Prishtinë, më 30 qershor 2023
Nr. Ref.:RK 2224/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI42/23
Parashtrues
Smajl Mekaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 73/2022, të 7 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Smajl Mekaj, me vendbanim në komunën e Pejës, të cilin e përfaqëson avokati Salih Mekaj, nga Peja (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev.nr. 73/2022] e 7 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.1573/2017] e 9 shtatorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr. 1004/2015] e 16 nëntorit 2016, të Gjykatës Themelore në Prizren (Në tekstin në vijim: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin e kontestuar më 2 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin në vijim: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 10 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përmes postës kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata).
Më 16 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues. Të njëjtën ditë, Kryetarja caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci, anëtarë.
Më 7 mars 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, si dhe kërkoi nga i njëjti që të dorëzonte autorizimin për përfaqësim në Gjykatë.
Më 7 mars 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 7 mars 2023, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës si dhe kërkoi nga ajo që ta bashkëlidhte fletëkthesën që dëshmonte datën e pranimit të vendimit të kontestuar nga ana e parashtruesit të kërkesës.
Më 10 mars 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën, që dëshmon se parashtruesit e kërkesës e kishin pranuar Aktgjykimin e kontestuar më 2 nëntor 2022.
Më 15 mars 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim.
Më 7 qershor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 18 korrik 2007, parashtruesi i kërkesës dhe Y.M. kishin ushtruar padi kundër të paditurit Q.D., për shkak të vërtetimit të së drejtës së pronësisë në bazë të së drejtës së mbajtjes, në të cilën kanë theksuar se ata janë bashkëpronar me nga 1/2 në ngastrën kadastrale [nr.349] me kulturë livadh në sipërfaqe prej 1042 m2, Zona Kadastrale Bogë, të cilën ngastër pretendonin se e kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre dhe se gabimisht kjo ngastër është regjistruar në emër të paditurit Q.D..
Më 31 tetor 2011, Gjykata Komunale në Pejë përmes Aktgjykimit [C.nr.902/07]: (i) aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe Y.M., si të bazuar; (ii) vërtetoi se parashtruesi i kërkesës dhe Y.M., janë pronarë të ngastrës kadastrale [nr. 349] me kulturë livadh klasa 5 në sipërfaqe prej 0.10.42 ha e regjistruar në fletëposedimin nr.47 ZK. Boge; (iii) obligoi të paditurin Q.D., që paditësve t’ua njohë këtë të drejtë dhe të durojë që të bëhet ndryshimi përkatës në evidencën kadastrale, si dhe t'iu kompensojë shpenzimet procedurale, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë; (iv) Secila palë i bartë shpenzimet e veta procedurale.
Në një datë të paspecifikuar, i padituri Q.D. dorëzoi ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur, për shkak të (i) shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) zbatimit të gabuar të të së drejtës materiale, me propozimin që ta prishë aktgjykimin e ankimuar dhe ta kthej çështjen në rigjykim.
Gjykata e Qarkut në Pejë i kishte paraqitur Gjykatës Supreme propozimin për delegimin e kompetencës nën pretekstin se “[...] pranë Gjykatës së Qarkut në Pejë ka arritur lënda sipas ankesës së ushtruar nga ana e të paditurit kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Pejë [C.nr.902/2007] të 31 tetorit 2011. Paditësit janë në afërsi të gjakut me Kryetrarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë e me qëllim të evitimit të dyshimit në objektivitetin e gjykatës ankimore, përkitazi me vendosjen e kësaj lënde, për shkak të raporteve të paditësve me Kryetarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë si dhe me gjyqtarët të cilët si anëtarë të Kolegjit duhet të vendosin sipas ankesës, ka propozuar Gjykatës Supreme që të caktohet një gjykate tjetër kompetente për të vendosur në procedurën ankimore sipas kësaj lënde.”
Më 26 mars 2012, Gjykata Supreme e Kosovës përmes Aktvendimit [C.nr. 2/2012] pranoi propozimin për delegimin e kompetencës, ku caktoi Gjykatën e Qarkut në Prizren që në procedurën ankimore të vendos sipas lëndës së Gjykatës së Qarkut në Pejë
[Ac.nr.35/2012], si gjykatë kompetente lëndore.
Më 17 mars 2015, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ca.nr. 3271/2012] miratoi si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të të paditurit, kurse Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Pejë, [C. nr. 902/07] i 31 tetorit 2011, prishet, andaj lënda i kthehet Gjykatës Themelore në Pejë, në riprocedurë dhe vendosje.
Më 16 nëntor 2016, Gjykata Themelore në Prizren (të cilës i ishte deleguar lënda) përmes Aktgjykimit [C.nr.1004/15]: (i) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe Y.M, me të cilën kishin kërkuar "që të vërtetohet se të njëjtit në bazë të posedimit - vjetërsimit fitues, janë pronarë secili prej tyre nga 1/2 në ngastrën kadastrale 349 Zona Kadastrale Boge, dhe të detyrohet i padituri Q.D., që të pranoj këtë fakt dhe të duroj që kjo paluajtshmëri të evidentohet në emër të paditësve, të gjitha këto brenda afatit 15 ditor pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë", si tërësisht e pa bazuar; (ii) detyrohen paditësit, përkatësisht parashtruesi i kërkesës dhe Y. M., që në emër të shpenzimeve të procedurës, në mënyrë solidare t’ia paguajnë të paditurit Q.D., shumën në lartësi prej 2092,00 euro, në afatin prej 15 ditëve pas ditës së pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë për shkak të (i) shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore; (ii) Vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe (iii) zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar, ndërsa aktgjykimin e goditur ta ndryshoje duke aprovuar kërkesëpadinë në tërësi të paditësve si të bazuar ose ta prish dhe lëndën ta kthej gjykatës së shkallës së parë në rigjykim, dhe të detyroi me shpenzimet e procedurës të paditurin.
Më 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr. 1573/2017] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe Y.M. si dhe vërtetoi Aktgjykimin [C.nr. 1004/2015] të 16 nëntorit 2016, të Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit theksoi si në vijim:
Përndryshe gjykata e shkallës së parë me provat e administruara dhe të vlerësuara siç është ekspertiza e ekspertit të gjeodezisë, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provave të tjera, drejtë ka vërtetuar se paditësit në asnjë mënyrë nuk kanë dëshmuar faktin se janë posedues të pandërprerë të ngastrës Kadastrale kontestuese në vazhdimësi, e as mirëbesimin, si dhe ligjshmërinë, ashtu siç kërkohet me dispozitat ligjore për të fituar të drejtën e pronësisë mbi bazën e parashkrimit fitues, përkatësisht të nenit 28 paragrafi 4 të LMTHJP, ndërsa në anën tjetër i padituri ka në vazhdimësi të drejtën e pronësisë që nga viti 1932 dhe kjo ngastër nga ky vit ka qenë i evidentuar në emër të gjyshit të tij deri në vitin 1944, kur kalon në emër të babait të tij dhe përfundimisht në vitin 1997, me trashëgimi kalon në emër të këtu paditurit, prandaj edhe për këtë gjykatë është e qartë se të gjitha këto ndryshime në evidencë të ngastrës kontestuese janë bërë me kërkesa përkatëse të palëve të interesuar, përkatësisht të paraardhësve të paditurit dhe të vet paditurit, andaj edhe për këtë gjykatë është e pamundur që paditësit për gjithë këtë periudhë kohore të mos dinë se paluajtshmëria kontestuese është e evidentuar në emër të paditurit dhe paraardhësve të tij dhe nuk është prona e tyre.
Më 10 tetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr. 73/2022] refuzoi si të pathemeltë revizionin e paditësve të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1573/2017] të 9 shtatorit 2021. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Supreme theksoi si në vijim:
“[...] paditësit nuk kanë provuar se e kanë fituar pronësinë në kuptim të dispozitës së nenit 20 apo nenit 33 të LMTHPJ -së dhe as në bazë të parashkrimit fitues (Usucapio
- neni 28 i LMTHPJ-së), përkatësisht, sikundër kanë pretenduar, se me posedim dhe me mirëbesim e kanë fituar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese. Prandaj, nga këtu, përkitazi me pretendimin e tillë të paditësve, edhe kjo gjykatë, vlerëson se në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për fitimin e të drejtës së pronësisë me parashkrim fitues sikundër parashihet me dispozitën e nenit 28.4 të Ligjit të sipër përmendur, sipas të cilës, përveç posedimit të sendit dhe kohëzgjatjes së posedimit prej 20 viteve, kërkohet që posedimi të jetë edhe me mirëbesim, gjë që siç u sipër theksua, këtu nuk është rasti, dhe se me fjalë të tjera, në rastin konkret juridik civil, nuk përmbushen konditat ligjore të përcaktuara me dispozitat e sipër përmendura ligjore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në thelb ngrit pretendime të aspektit të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, ku thekson se përmes këtij veprimi Gjykata e shkallës së parë e kishte vendosur në pozitë më të favorshme palën kundërshtare. Më saktësisht i njëjti pretendon se përmes “[...] aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, C.nr.10o4/15, të datës 16.11.2016, është vepruar në kundërshtim me nenin 428 par.2 të KPP, sepse palës së paditur i ka lejuar propozimin e një dëshmitari, gjatë zhvillimit të shqyrtimit kryesor, në seancën e mbajtur me datën 12.10.2016, kur shqyrtimi gjyqësor ishte në fazën e përfundimit, edhe përkundër kundërshtimit të palës paditëse, ani pse sipas dispozitës së lartë cituar gjatë zhvillimit të shqyrtimit kryesor palët mund të propozojnë prova të reja, vetëm po që se e bëjnë të besueshme rrethanën se pa fajin e tyre nuk kanë mundur t'i paraqesin gjatë seancës përgatitorë ose eventualisht në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor. Duke vepruar në kundërshtim me këtë dispozitë ligjore, gjykata e shkallës së parë e ka lejuar dëgjimin e dëshmitarit A. (T.) D., që është kushëri i afërt i të paditurit dhe ai ka pasë mundësi që në çdo kohë ta propozoj dëgjimin e këtij dëshmitari dhe me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme se i padituri ka qenë i penguar që këtë dëshmitarë ta propozoj me parë. Me pranimin e këtij propozimi gjykata ka bërë shkelje absolute të dispozitave procedurale nga neni 182 par.2 pika n), lidhur me nenin 428 par.2 të Ligjit për procedurën kontestimore.”
Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se këtë pretendim e kishte ngritur edhe në ankesën e drejtuar Gjykatës së Apelit si dhe kërkesën për revizion drejtuar Gjykatës Supreme, të cilat kanë vazhduar me shkeljen e njëjtë dhe rrjedhimisht e “[...] ka vënë në pozitë të pabarabartë palët procedurale, pasi që palës së paditur i ka mundësuar shfrytëzimin e këtij favori në mënyrë të kundërligjshme dhe në këtë mënyrë e ka shkelë
parimin e barazisë së palëve në procedurë të garantuar me nenin 31 par.2 të Kushtetutës se Republikës së Kosovës dhe nenin 6 pika 1 të KELDTHNJ.”
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu përmend se gjykatat e rregullta kanë vendousr në bazë të bindjes së lirë e jo në bazë të përcaktimeve ligjore, ku si pretendim në këtë rast e thekson edhe “[...] një shkelje tjetër procedurale të përcaktuar në nenin 182.2 pika n. të Ligjit të procedurës kontestimore, pasi që nuk është respektuar dispozita e nenit 8 të ligjit në fjalë, sipas së cilës dispozite ligjore thuhet: pasi që gjykata të vlerësoj me ndërgjegje dhe kujdes çdo provë të administruar veç e veç dhe të gjitha së bashku do të vendos se cilat fakte do ti konsideroj si të provuara e cilat jo.” Prandaj, vendosja e gjykatave sipas bindjes së lirë, sipas parashtruesit të kërkesës është në kundërshtim me parimin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, siç është garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës thekson se atij “[...] i ka mbetur e vetmja mundësi ligjore që shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm ta realizoj permës kësaj kërkese drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si gjykate kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve gjyqësore.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Ligji mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore (GZ e RSFJS-ë, 8 shkurt 1980)
2. Fitimi i së drejtës së pronësisë
Neni 20 (pa titull)
E drejta e pronësisë fitohet sipas vetë ligjit, në bazë të veprimit juridik dhe me trashëgim.
E drejta e pronësisë fitohet edhe në bazë të vendimit të organit shtetëror në kushtet dhe në mënyrën e caktuar me ligj.
Neni 28 (pa titull)
[...]
Mbajtësi me mirëbesim i sendit të paluajtshëm mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë, fiton të drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrimin fitues me kalimin e kohës prej 20 vjetësh.
Neni 33 (pa titull)
Në bazë të veprimit juridik e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet me regjistrimin në librin publik ose në mënyrën tjetër përkatëse të caktuar me ligj.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.”
[...]
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kushteve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr. 73/2022] e 7 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesit e kërkesës gjithashtu i kanë qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendojnë se u janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kushtet në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë, duke përfshirë edhe kushtin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Konkretisht, rregulli 39 (2) parasheh:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26 shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si „qartazi e pabazuar“ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar ne praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastin e Gjykatës KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27 si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në këtë kontekst, si dhe në tekstin në vijim, në mënyrë që të vlerësojë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht në rrethanat e rastit konkret, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Në dritën e këtij sfondi normativ, Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për fitimin e të drejtës së pronësisë në bazë të së drejtës së mbajtjes dhe shfrytëzimit të pronës për një kohë të gjatë, të cilën ngastër pretendonte se e kishte trashëguar nga paraardhësit dhe se gabimisht kjo ngastër është regjistruar në emër të të paditurit Q.D. Gjykata Komunale fillimisht e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetimit e të drejtës së pronësisë, vendim ky i cili u atakua nga i padituri Q.D. Më pas Gjykata Supreme delegoi kompetencën tek Gjykata e Qarkut në Prizren, si rezultat i asaj që parashtruesi i kërkesës ishte në lidhje gjaku me kryetarin e Gjykatës së Qarkut në Pejë. Gjykata e Apelit miratoi si të bazuar ankesën e të paditurit, kurse Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Pejë u prish dhe lënda u kthye në rigjykim. Në riprocedurë, Gjykata Themelore në Prizren refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjithashtu edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme i refuzuan si të pabazuara ankesën dhe kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata sjell në vëmendje se parashtruesi i kërkesës ankesën kryesore të tij e ndërlidh me “zbatimin e gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale”. Në këtë kontekst, i njëjti pretendon që pasiqë ishte lejuar dëgjimi i dëshmitarit A. (T.) D. në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit të Procedurës Kontestimore, ai ishte vënë në pozitë më të pafavorshme, me ç’ rast është cenuar barazia e palëve në procedurë, si dhe gjykatat e rregullta kishin marrë vendim në bazë të bindjes së lirë dhe jo duke u bazuar në dispozita përkatëse ligjore.
Lidhur me pretendimin për interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës, i konteston para Gjykatës konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të LPK-së, si rezultat i (i) dëgjimit të dëshmitarit A. (T.) D., me ç’ rast parashtruesi pretendon se ishte vendosur në pozitë të pafavorshme, me ç’ rast është cenuar barazia e palëve në procedurë; si dhe (ii) gjykatat e rregullta kishin marrë vendime në bazë të bindjes së lirë dhe jo duke u referuar në dispozita ligjore.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se interpretimi i së drejtës materiale dhe procedurale është detyrë parësore dhe bie brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të tillë janë në përputhje me normativat dhe standardet kushtetuese.
Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, fillimisht Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.1004/15] të 16 nëntorit 2016, kishte theksuar si në vijim:
“[...] paditësit në asnjë mënyre nuk kanë dëshmuar faktin se janë plotësuar kushte ligjore për fitimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrën kadastrale kontestuese sipas usucapio.
[...]
Baza ligjore
[...]
Duke pasur parasysh kohën e paraqitjes së padisë, gjykata vlerëson se në këtë çështje kontestimore, si ligj i zbatueshëm paraqitet të jetë Ligji mbi Marrëdhëniet Themelore Juridiko Pronësore (me tutje si LMThJP) (gazeta zyrtare e RSFJ nr.6/80). Sipas nenit 20 të LMThJP-së, është e paraparë se "e drejta e pronësisë fitohet sipas vetë ligjit, në bazë të veprimit juridik, dhe me trashëgim". E drejta e pronësisë fitohet edhe në bazë të vendimit të organit shtetëror në kushtet dhënë mënyrën e caktuar me ligj", ndërsa neni 33 i po këtij ligji përcaktonte se “në bazë të veprimit juridik e drejta e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme fitohet me regjistrimin në librin publik ose në mënyrën tjetër përkatëse të caktuar me ligj". Neni 21i LMTHJ liston mënyrat e fitimit të të drejtave pronësore të cilat mund të arrihen përmes ligjit, si psh: krijimi i një sendi të ri, me bashkim, me përzierje, me ndërtim në tokën e huaj, me parashkrim fitues". Neni 28 al. 2 i po këtij ligji, në mënyrë decidive parasheh se "mbajtësi me mirëbesim i sendit të paluajtshëm, mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë, fiton të drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrimin fitues, me kalimin e kohës prej 10 viteve", ndërsa neni 28 al. 4 parasheh se "mbajtësi me mirëbesim i sendit të paluajtshëm mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë, fiton të drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrimin fitues me kalimin e kohës prej 20 vjetësh". Neni 30 i këtij ligji parasheh se "koha e nevojshme për parashkrimin fitues fillon të ecë nga ajo dite kur paditësi e ka marrë në posedim sendin dhe mbaron me kalimin e ditës së fundit të kohës së nevojshme për parashkrim fitues". Përfundimisht me nenin 7.1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK) është e paraparë se ''palët kanë për detyrë që të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe ti propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla".
Në lidhje me faktin e posedimit të ngastrës kadastrale kontestuese, gjykata vlerëson se paditësit me asnjë provë nuk e kanë dëshmuar faktin se të njëjtit e kanë shfrytëzuar apo se të njëjtit ishin në posedim të ngastrës kadastrale kontestuese, apo se të njëjtit e posedojnë dhe shfrytëzojnë aktualisht atë në kuptim të përjashtimit të të gjithë të tjerëve nga ky posedim dhe shfrytëzim, fakt ky i provuar edhe përmes deklaratës së dëshmitarit A. (T.) Z., banor në fshatin-Bogë komuna e Pejës, ku gjendet edhe ngastra kontestuese kadastrale, i cili në këtë procedurë, ndër të tjera ka deklaruar se "ngastra kontestuese nuk është shfrytëzuar po thuaj se nga askush, dhe se kohë pas kohe e ka shfrytëzuar i tërë fshati dhe se për momentin nuk shfrytëzohet nga asnjë palë." Po ashtu ky fakt është vërtetuar edhe me deklarimin e dëshmitarit tjetër Xh. D. i cili posedon një ngastër e cila kufizohet me ngastrën kontestuese e cila për momentin është e regjistruar në emër të gjyshit të tij, i cili ndër të tjera ka deklaruar se 'ngastra kontestuese është e regjistruar në emër të Q. D., dhe se kjo ngastër 25 vite më parë është shfrytëzuar nga ana e këtu paditurit, ndërsa më vonë pra 25 vite të fundit nuk shfrytëzohet nga askush, pasiqë edhe e njëjta nuk ka për çka të shfrytëzohet, dhe paditësit posedojnë prona përtej lumit (rekës), dhe përfundi tokës kontestuese e cila vazhdon të shtrihet përpjetë (ku është fjala sipas gjendjes në terren).’ Ngjashëm ka dëshmuar edhe dëshmitari i dëgjuar A. D.”
Në vijim, për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren që Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1573/2017] të 9 shtatorit 2021, kishte theksuar si në vijim: “Përndryshe gjykata e shkallës së parë me provat e administruara dhe të vlerësuara siç është ekspertiza e ekspertit të gjeodezisë, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provave të tjera, drejtë ka vërtetuar se paditësit në asnjë mënyrë nuk kanë dëshmuar faktin se janë posedues të pandërprerë të ngastrës Kadastrale kontestuese në vazhdimësi, e as mirëbesimin, si dhe ligjshmërinë, ashtu siç kërkohet me dispozitat ligjore për të fituar të drejtën e pronësisë mbi bazën e parashkrimit fitues, përkatësisht të nenit 28 paragrafi 4 të LMTHJP, ndërsa në anën tjetër i padituri ka në vazhdimësi të drejtën e pronësisë që nga viti 1932 dhe kjo ngastër nga ky vit ka qenë i evidentuar në emër të gjyshit të tij deri në vitin 1944, kur kalon në emër të babait të tij dhe përfundimisht në vitin 1997, me trashëgimi kalon në emër të këtu paditurit, prandaj edhe për këtë gjykatë është e qartë se të gjitha këto ndryshime në evidencë të ngastrës kontestuese janë bërë me kërkesa përkatëse të palëve të interesuar, përkatësisht të paraardhësve të paditurit dhe të vet paditurit, andaj edhe për këtë gjykatë është e pamundur që paditësit për gjithë këtë periudhë kohore të mos dinë se paluajtshmëria kontestuese është e evidentuar në emër të paditurit dhe paraardhësve të tij dhe nuk është prona e tyre.”
Në këtë rast konkret, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit [Rev.nr.73/2022], të 7 tetorit 2022, të Gjykatës Supreme si instancë përfundimtare në këtë çështje civile, dhe vëren se e njëjta ka shpjeguar në detaje arsyet e refuzimit të disa prej kërkesave të ngritura në revizion nga parashtruesi i kërkesës, duke arsyetuar se: “[...] paditësit nuk kanë provuar se e kanë fituar pronësinë në kuptim të dispozitës së nenit 20 apo nenit 33 të LMTHPJ -së dhe as në bazë të parashkrimit fitues (Usucapio - neni 28 i LMTHPJ-së), përkatësisht, sikundër kanë pretenduar, se me posedim dhe me mirëbesim e kanë fituar pronësinë në paluajtshmërinë kontestuese. Prandaj, nga këtu, përkitazi me pretendimin e tillë të paditësve, edhe kjo gjykatë, vlerëson se në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për fitimin e të drejtës së pronësisë me parashkrim fitues sikundër parashihet me dispozitën e nenit 28.4 të Ligjit të sipër përmendur, sipas të cilës, përveç posedimit të sendit dhe kohëzgjatjes së posedimit prej 20 viteve, kërkohet që posedimi të jetë edhe me mirëbesim, gjë që siç u sipër theksua, këtu nuk është rasti, dhe se me fjalë të tjera, në rastin konkret juridik civil, nuk përmbushen konditat ligjore të përcaktuara me dispozitat e sipër përmendura ligjore.”
Gjykata gjithashtu sqaron se në bazë të praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, Neni 6 i KEDNJ-së nuk garanton në mënyrë eksplicite të drejtën për të thirrur dëshmitarët dhe pranueshmëria e provave të dëshmitarëve është në parim një çështje e ligjit të brendshëm. Megjithatë, procedurat në tërësinë e tyre, duke përfshirë mënyrën në të cilën provat u lejuan, duhet të jenë "të drejta" sipas kuptimit të nenit 6 paragafi 1 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së: Dombo Beheer B.V. kundër Holandës, nr. 14448/88, Aktgjykim i 27 tetorit 1993, paragrafi 31). Në këtë drejtim Gjykata rikujton edhe standardin e GJEDNJ-së që Gjykata duhet të japë gjithashtu arsye për të gjetur se provat e dëshmitarëve janë të pabesueshme ose të parëndësishme (shih rastin e GJEDNJ-së: Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafët 69-70).
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të LPK-së, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe i ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Në linjë me praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata më tej thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm apo për barazi para ligjit. (Shih, mutatis mutandis, rastin Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, GJEDNJ, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; shih gjithashtu rastin e Gjykatës: KI56/17, parashtruese e kërkesës Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 42).
Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 7 qershor 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka Nimani
Smajl Mekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile