Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, UZVP. ARJ. nr. 139/2019 të Gjykatës Supreme, të 18 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI 124/20

Parashtruesit: MuhamedAli Ceyşülmedine

Shkarko:

KI124/20, Parashtruesi i kërkesës: MuhamedAli Ceyşülmedine,  Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, UZVP. ARJ. nr. 139/2019 të Gjykatës Supreme, të 18 nëntorit 2019

KI124/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 21 janar 2021, i publikuar më 05 shkurt 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, kërkesë e papranueshme.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të kërkesës në Zyrën për Gjendje Civile në Komunën e Prizrenit për nxjerrjen e Certifikatës së Vdekjes të së ëmës së tij të ndjerë. Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me mbiemrin e vendosur në këtë certifikatë, në Zyrën për Gjendje Civile në Komunën e Prizrenit, parashtroi kërkesë për korrigjim e mbiemrit në Regjistrin Themelor të Lindurve, në Regjistrin e Kurorëzimeve dhe në Regjistrin Themelor të Vdekurve. Zyra për Gjendje Civile dhe Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave në Agjencinë për Regjistrim Civil, refuzuan ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës iu drejtua gjykatave të rregullta të cilat e refuzuan gjithashtu kërkesën e tij si të pabazuar. E para, përkatësisht Gjykata Themelore, e hodhi poshtë për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore; e dyta, përkatësisht Gjykata e Apelit, e hodhi poshtë si të pasaftshme; ndërsa Gjykata Supreme konfirmoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me paafatshmërinë e ankesës. Parashtruesi i kërkesës, siç është sqaruar më lart, i konteston këto konstatime para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Në mbështetje të pretendimeve për shkelje të këtyre neneve kushtetuese, parashtruesi i kërkesës thekson se (i) Gjykata e Apelit nuk ka marrë parasysh arsyetimin e tij se ankesa e dorëzuar pas afatit në Gjykatën e Apelit ishte si rezultat i sëmundjes së tij; dhe (ii) mbiemri i së ëmës së tij të ndjerë është i falsifikuar, duke kërkuar nga Gjykata “korrigjimin e mbiemrit” përkatës.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe asaj të Gjykatës, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm e ka përmendur shkeljen e neneve të Kushtetutës, duke, mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës së si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtat dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 3, 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës, respektivisht. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

MuhamedAli Ceyşülmedine

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri