjë të tillë. Parashtruesja e kërkesës pretendon që institucionet e Republikës së Kosovës nuk po e zbatojnë Ligjin nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, që i detyron organet shtetërore t’i punësojnë personat me aftësi të kufizuara, konkretisht 1 person me aftësi të kufizuara në çdo 50 (pesëdhjetë) punëtorë. Ajo pretendonte që personat me aftësi të kufizuara i nënshtrohen diskriminimit të vazhdueshëm nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjykata theksoi se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet mbi respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat janë të pacenueshme dhe vlejnë për të gjithë personat pa diskriminim. Gjykata theksoi se është detyrë e shtetit që të ofrojë mundësi dhe kushte të barabarta për të gjithë, sidomos për grupe të caktuara shoqërore të cilat janë më të cenueshme dhe në pozita më të vështira sociale.
Gjykata konstatoi se parashtruesja e kërkesës nuk ishte ne marrëdhënie të punës dhe nuk e kontestonte ndonjë akt konkret të autoritetit publik, dhe rrjedhimisht nuk ekzistonte një kontest. Gjykata vlerësoi se në bazë të rregullit 54 të Rregullores së punës, kërkesat të cilat nuk përfaqësojnë një kontest mund të hedhen poshtë nga Gjykata. Në rastin konkret, Gjykata vendosi të hedhë poshtë kërkesës e parashtrueses së kërkesës, për shkak se nuk ekzistonte një kontest.
Gjevrije Zeqiri
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës