Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 457/2019 të 30 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 81/20

Parashtruesit: Arbër Shkreli

Shkarko:

KI81/20, Parashtruesi i kërkesës: Arbër Shkreli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 457/2019 të 30 janarit 2020

KI81/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 20 maj 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, interpretim i gabuar i ligjit, kërkesë e papranueshme.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktvendimin [Rev.nr.457/2019] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 30 janarit 2020.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me  Vendimin [nr.10697] të KEDS-Distrikti në Pejë, i  cili në cilësi të punëdhënësit, e kishte suspenduar nga puna parashtruesin e kërkesës, deri në një vendim tjetër, për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës, të përcaktuara në nenin 6 paragrafi 6.1 nënparagrafi (a), (j), (n) dhe (p) të Kodit Disiplinor të KEDS-it. Më pas punëdhënësi kishte shkëputur marrëdhënien e punës me parashtruesin e kërkesës. Pas ankesës së këtij  të fundit tek punëdhënësi, ky i fundit kishte refuzuar ankesën si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Pejë, ku kërkoi që të anulohet Vendimi i punëdhënësit dhe parashtruesi i kërkesës të kthehej në vendin e punës si dhe kërkoi kompensim pagash. Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit, duke obliguar punëdhënësin që ta kthejë në punë parashtruesin e kërkesës si dhe t’ia kompensojë pagat e humbura. Pas ankesës së punëdhënësit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit refuzoi si të pabazuar ankesën. Më pas punëdhënësi parashtroi revizion në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme  pranoi pjesërisht si të bazuar revizionin, duke vendosur  që të refuzojë si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kthim në vendin e punës,  prishi Aktgjykimin  e Gjykatës Themelore në Pejë, duke kthyer në rigjykim pjesën lidhur me pikën III, IV dhe V të dispozitivit të këtij të fundit; dhe refuzoi si të pabazuar revizionin e punëdhënësit për anulimin si të kundërligjshëm të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore lidhur me Vendimit [nr.11040], të datës 23 dhjetor 2015,  të punëdhënësit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi këto konstatime, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.

Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës pretendoi aplikim të gabuar të së drejtës procedurale dhe materiale, duke theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme është i kundërligjshëm dhe kundërthënës, vendimi i kontestuar është arbitrar për faktin se në të theksohet se parashtruesit të kërkesës i ka skaduar kontrata e punës duke shtuar se në rastin e tij nuk është aplikuar dispozita e nenit 10 të Kontratës Kolektive, dhe se Gjykata Supreme me rastin e vendosjes ishte e ishte e njëanshme

Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, konstatoi se të gjitha gjykatat e rregullta, e kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e tij.

Për pasojë, duke aplikuar edhe standardet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Arbër Shkreli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative