Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.33/2022, të 15 shatorit 2022

Nr. të lëndës KI26/23

Parashtruesit: “Kastrioti Petrol”

Shkarko:

KI26/23, Parashtrues “Kastrioti Petrol”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E.Rev.nr.33/2022, të 15 shatorit 2022

KI26/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 9 nëntorit 2023, publikuar më 4 dhjetor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik, në janar të vitit 2011, kishte lidhur kontratë me Ministrinë e Drejtësisë për furnizim të derivateve të naftës. Si rezultat i arrestimit të disa zyrtarëve të kësaj Ministrie dhe të njërit prej punonjësve të parashtruesit të kërkesës, Ministria e Drejtësisë në vitin 2011 kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për ndërprerje të kontratës. Parashtruesi i kërkesës, si rezultat i lirimit nga akuza të punonjësit të tij përmes vendimeve të gjykatave, të nxjerra në procedurë penale, kishte parashtruar kërkesëpadi në vitin 2019 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për pagesën e një shume të caktuar, si rezultat i mos-pagesës së tri faturave të vitit 2011. Gjykata Themelore në Prishtinë kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar me konstatimin se kërkesa për pagesën e këtyre faturave ishte parashkruar pasi që bazuar në nenin 374 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve kishin kaluar më shumë se tri vite. Si rezultat i ankesës së parashtruesit të kërkesës, të parashtruar në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit ankesën e tij e kishte refuzuar si të pabazuar duke vërtetuar qëndrimin dhe konstatimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Në vijim, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme, e cila përmes Aktgjykimit të saj të 15 shtatorit 2022, e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se në kuptim të zbatimit të së drejtës materiale, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri faturave, të vitit 2011 ishte parashkruar.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  Specifikisht, thelbi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve përkitazi me parashkrimin e kërkesës për pagesën e detyrimeve që dalin nga marrëdhënia kontraktuale në mes të tij dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështes pretendimin e tij se si gjykatat e rregullta, gjatë interpretimit dhe zbatimit të dispozitave përkatëse ligjore, kanë shkelur të drejtat e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

“Kastrioti Petrol”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile