Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.383/2019 të 14 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 68/20

Parashtruesit: Hysen Thaqi

Shkarko:

KI68/20 Parashtrues: Hysen Thaqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.383/2019 të 14 janarit 2020

KI68/20, Aktvendim për papranueshmëri i 29 marsit 2021, i publikuar më 23 prill 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, aksident trafiku, gjykim i drejtë dhe i paanshëm, e drejta në pronë, kompensim i dëmit material dhe jo material, kërkesë e papranueshme

Në rrethanat e rastit konkret, Prokurori Publik në Prishtinë me propozimin akuzues  PP.nr.8-11/09 kishte pohuar se parashtruesi i kërkesës kishte kryer veprën penale nga neni 297 (1) dhe (3) [Rrezikimi i Trafikut Publik] të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, UNMIK/RREG/2003/25. Gjykata Komunale në Prishtinë me Aktgjykim [P.nr.502/09] e liroi parashtruesin e kërkesës nga akuza e lartpërmendur e paraqitur nga Prokurori Publik në Prishtinë.

Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës parashtruesi i kërkesës kishte paditur Byronë Kosovare të Sigurimeve në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensimin e dëmit material dhe jo material lidhur me lëndimet trupore dhe dëmtimit të automjetit. Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit miratuan pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës duke detyruar  Byronë Kosovare e Sigurimeve Prishtinë, që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material. Mirëpo, pas revizionit të palës së paditur por edhe të vet parashtruesit të kërkesës,  Gjykata Supreme vendosi që të pranohet i bazuar revizioni i të paditurit, ndryshohen Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që refuzohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme kishte arsyetuar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës për kompensim të dëmit material dhe jo material ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.

Në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3.2 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).  Parashtruesi i kërkesës posaçërisht u ankua se kërkesëpadinë e kishte paraqitur brenda afatit ligjor dhe se Gjykata Supreme gabimisht kishte interpretuar dhe zbatuar dispozitat përkatëse ligjore.

Gjykata theksoi se e kupton zhgënjimin subjektiv të parashtruesit të kërkesës për mohim të dëmshpërblimit për dëmin e pësuar në aksidentin rrugor, mirëpo aspekti subjektiv i kësaj kërkese kushtetuese është jashtë juridiksionit të Gjykatës. Gjykata vlerësoi se në rastin konkret kemi të bëjmë me vlerësim të ndryshëm të afatit ligjor për parashtrim të kërkesëpadisë për dëmshpërblim me ç ‘rast në njërën anë, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë gjykuar se afati ligjor rrjedhë nga dita e aktgjykimit lirues kurse Gjykata Supreme ka gjykuar se afati ligjor për kërkesë për dëmshpërblim rrjedhë nga dita kur parashtruesi i kërkesës ka qenë në dijeni për aksidentin, në anën tjetër.

Gjykata shtoi se sa i përket gjyqësorit të rregullt, Gjykata Supreme është autoriteti më lartë gjyqësor në Republikën e Kosovës dhe se interpretimi i saj i afateve ligjore por edhe çështjeve tjera të ligjit mbizotëron ndaj interpretimeve ligjore të Gjykatave Themelore dhe Gjykatës së Apelit.

Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme, siç përcaktohet siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hysen Thaqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile