Prishtinë, më 31 tetor 2022
Nr.ref.: RK 2065/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI151/21
Parashtrues
Naser Husaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 184/2021 të 1 qershorit 2021, dhe Aktvendimit Ac. nr. 3028/2016 të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
1. Kërkesa është dorëzuar nga Naser Husaj nga Komuna e Pejës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
2. Parashtruesi i kërkesës konteston (i) Aktgjykimin [Pml. nr. 184/2021] e 1 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [PAI. nr. 856/19] të 24 nëntorit 2019 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [P. nr. 72/17] të 17 majit 2019 të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Deçan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore); dhe (ii) Aktvendimin [Ac. nr. 3028/2016] të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit.
Objekti i çështjes
3. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
4. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
5. Më 25 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
6. Më 1 shtator 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci, anëtarë.
7. Më 7 shtator 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.
8. Më 14 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë.
9. Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
10. Parashtruesi i kërkesës ka qenë parashtrues para Gjykatës edhe në rastet KI22/16, KI128/17, KI46/19, KI08/20 dhe KI183/20, por faktet juridike të kërkesave të mëparshme nuk ndërlidhen me kërkesën aktuale.
11. Në rastin e tanishëm, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar dy procedura, andaj, gjendja faktike do të paraqitet për secilin procedurë veç e veç.
Faktet sa i përket procedurës për caktimin e masës së sigurisë lidhur me rrënimin e zyrës-objektit
12. Më 7 dhjetor 2015, parashtruesi i kërkesës kishte iniciuar procedurë kontestimore kundër M. Gj dhe K. Gj., si dhe Komunës së Pejës pranë Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), lidhur me vërtetimin e të drejtës pronësore për objektin-zyrën të cilën e shfrytëzonte. Bashkë me padinë, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar edhe propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë lidhur me pronën që ishte lëndë e kontestit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.
13. Më 16 qershor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 1090/15] kishte aprovuar propozimin për masë të përkohshme të sigurisë, të propozuar nga parashtruesi i kërkesës, ku kishte vendosur që (i) të ndalohet tjetërsimi, ndërtimi, rrënimi i objektit apo ngarkimi me çfarëdo barre reale-që ta tjetërsoj, fsheh, ngarkoj ose disponojë me paluajtshmërinë-objektin-zyrën e Avokaturës me sipërfaqe prej 37m2, e ndërtuar në parcelën kadastrale me nr. 245/27, zona kadastrale Pejë, nga ana e të paditurës apo të autorizuarve të saj, dhe (ii) të detyrohet e paditura Komuna e Pejës, që deri në përfundimin e këtij kontesti, me vendim të formës së prerë, apo deri në një vendim tjetër të kësaj gjykate, që të mos ndërmarr kurrfarë veprimesh në kuptim të urdhërit, si në pikën I të diapozitivit të këtij aktvendimi, në këtë çështje kontestuese, nën kërcënim të pasojave procedurale.
14. Në një datë të pasaktësuar, Komuna e Pejës kishte ushtruar kundërshtim kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ishte vendosur masa e përkohshme e sigurisë.
15. Më 25 korrik 2016, Gjykata Themelore, duke vendosur lidhur me kundërshtimin e Komunës së Pejës lidhur me masën e përkohshme të sigurisë, përmes Aktvendimit [C. nr. 1090/15] (i) revokoi Aktvendimin C. nr. 1090/15 të 16 qershorit 2016, me të cilin ishte caktuar masa e përkohshme e sigurisë kundër të paditurës Komuna e Pejës me të cilin ishte ndaluar tjetërsimi, ndërtimi, rrënimi i objektit apo ngarkimi me çfarëdo barre reale-që ta tjetërsoj, fsheh, ngarkoj ose disponojë me paluajtshmërinë-objektin-zyrën e Avokaturës me sipërfaqe prej 37m2, i ndërtuar në parcelën kadastrale me nr. 245/27, zona kadastrale Pejë, nga ana e të paditurës apo të autorizuarve të saj, dhe (ii) refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte kërkuar që të caktohet masa e sigurisë kundër të paditurës, Komuna e Pejës.
16. Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë Gjykatës së Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 1090/15] të 25 korrikut 2016 të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të aplikimit të gabuar të drejtës materiale, me propozim që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në riprocedurë dhe vendosje ose e njëjta të ndryshohet në harmoni me pretendimet ankimore.
17. Më 16 shtator 2016, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 3028/2016] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [C. nr. 1090/15] të 25 korrikut 2016 të Gjykatës Themelore.
Faktet sa i përket procedurës lidhur me dënimin e parashtruesit të kërkesës për veprën penale lajmërim ose kallëzim i rremë
18. Më 1 gusht 2016, parashtruesi i kërkesës, pranë Prokurorisë Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), kishte ushtruar kallëzim penal kundër gjyqtarit të Gjykatës Themelore Rr. Th., me pretendimin për kryerjen e veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të Kodit Penal të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK).
19. Më 19 gusht 2016, Prokuroria Themelore përmes Aktvendimit [PP/. nr. 219/16], hodhi poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër gjyqtarit Rr. Th., lidhur me pretendimin për kryerjen e veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPK-së.
20. Më 21 mars 2017, Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë [PP/II.nr.2247/2016] pranë Gjykatës Themelore kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390, paragrafi 1 i KPK-së.
21. Më 17 maj 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P. nr. 72/2017] kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390, paragrafi 1 i KPK-së, për arsye se “me dashje ka bërë lajmërim të rremë të personit zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, në atë mënyrë që i pandehuri ka paraqitur si kryes të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPK-ës të dëmtuarin-gjyqtarin Rr. Th. ish-gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryes i veprës penale për të cilën e ka paraqitur”, ku i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej 3 vite, duke llogaritur nga dita kur aktgjykimi e merr formën e prerë. Ndërsa të dëmtuarin Rr. Th. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike e udhëzoi në kontest civil.
22. Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozimin që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën si të bazuar, ta anulojë aktgjykimin e ankimuar, ta lirojë nga përgjegjësia penale dhe të anulojë dënimin plotësues. Edhe Prokurori i Prokurorisë Themelore kishte paraqitur ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar përkitazi me vendimin mbi dënim ashtu që parashtruesit të kërkesës t’i shqiptojë dënim meritor më të rëndë dhe dënim plotësues në periudhën maksimale.
23. Më 24 nëntor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1. nr. 856/19] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P. nr. 72/2017] përkitazi me vendimin mbi dënim me burgim dhe dënim plotësues, ashtu që parashtruesit të kërkesës për veprën penale Lajmërim apo kallëzim i rremë, nga neni 390, par.1 i KPK-së i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, si dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit dhe veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, duke llogaritur nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë. Ndërsa refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorit të Prokurorisë Themelore.
24. Më 28 prill 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
25. Më 1 qershor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 184/2021] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
26. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Ac. nr. 3028/2016] të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit, si dhe Aktgjykimin [Pml. nr. 184/2021] e 1 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 54 [ Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.
27. Parashtruesi i kërkesës lidhur me rrënimin e zyrës së tij, fillimisht thekson se zyra e tij e avokatisë ishte rrënuar pa të drejtë nga ana e Komunës së Pejës, për arsye se zyrën e tij të avokatisë e kishte shfrytëzuar që nga viti 2000, dhe në vitin 2015 e kishte blerë nga e veja e ish-pronarit, ku lidhur me këtë parashtruesi pretendon se masa e përkohshme e cila ishte revokuar pa të drejtë nga Gjykata Themelore, për arsye se “… gjyqtari Rr. Th. e revokon masën e përkohshme nën ndikimin e kryetarit të komunës së Pejës, pra bie nën ndikim të politikës dhe na anulon të drejtën e pronës që parasheh Kushtetuta e Kosovës, neni 46 i Kushtetutës, pra nuk më kanë pyetur që unë i kam ofruar komunës – kryetarit të Pejës, marrëveshje që të më japë një tokë aty afër si kompensim për zyrë të avokaturës – por e kanë përdorur gjyqtarin, vetë të më shkaktojnë dëm moral, material dhe psikik”. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është shkelur e drejta e pronës e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, pasi që, siç thekson parashtruesi i kërkesës është privuar në mënyrë arbitrare nga prona e tij, për shkak se rrëzimi i zyrës ishte bërë pa marrëveshje dhe pa kompensim.
28. Tutje parashtruesi i kërkesës pretendon se kallëzimin penal të cilin e ka ushtruar kundër gjyqtarit Rr. Th., është i lejuar me Kushtetutë, përkatësisht me nenin 32 të Kushtetutës, dhe se sipas parashtruesit të kërkesës “Kallëzimi penal dërgohet në PTH në bazë të dyshimit, dyshimi nuk është vepër penale. Në kallëzimin penal timin, kundër gjyqtarit ka qenë i bazuar, e ka keqpërdorë detyrën dhe ka nxjerrë vendim të kundërligjshëm. Si pasojë e veprës penale të tij është se më është rrënuar zyra, pa marrëveshje, pa kompensim, pasojat psikike, dëmi material që më ka bërë, sikur të isha jo njeri, pa e lejuar një avokat të mbrojë pronën e vet”. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se “ … ky grup i gjyqtarëve e prokurorëve e njohin zanatin e vet, sa që mohimi i ushtrimit të kallëzimit penal, është vepër penale, sepse kallëzimi penal është mjet juridik dhe sanksionon, nëse kjo e drejtë mohohet nga neni 208, kur mua më është hedhur kallëzimi penal, pa më marrë në pyetje as si i dëmtuar e as si i pandehur. Pra, neni 208, tani 204 i KPK-së, e sanksionon hedhjen e kallëzimit penal pa bazë”.
29. Sipas parashtruesit të kërkesës, nëse lënda e tij do të kishte shkuar në një Gjykatë tjetër, dhe jo në Gjykatën Themelore në Pejë-dega në Deçan, prokurori do të tërhiqej nga aktakuza. Pra, sipas parashtruesit të kërkesës “këtu ka pasur konflikt interesi. Të gjithë kanë qenë pejanë, gjyqtari si i dëmtuar, ai gjyqtar, prokurori i lëndës-kryetari i Gjykatës së Apelit, H. Sh. e kanë përdorë strategjinë, ne me ty bëjmë çka të duam, t’i nuk guxon të ankohesh”. Parashtruesi i kërkesës thekson se ai iu ka dërguar kallëzime penale disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak se siç thotë “të keqpërdorimeve sepse unë merrem me prona ai avokat dhe me qëllim mi kanë humbur disa miliona”. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 54 të Kushtetutës, pasi siç pretendon parashtruesi nuk i është lejuar t’i përdorë mjetet juridike efektive siç është kallëzimi penal kundër gjyqtarëve, pra parashtruesi thekson se “më kanë hedhur kallëzimin penal, pa më marrë deklaratën si i dëmtuar dhe nuk kanë marrë në pyetje gjyqtarin si të pandehur”.
30. Më tej, parashtruesi i kërkesës thekson se “E kam njoftuar A. L. disa herë si kryeprokuror dhe nuk ka marrë masa, mandej Këshillin Prokurorial, po ashtu nuk kanë marrë masa, dhe duke parë se jam duke i penguar të vjedhin, se keqpërdorimi është vjedhja, më kanë dërguar në burg 6 muaj për pronën time, ky është skandal gjyqësor dhe kanë futur në praktikën gjyqësore këtë lëndë timen si joligjore, sepse kjo nëse vazhdon të zbatohet është shkelje e Kushtetutës dhe cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut, për mos të përdorë mjetin juridik, neni 32 të Kushtetutës që kjo vepër dënohet sipas nenit 204 të KP-së së Kosovës. Kam bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm juridik me datën 28.04.21 dhe me aktgjykimin PMI.nr. 184/21 të datës 01.06.21 nuk ka refuzuar si të pabazuar pa e theksuar kolegji i Gjykatës Supreme se mjeti juridik-kallëzimi penal është i lejuar edhe pa kallëzim penal, nuk ka organ akuzues-prokuror, dhe pa organ akuzues nuk ka gjykatë penale. Asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk e kanë vendosur veten në pozitën time”. Parashtruesi i kërkesës pretendon që iu janë kufizuar liritë e garantuara me nenin 55 të Kushtetutës, duke aluduar në të drejtën e pronës, të drejtën e ushtrimit të kallëzimit penal dhe cenimin me burg.
31. Në fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që të shpallen të pavlefshme të tri aktgjykimet e gjykatave të rregullta, përkatësisht Aktgjykimi [P. nr. 72/17] i 17 majit 2019 i Gjykatës Themelore, Aktgjykimi [PA1. nr. 856/19] i 24 nëntorit 2019 i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi [Pml. nr. 184/21] i 1 qershorit 2021 i Gjykatës Supreme.
Pranueshmëria e kërkesës
32. Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
33. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113, paragrafët 1 dhe 7 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
34. Për më tepër, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.
35. Përveç kësaj, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur, gjithashtu, kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, përkatësisht me paragrafët 1, pika (c) dhe 2 të rregullit 39 të Rregullores, që përcaktojnë:
“ (1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
(…)
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit juridik i është dorëzuar parashtruesit […]
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
36. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e vendimeve të gjykatave të rregullta të cekura më lart, duke pretenduar se të njëjtat mohuan të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31, 32, 46, 54, dhe 55 të Kushtetutës.
37. Gjykata vëren se kemi të bëjmë me dy grupe të procedurave, përkatësisht: 1) me procedurën kontestimore, përkatësisht caktimin e masës së sigurisë lidhur me rrënimin e zyrës së avokatisë; dhe 2) me procedurën në lidhje me dënimin e parashtruesit të kërkesës për veprën penale lajmërim ose kallëzim i rremë. Andaj, Gjykata në vijim do t’i analizojë dhe trajtojë veç e veç secilin pretendim të parashtruesit të kërkesës në lidhje me këto procedura.
1) Sa i përket procedurës së parë, lidhur me caktimin e masës së sigurisë në lidhje me rrënimin e zyrës së avokaturës
38. Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara me ligj, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht, Aktvendimin [Ac. nr. 3028/2016] të 16 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, dhe ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur.
39. Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
40. Në lidhje me këtë procedurë, Gjykata rikujton që vendimi i fundit në rastin e parashtruesit të kërkesës është Aktvendimi [Ac. nr. 3028/2016] i Gjykatës së Apelit, i 16 shtatorit 2016. Në bazë të shkresave të lëndës, Gjykata vëren se vendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është nxjerrë më 16 shtator 2016 dhe nga parashtruesi ishte pranuar më 30 shtator 2016, ndërsa kërkesën e tij pranë Gjykatës parashtruesi e ka dorëzuar më 25 gusht 2021, pra afër 5 vite pasi që ka pranuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit.
41. Gjykata rikujton se periudha prej 4 (katër) muajsh fillon të ecë që nga data në të cilën parashtruesi i kërkesës dhe/ose përfaqësuesi i tij apo i saj ka pranuar vendimin përfundimtar apo ka pasur dijeni të mjaftueshme për vendimin përfundimtar të gjykatave të rregullta (shih, Vendimin e GJEDNJ-së: Koç dhe Tosun kundër Turqisë, nr. 23852/04, të 13 nëntorit 2008, shih, po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese e kërkesës Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2020, paragrafi 38).
42. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 30 shtator 2016, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar përmes postës më 25 gusht 2021, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
43. Gjykata përsërit se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë sigurinë juridike, duke siguruar që rastet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe të parandalojë që autoritetet dhe palët e tjera të interesuara të mbahen në gjendje të pasigurisë për një periudhë më të gjatë kohore (shih, Aktgjykimin e GJEDNJ-së: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258, shih, gjithashtu Aktgjykimin e GJEDNJ-së: Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë, nr. 56080/13, të 19 dhjetorit 2017, paragrafi 129, shih, po ashtu edhe rastin e Gjykatës: KI53/18, parashtrues i kërkesës: Hajri Ramadani, Aktvendimi për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 43).
44. Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqes kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih, Aktgjykimin e GJEDNJ-së: Sabri Güneş kundër Turqisë, kërkesa nr. 27396/06, të 29 qershorit 2012, paragrafi 39, shih, po ashtu edhe rastin e Gjykatës: KI12/20, i cituar më lart, paragrafi 42).
45. Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontrolli i tillë nuk është më i mundur (shih, Vendimin e GJEDNJ-së: Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, të 25 janarit 2000, shih, gjithashtu, Aktgjykimin e GJEDNJ-së: Sabri Güneş kundër Turqisë, të cituar më lart, paragrafi 40, shih, po ashtu edhe rastin e Gjykatës: KI53/18, i cituar më lart, paragrafi 45).
46. Prandaj, Gjykata konstaton se, lidhur me procedurën e parë, kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk është parashtruar brenda afatit ligjor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse është parashtruar jashtë afatit të paraparë ligjor.
2) Sa i përket procedurës së dytë lidhur me dënimin e parashtruesit të kërkësës për veprën penale kallzim ose lajmërim i rremë.
47. Lidhur me këtë procedurë, Gjykata fillimisht vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me ligj, të cilat janë theksuar më lart. Për sa i përket përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara me ligj, të cilat janë theksuar më lart, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar; konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 184/21] të 1 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme; ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe, e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
48. Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Specifikisht, rregulli 39 (2) përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
49. Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesat të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
50. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/21, cituar më lart, paragrafi 38).
51. Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
52. Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kallëzimi penal që parashtruesi i kërkesës e kishte bërë kundër gjyqtarit të Gjykatës Themelore Rr. Th., i cili kishte vendosur për revokimin e masës së përkohshme lidhur me rastin e parashtruesit që kishte të bënte me rrënimin e objektit-zyrës së avokatisë nga ana e Komunës së Pejës. Kallëzimi penal ishte refuzuar nga ana e Prokurorisë Themelore. Më tej, Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale kallëzim ose lajmërim i rremë. Gjykata Themelore kishte vendosur lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Themelore dhe kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale kallëzim ose lajmërim i rremë, ku i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej 3 vite, duke llogaritur nga dita kur aktgjykimi e merr formën e prerë. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë pranë Gjykatës së Apelit, ku kjo e fundit e aprovoi ankesën e tij dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ashtu që parashtruesit të kërkesës për veprën penale Lajmërim apo kallëzim i rremë, nga neni 390, par.1 i KPK-së i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, si dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, duke llogaritur nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë. Parashtruesi parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar.
53. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [ Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.
54. Sa i përket shkeljeve të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura, Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të vendosur të GjEDNj-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës (vendim) nr. 4241/03 i 31 majit 2005, shih gjithashtu Baillard kundër Francës (vendim) nr. 6032/04 i 25 shtatorit 2008);
b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vetë nuk vendos ndryshe (shih rastin KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43).
55. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës ka pretenduar shkelje të neneve 31, 32, 46, 54, 55 të Kushtetutës, mirëpo Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në substancë, ankohet se në rastin e tij ka pasur mohim të së drejtës për paraqitje të mjetit juridik përkatësisht paraqitje të kallëzimit penal në rastet kur nxirren vendime të kundërligjshme nga ana e gjyqtarëve dhe të cilat shkelje të të drejtave janë paraparë si vepër penale.
56. Lidhur me pretendimin e lartcekur, Gjykata vëren se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës ishte trajtuar edhe nga ana e gjykatave të rregullta, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe me këtë rast ishin shpallur si të pabazuara.
57. Në rrethanat e rastit konkret, në mënyrë që edhe më konkretisht të elaborohen parimet e përgjithshme të gjykimit kushtetues, Gjykata vëren se të gjitha gjykatat e rregullta kishin adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura me padi, ankesë dhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
58. Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të saj [P. nr. 72/2017] të 17 majit 2019, ndër të tjera, kishte theksuar:
“Gjykata në bazë të nenit 361 të KPPK-së këtë aktgjykim e bazon vetëm në faktet dhe provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, të cilat prova me ndërgjegje i ka vlerësuar çdo prove një nga një dhe në lidhje me provat tjera, dhe në bazë të vlerësimit të tillë ka nxjerrë përfundim se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale kallëzim i rremë nga neni 390, paragrafi 1 të KPK-së, është vërtetuar se i pandehuri ka paraqitur si kryes të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPK-së të dëmtuarin-gjyqtarin Rr. Th. Ish-gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryes i veprës penale për të cilën e ka paraqitur, andaj gjykata ka vërtetuar se i pandehuri është kryes i kësaj vepre penale, i pandehuri në kohën e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë penalisht përgjegjës, të njëjtin e ka shpallë fajtore dhe i ka shqiptuar dënimin si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.
[…]
Gjykata duke u bazuar nenin 7 të KPK-së, dhe në faktin se i pandehuri ka paraqitur si kryes të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPK-së të dëmtuarin-gjyqtarin Rr. Th. ish-gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryes i veprës penale për të cilën e ka paraqitur, andaj duke u bazuar në faktin se i pandehuri me dashje dhe vetëdije të plotë e ka ushtruar kallëzim të rremë penal, gjykata konsideron se në rastin konkret janë përmbushur të gjitha elementet objektive (veprimet e ndërmarra, të cilat veprime kanë qenë të kundërligjshme, dhe të njëjtat veprime janë paraparë si elemente të veprës penale kallëzim i rremë nga neni 390, paragrafi 1 të KPK-së) dhe subjektive (përgjegjësia penale e të pandehurit) të veprës penale, po ashtu në veprimet e të pandehurit është formuar figura e veprës penale kallëzim i rremë nga neni 390, paragraf 1 të KPK-së”.
59. Duke adresuar pretendimet e ngritura me ankesë, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj [PA1. nr. 856/19] të 24 nëntorit 2020, ndër të tjera, kishte theksuar:
“Gjykata e Apelit gjen se pretendimet ankimore të akuzuarit nuk qëndrojnë, sipas shkresave të çështjes edhe gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe se kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se në këtë drejtim asnjë fakt nuk ka ngelur në mëdyshje siç pa të drejt pretendohet në ankesë. Se i akuzuari e ka kryer veprën penale Lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390ë par.1 të KPRK-së, me pa mëdyshje është vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë nga provat e administruara në pajtim të nenit 361, par. 2 të KPP-së […]”.
Pretendimet e lartcekura sa i përket bazës ankimore të shkeljes së ligjit penal, kolegji penal i Gjykatës së Apelit vlerësoi se janë të pabazuara, ngase gjykata e shkallës së parë pas vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor ka arritur të dëshmojë se i akuzuari ka kryer veprën penale lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390ë par. 1 të KPRK-së ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, ku i akuzuari me dashje ka bërë lajmërim të rremë të personit zyrtar, në atë mënyrë që i akuzuari ka paraqitur si kryerës të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së të dëmtuarin Rr. Th., edhe pse i akuzuari e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryerës i veprës penale për të cilën e ka paraqitur. Sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate, del se drejt është aplikuar edhe ligji penal kur i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale Lajmërim apo kallëzim i rremë nga neni 390, par.1 të KPRK-së, pra në veprimet e të akuzuarit ekzistojnë të gjitha elementet e kryerjes së veprës penale, e cila i është vënë në barrë të njëjtit në anë të aktit akuzues. Kolegji penal i kësaj Gjykate vlerëson se drejt është aplikuar ligji penal që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu ky kolegj vlerëson se veprimet inkriminuese të përshkruara në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar përmbajnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën me të drejtë është shpallur fajtore nga Gjykata e shkallës së parë”.
60. Më tej, Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj kishte theksuar si në vijim:
“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimi i të dënuarit, është i pabazuar, ngase aktgjykimet kundër të cilave ka parashtruar kërkesë, nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet. Duke vlerësuar pretendimet konkrete të dënuarit del se pretendimi i tij përkitazi me konfliktin e interesit përkatësisht objektivitetin e gjyqtarëve të cilët kanë vendosur në këtë çështje penale është proceduar në harmoni të plotë me dispozitat e KPP-së dhe drejtë është konstatuar se nuk ka pasur bazë për përjashtimin e tyre nga vendimmarrja në këtë çështje penale, përkundër faktit se palë e dëmtuar ka qenë ish-gjyqtari i Gjykatës Themelore në Pejë. Për më tepër, kryetari i kësaj gjykate me rastin e kërkesës së të dënuarit çështjen e ka deleguar në Gjykatën Themelore në Pejë-dega në Deçan me qëllim të ruajtjes së objektivitetit në vendimmarrje. Fakti se tani i dëmtuari ka qenë duke punuar në gjykatën e shkallës së dytë në asnjë rrethanë nuk ka paraqitur bazë për përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Duke vlerësuar pretendimet e theksuara përkitazi me faktin se të dënuarit i është mohuar e drejta e ushtrimit të mjetit juridik dhe të drejtës për pronë të cilat të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sipas vlerësimit të kësaj gjykate dalin të jenë pretendime të pabazuara. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe shkresat e kësaj çështje penale rrjedh se i dënuari në asnjë rrethanë nuk është penguar në realizimin e të drejtave të tij, mirëpo me këtë rast i dënuari aludon në faktin se vendimmarrja nuk ka qenë në favor të tij dhe për këtë arsye përmes kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë shpreh pakënaqësinë për rastet e tij gjyqësore.
Duke vlerësuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës ka gjetur se në kërkesë nuk është theksuar ndonjë pretendim i konkretizuar se ku konsistojnë shkeljet e pretenduara, dhe për më tepër, as nuk është përcaktuar baza e shkeljeve të pretenduara, andaj për këtë arsye e në kuptim të nenit 436, par. 1 të KPPK-së, refuzoi këtë pjesë të kërkesës meqë ishte e kufizuar në verifikimin e shkeljeve në kuptim të dispozitës së lartcekur. Kurse disa pretendime tjera të theksuara në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk hyjnë në kompetencën e vendosjes me anë të këtij mjeti juridik përkatësisht janë jashtë kompetencës së kësaj gjykate për të vendosur”.
61. Parashtruesi i kërkesës i referohet shkeljes së nenit 32 [E drejta për Mjete Juridike], por nuk arsyeton në asnjë mënyrë se nga çfarë mjeti juridik ishte privuar dhe kundër cilit vendim ai nuk pati mundësinë të paraqiste ndonjë mjet juridik, por i lidh të njëjtat pretendime me kallëzimin penal të cilin e kishte bërë kundër gjyqtarit të Gjykatës Themelore Rr. Th., dhe për të cilin ishte dënuar nga gjykata për veprën penale kallëzim apo lajmërim i rremë. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se parashtruesit të kërkesës nuk i ishte mohuar asnjë e drejtë lidhur me mjetet juridike, përfshirë këtu edhe ushtrimin e kallëzimit penal, por se siç vërehet edhe nga arsyetimet e gjykatave të rregullta të cituara më lart, parashtruesi ishte dënuar për shkak se në procedurë gjyqësore ishte konstatuar dhe vendosur që parashtruesi kishte paraqitur kallëzim ose lajmërim të rremë.
62. Në këtë këndvështrim, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk përmban elemente të shkeljeve kushtetuese, siç pretendon parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e Konventës, nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse ai në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se i është mohuar e drejta e ushtrimit të mjetit juridik.
63. Edhe sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve tjera të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih në këtë kontekst, rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 81; KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, cituar më lart, paragrafët 38-39).
64. Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 31, 32, 46, 54, 55 të Kushtetutës duhet të deklarohen të papranueshme, si qartazi të pabazuara, pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht ka përmendur një ose më shumë dispozita të Kushtetutës, pa shpjeguar me atë rast se si ato janë shkelur. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
65. Si përmbledhje, sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, nga ana e gjykatave të rregullta, Gjykata konstaton se kërkesa:
1) Në lidhje me procedurën lidhur me rrënimin e zyrës së avokatisë, Gjykata konstaton që kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk është parashtruar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës sa i përket kësaj pjese është e papranueshme për shkak se është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
2) Në lidhje me procedurën penale, ku parashtruesi kërkesës ishte dënuar për veprën penale kallëzim ose lajmërim i rremë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31, 32, 46, 54 dhe 55 të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuara, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij në lidhje me këto dispozita konkrete. Rrjedhimisht, kërkesa në lidhje me këto pretendime duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39, paragrafi (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, neneve 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullave 39 (1) (c), 39 (2) si dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 tetor 2022, njëzëri
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Naser Husaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Kërkesa është qartazi e pabazuar