Prishtinë, më 23 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2527/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI75/24
Parashtrues
Mufail Halili
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Api.nr. 10/2011, të 15 marsit 2012
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Mufail Halili (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Ferizaj, i cili përfaqësohet nga Islam Krasniqi, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Parashtruesi i kërkesës gjendet në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Api.nr. 10/2011], të 15 marsit 2012, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [Ap.nr.245/2015], të 9 shtatorit 2011, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) si dhe Aktgjykimin [P.nr. 64/2009], e 5 majit 2010, të Gjykatës së Qarkut në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Qarkut).
Parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 23 mars 2012.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para ligjit] të Kushtetutës se Republikës se Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 1 [Detyrimi për të respektuar të drejtat e njeriut], 5 [E drejta për liri dhe siguri], 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor), 14 [Ndalimi i diskriminimit], 17 [Ndalimi i shpërdorimit të të drejtave] si dhe Protokolli nr.7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 mars 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoj kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 prill 2024, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, caktoi gjyqtarin Radomir Laban - gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka - Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Jeton Bytyqi (anëtarë).
Më 26 prill 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 26 prill 2024, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prizren për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi informata lidhur me datën e pranimit të Aktgjykimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 26 prill 2024, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj në pajtim me Ligjin.
Më 14 maj 2024, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 27 maj 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në Gjykatë një dokument shtesë.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Më 11 mars 2009, Prokuroria e Qarkut në Prizren ngrit Aktakuzë [PP. Nr. 301/08], ndaj parashtruesi të kërkesës për kryerjen e veprave penale vrasja e rëndë të L.H., H.S., sipas nenit 147, paragrafi 1, nën paragrafi 5, dhe veprën penale vrasje e rëndë të T.H., sipas nenit 147, paragrafi 1, nën paragrafi 5, në lidhje me nenin 20; si dhe për veprën penal mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve sipas nenit 328, paragrafi 2 të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kodi Penal).
Më 5 maj 2010, Gjykata e Qarkut nëpërmjet Aktgjykimit [P. nr. 64/2009], shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprat penale vrasja e rëndë të L.H., dhe H.S., sipas nenit 147, paragrafi 1, nën paragrafi 5, dhe veprën penale vrasje e rëndë të T.H., sipas nenit 147, paragrafi 1, nën paragrafi 5, në lidhje me nenin 20 [Tentativa]; si dhe veprën penal mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve sipas nenin 328, paragrafi 2 të Kodit Penal dhe i shqiptoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej 30 viteve. Përveç kësaj, Gjykata Themelore i shqiptoi parashtruesit edhe një dënim plotësues që përfshinte marrjen e armës së zjarrit, si mjet i kryerjes së veprës penale. Gjithashtu, i akuzuari u detyrua të vazhdojë paraburgimin deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit si dhe u obligua të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës sipas llogarisë së gjykatës, dhe një shumë prej 2000 euro në emër të paushallit gjyqësor, brenda një afati prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e Aktgjykimit, me kërcënim të ekzekutimit të dhunshëm. Ndërsa, të dëmtuarit Sh.D., T.H., dhe I.S., u udhëzuan të ndjekin kontestin e rregullt civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin. Mbrojtja e tij, kishte propozuar që i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale të vrasjes sipas nenit 146, vrasjes në gjendje të afektit mendor sipas nenit 148 të KPK-së, vrasjes në tentativë në gjendje të afektit mendor sipas nenit 148 lidhur me nenin 20; si dhe për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve sipas nenit 328, paragrafi 2 të Kodit Penal. Mbrojtësi i parashtruesit kishte kërkuar që vendimi mbi dënimin të ndryshohet, duke i shqiptuar të akuzuarit një dënim më të butë ose që Aktgjykimi të anulohet dhe lënda të kthehet për rigjykim në të njëjtën gjykatë.
Përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuar T.H., Sh.D., dhe I.S., kanë paraqitur ankesa për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim më i rëndë.
Gjithashtu, Prokurori Publik i Qarkut në Prizren kishte paraqitur ankesë lidhur me vendimin mbi dënimin, duke propozuar që Aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet përkitazi me vendimin për dënimin, në mënyrë që të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim më i lartë.
Më 9 shtator 2011, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Ap.nr245/2010], refuzoj ankesat e paraqitura dhe vërtetoj Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të 5 majit 2010 me arsyetimin se Gjykata e Qarkut kishte vlerësuar drejt të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Duke konsideruar të gjitha këto rrethana, Gjykata Supreme konstatoi se dënimi i shqiptuar të akuzuarit ishte në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit si ekzekutor i veprës penale.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja t'u kthehet gjyqtarëve ndërkombëtarë për rivendosje.
Prokurori Publik i Qarkut në Prizren paraqiti ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vendimit për dënimin, me propozimin që Aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim më i ashpër.
Përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuara T.H., Sh.D., dhe I.S., kanë paraqitur ankesa për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim më i rëndë.
Më 15 mars 2012, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Api. nr. 10/2011], miratoi ankesën e Prokurorit Publik dhe ankesat e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara, dhe rrjedhimisht ndryshoj vendimin mbi dënimin duke dënuar parashtruesin e kërkesës për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor, me dënim burgimi afatgjatë në kohëzgjatje prej 40 vjetësh, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej dhjetorit 2008 e tutje. Ndërsa, ankesa e të akuzuarit dhe ajo e mbrojtësit të tij u refuzuan si të pabazuara.
Gjykata Supreme, duke iu referuar gjendjes faktike, konsideroi të drejta dhe të bazuara konkluzionet si të Gjykatës së Shkallës së Parë, ashtu edhe të asaj të Shkallës së Dytë. Sipas saj, në veprimet inkriminuese të parashtruesit të kërkesës realizohen tiparet e veprës penale të vrasjes së rëndë, të parashikuar nga neni 147, paragrafi 1, pika 11 e KPK-së, dhe të veprës penale të mbajtjes në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, të parashikuar nga neni 328, paragrafi 2 i KPK-së. Pra, del se drejt janë aplikuar edhe dispozitat e Kodit Penal. Nga kjo rezulton se nuk ka shkelje të ligjit penal në dëm të të akuzuarit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimit [Api. nr. 10/2011], i 15 marsit 2012, i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para ligjit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 [Detyrimi për të respektuar të drejtat e njeriut], 5 [E drejta për liri dhe siguri], 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor), 14 [Ndalimi i diskriminimit], 17 [Ndalimi i shpërdorimit të të drejtave] si dhe Protokolli nr.7 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon se Gjykata Supreme përmes vendimmarrjes së saj në kundërshtim me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së i ka ashpërsuar dënimin nga 30 në 40 vite.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “Ku te gjithë qytetaret janë të barabarte para Ligjit e që ne këtë raste i dënuari është diskriminuar, duke ju rritur dënimi nga 30 vite ne 40. Kushtetuta e Republikës se Kosovës proklamon dhe garanton parimin për krijimin e një shteti të qytetareve të barabartë para ligjit“.
Parashtruesi i kërkesës thekson se “Në këtë procedurë Gjykata nuk ka mundur të siguroi mbrojtjen e të drejtat të njeriut, sipas standardeve ndërkombëtarë, saktësisht sipas KEDNJ-së dhe praktikës se GJEDNJ-së.”
Parashtruesi i kërkesës përgjatë pretendimeve të tij thekson se “Kjo kërkesë nuk ka pasure mundësi të paraqitet brenda afatit për shkak të rrethanave faktike, pasi që i pandehuri nuk ka pasur përfaqësues apo familjar të cilët do ti kryejnë shërbime, pasi që ai kishte dy fëmijë në sos fshat.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 [Llogaritja e periudhës kohore] dhe rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës:
Rregulli 29
[Llogaritja e periudhës kohore]
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë rregullore të punës, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Api.nr-nr. 10/2011], e 15 marsit 2012, të Gjykatës Supreme.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI61/23, me parashtrues, Hedie Bylykbashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, me parashtrues, Sami Nuredini, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së, Lekić kundër Sllovenisë, kërkesat nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08 Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 64). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do t’i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI115/20, me parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri, 3 nëntorit 2021, paragrafët 55 dhe 56; dhe rastin e GJEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, kërkesa nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafët 52 dhe 55).
Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e Gjykatës KI59/18, me parashtrues Strahinja Spasić, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 marsit 2019, paragrafi 51; dhe rastin e GJEDNJ-së, Chapman kundër Belgjikës, kërkesa nr.39619/06, Vendim, i 5 marsit 2013, paragrafi 34).
Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, bazuar në objektin dhe qëllimin e nenit 49 (Afati) të Ligjit, afati prej 4 (katër) muajsh fillon të rrjedhë në datën e marrjes së kopjes së vendimit (shih, rastin e Gjykatës, KI144/22, me parashtruese Sebahate Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 nëntorit 2022, paragrafi 52; dhe shih, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, kërkesa nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Api.nr-nr. 10/2011], e 15 marsit 2012, të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Vendimin e kontestuar më 26 mars 2012. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 27 mars 2024, më shumë se katër (4) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Mufail Halili
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale