Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 429/2022] të 23 dhjetorit 2022

Nr. të lëndës KI19/23

Parashtruesit: Kadri Ismajli

Shkarko:

KI19/23, Parashtrues: Kadri Ismajli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 429/2022] të 23 dhjetorit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor për shpalljen e tij fajtor për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 1 viti, pas mbajtjes së dënimit me burg. Në rastin konkret parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe u gjykua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh; i shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimit publik, në kohëzgjatje prej 1 viti, pas mbajtjes së dënimit me burgim. Ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar Gjykata e Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i  mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Përkitazi me pretendimin e dytë lidhur me mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, bazuar në parimet e përgjithshme të GjEDNj-së, lidhur me arsyetimin e vendimit gjyqësor, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kishin sqaruar se: (i) në veprimet e të dënuarit-parashtruesit të kërkesës formësohen elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit dhe se në arsyetimin e tyre gjykatat kanë zbërthyer rrethanat dhe faktet inkrimimuese të të dënuarit; (ii) pretendimi për aplikimin e dy kodeve penale, janë pretendime që i referohen gabimit të bërë në përshkrimin e disa neneve të cituara lidhur me matjen respektivisht zbutjen e lartësisë së dënimit të shqiptuar, por e rëndësishme është se me rastin e shqiptimit të dënimit nuk janë tejkaluar kompetencat ligjore dhe arsyet e dhëna përkitazi me vendimin për dënim nuk janë të përfshira në shkelje procedurale; (iii) pretendimi se parashtruesi nuk është fajtor dhe  se nuk potencohet se kush është palë e dëmtuar del të jetë pretendim joserioz ngase i dënuari në procedurat e zhvilluara në gjykatat e rregullta ka pohuar se ka shitur 10 metra dru për 250 € me qëllim të sigurimit të rrethojës dhe derës për autoritetin ku punon dhe të thuhet se nuk ka palë e dëmtuar dhe se nuk është keqpërdorur asgjë del të jetë pretendim joserioz dhe pretendim tendencioz me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale. Prandaj, në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se standardet dhe garancitë e mësipërme të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me të drejtën në vendim të arsyetuar nuk janë zbatuar.

Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese, dhe se kërkesa në tërësinë e saj shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Kadri Ismajli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale