Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 398/2021], të 20 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI71/22

Parashtruesit: Muhamet Mehmeti

Shkarko:

KI71/22, Parashtrues: Muhamet Mehmeti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 398/2021], të 20 dhjetorit 2021. 

KI71/22, Aktvendim për papranueshmëri i 14 nëntorit 2023, publikuar më 18 janar 2024

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, mosshterrim i mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se esenca e çështjes ka të bëjë me uljen e pagës së parashtruesit të kërkesës nga grada 11 në gradën 9 nga Telekomi i Kosovës përmes Aktvendimit nr. 1040-108/2012 të 7 marsit 2012 dhe lartësinë e pagesës për diferencën e pagave  në mes gradës 11 dhe 9 përgjatë periudhës për sa ka qenë në fuqi vendimi i atakuar i Telekomit të Kosovës. Pas paraqitjes së padisë nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren si në vijim.

Më 30 nëntor 2016, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 204/16] të 30 nëntorit 2016 aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e anuloi aktvendimin nr. 1040/108/2012 e 7 marsit 2012 si dhe e detyroi Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën 13,381.45 euro me kamatë ligjore nga data 1 shkurt 2012 e deri në pagesën definitive në emër të diferencës së pagës në mes gradës 11 dhe 9 për periudhën kohore prej 1 shkurtit 2012 e deri më 10 tetor 2016; shumën prej 1,447.06 euro në llogarinë e parashtruesit të kërkesës në Trustin Pensional dhe shumën prej 365.64 euro në Administratën tatimore. Pas ankimimit, ky vendimi ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit. Ndërsa, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 398/2021] të 20 dhjetorit 2021, pjesërisht pranoi si të bazuar revizionin e të paditurës (Telekomit të Kosovës) i paraqitur kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 1636/2016] të 19 dhjetorit 2019, duke e ndryshuar të njëjtin së bashku me Aktgjykimin [C. nr. 204/2016] të Gjykatës Themelore të 30 nëntorit 2016 në pjesën e II-të të dispozitivit, duke e detyruar të paditurën (Telekomin e Kosovës) që t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës ndryshimin në pagën neto për periudhën kohore nga 1 shkurti 2012 e deri më 31 dhjetor 2014 në shumën prej 8,419.55 euro; t’ia paguajë edhe shumat prej 455.33 euro në emër të kontributit pensional dhe 231.74 euro në emër të tatimit në të ardhura neto me kamatë për këtë periudhë sipas ekspertizës financiare në shumë prej 2,152.61 euro; si dhe e  refuzoi si të pabazuar shumën përtej pjesës së gjykuar për periudhën kohore prej 1 janarit 2015 e deri më 10 tetor 2016. Gjykata, fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Rev. nr. 398/2021] i Gjykatës Supreme i 20 dhjetorit 2021 është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] dhe nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, ku pretendim kryesor i parashtruesit të kërkesës është se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është bazuar në një provë të paligjshme dhe e cila nuk ishte paraqitur më parë nga Telekomi i Kosovës në instancat më të ulëta të gjykatave të rregullta.

Gjykata për të sqaruar dhe qartësuar faktin se pretendimi i parashtruesit të kërkesës së Gjykata Supreme e kishte bazuar Aktgjykimin e kontestuar në një provë të paligjshme – në kontratën e punës nr.05-6182 e 31 dhjetorit 2014, të cilën pretendon se nuk e ka nënshkruar, a ishte ngritur para gjykatave të rregullta, respektivisht para Gjykatës Supreme përmes përgjigjes në revizion, më 5 maj 2023 i kishte dërguar një shkresë përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës dhe në të njëjtën kohë edhe Gjykatës Themelore, nga të cilët kishte kërkuar që të dorëzojnë pranë Gjykatës përgjigjen në revizion, e cila do të vërtetonte se a ishte ngritur apo jo pretendimi i parashtruesit të kërkesës para Gjykatës Supreme. Më 14 qershor  2023, Gjykata kishte pranuar dosjen e plotë të rastit nga Gjykata Themelore, ku rezultoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur përgjigje në revizion, e që rrjedhimisht vërteton faktin se i njëjti nuk e ka ngritur pretendimin e tij lidhur me kontestimin e nënshkrimit të kontratës nr.05-6182 të 31 dhjetorit 2014 para Gjykatës Supreme. Për më tepër, Gjykata vëren se edhe në shkresën e dorëzuar më 1 qershor 2023 nga përfaqësuesi i kërkesës nuk dëshmohet se i njëjti ka paraqitur përgjigje në revizion në Gjykatën Supreme, ku do të adresoheshin pretendimet e tij.

Sipas shkresave të lëndës, rezulton se këto pretendime specifike të parashtruesit të kërkesës janë ngritur për herë të parë para Gjykatës, ajo konkludon që parashtruesi i kërkesës nuk i ka dhënë mundësinë Gjykatës Supreme, që të adresojë këto pretendime dhe me atë rast, të parandalojë shkeljet e pretenduara që parashtruesi i kërkesës i ngrit drejtpërdrejt pranë kësaj Gjykate, pa i shteruar mjetet juridike në kuptimin e tyre substancial (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI118/15, parashtrues Dragiša Stojković, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2016, paragrafët 30-30; KI119/17, cituar më lart, paragrafi 74; KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 95; dhe KI163/18, cituar më lart, paragrafi 62).

Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se ky pretendim duhet të refuzohet si i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterrimit të mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Muhamet Mehmeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile