Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml.nr.184/2021 të 1 qershorit 2021, dhe Aktvendimit Ac.nr.3028/2016 të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI151/21

Parashtruesit: Naser Husaj

Shkarko:

KI151/21, Parashtrues: Naser Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml.nr.184/2021 të 1 qershorit 2021, dhe Aktvendimit Ac.nr.3028/2016 të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit

KI151/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 tetorit 2022, publikuar më 1 nëntor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e paafatshme 

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me dy procedura gjyqësore të cilat ishin zhvilluar në gjykatat e rregullta e të cilat lidhen me parashtruesin e kërkesës, përkatësisht  1) me procedurën kontestimore, përkatësisht caktimin e masës së sigurisë lidhur me rrënimin e zyrës së avokatisë; dhe 2) me procedurën në lidhje me dënimin e parashtruesit të kërkesës për veprën penale lajmërim ose kallëzim i rremë.

Në procedurën e parë, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurë kontestimore kundër M. Gj dhe K. Gj, si dhe Komunës së Pejës pranë Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), lidhur me vërtetimin e të drejtës pronësore për objektin-zyrën të cilën e shfrytëzonte. Bashkë me padinë, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar edhe propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë lidhur me pronën që ishte lëndë e kontestit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.

Gjykata Themelore përmes, kishte aprovuar propozimin për masë të përkohshme të sigurisë, të propozuar nga parashtruesi i kërkesës, ku kishte vendosur që (i) të ndalohet, tjetërsimi, ndërtimi, rrënimi i objektit apo ngarkimi me çfarë do barre reale- që ta tjetërsoi, fsheh, ngarkoi ose disponoi me paluajtshmërinë-objektin- zyrën e Avokaturës me sipërfaqe prej 37m2, e ndërtuar në parcelën kadastrale me nr.245/27, zona kadastrale Pejë, nga ana e të paditurës apo të autorizuarve të saj, dhe (ii) të detyrohet e paditura Komuna e Pejës, që deri në përfundimin e këtij kontesti, me vendim të formës së prerë, apo deri në një vendim tjetër të kësaj gjykate, që të mos ndërmerr kurrfarë veprimesh në kuptim të urdhërit, si në pikën I, të diapozitivit të këtij aktvendimi, në këtë çështje kontestuese, nën kërcënim të pasojave procedurale. Komuna e Pejës kishte ushtruar kundërshtim kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilin ishte vendosur masa e përkohshme e sigurisë. Gjykata Themelore duke vendosur lidhur me kundërshtimin e Komunës së Pejës lidhur me masën e përkohshme të sigurisë, përmes Aktvendimit [C.nr.1090/15] (i) revokoi aktvendimin C.nr.1090/15 të 16 qershorit 2016, me të cilin ishte caktuar masa e përkohshme e sigurisë kundër të paditurës Komuna e Pejës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij, dhe vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Lidhur me procedurën e dytë, parashtruesi i kërkesës pranë Prokurorisë Themelore në Pejë kishte ushtruar kallëzim penal kundër gjyqtarit të Gjykatës Themelore Rr. Th, me pretendimin për kryerjen e veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të Kodit Penal të Kosovës. Prokuroria Themelore hodhi poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër gjyqtarit Rr. Th.

Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore, kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390 paragrafi 1 i KPK-së. Gjykata Themelore kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390 paragrafi 1 i KPK-së. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit aprovoi ankesën e tij dhe ndryshoi aktgjykimin e gjykatës themelore përkitazi me vendimin mbi dënim me burgim dhe dënim plotësues. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën e tij.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktvendimin [Ac.nr.3028/2016] të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit, si dhe Aktgjykimin [Pml.nr.184/2021] e 1 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 54 [ Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.

Sa i përket procedurës së parë, Gjykata rikujtoi që vendimi i fundit në rastin e parashtruesit të kërkesës është Aktvendimi [Ac.nr.3028/2016] i Gjykatës së Apelit, i 16 shtatorit 2016. Në bazë të shkresave të lëndës, Gjykata vëren se vendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është nxjerrë më 16 shtator 2016 dhe nga parashtruesi ishte pranuar më 30 shtator 2016, ndërsa kërkesën e tij pranë Gjykatës parashtruesi e ka dorëzuar më 25 gusht 2021, pra afër 5 vite pasi që ka pranuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 30 shtator 2016, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar përmes postës më 25 gusht 2021, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

Lidhur me procedurën e dytë, Gjykata konsideroi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk përmban elemente të shkeljeve kushtetuese, siç pretendon parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e Konventës, nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse, ai në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se i është mohuar e drejta e ushtrimit të mjetit juridik.

Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 31,32,46,54,55 të Kushtetutës duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht ka përmendur një ose më shumë dispozita të Kushtetutës, pa shpjeguar me atë rast se si ato janë shkelur. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Kërkesa është qartazi e pabazuar