Prishtinë, më 18 shtator 2023
Nr. ref.:RK 2254/23
VENDIM PËR HEDHJE POSHTË TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI97/23
Parashtrues
Gjevrije Zeqiri
Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Gjevrije Zeqiri, me vendbanim në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së mosveprimit të Gjykatës Themelore në Pejë [në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore] në lidhje me mos punësimin e saj si person me aftësi të kufizuara. Parashtruesja e kërkesës nuk i ka specifikuar të drejtat kushtetuese të cilat pretendon se i janë shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 17 maj 2023, kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI97/23 caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH.KI97/23 caktoi anëtaret e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesues), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 31 maj 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 6 qershor 2023, Gjykata kërkoi nga parashtruesja e kërkesës që të sqaronte kërkesën e saj, përkatësisht të plotësonte formularin e kërkesës, të specifikonte vendimin e autoritetit publik të cilin e konteston, dhe të saktësonte cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë shkelur.
Më 17 korrik 2023, Gjykata parashtroi një kërkesë të re për sqarim te parashtruesja e kërkesës.
Më 24 qershor 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi dokumentet e njëjta si në kërkesën e parë.
Më 31 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës hedhjen poshtë të kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesja e kërkesës është e diplomuar si juriste, në nivelin themelor dhe master.
Nga data 1 prill 2018 deri më 31 mars 2019, parashtruesja e kërkesës përfundoi programin e praktikës në Gjykatën Themelore, në kohëzgjatje prej 1 (një) viti.
Në një datë të paspecifikuar, Gjykata Themelore lëshoi një letër rekomandim për parashtruesen e kërkesës, me të cilën dëshmohej se gjatë praktikës së zhvilluar në Gjykatë, parashtruesja e kërkesës kishte treguar performancë të mirë dhe i kishte përmbushur të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë.
Më 7 korrik 2022, Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve “Handikos-Pejë”, lëshoi një vërtetim me të cilin dëshmonte që parashtruesja e kërkesës është person me aftësi të kufizuar.
Më 7 korrik 2022, Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve “Handikos-Pejë”, lëshoi një letër reference për parashtruesen e kërkesës, nëpërmjet së cilës e konfirmoi që parashtruesja e kërkesës kishte qenë e angazhuar në cilësinë e praktikantes në këtë organizatë, në zyrën e logjistikës, në të cilën kishte asistuar në çështjet organizative dhe administrative në implementimin e projekteve.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata Themelore nuk e kishte punësuar atë pas përfundimit të praktikës 1 (një) vjeçare, përkundër premtimit që ajo do të punësohej si person me aftësi të kufizuar.
Parashtruesja e kërkesës pretendon që institucionet publikë të Republikës së Kosovës nuk i përmbushin detyrimet e tyre ligjore në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Sipas saj, personat me aftësi të kufizuara i nënshtrohet vazhdimisht diskriminimit në çështjet e punësimit.
Parashtruesja e kërkesës thekson se Ligji nr. 03/L-019 Për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i detyron organet shtetërorë që t’i punësojnë personat me aftësi të kufizuara, konkretisht 1 person me aftësi të kufizuara në çdo 50 (pesëdhjetë punëtorë).
Parashtruesja e kërkesës thekson se personat me aftësi të kufizuar janë duke u margjinalizuar duke mos u trajtuar fare të drejtat e tyre nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
[...]
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
NENI 14
Ndalimi i diskriminimit
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër
LIGJI Nr. 03/L-019 PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
KREU V
KUSHTET E PUNËSIMIT
Neni 11
Kushtet e përgjithshme dhe veçanta të punësimit
1. Personi me aftësi të kufizuara ka të drejtë në punësim, integrim në tregun e punës në kushtet përgjithshme dhe te veçanta të përcaktuara me këtë ligj.
[...]
Neni 12
Punësimi në tregun e hapur të punës
1. Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës ti punësojnë personat me aftësi të kufizuara.
2. Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me nenet 46, 47, 48 të Ligjit, dhe rregullave 54 dhe 74 të Rregullores së punës.
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Neni 46
[Lejueshmëria]
Gjykata Kushtetuese pranon dhe procedon kërkesën e ngritur sipas nenit 113, paragrafi 7 të Kushtetutës, nëse konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore.
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Rregulli 54
[Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
(1) Gjykata mund të hedhë poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.
[...]
Rregulli 74
[Kërkesa në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 4 6,47,48,49 dhe 50 të Ligjit]
(1) Kërkesa e ngritur sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin (7) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 46 (Lejueshmëria), 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës), 49 (Afatet) dhe 50 (Kthimi ne gjendjen e mëparshme) te Ligjit.
(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet te qartësojë saktësisht se cilat te drejta dhe liri pretendohet se janë shkelur dhe se cili është akti konkret i autoritetit publik i cili kontestohet.
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata Themelore në Pejë, por edhe të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës nuk po i ofrojnë mundësi të barabarta për punësim, duke shkelur përgjegjësitë e tyre ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, 1 (një) për çdo 50 (pesëdhjetë) të punësuar. Ajo thekson se mungesa e punësimit të saj ka karakter diskriminues dhe një gjendje e tillë ndikon që këto grupe shoqërore të jenë të përjashtuara.
Gjykata thekson se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet mbi respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat janë të patjetërsueshme dhe të pacenueshme dhe që vlejnë për të gjithë personat. Për më tepër, është detyrë e shtetit që t’i mbrojë dhe garantojë të drejtat e njeriut të cilat janë të përcaktuara nga kushtetuta. Kushtetuta e Kosovës përcakton që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kjo nënkupton faktin që askush nuk mund të diskriminohet, ndër të tjera, në bazë të gjendjes sociale apo të ndonjë statusi tjetër personal.
Gjykata thekson se është detyrë e shtetit që të ofrojë mundësi dhe kushte të barabarta për të gjithë, në veçanti për grupe të caktuara shoqërore të cilat janë më të cenueshme dhe në pozita më të vështira sociale. Në mesin e këtyre grupeve janë edhe personat me aftësi të kufizuara, për të cilët nevojitet kujdes i veçantë në mënyrë që të plotësohen nevojat e tyre. Siç ka theksuar edhe GJEDNJ-ja, personat me aftësi të kufizuara i përkasin grupeve të cilët historikisht kanë qenë subjekt i diskriminimit që ka rezultuar më përjashtimin e tyre social (rasti i GJEDNJ-së, Guberina kundër Kroacisë, nr. 23682/13, Aktgjykim i 22 marsit 2016, paragrafi 73).
Gjykata thekson se është detyrë e shtetit që të ndërmarrë masa aktive, përfshirë legjislacionin, në mënyrë që të sigurojë integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri. Nëpërmjet politikës aktive të punësimit, do të mundësohej që këto grupe të ndiheshin pjesë e barabartë e shoqërisë të cilës i përkasin, duke kontribuuar në jetën publike dhe në vendimmarrje. Gjithëpërfshirja dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, bazuar në karakteristikat personale, janë nga shtyllat kryesore të çdo shoqërie të hapur dhe demokratike.
Gjykata vëren se Ligji nr.03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara ndalon çdo lloj të diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe atyre iu garantohet mbrojtje ligjore dhe efektive. Ligji përcakton të drejtën e këtyre personave në punësim dhe integrim në tregun e punës, përfshirë në organet e administratës shtetërore dhe punëdhënësit në sektorin privat. Për më tepër, sipas ligjit, “çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor”.
Gjykata vëren se, parashtruesja e kërkesës kishte qenë e angazhuar në cilësinë e praktikantes në Gjykatën Themelore, për një periudhë 1 (vjeçare). Ajo pretendon se kishte marrë premtime se pas përfundimit të programit të praktikës do të punësohej në Gjykatën Themelore, gjë që nuk ndodhi. Gjykata vëren se, parashtruesja e kërkesës nuk është në marrëdhënie pune, dhe pretendon se institucionet publike nuk po e zbatojnë ligjin e lartcekur për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Gjykata vlerëson në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kontest. Parashtruesja e kërkesës nuk konteston ndonjë akt specifik të autoriteteve publike. Ankesa dhe pretendimet e saj lidhen me moszbatimin e ligjit nga ana e institucioneve shtetërore në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Gjykata vlerëson se rregulli numër 54 i Rregullores së punës ndër të tjera përcakton se, gjykata mund të hedhë poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se pretendimi nuk përfaqëson një kontest.
Gjykata vlerëson se, bazuar në rrethanat e rastit konkret, nuk kemi të bëjmë me një kontest dhe rrjedhimisht parashtruesja e kërkesës nuk i ka plotësuar kushtet e përcaktuara nga ligji dhe rregullorja. Prandaj, Gjykata vendos për hedhjen poshtë të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47.1 të Ligjit dhe me paragrafin 1 të rregullit 54 (b) të Rregullores së punës, më 31 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TA HEDHË POSHTË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Gjevrije Zeqiri
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës