Prishtinë, më 7 nëntor 2022 Nr. Ref.:RK 2072/22 AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI në rastin nr. KI235/21 Parashtrues Bekim Marmullaku Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-21-0008, të 22 tetorit 2021 GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS e përbërë nga: Gresa Caka-Nimani, kryetare Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare Safet Hoxha, gjyqtar Radomir Laban, gjyqtar Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe Nexhmi Rexhepi, gjyqtar Parashtruesi i kërkesës Kërkesa është dorëzuar nga Bekim Marmullaku, me vendbanim në Komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Gani Morina, avokat në Komunën e Klinës. Vendimi i kontestuar Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-II-21-0008] e 22 tetorit 2021, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin në vijim: Kolegji i Apelit të DHPGJS) në lidhje me Aktgjykimin [C.nr.42/2008] të 18 majit 2017, të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Klinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore]. Objekti i çështjes Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Kushtetuta). Baza juridike Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale), të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës). Procedura para Gjykatës Më 30 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata). Më 10 janar 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë). Më 11 janar 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi dorëzimin e autorizimit për përfaqësim në Gjykatë. Më 28 janar 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi autorizimin për përfaqësim në Gjykatë. Më 5 gusht 2022, Gjykata kërkoi nga parashtruesi të sqaronte se (i) cili ishte vendimi të cilin e kontestonte, si dhe të bashkëlidhte të njëjtin, si dhe (ii) të sqaronte se cilat të drejta dhe liri pretendonte se i janë cenuar. Më 15 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë informatat e kërkuara. Më 31 gusht 2022, Gjykata njoftoi DHPGJS për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës. Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Përmbledhja e fakteve Nga shkresat e lëndës rezulton që me 27 shkurt 2007, parashtruesi i kërkesës dhe ndërmarrja shoqërore “NSH NT Klina” kishin lidhur Ujdinë Gjyqësore [C.nr.81/07] në bazë të cilës parashtruesi detyrohej ti paguante ndërmarrjes “NSH NT Klina” qiranë për lokalin e shfrytëzuar me qira, i cili ishte objekt i kësaj Ujdie Gjyqësore. Më 5 mars 2007, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar një njoftim nga ana e Komunës së Klinës, ku kërkohej që për të njëjtin lokal që ishte objekt i Ujdisë Gjyqësore të lidhej kontratë mbi qiranë me Komunën e Klinës. Pas lidhjes së kontratës me Komunën e Klinës, parashtruesi i kërkesës kishte ndërprerë përmbushjen e obligimeve financiare që i kishte në bazë të Ujdisë Gjyqësore të arritur me ndërmarrjen “NSH NT Klina”. Pas ndërprerjes së pagesave nga ana e parashtruesit të kërkesës lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj ndërmarrjes “NSH NT Klina”, e njëjta bëri një propozim për ekzekutim duke kërkuar nga Gjykata Komunale në Klinë që të përmbarohet Ujdia Gjyqësore [C.nr.81/07]. Më 9 dhjetor 2009, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [E.nr. 284/07] lejoi ekzekutimin e Ujdisë Gjyqësore. Ndaj këtij Aktvendimi parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërshtim, në Gjykatën Komunale. Më 30 janar 2008, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Komunale në Klinë ku kërkoi anulimin e Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit [E.nr.284/07] të 9 dhjetorit 2007, dhe anulimin e Ujdisë Gjyqësore [C.nr.81/2007] të 27 shkurtit 2007, e lidhur mes parashtruesit të kërkesës dhe ndërmarrjes “NSH NT Klina” në Gjykatën Komunale në Klinë. Më 18 maj 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 42/2008] vendosi që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës […] refuzohet si e pa bazuar, përkatësisht padia në këtë çështje juridike hudhet poshtë e palejuar, për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendencës). Rrjedhimisht, Gjykata Themelore duke vendosur lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se në këtë rast ekziston gjyqvarësia (litispendenca), andaj padia hedhet poshtë si e palejuar pasi që parashtruesi i kërkesës e kishte rastin tjetër në lëndën përmbarimore [E.nr.284/07], në të cilën lëndë ai e kishte paraqitur kundërshtimin ndaj Aktvendimit [E.nr.284/07] të 9 dhjetorit 2007, që lejonte ekzekutimin e Ujdisë Gjyqësore [C.nr.81/2007] të 27 shkurtit 2007. Ndër të tjera, Gjykata Themelore kishte arsyetuar si në vijim: “Paditësi para se të parashtron padinë C.nr.42/08 të datës 30.01.2008 për ndërprerjen e ekzekutimit si të palejueshëm dhe anulimin e Ujdisë Gjyqësore C.nr.81/2006 të datës 27.02.2007 është dashur që ti shtjerrë procedurat e nëpërmjet mjeteve të goditjes cilat do qofshin ato në procedurën përmbarimore e sipas lëndës E.nr.284/07 të datës 09.12.2007, ku prej të provuarit parashtresa sqaruese në pikën 4 të së njëjtës ( e datës 05.12.2007) po cilësoi: "Në të njëjtën datë i padituri Bekim Marmullaku ka paraqitur një kundërshtim për pezullimin e përmbarimit mu për shkakun se kundër vendimit të formës së prerë – Ujdisë Gjyqësore ishte paraqitur padia për anulimin e kësaj Ujdie", kurse vendimi për ekzekutim është lëshuar me shenjën e regjistrit E.nr.248/07, mirëpo që kësaj gjykate të çështjes nuk i janë parashtruar prova.” Nga shkresat e lëndës vërehet se tek lënda përmbarimore [E.nr.248/07] parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërshtim ndaj Aktvendimit [E.nr. 248/07] të 9 dhjetorit 2007 dhe se ai e kundërshtonte ekzekutimin e Ujdisë Gjyqësore që ishte arritur në Gjykatën Komunale në Klinë. Po ashtu edhe në lëndën sipas padisë të dorëzuar me 30 janar 2008, e regjistruar si: [C.nr.42/2008], parashtruesi i kërkesës kishte të njëjtën kërkesë, përkatësisht anulimin e Aktvendimit për ekzekutim të Ujdisë Gjyqësore [E.nr.284/07] të 9 dhjetorit 2007 dhe anulimin e Ujdisë Gjyqësore [C.nr.81/2007] të 27 shkurtit 2007. Kërkesa përsëri ishte drejtuar ndaj të njëjtës së paditur “NSH NT Klina”, prandaj objekti i kontestit dhe palët ishin të njëjta. Me 14 korrik 2017, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Themelore të drejtuar për Gjykatën e Apelit, për shkak të (i) shkeljeve të dispozitave kontestimore dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe kërkoi që të prishet Aktgjykimi i ankimuar dhe lënda të kthehet në rigjykim. Më 21 shkurt 2017, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin në vijim: AKP) përmes parashtresës ishte paraqitur si përfaqësuese e “NSH NT Klina”, dhe në këtë parashtresë ajo e ka informuar Gjykatën se më 27 qershor 2013, në bazë të vendimit të Bordit të AKP-së, NSH-ja kishte hyrë në likuidim, dhe me këtë parashtresë AKP-ja kishte kërkuar që të hedhet poshtë padia si e pa pranueshme. Më 23 shkurt 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktit përcjellës [AC.nr. 4053/2017], dosjen së bashku me ankesë e dorëzon në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin në vijim: DHPGJS), dhe më pas regjistrohet nga zyra e regjistrimit me nr. [AC-II-21-0008]. Rrjedhimisht, me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ishte zgjeruar juridiksioni i DHPGJS me nenet 5 (Juridiksioni), 6 (Paditësit dhe të paditurit), 76.1 (Konfliktet dhe interpretimi) të Ligjit të lartcekur, prandaj Kolegji i Apelit të DHPGJS kishte juridiksion lëndor për vendosje lidhur me ankesën e parashtruesit të kërkesës. Më 22 tetor 2021, Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-II-21-0008]: (i) refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës; (ii) Vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.42/2008] e 18 majit 2017 të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Klinë; (iii) Obligoi parashtruesin e kërkesës që të paguaj taksën gjyqësore për procedurën ankimore në shumë prej 100 (njëqind) euro. Në arsyetimin e vendimit të saj, Kolegji i Apelit të DHPGJS theksoi si në vijim: “Kolegji i Apelit konstaton se Gjykata Themelore në Pejë- Dega në Klinë ka pasur të drejtë kur ka konstatuar se në këtë rast ekziston gjyq varësia (litis pedenca) pasi që në fakt objekti i kontestit në lëndën përmbarimore E.nr.248/07 me objektin e kontestit në lëndën C.nr.42/2008 është i njëjtë, dhe palët janë të njëjta. Andaj janë plotësuar kushtet ligjore që të konsiderohet që ky kontest është i njëjtë në bazë të Nenit 262 të LPK-së.” Faktet e rastit lidhur me kontratën e qirasë në periudhën 1 janar-30 qershor 2007, ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe “NSH NT Klina” Më 1 shkurt 2008, “NSH NT Klina” e dorëzoi në Gjykatën Komunale në Klinë një padi kreditore, duke kërkuar nga Gjykata që të detyrohet e parashtruesi i kërkesës që të paguaj shumën e qirasë prej 1.116,00 euro, për periudhën prej 01 janar 2007 e deri më 30 qershor 2007, duke pretenduar se parashtruesi nuk e kishte paguar këtë qira për lokalin që e kishte marrë me qira, pronë e NSH "Klina". Më 13 mars 2017, parashtruesi i kërkesë dorëzoi në Gjykatën Themelore përgjigje në padi, duke e kontestuar padinë si dhe duke pretenduar se borxhi është parashkruar në bazë të Ligjit të Marrëdhënieve të Detyrimeve, si dhe duke pohuar se “NSH NT Klina” po ashtu nuk kishte legjitimitet aktiv të jetë palë në procedurë, andaj kërkonte që padia të hedhet poshtë si e pa pranueshme. Më 19 qershor 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.47/08] e refuzoi kërkesëpadinë e “NSH NT Klina” si të pa bazuar, duke arsyetuar se pas dëgjimit të dy palëve dhe provave të ofruara gjatë seancave gjyqësore të mbajtura ka konstatuar se në mes të palëve ndërgjyqëse nuk ka ekzistuar marrëdhënia kontraktuale e qirasë për periudhën 1 janar 2007 e deri më 30 qershor 2007 , e si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës nuk kishte detyrim të paguaj qiranë pasi që pala paditëse nuk e ka sjellë kontratën e qirasë për periudhën e cekur. Rrjedhimisht, Gjykata Themelore konstatoi se padia ka mbetur e pa argumentuar dhe e pa mbështetur me prova, prandaj është refuzuar si e pa bazuar. Më 14 tetor 2021, Kolegji i Apelit të DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-II-21-0005]: (i) refuzoi si të pabazuar ankesën e AKP-së; (ii) vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.47/08] e 19 qershorit 2017, të Gjykatës Themelore; (iii) Nuk caktoi taksë gjyqësore për procedurën ankimore. Parashtrues i kërkesës nuk e konteston Aktgjykimin [AC-II-21-0005] e 14 tetorit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS, prandaj e njëjta reflektohet në kontekst të qartësimin të fakteve të rastit. Pretendimet e parashtruesit të kërkesës Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara përmes neneve 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk janë përfillur dispozitat e nenit 375 dhe 356 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore prej nga vërehet se borxhi në të gjitha variantat është parashkruar. Parashtruesi i kërkesës pretendon që të gjitha procedurat që nga gjykata Themelore e deri te Kolegji i Apelit të DHPGJS-së kanë kaluar në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të dispozitave materiale, ashtu që rrjedhimisht janë shkelë edhe dispozitat kushtetuese. Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i kontestuar është marrë në shkelje të dispozitave të nenit 73 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, pasi që në Ujdinë Gjyqësore [C.nr.81/07] të 27 shkurtit 2007, kishte nënshkruar pala që ligjërisht nuk ishte palë, pasiqë në parashtresa nuk është saktësuar se kush është pronar i lokalit, Komuna e Klinës apo AKP si përfaqësuese e “NSH NT Klina”. Rrjedhimisht, sipas parashtruesit ka mungesë të legjitimitetit pasiv real. Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat e rregullta përkundër asaj që e pranojnë ekzistimin e gjyqvarësisë, të njëjtat nuk veprojnë në bazë të nenit 262 të LPK-së i cili thekson se nuk mund të iniciohet e as të zhvillohet kurrfarë procedure kontestimore me rastin e paraqitjes së gjyqvarësisë. Në vijim parashtruesi i kërkesës thekson që “Në të gjitha instancat shkelet edhe neni 277 i LPK-së, nga se që nga data 21.02.2017 sipas parashtresës së AKP-së me nr.370-2017 kjo agjenci ka falimentua dhe nuk ekziston më. Dhe sipas nenit të cituar me par. f dhe pika 3 procedura menjëherë është dashur të ndërprehet që nga momenti i marrjes së parashtresës.” Në fund parashtruesi i kërkesës thekson se duke pasur kaq shumë shkelje procedurale e ligjore në dëm të tij do të ishte e pamundur që shkeljet e tilla të mos kenë relacion edhe me shkeljet e dispozitave të nenit 7 dhe 31 të Kushtetutës pasi që i shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, në ndërkohë që sipas nenit 31 parashtruesi i kërkesës pretendon se vihet në pozitë të pabarabartë para gjykatës me palën tjetër. Pra, sipas parashtruesit të kërkesës është shkelur edhe neni 31 i Kushtetutës, pasi që të dëmtuarit nuk i mbrohen të drejtat e tija ligjore. Në vijim, parashtruesi i kërkesës veçon edhe shkeljen e pretenduar të nenit 24 të Kushtetutës, pasi i njëjti vihet në pozitë të pabarabartë me palën kundërshtare, nga se me njërin aktgjykim lirohet e me tjetrin obligohet. Me qenë se aktgjykimi lirues ka vlerën e kontestit 4 herë më të vogël se sa ai dënues, sipas tij fitohet përshtypja se më tepër është kërkuar balancimi i interesave të palëve se sa vendosja në bazë të ligjit. Dhe në fund konsiderojmë se janë shkelë edhe dispozitat e nenit 7 të Kushtetutës, pasi që nuk është garantuar sa duhet mbrojtja e të dëmtuarit para ligjit. Përfundimisht, parashtruesi e kërkesës thekson se qëllimi i tij është që Gjykata të vërtetojë se kundër kërkesës së tij të bazuar në fakte e në dispozita ligjore është vepruar në kundërshtim me dispozitat e neneve 73, 262 dhe 277 te LPK-së dhe të dispozitave të nenit 375 të LMD-së të konfirmuara edhe me nenin 356 te ligjit te ri mbi marrëdhëniet e detyrimeve si dhe me dispozitat tjera të procedurës kontestimore, me ç’rast edhe i janë shkelur të drejtat kushtetuese të nenit 7 dhe 31 të Kushtetutës. Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 7 [Vlerat] 1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut. 2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. Neni 24 [Barazia para Ligjit] 1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim. 2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. 3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato. Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] 1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike. (…) 4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet. (…) LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE Neni 73 73.1 Palë në procedurë mund të jetë çdo person fizik dhe juridik. 73.2 Me dispozita të veçanta caktohet se kush tjetër, përpos personave fizik dhe juridik, mund të jetë palë në procedurë. 73.3 Gjykata e çështjes mundet, përjashtimisht, me efekt juridik në çështjen konkrete, t’ua njohë cilësinë e palës edhe atyre formave të bashkimit që nuk kanë zotësinë për të qenë palë sipas dispozitave të paragrafit 1 dhe 2 të këtij neni, po që se vërtetohet se, duke marrë parasysh objektin e kontestit, në esencë i përmbushin kushtet esenciale për fitimin e zotësisë për të qenë palë, e sidomos në qoftë se disponojnë me pasurinë në të cilën mund te kryhet procedura e ekzekutimit. 73.4 Kundër aktvendimit nga paragrafi 3 i këtij neni, me të cilin njihet cilësia e palës në çështjen konkrete nuk lejohet ankim i veçantë. Ekzistimi i gjyqvarësisë (Litispendenca) Neni 262 262.1 Gjyqvarësia krijohet që në momentin në të cilin të paditurit i dorëzohet padia. 262.2 Sa i përket kërkesës të cilën pala e ka parashtruar gjatë zhvillimit të procedurës, gjyqëvarësia krijohet në momentin në të cilin është njoftuar pala kundërshtare për kërkesën e tillë. 262.3 Gjatë kohës së ekzistimit të gjyqvarësisë për të njëjtën kërkesëpadi nuk mund të iniciohet gjykim i ri midis palëve të njëjta. Po që se, prapëseprapë bëhet një gjë e tillë, gjykata e hedhë poshtë padinë. 262.4 Gjykata gjatë gjithë procedurës, sipas detyrës zyrtare, kujdeset nëse është në zhvillim e sipër gjykimi tjetër për të njëjtën kërkesëpadi midis palëve të njëjta. Ndërprerja e gjykimit dhe pushimi i gjykimit Neni 277 Procesi gjyqësor ndërpritet: a) kur pala ndërgjyqëse vdes ose e humbë zotësinë procedurale, e nuk ka të caktuar përfaqësues me prokurë në gjykim; b) kur përfaqësuesi ligjor i palës vdesë ose shuhet autorizimi i tij për përfaqësim, e pala nuk ka të caktuar përfaqësues me prokurë në gjykim; c) kur pala që është person juridik pushon së ekzistuari, respektivisht kur organi kompetent jep vendim të formës së prerë për ndalimin e punës tij ; d) kur paraqitet propozimi për fillimin e procedurës së falimentimit në kontestet në të cilat i padituri është debitor falimentues e) kur për shkak të luftës ose për shkaqe të tjera pushon puna në gjykatë; f) kur ndërprerja e gjykimin parashihet me ndonjë ligj tjetër. LIGJI NR. 04/L-034 PËR PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT Neni 10 Pezullimi i veprimeve 1. Çdo veprim gjyqësor, administrativ apo i arbitrazhit, procedurë apo akt që përfshin apo që është kundër një ndërmarrje (apo aseteve të saj) që është subjekt i Vendimit për Likuidim pezullohet pas parashtrimit të njoftimit të Vendimit për Likuidim nga ana e Autoritetit të Likuidimit në gjykatën përkatëse, autoritetin publik apo tribunalin e arbitrazhit. Ky njoftim i referohet këtij neni 10 dhe shoqërohet me një kopje të Vendimit për Likuidim dhe një kopje të Njoftimit të publikuar për likuidim. 2. Veprimet, procedurat apo aktet e tilla të pezulluara mund të vazhdojnë apo të jenë në fuqi vetëm me leje të Autoritetit të likuidimit apo të Gjykatës. Këto veprime, procedura dhe akte përfshijnë mes tjerash, çdo veprim, procedurë apo akt: 2.1.që ka të bëjë me grumbullimin, kthimin apo zbatimin e Kërkesave për borxhe, taksa, gjoba apo obligime të çfarëdo lloji; 2.2.që ka të bëjë me krijimin, pranimin, modifikimin, rritjen, përmbushjen, regjistrimin apo zbatimin e çdo Kërkese apo Interesi kundrejt Ndërmarrjes apo çdo aseti të ndërmarrjes; 2.3.çdo akt për realizimin, marrjen nën kontroll apo shitjen e aseteve të lëna peng, të hipotekuara apo që me çdo formë tjetër barre, apo ushtrimi i kontrollit mbi çdo aset të ndërmarrjes; dhe 2.4.procedurat apo veprimet rregullative që kanë të bëjnë me parandalimin apo korrigjimin e shkeljeve të dispozitave rregullative, rregullave apo vendimeve përderisa ato kanë të bëjnë me pretendime monetare ndaj ndërmarrjes. 3. Pezullimi i veprimeve, procedurave dhe akteve nuk aplikohet në: 3.1.veprimet gjyqësore që në emër të ndërmarrjes drejtohen kundër palëve të treta; 3.2.procedurat penale ndaj ndërmarrjes apo një apo më shumë anëtarëve të Menaxhmentit të saj; 3.3.transferimet apo disponimi me asetet e ndërmarrjes gjatë rrjedhës së rregullt të punës së ndërmarrjes, përfshirë transaksionet e përcaktuar në këtë Ligj dhe në veçanti në nenin 10; 3.4.procedurat apo veprimet rregullative që kanë të bëjnë me parandalimin apo korrigjimin e shkeljeve të dispozitave rregullative, rregullave apo vendimeve, nëse ato nuk përfshijnë pretendime monetare ndaj ndërmarrjes; dhe 3.5.inspektimet dhe kërkesat për inspektim të parashtruara nga bartësit e hipotekave të regjistruara, garancive të vërteta apo pengjeve të ngjashme që kanë të bëjnë me asetet e ndërmarrjes. Vlerësimi i Pranueshmërisë së kërkesës Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë: Neni 113 “1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. [...] 7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”. Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet], të Ligjit, të cilët përcaktojnë: Neni 47 [Kërkesa individuale] “1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. 2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.” Neni48 [Saktësimi i kërkesës] "Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj." Neni 49 [Afatet] “Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor[...].” Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-II-21-0008] e 22 tetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit. Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Më saktësisht, rregulli 39 (2) përcakton që: Rregulli 39 (Kriteret e pranueshmërisë) "(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij." Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih, më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 30 prillit 2020; pjesën III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 275 deri më 304). Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me borxhin lidhur me qiranë e lokalit afarist që parashtruesi i kërkesës e kishte marrë fillimisht nga “NSH NT Klina”, përmes Ujdisë Gjyqësore. Pas pranimit të njoftimit nga Komuna e Klinës ku kërkohej që për të njëjtin lokal që ishte objekt i Ujdisë Gjyqësore të lidhej kontratë mbi qiranë me Komunën e Klinës, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratë me Komunën e Klinës dhe njëkohësisht ndërpreu përmbushjen e obligimeve financiare që i kishte në bazë të Ujdisë Gjyqësore të arritur me ndërmarrjen “NSH NT Klina”. Pas propozimit për ekzekutim të Ujdisë Gjyqësore nga ana e “NSH NT Klina”, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit lejoi ekzekutimin e Ujdisë Gjyqësore. Rrjedhimisht, në kuadër të procedurës përmbarimore parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërshtim (kundër Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit të Ujdisë Gjyqësore) mirëpo nuk kishte ofruar ndonjë dëshmi lidhur me kundërshtimin përkatës në Gjykatën Komunale. Në vijim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Komunale me kërkesa të njëjta: (i) anulimin e Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit të Ujdisë Gjyqësore, si dhe (ii) anulimin e Ujdisë Gjyqësore e lidhur mes parashtruesit të kërkesës dhe ndërmarrjes “NSH NT Klina” në Gjykatën Komunale në Klinë. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit vendosi që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pa bazuar, përkatësisht padia në këtë çështje juridike hedhet poshtë si e palejuar, për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendencës), pasiqë objekti i kontestit dhe palët në procedurë ishin të njëjta. Ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur e shqyrtoi Kolegji i Apelit të DHPGJS, si rezultat i zgjerimit të juridiksionit lëndor pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-086 për DHPGJS. Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me neni 6 të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngrit pretendime për shkelje të neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës. Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të Ligjit të Procedurës Kontestimore, pasiqë ujdinë gjyqësore e kishte nënshkruar pala që ligjërisht nuk kishte legjitimitet pasiv real. Në këtë kontekst dhe përveç tjerash parashtruesi i kërkesës theksonte se përmes vendimit të kontestuar është vepruar në kundërshtim me dispozitat e neneve 73 (pa titull), 262 [Ekzistimi i gjyqvarësisë (Litispendenca)] dhe 277 (Ndërprerja e gjykimit dhe pushimi i gjykimit) të LPK-së. Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”. Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, (shih, në këtë kontekst, sqarimin në Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së të 30 prillit 2020 për Kriteret e Pranueshmërisë; pjesën I. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat Qartazi te Pabazuara; 2."Shkalla e katërt", paragrafët 281 dhe 288), parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60). Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61). Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës. Në këtë kontest, Gjykata rikujton që në rrethanat e rastit konkret, pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me interpretimin e gabuar të LPK-së nga ana e Gjykatave të rregullta. Në esencë, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e neneve 73, 262 dhe 277 te LPK-së. Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.42/2008] të 18 majit 2017, kishte theksuar si në vijim: “Theksimet me natyre sikur, po citoi: " ... është nënshkruar nga N.T.SH e cila në bazë të nenit 73 të LPK-së, nuk mund të jetë palë në këtë marrëveshje, pasiqë nuk ka qenë e as nuk është pronare e këtij objektit të qerasë, ashtu edhe që nuk ka patur legjitimitet pasiv real", kanë ngelur vetëm arsye hipotetike ngase nuk iu afrua gjykatës as edhe një provë e vetme pasiqë nuk është pronari i objektit të marrë me qera, duke Vazhduar në theksime të natyrës sikur e citoj: “nuk është sqaruar se a është borgj shoqëror apo publik, pasi nuk është sqaruar kurrë a është pronar Komuna apo N.T.SH-ja sepse ka plotësuar: “në vitet e para pronare paraqitet Komuna me çrast edhe merr qiranë për një kohe nga qiramarrësi, kurse më vonë kontratën mbi qiranë në cilësinë e qiramarrësit e nënshkroi N.T.SH-ja dhe borgji merr karakter shoqëror, e prap me datën 05.03.2007, paraqitet Komuna pronar dhe borgji prap merr karakter publik, duke potencuar se gjykata duhet të sqaroj se a bëhet fjalë për borgj publik apo shoqëror, për kinse me akceprimin se me ligjin NR.05/2-043 Qeveria e Republikës së Kosovës deri më 31.01.2009 i ka falur borgjet e ndërmarrjeve publike, mirëpo për gjykatën e çështjes nuk është bindëse dhe e mjaftueshme vetëm të përmenden fakte, kur paditësi nuk ka arritur përkatësisht ka dështuar për t’i ofruar për pretendimet e veta provat e pranueshme e në vijimësi të kësaj përmbajtje të ligjeve, me asnjë fakt dhe asnjë provë nuk u dëshmua se paditësi ka vepruar dhe ka ndërmarrur në bazë të të njëjtave ndonjë realizim të së drejtës së vetë, por me vetë padinë, parashtresat e të autorizuarit të vetë kaotike dhe me pretendime hipotetike, me akcent të veçantë kur thirret për faljen e borgjit që duhet t'i bëhet në gjykata paditësit, nuk qëndron i realizueshëm e as i drejtë një pozicijon i tillë për shkakun se i njëjti do të kishte mundur dhe është ofruar që borgjin nga ndërmarrja shoqërore të kërkoi për t'ju falur, gjë që një gjë të tillë nuk e ka bërë, por nëse e ka bërë nuk e ka bërë të provuar në dëshmi, për q ‘gjë edhe pozicionet e tilla të paditësit sikur në padi edhe në parashtresat tjera në shkresat e lëndës nuk janë bindëse e as që patën një ndikim për një vendosje ndryshe nga që është vendosur sikur në dispozitiv të këtij aktgjykimi.” Duke adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Apelit të DHPGJS përmes Aktgjykimit [AC-II-21-0008] të 22 tetorit 2021, kishte dhënë arsyet e refuzimit të ankesës, duke theksuar si në vijim: Kolegji i Apelit konstaton se Gjykata Themelore në Pejë- Dega në Klinë ka pasur të drejtë kur ka konstatuar se në këtë rast ekziston gjyqvarësia (litis pedenca) pasi që në fakt objekti i kontestit në lëndën përmbarimore E.nr.248/07 me objektin e kontestit në lëndën C.nr.42/2008 është i njëjtë, dhe palët janë të njëjta. Andaj janë plotësuar kushtet ligjore që të konsiderohet që ky kontest është i njëjtë në bazë të Nenit 262 të LPK-së. Kolegji i Apelit vëren se AKP-ja me parashtresën e saj të dorëzuar me 21 shkurt 2017 paraqitet si përfaqësuese e NSH-se se paditur, dhe në këtë parashtresë ajo e ka informuar Gjykatën se me datë 27 qershor 2013, në bazë të vendimit të Bordit të AKP-së, NSH-ja ka hyrë në likuidim, dhe me këtë parashtresë AKP-ja ka kërkuar që të hedhet poshtë padia si e pa pranueshme. Kjo kërkesë e AKP-së nuk është adresuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së I-rë me Aktgjykimin e ankimuar. Ne këtë rast padia është paraqit me 30 janar 2008. Ndërsa NSH-ja e paditur ka hyrë në likuidim me datë 27 qershor 2013, dhe në bazë të Nenit 10.1 të Shtojcës së Ligjit të AKP-se procedura lidhur me padinë është dashtë të pezullohet, mirëpo një kërkesë e tillë nuk është parashtruar në parashtresën e AKP-se te datës 21 shkurt 2017. Kolegji i Apelit vëren se në bazë të dhënave të Zyrës së Regjistrimit, paditësi nuk ka ndonjë lëndë tjetër në pritje në DHPGJS lidhur me të njëjtën kërkesë, që do të thotë se paditësi mund të mos jetë drejtuar fare tek Autoriteti i Likuidimit të paraqes kërkesën e njëjtë, pas fillimit të procedurës së Likuidimit të NSH-së. Pavarësisht ekzistimit të këtyre rrethanave, Kolegji i Apelit konstaton se rezultati i dhënë me Aktgjykimin e ankimuar nuk ka mundësi të ndryshohet, pasi që ai është i drejte dhe i mbështetur në Ligj. Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Kolegji i Apelit të DHPGJS përmes vendimit të kontestuar kishte vërtetuar vendimet e instancave më të ulëta, në rrethanat e rastit konkret, kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke përshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave të LPK-së. Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Në këtë drejtim, për t’i shmangur keqkuptimet nga ana e parashtrueseve të kërkesës, Gjykata thekson se “drejtësia” që kërkohet përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik, dhe në parim, kjo shprehet përmes procedurës kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para Gjykatës. (Shih, KI131/19, parashtrues Sylë Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 55). Kjo më saktësisht nënkupton, se palëve përgjatë një procedure të drejtë dhe të paanshme duhet të (i) u mundësohet zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; (ii) u akordohet mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë relevante për rastin përkatës; (iii) u garantohet se të gjitha argumentet dhe dëshmitë, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit përkatës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat përkatëse; (iv) u garantohet se faktet dhe pretendimet ligjore në vendimet gjyqësore ishin shqyrtuar dhe arsyetuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, (v) u garantohet se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare. (Shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lartë, paragrafi 29; dhe KI131/19, cituar më lart, paragrafi 58). Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se ky nuk është rasti. Gjykata rithekson se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk i garantojnë askujt rezultat të favorshëm në proces gjyqësor dhe as nuk përcaktojnë që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e të drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontesti civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. (Shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI118/17 parashtrues Şani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2018, paragrafi 36; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 54; dhe KI99/19, parashtruese Persa Raičević, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafi 48). Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. (Shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21). Sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës Në vijim Gjykata gjithashtu rikujton që parashtruesi i kërkesës pretendon se në rrethanat e rastit konkret, Vendimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DHPGJS, është nxjerrë edhe në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara përmes neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës. Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht: a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih në këtë kontekst rastet e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, Vendim i 31 majit 2005; shih gjithashtu, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008); b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42). Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS, “në mënyrë arbitrare” ka shkelur të drejtat e tij individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e neneve 7 dhe 24 dhe të Kushtetutës, mirëpo i njëjti, nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38- 39). Për më tepër, Gjykata vë në pah se pretendimi për shkelje të nenit 7 të Kushtetutës mund të ngritët në mënyrë të argumentuar nga parashtruesit individual, vetëm në ndërlidhje me ndonjë të drejtë specifike të garantuar nga Kapitulli II dhe III të Kushtetutës. Prandaj, ky nen në mënyrë të pavarur nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut” (shih, rastin KI 67/16, parashtrues i kërkesës Lumturije Voca, Aktvendimi për Papranueshmëri, i 23 janarit 2017, paragrafi 128; KI172/18, parashtrues Arbër Kryeziu, pronar i “Al-Petrol” Sh.p.k, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2020, paragrafi 65). Gjykata, në këtë aspekt, rikujton që ajo tashmë ka një praktikë shumë të konsoliduar përmes të cilës vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. (Shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës KI02/18, parashtruese Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31). Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës përtej referimit neneve të caktuara të Kushtetutës, nuk ka arsyetuar në mënyrë të qartë dhe adekuate se si mund të jenë cenuar këto nene përmes Vendimit të kontestuar. Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Përfundim Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. PËR KËTO ARSYE Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 20 të Ligjit dhe të rregullit 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 12 tetor 2022, njëzëri: VENDOS I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme; II. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve; III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë. Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Bekim Marmullaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile