Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 276/2022, të 8 gushtit 2022

Nr. të lëndës KI 32/23

Parashtruesit: Albin Avdullahu

Shkarko:

KI32/23, Parashtrues Albin Avdullahu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 276/2022, të 8 gushtit 2022

KI32/23, Aktvendim për papranueshmëri i 14 nëntorit 2023, publikuar më 19 dhjetor 2023

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, jashtë afatit ligjor. 

 Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte marrë pjesë në një rrahje, si rezultat i së cilës kishin pësuar lëndime disa persona. Pas ndërmarrjes së një sërë masash ndaj parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PM. nr. 323/2019] i shqiptoi parashtruesit të kërkesës masën edukative të mbikëqyrjes së shtuar nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti. Kundër aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit për shak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Më 26 janar 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAM. nr. 4/2022], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore. Kundër aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që kërkesa të aprovohet si e bazuar, ashtu që aktvendimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe i mituri të lirohet nga masa edukative ose aktvendimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes shkresës [KMLP. II. nr. 169/2022] i ka propozuar Gjykatës Supreme që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 276/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë me arsyetimin se “gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur të miturit i ka shqiptuar këtë masë, për faktin se është në interesin më të mirë të të miturit, ashtu siç parashihet në nenin 13.1 të KDM-së dhe nenin 3.1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës”.

Gjykata vëren se objekt i çështjes së kërkesës aktuale është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se janë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti], 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.

Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se fletëkthesa e dorëzuar nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 3 tetor 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën përmes postës në Gjykatë më 6 shkurt 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

 

Parashtruesit:

Albin Avdullahu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale