KI235/21, Parashtrues: Bekim Marmullaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-21-0008, të 22 tetorit 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, litispendenca (gjyqvarësia)
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me borxhin lidhur me qiranë e lokalit afarist që parashtruesi i kërkesës e kishte marrë fillimisht nga “NSH NT Klina”, përmes Ujdisë Gjyqësore. Pas pranimit të njoftimit nga Komuna e Klinës ku kërkohej që për të njëjtin lokal që ishte objekt i Ujdisë Gjyqësore të lidhej kontratë mbi qiranë me Komunën e Klinës, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratë me Komunën e Klinës dhe njëkohësisht ndërpreu përmbushjen e obligimeve financiare që i kishte në bazë të Ujdisë Gjyqësore të arritur me ndërmarrjen “NSH NT Klina”. Pas propozimit për ekzekutim të Ujdisë Gjyqësore nga ana e “NSH NT Klina”, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit lejoi ekzekutimin e Ujdisë Gjyqësore. Rrjedhimisht, në kuadër të procedurës përmbarimore parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kundërshtim (kundër Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit të Ujdisë Gjyqësore) mirëpo nuk kishte ofruar ndonjë dëshmi lidhur me kundërshtimin përkatës në Gjykatën Komunale. Në vijim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Komunale me kërkesa të njëjta: (i) anulimin e Aktvendimit për lejimin e ekzekutimit të Ujdisë Gjyqësore, si dhe (ii) anulimin e Ujdisë Gjyqësore e lidhur mes parashtruesit të kërkesës dhe ndërmarrjes “NSH NT Klina” në Gjykatën Komunale në Klinë. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit vendosi që kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pa bazuar, përkatësisht padia në këtë çështje juridike hedhet poshtë si e palejuar, për shkak të ekzistimit të gjyqëvarësisë (litispendencës), pasiqë objekti i kontestit dhe palët në procedurë ishin të njëjta. Ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur e shqyrtoi Kolegji i Apelit të DHPGJS, si rezultat i zgjerimit të juridiksionit lëndor pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-086 për DHPGJS. Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke ngritur pretendime që ndërlidhen me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me neni 6 të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ngrit pretendime për shkelje të neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës.
Në këtë drejtim, (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 7 dhe 24 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bekim Marmullaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile