Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2344/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI113/23
Parashtrues
Slađan Trajković
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml. nr. 167/2023], të 25 prillit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SE KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Slađan Trajkovič, i cili gjendet në qendrën për paraburgim në Mitrovicë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), dhe i cili para Gjykatës përfaqësohet nga Dejan Vasič, avokat nga Mitrovica.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 167/2023], të 25 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) përmes së cilit ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar nga parashtruesi kundër Aktvendimit [PN.1.S. nr. 49/2023], të 27 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit si dhe Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022], të 15 marsit 2023, të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 7 [Vlerat], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023 u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 1 qershor 2023, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më 29 maj 2023.
Më 8 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJSH. KI113/23] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 13 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje të kërkesës së parashtruesit ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 8 shtator 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë për regjistrimin e rastit dhe kërkoi nga kjo e fundit që të dorëzon në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 14 shtator 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 23 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Përmbledhja e fakteve lidhur me procedurën për caktimin e paraburgimit
Nga shkresat e rastit rezulton se më 15 dhjetor 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Speciale) ka autorizuar Policinë e Kosovës lidhur me zhvillimin e hetimeve dhe sigurimin e provave ligjore kundër parashtruesit të kërkesës, të cilat janë objekt i këtij hetimi. Parashtruesi i kërkesës ndodhet në paraburgim që nga 15 dhjetori 2022.
Më 16 dhjetor 2022, Prokuroria Speciale filloi veprimet hetimore ndaj parashtruesit të kërkesës, me dyshimin e bazuar se ky i fundit kishte kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, të parapara edhe nga paragrafi 1 i nenit 143 (Krimet kundër njerëzimit) si dhe paragrafi 1, nënparagrafët 1.4, 1.6 dhe 1.7 të nenit 31 (Bashkëkryerja) të Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK); krime të luftës me shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 i KPRK-së, krime të luftës me shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët me katër Konventat e Gjenevës nga nenet 145 dhe 146 të KPRK-së dhe Organizimi i një grupi për të kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, neni 154, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.
Në të njëjtë ditë, respektivisht më 16 dhjetor 2022, Prokuroria Speciale nëpërmjet kërkesës [PPS. nr. 205/09] drejtuar Gjykatës Themelore, kërkoi caktimin e paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se ekziston dyshim i bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale të cekura më lart.
Më 17 dhjetor 2022, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] caktoi paraburgimin në kohëzgjatje prej një (1) muaj ndaj parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se ekziston dyshim i bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale të cekura më lart.
Në një datë të paspecifikuar parashtruesi i kërkesës parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të shkallës së parë për caktim të paraburgimit, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 29 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.1.S. nr. 187/2022] e refuzoi ankesën e parashtruesit dhe e vërtetoi Aktvendimin [PPPS. nr. 64/2022] e 17 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore.
Përmbledhja e fakteve lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit për herë të parë
Më 11 janar 2023, Prokuroria Speciale, përmes kërkesës [PPS. nr. 205/2009] kërkoi nga Gjykata Themelore vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj parashtruesit të kërkesës duke theksuar se Prokuroria Speciale është në fazën e marrjes së deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve. Prokuroria Speciale në kërkesën e saj thekson se “kjo çështje penale-juridike ka prova të mjaftueshme me të cilat dëshmohet dyshimi i bazuar se i pandehuri mund të ketë kryer veprën penale për të cilën gjendet nën hetim dhe nën masën e sigurisë”.
Më 13 janar 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] vazhdoi masën e paraburgimit edhe për dy (2) muaj kundër parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës në periudhën kohore 1998-1999 ka shkelur rëndë “rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër personave civile”. Gjykata Themelore tutje në arsyetim theksoi se parashtruesi i kërkesës po të gjendet në liri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale kundër tij dhe se i njëjti duke marrë parasysh se “ka shtetësinë e Serbisë si dhe kemi nivelin e ulët të bashkëpunimit me Serbinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, mundësia që parashtruesi të arratiset është e madhe.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës penale, si dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 24 janar 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.1.S. nr. 14/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën dhe e vërtetoi vendimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të njëjtin si të drejtë dhe të ligjshëm.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Më 20 shkurt 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [PML. nr. 2023] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj theksoi se në rastin konkret ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform nënparagrafit 1.1 të paragrafit 1 të nenit 184 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK)
Përmbledhja e fakteve lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit për herë të dytë
Më 10 mars 2023, Prokuroria Speciale parashtroi kërkesën [PPS. nr. 205/09] në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy (2) muaj ndaj parashtruesit të kërkesës. Prokuroria Speciale në arsyetim të kërkesës së saj për vazhdim të masës së paraburgimit theksoi se përgjatë procesit hetimorë janë intervistuar mbi 30 dëshmitarë dhe viktima, si dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për përshpejtim të hetimeve. Lidhur me arsyen e zgjatjes së paraburgimit, Prokuroria Speciale thekson se përveç provave të paraqitura në fazën e caktimit të paraburgimit, nga hetimet janë zbuluar edhe prova të reja të cilat sipas Prokurorisë Speciale “përforcojnë dyshimin e arsyeshëm se i pandehuri ka marrë pjesë dhe ka kryer veprat penale gjatë luftës në Kosovë, i cili është objekt i këtij hetimi”. Gjithashtu Prokuroria Speciale, përgjatë arsyetimit thekson se sipas Raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë të titulluar “Pasqyrë e Krimeve të Luftës në Kosovë 1999-2018” në 8 raste, të akuzuarit kanë ikur nga procedura penale e zhvilluar kundër tyre.
Më 13 mars 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi përgjigje në Gjykatën Themelore në kërkesën e lartpërmendur të Prokurorisë Speciale, duke e kundërshtuar të njëjtën në të gjitha pikat.
Më 13 mars 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] vendosi për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, respektivisht nga 15 marsi 2023 deri më 15 maj 2023. Gjykata Themelore në aktvendimin e saj arsyetoi si në vijim:
“Është vërtetuar dyshimi se i pandehuri Sllagjan Trajkoviq, në periudhën kohore 1998-1999, më saktë më 04.06.1999, në fshatin Reznik, komuna e Vushtrrisë, personalisht dhe së bashku me persona të tjerë ende të panjohur, si pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës kundër personave dhe pronës civile, veçanërisht neni 3, paragrafi 1, pika (a), (b) dhe (c) e përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe Protokollet Shtesë, në mënyrë të tillë që:... i pandehuri më datë 6. prill 1999, mori pjesë në ofensivën ushtarake në fshatin Reznik, komuna e Vushtrrisë, si dhe në ofensivën në qytetin e Vushtrrisë më datë 2 maj 1999 vit, në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në periudhën e luftës në Kosovë, gjegjësisht më 6 prill 1999, gjatë një operacioni të mirë organizuar, fillimisht kanë shkuar në shtëpinë e [Sh.Z], të cilën policia dhe ushtria e Serbisë e kanë përdorur si shtab, dhe prej aty kanë marrë urdhër nga i dyshuari Z.K., dhe pas 20 minutash kanë filluar të zbatojnë urdhrat duke plaçkitur, djegur shtëpi dhe vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik...”.
“I pandehuri Sllagjan Trajkoviq, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, të paidentifikuar tani për tani, me uniformat e policisë dhe ushtrisë së Serbisë në Vushtrri, gjatë luftës në Kosovë, gjegjësisht më datë 02.05.1999, me dhunë i dërguan rreth 20.000 (njëzet mijë) civilë, banorë të Vushtrrisë në varrezat e qytetit, dhe aty i pandehuri Sllagjan Trajkoviq keqtrajtoi, rrahu dhe torturoi civilët që ishin mbledhur në varrezat e qytetit”.
“Gjykata vëren se kriteret nga neni 188 në lidhje me nenin 184, paragrafi 1, nën paragrafi 2.2, pika 1.2.2 i Kodit Penal, janë plotësuar për shkak të mundësisë që të fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e një krimi për veprën penale, si dhe pengimin e rrjedhës së procedurës penale që prek dëshmitarët të cilët ende nuk janë dëgjuar dhe kanë qenë në vendin e ngjarjes”.
Gjykata Themelore tutje në arsyetim theksoi se parashtruesi i kërkesës po të gjendet në liri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale kundër tij dhe se i njëjti duke marrë parasysh “se ka shtetësinë e Serbisë si dhe kemi nivelin e ulët të bashkëpunimit me Serbinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar” mundësia që parashtruesi të arratiset është e madhe.
Më 15 mars 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës penale si dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike. Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Themelore me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit, përmend edhe një vepër penale të cilën sipas tij nuk është propozuar nga Prokuroria Speciale. Në mënyrë specifike parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat për të njëjtën vepër penale kanë dhënë masa më të buta për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procese penale. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij nuk ekziston rreziku i ikjes nga procesi penal, duke përmendur edhe detyrimin e shtetit të Serbisë ndaj EULEX-it për ekstradimin e qytetarëve sa herë që kërkohet.
Më 27 mars 2023, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [PN.l.S. nr. 49/2023] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi së pari se në rastin konkret Prokuroria Speciale ka marrë vendim për zgjerimin e hetimeve në bazë të nën paragrafit 1.1 të paragrafit 1 të nenit 187 të KPPRK-së, për kryerjen e veprave penale për të cilat është ngarkuar nga Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktim të paraburgimit. Gjykata e Apelit tutje ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka konstatuar drejtë se meqenëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale të lartpërmendur, ekziston bazë ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit sepse ekzistojnë arsyet për të besuar se nëse i pandehuri do të lirohej, ai mund të ndërhynte në rrjedhën normale të procedurës penale duke shmangur procedimin penal ndaj tij.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore. Parashtruesi pretendon se të gjitha pretendimet ankimore, nuk ishin marrë parasysh dhe as nuk ishin adresuar fare nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi për më tepër pretendon se kualifikimi i veprës penale dallon nga kualifikimi i bërë nga Prokuroria Speciale dhe sipas tij gjykatat e rregullta kanë shtuar edhe një vepër penale kundër parashtruesit të kërkesës. Për më tepër, në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë parashtruesi i kërkesës thekson se “në praktikën e gjykatave në Kosovë ka shumë raste të QYTETAREVE KOSOVAR të cilëve u është lejuar të mbrohen nga liria me caktim eventual të arrestit shtëpiak”. Parashtruesi për më tepër pretendon se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo është një nga arsyet që pretendon se duhet të mbrohet në liri.
Më 25 prill 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [PML. nr. 167/2023]e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Kjo gjykatë vlerëson se ekziston një bazë ligjore për zgjatjen e paraburgimit në përputhje me nenin. 184 par. 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2 i KPP-së, sepse me lirimin e të pandehurit ekziston rreziku i fshehjes apo ikjes me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh se veprat penale për të cilat akuzohet i pandehuri janë të natyrës së rëndë dhe për të cilat janë paraparë dënime të larta, e sidomos fakti që i pandehuri, siç ka deklaruar vetë në seancë, ka shtetësi serbe, është frikë e dukshme nga arratisja apo fshehja e të pandehurit, e cila do të pengonte zhvillimin e duhur të procedurës penale. Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit ekziston edhe në pajtim me nenin. 184 para. 1, nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2. KPP-së, sepse me lirimin e të pandehurit, duke pasur parasysh natyrën e rëndë të veprave penale, ekziston rreziku që ai të fshehët, ndryshojë ose falsifikojë provat ose të ndikojë tek dëshmitarët që ende nuk janë dëgjuar dhe që kanë qenë në vendin e ngjarjes, si bashkëpunëtorë, gjë që do të pengonte zhvillimin normal të procedimit penal”.
Përmbledhja e fakteve lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit për herë të tretë [Shënim i Gjykatës: procedura lidhur me vazhdimin e paraburgimit për herë të tretë si dhe procedura lidhur me ngritjen e Aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesës, të reflektuara më poshtë, nuk kontestohen në Gjykatë nga parashtruesi i kërkesë]
Më 15 maj 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPPS. Nr.64/2022], pas kërkesës së Prokurorisë Speciale kishte caktuar masën e paraburgimit edhe për dy (2) muaj ndaj parashtruesit të kërkesës.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 22 maj 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.1.S. nr. 79/2023] i) pranoi ankesën e parashtruesit dhe çështjen e ktheu në rivendosje në shkallë të parë; ii) ndaj parashtruesit mbetet në fuqi masa e paraburgimit deri në vendim të ri të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e Apeli në arsyetim të aktvendimit theksoi se “aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë në drejtim të ekzistimit të dyshimit të bazuar konform nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, nuk është i drejtë dhe i ligjshëm ngase arsyetimi i aktvendimit të ankimuar nuk janë arsyetuar rrethanat që ekziston dyshimi i bazuar”.
Më 24 maj 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022], duke vepruar në rigjykim kishte caktuar masën e paraburgimit edhe për dy (2) muaj ndaj parashtruesit të kërkesës duke theksuar se bazuar në provat të cilat janë në rastin konkret ekzistonte dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 5 qershor 2023, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [PN.1.S. nr. 93/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë. Gjykata e Apelit në arsyetim të vendimit të saj vlerësoi se gjykata e shkallës së parë drejt ka zbatuar dispozitat ligjore dhe se gjendja faktike është vërtetuar drejtë. Gjykata e Apelit vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet dhe se po të gjendej në liri do të pengonte zhvillimin e procedurës penale si dhe ekziston rreziku i fshehjes së provave dhe rreziku i ikjes.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Më 12 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [PML. nr. 325/2023] e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke i vlerësuar si të drejta dhe të ligjshme vendimet e instancave më të ulëta.
Përmbledhja e fakteve pas ngritjes së Aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesë
Më 12 korrik 2023, Prokuroria Speciale kishte ngritur Aktakuzën [PPS. nr. 205/09] kundër parashtruesit nën dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, e paraparë edhe me paragrafin 1, nënparagrafët 1.4, 1.6 dhe 1.7 të nenit 143 të KPRK-së.
Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për vazhdim të paraburgimit, më 13 shtator 2023, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PS. nr. 32/2023] ia vazhdoi edhe për dy muaj paraburgimin parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore në aktvendimin e saj theksoi se i) është plotësuar kushti i përgjithshëm për vazhdimin e masës së paraburgimit e që është ekzistimi i dyshimit të bazuar se i njëjtat ka kryer veprat penale që i vihen barrë; ii) se parashtruesi i kërkesës po të gjendet në liri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale kundër tij duke ndikuar në dëshmitarë; dhe iii) duke marrë parasysh faktin se i pandehuri ka shtetësinë e Serbisë, Kosova ka nivelin e ulët të bashkëpunimit me Serbinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe mundësia që parashtruesit të arratiset është e madhe.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës penale, si dhe konstatim të gabuar të gjendjes faktike.
Më 27 korrik 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.1.S. nr. 141/2023] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit. Gjykata e Apelit tutje ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka konstatuar drejtë se meqenëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale të lartpërmendur, ekziston bazë ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit sepse ekzistojnë arsyet për të besuar se nëse i pandehuri do të lirohej, ai mund të ndërhynte në rrjedhën normale të procedurës penale duke shmangur procedimin penal ndaj tij.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 7 [Vlerat], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 [E drejta për liri dhe siguri] të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Qëllimi i kësaj procedure nga ana e mbrojtjes ishte: të ngulmoj deri në fund në përcaktimin e akuzave të cilat i vihen në barë klientit tim, si dhe paraqitjen e provave mbi të cilat bazohet dyshimi, siç parashikohet në nenin 19, paragrafi 1, pika 1.19. KPRK-së, e cila bazohet në nenin 29, paragrafi 1, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 31, paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 5, paragrafi 1, pika “e” të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo kërkesë bazohet në qëndrimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “vetëm me nxjerrjen e vendimit të arsyetuar mund të ketë mbikëqyrje publike të administrimit të drejtësisë”.
Më tej, parashtruesi i kërkesës thekson se Aktvendimi i Gjykatës Themelore lidhur me rrezikun e arratisjes i diskriminon pjesëtarët e komunitetit serb, duke pasur parasysh se ata gjithmonë ballafaqohen me shtetësi të dyfishtë. Në ndërlidhje me këtë parashtruesi i kërkesës thekson se “Dua të theksoj se të gjithë banorët e Kosovës që kanë lindur para luftës kanë të njëjtin lloj shtetësie të dyfishtë, por vetëm pjesëtarëve të komunitetit serb e perceptojnë këtë si arsye për ekzistimin e rrezikut të ikjes. I dyshuari është banor i Kosovës, jeta e të cilit mund të jetë shembull i vërtetë i bashkëjetesës dhe respektit ndëretnik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.
Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se Prokuroria Speciale në rastin konkret duhet ta mbështesë me prova konkrete çështjen e dyshimit të bazuar. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre.
Për më tepër parashtruesi i kërkesës pretendon se “Kryerja e hetimit grumbullimi i provave në kundërshtim me nenin 61 paragrafi 3 të KPPRK-së gjegjësisht lejimi i Prokurorisë Speciale që të kryej veprime hetimore pa praninë e mbrojtjes duke i vlerësuar provat e marra në këtë mënyrë si bazë e dyshimit”.
Në fund parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata si në vijim: Anulohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special numër PPPS. nr. 64/22, i datës 13.03.2023, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës numër PN.1.S. nr. 49/23, datë 27.03.2023, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës numër PML. nr. 167/2023, i datës 25.04.2023, për shkak të shkeljes së nenit 7 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 29 paragrafit 1 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 5 paragrafi 1 pika “e” Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
[...]
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
Neni 5
(E drejta për liri dhe siguri)
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj: a. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente; b. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji; c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj; d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor; e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve; f. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.
Kodi NR. 08/L-032 i Procedurës Penale
Neni 61
Të drejtat e mbrojtësit si përfaqësues i të pandehurit
1. Mbrojtësi gëzon të drejta të njëjta që ia njeh ligji edhe të pandehurit, përveç atyre që shprehimisht i rezervohen të pandehurit personalisht.
2. Mbrojtësi ka të drejtë të komunikojë lirisht me të pandehurin gojarisht ose me shkrim sipas kushteve që garantojnë fshehtësinë.
3. Mbrojtësi ka të drejtë të njoftohet me kohë për vendin dhe kohën e zbatimit të veprimeve hetimore, të marrë pjesë në to dhe të shikojë shkresat dhe provat e çështjes në pajtim me këtë Kodi.
J
Neni 182
Paraburgimi
1. Paraburgimi mund të caktohet vetëm nën kushtet dhe në pajtim me procedurat e parapara me këtë Kod.
2. Paraburgimi duhet të reduktohet në kohën sa më të shkurtër të mundshme. Kur i pandehuri mbahet në paraburgim, të gjitha organet që marrin pjesë në procedurën penale dhe organet që ofrojnë ndihmën juridike detyrohen të veprojnë me nguti të posaçme.
3. Paraburgimi hiqet dhe i paraburgosuri lirohet në çdo fazë të procedurës posa të pushojnë shkaqet e caktimit të tij.
[...]
Neni 184
Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit
1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
1.2. përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:
1.2.1. kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
1.2.2. kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
1.3. masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 171 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
[...]
Neni 188
Vazhdimi i paraburgimit
1. Paraburgimi mund të vazhdohet vetëm nga gjyqtari i procedurës paraprake, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, i cili tregon se ka bazë për paraburgim nga neni 184 i këtij Kodi, se ka filluar hetimi dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme për të përshpejtuar zbatimin e hetimit. I dëmtuari apo mbrojtësi i viktimave mund të kërkojë nga prokurori i shtetit që të kërkojë vazhdimin e paraburgimit. Prokurori i shtetit ia dorëzon gjykatës kërkesën për vazhdimin e paraburgimit jo më vonë se pesë (5) ditë para skadimit të paraburgimit të caktuar me aktvendimin e fundit.
[...]
Kodi Nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës
Neni 144
Krimet e luftës në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës
1. Kushdo që shkel rëndë Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949, dënohet me:
1.1. burgim prej së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm, për veprat nga nënparagrafët 2.4., 2.5., 2.6., 2.7. ose 8. të paragrafit 2. të këtij neni; ose
1.2. burgim prej së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm, për veprat nga nën-paragrafët 2.1, 2.2 ose 2.3 të paragrafit 2. të këtij neni.
2. Shkelje e rëndë e Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 do të thotë një apo më shumë prej veprimeve vijuese të kryera gjatë kohës së luftës apo konfliktit të armatosur kundër personave ose pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse të Konventave të Gjenevës:
2.1. vrasja me qëllim; 2.2. tortura ose trajtimi çnjerëzor, duke përfshirë eksperimentet biologjike;
[...]
Neni 145
Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktin e armatosur ndërkombëtar
Kushdo që shkel rëndë ligjet dhe zakonet që zbatohen në konfliktet e armatosura ndërkombëtare, brenda kornizës së përcaktuar të së drejtës ndërkombëtare, dënohet me:
1.1. burgim prej së paku pesë (5) vjet ose me burgim të përjetshëm, për veprat nga nën paragrafët 2.9, 2.13, 2.14, 2.15, 2.16, 2.26, 2.29, 2.30 ose 2.31 të paragrafit 2. të këtij neni; ose 1.2. burgim prej së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm, për veprat nga nënparagrafët 2.1, 2.2, 2.3, 2.4, 2.5, 2.6, 2.7, 2.8, 2.10, 2.11, 2.12, 2.17, 2.18, 2.19, 2.20, 2.21, 2.22, 2.23, 2.24, 2.25, 2.27 ose 2.28 të paragrafit 2. të këtij neni.
2. Shkelja e rëndë e ligjeve dhe e zakoneve që zbatohen për konfliktet e armatosura ndërkombëtare, brenda kornizës së përcaktuar të së drejtës ndërkombëtare, nënkupton një ose më shumë nga veprimet vijuese:
2.1. sulmet e drejtuara me qëllim kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt;
[...]
Neni 146
Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës
1. Kushdo që shkel rëndë nenin 3, që është i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949, dënohet me burgim së paku pesë (5) vjet ose me burgim të përjetshëm.
2. Shkelje e rëndë e nenit 3, të përbashkët për të katër Konventat e Gjenevës të 12 Gushtit 1949, do të thotë një ose më shumë nga veprat e mëposhtme të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jo të një karakteri ndërkombëtar kundër personave që nuk marrin pjesë aktive në armiqësi, duke përfshirë edhe pjesëtarët e forcave të armatosura që i kanë dorëzuar armët dhe që nuk janë në gjendje të luftojnë për shkak të sëmundjes, plagëve, ndalimit ose për ndonjë shkak tjetër:
2.1. dhuna ndaj jetës dhe personit, në veçanti vrasja e çdo lloji, gjymtimi, trajtimi mizor dhe tortura;
2.2. kryerja e akteve fyese ndaj dinjitetit të personit, në veçanti poshtërimi dhe trajtimi nënçmues;
2.3. marrja e pengjeve;
2.4. shqiptimi i dënimeve dhe kryerja e ekzekutimeve pa aktgjykime paraprake të shpallura nga një gjykatë e rregullt që ofron të gjitha garancitë gjyqësore të cilat përgjithësisht njihen si të domosdoshme.
3. Ky nen zbatohet për konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar dhe nuk zbatohet për situatat e çrregullimeve dhe tensioneve të brendshme, siç janë trazirat, veprat sporadike dhe të izoluara të dhunës ose vepra të tjera të natyrës së ngjashme.
Neni 154
Organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës
Kushdo që organizon një grup me qëllim të kryerjes së ndonjë prej veprave penale nga nenet 142-150 të këtij Kodi, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
2. Kushdo që bëhet anëtar i grupit nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
3. Anëtari i grupit nga paragrafi 1. i këtij neni që e paraqet grupin para se të ketë kryer vepër penale, dënohet me burgim deri në tri (3) vjet ose mund të lirohet nga dënimi.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 167/2023] e 25 prillit 2023 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë], që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk e mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata së pari rikujton se esenca e këtij rasti ndërlidhet fillimisht me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga neni 142 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, të parapara edhe në KPRK; krime të luftës me shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës, nga neni 144 i KPRK-së, krime të luftës me shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët me katër Konventat e Gjenevës nga nenet 145 dhe 146 të KPRK-së dhe Organizimi i një grupi për të kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës nga neni 154, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së. Kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktim të paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ishte miratuar nga Gjykata Themelore me arsyetimin se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafin 1, nën paragrafët 1.1 dhe 1.2, pikën 1.2.1 pikën 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPPRK-së, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat dyshon Prokuroria Speciale. Aktvendimi i Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.
Më pas, Prokuroria Speciale kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e paraburgimit të parapara sipas nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) të KPPRK-së, ndër të tjera, se i) ekzistonte dyshimi i bazuar se parashtruesi kishte kryer veprën penale për të cilën dyshohej; ii) ekzistonte rreziku se i njëjti po të gjendej në liri do të mund të arratisej marrë parasysh natyrën e veprës penale për të cilën dyshohej. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, i cili e kundërshtonte Aktvendimin e shkallës së parë në të gjitha pikat, kjo e fundit e refuzoi në tërësi ankesën, duke e mbështetur vendimin e shkallës së parë. Më pas, vendimi i Gjykatës së Apelit, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ishte miratuar edhe nga Gjykata Supreme.
Gjykata në vijim sqaron se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston konstatimet e mësipërme të gjykatave të rregullta, në mënyrë specifike procedurën që ndërlidhet me vazhdimin për herë të dytë të masës së paraburgimit, respektivisht Aktgjykimin [Pml. nr. 167/2023] e 25 prillit 2023 të Gjykatës Supreme, përmes së cilit ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar nga parashtruesi kundër Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] të 15 marsit 2023 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimit [PN.1.S. nr. 49/2023] të 27 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes këtyre të fundit, specifikisht përmes vendimeve me të cilët i është vazhduar masa e paraburgimit, i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 7 [Vlerat], nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 [E drejta për liri dhe siguri] të KEDNJ-së,
Prokuroria Speciale pas kalimit të periudhës së lartcekur me të cilën i ishte vazhduar paraburgimi parashtruesit të kërkesës i ishte drejtuar edhe dy herë me kërkesë Gjykatës Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit. Tutje, rezulton se Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës. Gjykata edhe një herë rikujton se para Gjykatës nuk kontestohen vendimet që ndërlidhen me vazhdimin e paraburgimit për herë të tretë si dhe procedura lidhur me ngritjen e aktakuzës.
Në vijim, Gjykata do të fokusohet në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me vendimet e lartpërmendura, përkatësisht me procedurën për vazhdimin e paraburgimit për herë të dytë.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës në ndërlidhje me vendimet e lartpërmendura para Gjykatës ngritë pretendimet specifike si në vijim: në kuadër të nenit 29 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 të KEDNJ-së, (i) pretendimin se vendimet gjyqësore që ndërlidhen me masën e caktimit të paraburgimit dhe vazhdimin e tij, si dhe rrezikun e arratisjes nuk janë mjaftueshëm të arsyetuara; në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së (ii) pretendiminse hetimi dhe grumbullimi i provave sipas parashtruesit është në kundërshtim me paragrafin 3, nenin 61 (Të drejtat e mbrojtësit si përfaqësues i të pandehurit) të KPPRK-së, sepse sipas tij Prokurorisë Speciale i është lejuar që të kryejë veprime hetimore pa praninë e mbrojtjes.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për mosarsyetim të vendimit gjyqësor
Rrjedhimisht, Gjykata në vijim do të shqyrtojë dhe elaborojë nëse vendimet e kontestuara përmes të cilave është vazhduar paraburgimi ndaj parashtruesit të kërkesës kanë adresuar pretendimet thelbësore të tij.
Thënë këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston ligjshmërinë e vazhdimit të masës së paraburgimit kundër tij, respektivisht Aktgjykimin [Pml. nr. 167/2023] e 25 prillit 2023 të Gjykatës Supreme, përmes së cilit ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar nga parashtruesi kundër Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] të 15 marsit 2023 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimit [PN.1.S. nr. 49/2023] të 27 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit
Në vijim të kësaj, Gjykata vë në pah se pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës do t’i shqyrtojë në kontekst të së drejtës së tij për liri dhe siguri, të garantuar me nenin 29 [E Drejta për Liri dhe Siguri) të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së. Në kuptim të kësaj, Gjykata thekson se të drejtat dhe standardet që duhet garantuar në rastin e privimit nga liria janë interpretuar gjerësisht nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) përmes praktikës së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën, Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, Gjykata i referohet parimeve dhe standardeve të përcaktuara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me caktimin e paraburgimit.
(i) Kriteret e përcaktuara lidhur me caktimin e paraburgimit
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, arrestimi ose heqja e lirisë duhet të bazohet në një nga arsyet për heqjen e lirisë të parapara në nenin 29, paragrafin 1 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Gjykata fillimisht rikujton nenin 29, paragrafin 1, pikën 2 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës që përcaktojnë:
Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
[...]
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
[...].”
Së dyti, Gjykata po ashtu i referohet nenit 5. 1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së i cili përcakton që:
“Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
[...]c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj”.
Gjykata vëren se në bazë të nenit 29, paragrafit 1, pikës 2 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe nenit 5. 1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, privimi i lirisë mund të bëhet në rast të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, dhe kur një gjë e tillë konsiderohet e domosdoshme për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale ose largimin pas kryerjes se saj (shih rastet e Gjykatës KI85/22, parashtrues Jadran Kostić, Aktgjykim i 26 prillit 2023, paragrafi 68; dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, Aktgjykim i 8 tetorit 2019, paragrafi 65).
Prandaj, Gjykata thekson që për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, caktimi i paraburgimit, duhet të ketë mbështetje në njërën nga bazat për privimin e lirisë të përcaktuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri), paragrafin 1 (c) të KEDNJ-së.
GJENDJ-ja, në praktikën e saj gjyqësore, ka përcaktuar tri kritere themelore, që duhet ekzaminuar për të vlerësuar nëse privimi i lirisë është i ligjshëm dhe joarbitrar (shih rastin e GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 183, shih rastet e Gjykatës KI85/22, parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 70; dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, të cituar më lart, paragrafi 67).
Së pari, duhet të ekzistojë “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale (shih rastin e GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, cituar më lart, paragrafi 184). Së dyti, qëllimi i privimit të lirisë “është që në parim duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale” (shih rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, Aktvendim për Papranueshmëri i 16 nëntorit 2017, paragrafi 57 dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, cituar më lart, paragrafi 68; KI85/22 parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 71; shih po ashtu rastin e GJEDNJ-së Ostendorf kundër Gjermanisë, nr. 15598/08, Aktgjykim i 7 marsit 2013, paragrafi 68), dhe që për me tepër, duhet të jetë proporcional në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm “për të siguruar paraqitjen e personit të afektuar para autoriteteve kompetente përkatëse” (shih rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, cituar më lart, paragrafi 57, shih po ashtu rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 185). Së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj (shih rastet e lartcekura të Gjykatës KI85/22, parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 71; KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, cituar më lart, paragrafi 68 dhe rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 186).
(ii) Parimet e përgjithshme në lidhje me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit
Fillimisht, Gjykata thekson se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës objekt i shqyrtimit janë vendimet për vazhdimin e paraburgimit për herën e parë dhe të dytë.
Në këtë rast, Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, i cili përcakton se “Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit”.
Përderisa paragrafi 4 i nenit 5 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të KEDNJ-së përcakton se “Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm”.
Fakti që Gjykata nuk ka konstatuar shkelje të kërkesës së nenit 29.1.2 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 5 nuk e përjashton atë nga detyrimi për të shqyrtuar dhe elaboruar edhe pajtueshmërinë e paraburgimit me paragrafin 4 të nenit 29 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së (shih në mënyrë të ngjashme rastin KI85/22, me parashtrues Jadran Kostic, i cituar më lart, paragrafi 76 dhe rastin e GJEDNJ-së Douiyeb kundër Holandës, nr. 31464/96, Aktgjykim i 4 gushtit 1999, paragrafi 57).
Gjykata, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, thekson se paragrafi 4 i nenit 29 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së përcakton që çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar nga gjykata që të shqyrtojë kërkesat procedurale dhe ato përmbajtjesore e që janë thelbësore për “ligjshmërinë” e heqjes së lirisë ndaj tij në kuptimin e nenit 29.1.2 të Kushtetutës dhe nenit 5, paragrafit 1 të KEDNJ-së (shih rastin KI85/22 me parashtrues Jadran Kostic, i cituar më lart, paragrafi 77 dhe referencat e rasteve të GJEDNJ-së të përdoruar në këtë rast si Idalov kundër Rusisë, nr. 5826/03, Aktgjykim i 22 majit 2012k paragrafi 161; Reinprecht kundër Austrisë, nr. 67175/01, Aktgjykim i 15 nëntorit 2005, paragrafi 31).
Nocioni i “ligjshmërisë” në kuptimin e nenit 5, paragrafit 4 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së ka të njëjtin kuptim si ai i nenit 5, paragrafit 1 (E drejta për liri dhe siguri) aq sa çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e arrestimit të tij jo vetëm në dritën e kërkesave të së drejtës së brendshme, por edhe në atë të KEDNJ-së, të parimeve themelore që përcaktohen aty dhe të qëllimit të kufizimeve të lejuara nga neni 5, paragrafi 1 i KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Suso Musa kundër Maltës, nr. 42337/12, Aktgjykim i 23 korrikut 2013, paragrafit 50).
GJEDNJ ka specifikuar se për të përmbushur kërkesat e KEDNJ-së, shqyrtimi nga ana e gjykatës vendore duhet të jetë në pajtueshmëri si me rregullat përmbajtjesore ashtu edhe ato procedurale të legjislacionit vendor dhe të zhvillohet në pajtim me qëllimin e nenit 5 të KEDNJ-së, përkatësisht mbrojtjen e individit nga arbitraritetit (shih në këtë kontekst rastin e GJEDNJ-së Koendjbiharie kundër Holandës, nr. 11487/85, Aktgjykim i 25 tetorit 1990, paragrafi 27).
Në lidhje me këtë dhe në pajtim me parimet e zhvilluara nga GJEDNJ, arsyetimi i vendimit të gjykatave për vazhdimin e paraburgimit në pritje të dënimit duhet të jetë gjithnjë evident, përkatësisht të jetë një arsyetim i detajuar dhe i bazuar në të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit. Në këtë kontekst, GJEDNJ në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar se “vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar, mund të ketë një kontroll publik të administrimit të drejtësisë” (shih rastet e GJEDNJ-së Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003, paragrafi 37, Tase kundër Rumanisë, nr. 29761/02, Aktgjykimi i 10 qershorit 2008, paragrafi 41).
(iii) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës
Në vijim, bazuar në shpjegimin e mësipërm të parimeve kryesore të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës ka dëshmuar dhe mbështetur mjaftueshëm pretendimet për shkeljen e garancive procedurale të përcaktuara në Kushtetutë dhe KEDNJ lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij.
Duke u bazuar në parimet e lartcekura, Gjykata vëren që paraburgimi në rastin konkret, është i bazuar në nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të KEDNJ-së. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vazhdimi i paraburgimit të tij, respektivisht seti i dytë i procedurave me të cilat i është vazhduar paraburgimi, është në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, sepse sipas tij i) gjykatat e rregullta nuk kanë adresuar dhe mbështetur në prova “dyshimin e bazuar” se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale.
Së pari Gjykata rikujton se Prokuroria Speciale në kërkesën e saj të datës 11 janar 2023 (respektivisht kërkesa e parë për vazhdim të paraburgimit) si dhe në kërkesën e 10 marsit 2023 (kërkesa e dytë për vazhdim të paraburgimit) drejtuar Gjykatës Themelore, kishte theksuar se “kjo çështje penale-juridike ka prova të mjaftueshme me të cilat dëshmohet dyshimi i bazuar se i pandehuri mund të ketë kryer veprën penale për të cilën gjendet nën hetim dhe nën masën e sigurisë”. Në kërkesën e dytë për vazhdim të paraburgimit, lidhur me arsyen e zgjatjes së paraburgimit, Prokuroria Speciale thekson se përveç provave të paraqitura në fazën e caktimit të paraburgimit, nga hetimet janë zbuluar edhe prova të reja të cilat sipas Prokurorisë Speciale “përforcojnë dyshimin e arsyeshëm se i pandehuri ka marrë pjesë dhe ka kryer veprat penale gjatë luftës në Kosovë, i cili është objekt i këtij hetimi”. Gjithashtu, Prokuroria Speciale, përgjatë arsyetimit thekson se sipas Raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, të titulluar “Pasqyrë e Krimeve të Luftës në Kosovë 1999-2018” në gjithsej 8 (tetë) raste, të njëjtit kanë ikur nga procedura penale e zhvilluar kundër tyre.
Më tej, bazuar në ato që u tha më lart, Gjykata fillimisht do t’i referohet përmbajtjes së vendimeve të gjykatave të rregullta me të cilat parashtruesit të kërkesës për herë të dytë i është vazhduar masa e paraburgimi, dhe të cilat parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike i konteston para Gjykatës, për të vlerësuar nëse këto të fundit kanë adresuar pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës, dhe për të vlerësuar nëse të njëjtat janë në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton arsyetimin e Aktvendimit [PPPS. nr. 64/2022] të Gjykatës Themelore të 13 marsit 2023, i cili kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin për herë të dytë edhe për 2 muaj të masës së paraburgimit për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore në arsyetim të aktvendimit të saj theksoi se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës “ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullatës civile nga neni 142. 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, të paraparë edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krime lufte me shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës, nga neni 144 i KPRK-së, Krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët me katër Konventat e Gjenevës, nga nenet 145 dhe 146 të KPRK-së dhe Organizimi i një grupi për të kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit. dhe krimet e luftës, neni 154, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, këtë e dëshmojnë dëshmitë që i bashkëngjiten shkresave të lëndës, si dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe veprës penale, raporti i Policisë së Kosovës - Njësiti për Krime Lufte në Prishtinë, si: Deklaratat e dëshmitarëve. Gjykata vëren se është plotësuar edhe kriteri nga neni 184, paragrafi 1, nën paragrafi. 1.2 pika 1.2.1 të KPPRK-së, për shkak se ekziston mundësia që i pandehuri mund të lirohet, ai mund të ndërhyjë në rrjedhën normale të procedurës penale në mënyrë që të mund të shmangë procedurën penale dhe e njëjti të jetë e paarritshëm për organet gjyqësore, sepse nëse është në liri mund të arratiset [...] për momentin masa e paraburgimit është e vetmja masë për mbarëvajtjen e procedurës penale në këtë çështje juridiko penale dhe duke pasur parasysh se i pandehuri ka shtetësinë e Serbisë si dhe kemi nivelin e ulët të bashkëpunimit me Serbinë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penalo juridike, dhe me theks të veçantë në lidhje me serbët e dyshuar për vepra penale lidhur me krimet e luftës, gjykata konstaton se masat e tjera nuk garantojnë siguri juridike për sigurimin e pranisë së të akuzuarit si dhe rrjedhën normale dhe të qetë të kësaj procedure penale”.
Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton arsyetimin e Aktvendimit [PN.1.S. nr. 49/2023] të 27 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të 24 majit 2023, përmes së cilit u refuzua si e pabazuar ankesa e parashtruesit, duke konsideruar si të drejtë qëndrimin e Gjykatës Themelore sa i përket kushtit të përgjithshëm se ekziston “dyshimi i bazuar” për vazhdim të paraburgimit si dhe arsyetimit të Gjykatës Themelore përkitazi me faktin se nëse parashtruesi i kërkesës gjendet në liri do të mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale.
Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 167/2023] të 25 prillit 2023, mbështeti në plotni vendimet e instancave më të ulët.
Gjykata gjithashtu rikujton se KPPRK-ja, përkatësisht neni 184 (Caktimi i paraburgimit) i tij, përcakton procedurën për caktimin e masës së paraburgimit, duke përfshirë provat e nevojshme që mbështesin “dyshimin e bazuar” se personi i arrestuar ka kryer veprën penale dhe përshkrimin e kushteve që mbështesin bazat e artikulueshme për të besuar, për aq sa është e nevojshme në rastin specifik, se i) ka rrezik të arratisjes; ii) ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë; iii) ekziston rreziku se parashtruesi mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale dhe iv) masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Në kuptim të sigurimit të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale Gjykata rikujton përmbajtjen e nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) të KPPRK-së, i cili përcakton se “Paraburgimi mund të vazhdohet vetëm nga gjyqtari i procedurës paraprake, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, i cili tregon se ka bazë për paraburgim nga neni 184 i këtij Kodi, se ka filluar hetimi dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme për të përshpejtuar zbatimin e hetimit. I dëmtuari apo mbrojtësi i viktimave mund të kërkojë nga prokurori i shtetit që të kërkojë vazhdimin e paraburgimit. Prokurori i shtetit ia dorëzon gjykatës kërkesën për vazhdimin e paraburgimit jo më vonë se pesë (5) ditë para skadimit të paraburgimit të caktuar me aktvendimin e fundit”.
Nga si më lartë, Gjykata vlerëson se bazuar në arsyetimet e vendimeve të gjykatave të rregullta me të cilat parashtruesit i ishte vazhduar masa e paraburgimit, dhe siç janë të elaboruara gjerësisht në këtë vendim, Gjykata vlerëson se këto të fundit kishin arsyetuar mjaftueshëm pretendimin e parashtruesit lidhur me “dyshimin e bazuar” si kusht i përgjithshëm i përcaktuar me KPPRK për caktim dhe vazhdim të masës së paraburgimit si.
Nga vendimet e sipër cituara të gjykatave të rregullta është e qartë se ka pasur bazë ligjore për ta mbajtur parashtruesin e kërkesës në paraburgim dhe se Gjykata nuk ka gjetur që ka pasur shkelje të procedurës në bazë të legjislacionit në fuqi apo që procedurat kanë qenë në ndonjë mënyrë arbitrare.
Gjykata thekson se vendimet e gjykatave të rregullta përmbajnë arsyetimet e nevojshme për të gjitha kriteret e lartpërmendura dhe relevante për rastin në fjalë. Gjykata rikujton se gjykatat e rregullta kishin arsyetuar, ndër të tjera, se 1) ekziston dyshimi i bazuar; dhe 2) ekziston rreziku i arratisjes si dhe ekziston rreziku se nëse parashtruesi i kërkesës gjendet në liri mund të ndikojë në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara dhe të drejta kur kishin vendosur për çështjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, prandaj nuk mund të thuhet se nuk kanë qenë të arsyetuara në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës apo që, shikuar në tërësinë e tyre, kanë qenë në ndonjë mënyrë arbitrare. (shih mutatis mutandis Aktgjykimin i GJEDNJ-së të 14 qershorit 2016, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, nr. 72508/13, paragrafi 87).
Prandaj, nga si më lartë, Gjykata konstaton se ky pretendim është qartazi i pabazuar për mungesë të dukshme/evidente të shkeljes ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës
Në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të së drejtës së tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, Gjykata vëren se thelbi i këtij pretendimi lidhet me argumentin e tij se hetimi dhe grumbullimi i provave në rastin konkret është në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 61 (Të drejtat e mbrojtësit si përfaqësues i të pandehurit) të KPPRK-së, sepse sipas tij Prokurorisë Speciale i është lejuar që të kryejë veprime hetimore pa praninë e mbrojtjes. Tutje, Gjykata nënvizon se parashtruesi i kërkesës vetëm i është referuar nenit 31 të Kushtetutës pa shtjelluar specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e të drejtave të tij të përcaktuara me këtë dispozitë kushtetuese.
Gjykata vëren se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] ndërlidhet me pretendimin e tij për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës përkitazi me vendimet e kontestuara, për të cilat Gjykata vlerësoi se i plotësojnë kriteret e parapara për të drejtën për liri dhe siguri.
Më tej, Gjykata vëren se praktika e GJEDNJ-së ka sqaruar se neni 5, paragrafi 4 i Konventës përmban garanci specifike procedurale sa i përket kufizimit të lirisë që janë të ndara nga garancitë procedurale të nenit 6 të Konventës sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë. Për këtë arsye, neni 5, paragrafi 4 i Konventës është lex specialis në raport me nenin 6 të Konventës. Rrjedhimisht, Gjykata nuk do t’i shqyrtojë ndaras shkeljet e pretenduara në lidhje me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës (shih mutatis mutandis Aktgjykimin e GJEDNJ-së të 15 nëntorit 2005, Reinprecht kundër Austrisë, nr. 67175/01, paragrafi 55; dhe rastin e Gjykatës KI63/17, cituar më lart, paragrafi 77)
Përfundime
Prandaj dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme.
Përkitazi me pretendimit e parashtruesit për mosarsyetim të vendimit gjyqësor që ndërlidhen me caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit si dhe rrezikun e arratisjes, Gjykata konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar për mungesë të dukshme/evidente të shkeljes ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet i papranueshme, si i pambështetur.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (d) dhe (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 23 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Slađan Trajković
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale