Prishtinë, më 25 shtator 2023
Nr. Ref.: RK 2268/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI127/22
Parashtrues
N. T. SH. “M Com”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktgjykimit ARJ. UZVP. nr. 49/2022 të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar në emër të kompanisë N.T.Sh. “M Com” nga Mehmet Maliqi, si pronar i kompanisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin para Gjykatës e përfaqësojnë Arbër Krasniqi dhe Agnez Furra, avokatë në Prishtinë.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ. UZVP. nr. 49/2022] të 15 qershorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [AA. Uzh. nr. 89/2022] të 7 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr.01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 23 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 26 gusht 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 5 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr. GJR. KSH127/22], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 2 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një parashtresë “Urgjencë”, përmes të cilës kërkoi që rasti i tij të trajtohet me prioritet.
Më 1 qershor 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga kjo e fundit që të dorëzojë në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të rastit.
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 7 shkurt 2018, Administrata Tatimore e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK), përkatësisht Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së) në bazë të autorizimit [PP. nr. 2/18] të Prokurorisë Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kreu hetimet tatimore në lidhje me veprimtarinë e parashtruesit të kërkesës si pronar i N.T.Sh. “M Com” për periudhën 1 janar 2013 deri më 31 dhjetor 2016.
Më 19 shkurt 2019, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së përpiloi “Raport Final Hetues” (në tekstin e mëtejmë: Raporti i ATK-së) përmes të cilit ishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës gjatë ushtrimit të veprimtarisë biznesore kishte kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga paragrafi 3 i nenit 313 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 22 shkurt 2019, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së njoftoi parashtruesin e kërkesës se bazuar në hetimet e lartpërmendura, kishte rezultuar se i njëjti ka “bërë shmangie tatimore në shumën prej 475,895.79 euro pa ndëshkime dhe interesa”.
Më 20 nëntor 2019, ATK përmes postës elektronike e njoftoi parashtruesin e kërkesës për Raportin e Kontrollit të ATK-së, të 19 shkurtit 2019, të përpiluar nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës të ATK-së, në të cilin raport ishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës i ishte shmangur pagesës së tatimit.
Nga shkresat e rastit rezulton se më 20 nëntor 2019, parashtruesi i kërkesës kundër Raportit të ATK-së, paraqiti padi në Gjykatën Themelore. Në padinë e tij, parashtruesi i kërkesës theksoi se e kishte pranuar Raportin e ATK-së, të 19 shkurtit 2019, duke pohuar se “është shtuar vlera e TVSH-së në shitje në objektin afarist i cili ka qenë në emër personal të pronarit dhe jo biznesit”. Në vijim, parashtruesi i kërkesës në padinë e tij theksoi se është i gatshëm që të paguajë tatimin në emër të vet por jo në emër të biznesit të tij individual.
Më 25 nëntor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 2745/19] i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë padinë e tij në afat prej tetë (8) ditësh duke dorëzuar kopjen e vendimit të kontestuar, përfshirë të gjitha shkresat e lëndës.
Më 17 qershor 2021, Gjykata Themelore, pas plotësimit të padisë nga ana e parashtruesit, përmes Aktvendimit [A. nr. 2745/19] hodhi poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër Raportit të ATK-së, të 19 shkurtit 2019. Në arsyetimin e saj, Gjykata Themelore theksoi se nuk ka gjetur se ekziston akti administrativ kontestues të cilin parashtruesi i kërkesës e kundërshton, konkretisht mungon akti administrativ i Departamentit të Ankesave të ATK-së dhe nuk ka prova se paditësi i ka shteruar të gjitha mjetet e brendshme juridike për të ngritur konflikt administrativ në gjykatë.
Më 23 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Njoftimit të Rivlerësimit të Tatimit Shtesë, të 22 shkurtit 2019 të ATK-së parashtroi ankesë në Divizionin e Ankesave të ATK-së, me pretendimin se ky i fundit nuk i plotëson kriteret e një akti administrativ sepse i mungon edhe këshilla juridike. Të njëjtën ditë, parashtruesi i kërkesës nga Divizioni i Ankesave të ATK-së gjithashtu kërkoi pezullimin e procedurave të konfiskimit të pasurisë së luajtshme deri në përfundimin e procedurës ankimore.
Më 23 nëntor 2021, ATK njoftoi parashtruesin e kërkesës se ndaj tij kishte filluar procedura e konfiskimit të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Më 25 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore dorëzoi një parashtresë “për precizimin dhe plotësimin e kërkesëpadisë” duke kërkuar që ATK çështjen ta kthejë në rivlerësim.
Më 1 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [A. nr. 2745/2019] hodhi poshtë si të palejueshme propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, të parashtruar më 25 nëntor 2021. Gjykata Themelore theksoi se bazuar në paragrafin 6 të nenit 22 të Ligjit për Konflikt Administrativ “nuk lejohet shqyrtimi i propozimit për caktimin e masës së sigurisë [...] pasi që në këtë rast gjykata e ka hedhur poshtë padinë e paditësit si të parakohshme”.
Më 2 dhjetor 2021, Divizioni i Ankesave i ATK-së përmes Vendimit [nr. 534/2021] hodhi poshtë si të paafatshme ankesën e parashtruesit të kërkesës, të parashtruar kundër Njoftimit të Rivlerësimit të Tatimit Shtesë, të 22 shkurtit 2019 të ATK-së, me arsyetimin se bazuar në paragrafin 2 të nenit 77 (Ankesat në Administratën Tatimore ) të Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat (në tekstin e mëtejmë: Ligji për ATK-në) afati për parashtrimin e ankesave është tridhjetë (30) ditë, dhe se në rastin konkret ky afat nuk është respektuar, pasi që parashtruesi njoftimin e lartpërmendur e ka pranuar më 22 shkurt 2019, dhe ankesën e tij e ka parashtruar më 23 nëntor 2021. Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se njoftimit të lartpërmendur i mungonte këshilla juridike, ATK theksoi se bazuar në nenin 127 (Afati kohor për parashtrimin e ankesës) të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative) parashihet se nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni është tre (3) muaj, e që në rastin konkret as ky afat nuk ishte respektuar.
Më 13 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore përmes të cilës kërkoi anulimin e Vendimit [nr. 534/2021] të 2 dhjetorit 2021 të Divizionit të Ankesave të ATK-së dhe Njoftimit, të 22 shkurtit 2019 të ATK-së.
Më 14 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore parashtroi propozim për pezullimin e Vendimit [nr. 5354/2021] të Divizionit të Ankesave të ATK-së, përkatësisht propozoi që ATK-ja “të pezullon të gjitha veprimet për konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme që janë në emër të personit fizik [M.M] si dhe të largoj të gjitha barrat tatimore të cilat janë bërë për dhe në emër të propozuesit”.
Më 20 dhjetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 2953/2021] hodhi poshtë si të palejuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për anulimin dhe pezullimin e Vendimit [nr. 5354/2021] të Divizionit të Ankesave të ATK-së.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit [A. nr. 2953/2021] të 20 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 7 shkurt 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA. nr. 89/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit theksoi se: “njëjtë si gjykata e shkallës së parë, vlerëson se paditësi nuk ka ushtruar ankesë te e paditura brenda afatit të paraparë me ligj, edhe pse është njoftuar për një borxh të tillë nga e paditura, në këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit nr. 03/L-222 për ATK-së, nenin 34, paragrafi 1.4 të LKA-së, nenit 44 të U.A nr.15/2010”. Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se është vërtetuar gabimisht gjendja faktike, Gjykata e Apelit të njëjtin e refuzoi si të pabazuar me arsyetimin se ai nuk kishte ofruar prova të cilat do të kontestonin gjendjen faktike.
Më 3 mars 2022, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Zyrës së Prokurorit të Shtetit me propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [A. nr. 2953/2021] të 20 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimit [AA. nr. 89/2022] të 7 shkurtit 2022 të Gjykatës së Apelit. Të njëjtë ditë, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor kundër Aktvendimit [A. nr. 2953/2021] të 20 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimit [AA. nr. 89/2022] të 7 shkurtit 2022 të Gjykatës së Apelit për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 28 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLA. nr. 2/2022] njoftoi parashtruesin e kërkesës se në rastin konkret mjafton kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe se kërkesa e tij për mbrojtje të ligjshmërisë është e panevojshme.
Më 15 qershor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr. 49/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
Gjykata Supreme theksoi se pajtohet me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, duke shtuar se bazuar në nenin 77 të Ligjit për ATK-në parashihet se ankesa ndaj vendimeve të Administratës Tatimore duhet të paraqitet në Departamentin e Ankesave në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit. Në rastin konkret, Gjykata Supreme konstatoi se parashtruesi i kërkesës Raportin e Kontrollit të ATK-së e kishte pranuar më 22 shkurt 2021, përderisa ankesën e tij kundër këtij raporti e kishte parashtruar më 23 nëntor 2021.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar atij i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se ATK-ja, e ka ndëshkuar pa bazë ligjore, duke e ngarkuar me barrë tatimore. Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi shton se: “[...] kur e ka njoftuar me njoftimin pa numër protokolli të cilin e konsiderojmë “Njoftim” i cili ka të bëjë me çështje prokuroriale/penale për të cilën mungon klauzola vendimtare e aktit administrativ pra “Këshilla Juridike” pra të njëjtit i është pamundësuar e drejta në ankesë”. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës thekson se “ka qenë laik në këtë çështje dhe se i njëjti nuk ka pasur përfaqësues ligjor”.
Parashtruesi i kërkesës më tej shton se ndëshkimet tatimore e tejkalojnë kryegjënë, dhe se veprimet e shitblerjeve i ka bërë në emër të vet si person fizik, ndërsa është ngarkuar me barrë tatimore shtesë në emër të biznesit individual.
Sipas parashtruesit të kërkesës: “Gjykata gabimisht në mënyrë të gabuar dhe të mangët bënë konstatimin e gjendjes faktike në këtë çështje juridike, e në këtë mënyrë nxori përfundimet e gabuara e mbi këtë bazë të nxjerrë aktvendim kontestues jo në pajtim me dispozitat ligjore”. Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i kontestuar nuk është mjaftueshëm i arsyetuar.
Parashtruesi i kërkesës më tej shton se vendimi i kontestuar është kontradiktor dhe se gjykatat e rregullta gabimisht kanë vërtetuar gjendjen faktike.
Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se për këtë çështje ekzistojnë dy vendime kontradiktore të shkallës së parë, përkatësisht njëri që ndërlidhet me vendimin se padia e tij është e parakohshme dhe tjetri që ndërlidhet me vendimin se padia e tij është e palejuar.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata të shpallë të pavlefshme të gjitha vendimet gjyqësore.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
LIGJI Nr. 03/L-222 PЁR ADMINISTRATËN TATIMORE DHE PROCEDURAT
Neni 77
Ankesat në Administratën Tatimore
1. Drejtori i Përgjithshëm do të themelojë brenda ATK-së një Departament të Ankesave që ka detyrë të marrë në konsideratë ankesat nga personat të cilët kundërshtojnë një vlerësim ose vendim të Drejtorit të Përgjithshëm sipas legjislacionit të administruar nga ATK.
2. Një person i cili kundërshton vlerësimin e tatimeve ose përcaktim zyrtar të ATK-së mund të paraqesë ankesë në Departamentin e Ankesave për të rishqyrtuar përcaktimin zyrtar. Ankesa duhet të dorëzohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data kur tatimpaguesi ka pranuar njoftimin e vlerësimit ose përcaktim tjetër zyrtar. Ankesa do të jetë me shkrim dhe duhet të përmbajë arsyet dhe dokumentet mbi të cilat tatimpaguesi e bazon ankesën. Ministri do të nxjerrë një akt nënligjor për të përkufizuar ata persona të cilët mund të dorëzojnë ankesë në Departamentin e Ankesave; të drejtat për ankesë në rast të një vlerësimi të tatimit me zero; efektet detyruese të një vendimi në tatimpaguesit tjerë që mund të preken nga vendimet; pezullimin dhe shtyrjen e procedurave; formën, përmbajtjen dhe kërkesat e njoftimit të departamentit të ankesave; rrethanat nën të cilat departamenti i ankesave është i obliguar të komunikojë me tatimpaguesin apo përfaqësuesin e tatimpaguesit; formati i dokumentit të vendimit i nxjerrë nga departamenti i ankesave në përfundim të procesit të ankesave; dhe e drejta për të marrë pjesë në procesin e ankesave nga personat të cilët nuk janë tatimpagues direkt, por mund të ndikohen nga vendimi i ankesave.
3. Periudha kohore për ankesë kundër ndonjë vendimi zyrtar të ATK-së e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni mund të zgjatet nëse gjatë kësaj periudhe kanë ekzistuar rrethanat e arsyeshme të cilat e kanë penguar personin në respektimin e afatit ligjor e të cilat rrethana janë jashtë kontrollit të tatimpaguesit ose janë të atilla që nëse nuk lejohet rivendosje e afatit do të rezultonin me padrejtësi ndaj personit. Zgjatja e aftit bëhet në pajtim me Ligjin nr. 02/L-28 Mbi Procedurën Administrative.
4. Departamenti i Ankesave do të marrë në konsideratë ankesën e tatimpaguesit dhe do të lëshojë një vendim për këtë. Vendimi do t’i dorëzohet me shkrim personit i cili ka paraqitur ankesën sa më shpejt që të jetë e realizueshme, por jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas datës së ankesës. 5. Vendimi i Departamentit të Ankesave, i nxjerrë në përputhje me autorizimin që i është deleguar, do të jetë vendimi i fundit i Drejtorit të Përgjithshëm dhe do të jetë detyrues për ATK-në. Nëse pas një vendimi nga Ankesat bëhen me dije fakte të reja, ato fakte mund të përdoren nga ATK në bërjen e një vlerësimi të ndonjë tatimi shtesë i cili mund të jetë obligim.
6. Personi i cili nuk pajtohet me një vendim të Departamentit të Ankesave mundet të paraqesë ankesë në Bordin e Pavarur për Rishqyrtim brenda tridhjetë (30) ditëve pasi është marrë njoftimi i vendimit të Departamentit të Ankesave.
7. Nëse Departamenti i Ankesave nuk është në gjendje të merr vendim mbi rastin, bazuar në informatat e dhëna qoftë nga tatimpaguesi apo nga ATK, Departamenti i Ankesave mund të kërkoj sqarime shtesë nga tatimpaguesi apo nga ATK-ja ose nga të dyja. Afatet kohore përbrenda së cilave Departamenti i Ankesave merr vendim mbi rastin, do të suspendohen nga data kur sqarimet shtesë janë kërkuar deri në datën kur sqarimet shtesë janë marrë.
8. Në rastin kur Departamenti i Ankesave nuk dorëzon vendimin brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita kur është dorëzuar ankesa, tatimpaguesi mundet të paraqesë ankesë për vlerësimin ose vendimin tjetër zyrtar drejtpërdrejt në Bordin e Pavarur për Rishqyrtim.
LIGJI NR. 05/L-031 PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE
Neni 127
Afati kohor për parashtrimin e ankesës
[...]
3. Nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion, apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike), afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, është tre (3) muaj.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), i cili përcakton:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu, merr parasysh rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
b) Janë shteruar të gjitha mjetet efektive te përcaktuara me ligj kundër aktit të kontestuar;
[…]”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP. nr. 49/2022] të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme. Megjithatë, në vijim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike ashtu siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Gjykata së pari rikujton esencën e rastit e cila ka të bëj me faktin se ATK-ja, në vitin 2019, përmes Raportit të Kontrollit të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, ishte konstatuar se ky i fundit i ishte shmangur pagesës së tatimit. Parashtruesi i kërkesës kundër Raportit të lartpërmendur kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore. Kjo e fundit, padinë e parashtruesit të kërkesës e kishte hedhur poshtë si të parakohshme duke theksuar se nuk ka gjetur se ekziston akti administrativ kontestues të cilin parashtruesi i kërkesës e kundërshton, konkretisht mungon akti administrativ i Departamentit të Ankesave të ATK-së dhe nuk ka prova se paditësi i ka shterur të gjitha mjetet e brendshme juridike për të ngritur konflikt administrativ në gjykatë. Parashtruesi i kërkesës, në muajin nëntor të vitit 2021 kishte paraqitur ankesë në Divizionin e Ankesave të ATK-së. Kjo e fundit ankesën e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të paafatshme. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e vendimit të lartpërmendur dhe pezullimin e të njëjtit duke kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që: “të pezullojë të gjitha veprimet për konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme që janë në emër të personit parashtruesit të kërkesës”. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të palejuar propozimin me arsyetimin se ankesa ishte paraqitur jashtë afatit të përcaktuar kohor. Aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.
Nga si më sipër, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka shteruar mjetet juridike ashtu siç kërkohet me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës.
Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës, i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre përmes procedurave gjyqësore të rregullta para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar, pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporuar në të drejtën nacionale apo jo (shih, inter alia, Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93 Aktgjykimit të GJEDNJ-së të 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
Ky parim nënkupton se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, ndër të tjera, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5493/72, Aktgjykimit të GJEDNJ-së i 7 dhjetorit 1976, paragrafi 48).
Megjithatë, sipas praktikës së GJEDNJ-së, përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizëm të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjeshtë vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, që ka për qëllim që pastaj ta paraqesë para GJEDNJ-së, duhet: a) t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë; dhe b) të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, nr. 22978/05, Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafi 142).
Sa i përket pikës a) të cekur më lart, që parashtruesi i kërkesës t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë para se t’i drejtohet Gjykatës, Gjykata thekson se parimi i subsidiaritetit kërkon që parashtruesi të shterojë të gjitha mundësitë procedurale në procedurë të rregullt, në mënyrë që të parandalohet shkelja e Kushtetutës apo, nëse ka shkelje, të korrigjohet shkelja e tillë e të drejtave themelore. Përndryshe, parashtruesi i kërkesës është përgjegjës kur rasti i tij shpallet i papranueshëm nga Gjykata Kushtetuese nëse dështon të shfrytëzojë procedurat e rregullta, apo dështon të raportojë shkeljen e Kushtetutës në procedurë të rregullt. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie do të kuptohet si heqje dorë nga e drejta për të kundërshtuar më tej shkeljen dhe për t’u ankuar (shih, rastet e Gjykatës KI68/16, Fadil Rashiti, Aktvendimin për papranueshmëri, i 31 marsit 2017, paragrafi 38, dhe KI139/12, Besnik Asllani, Aktvendimin për papranueshmëri, i 30 nëntorit 2012, paragrafi 45; KI210/19, Sabri Ismaili, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 35; shih, gjithashtu, rastin e GJEDNJ-së Kudla kundër Polonisë, Aktgjykim i 26 tetorit 2000, paragrafi 152).
Ndërsa, sa i përket kriterit b) që parashtruesi të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi para se t’i drejtohet Gjykatës, sipas praktikës gjyqësore të GEDNJ-së ka theksuar se mjetet juridike nuk janë shterur në rastet kur ankesa nuk është pranuar për shqyrtim nga gjykatat e rregullta, për shkak të lëshimeve procedurale të parashtruesit të kërkesës (shih në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, cekur më lart, paragrafi 143; Kunert kundër Polonisë, cekur më lart, paragrafi 42; dhe Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, cekur më lart, paragrafi 54; Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës, Vendim i 27 prillit 2000).
Për më tepër, sa i përket pikës b) të cekur më sipër, GJEDNJ ka theksuar se rregullat që përcaktojnë hapat procedural që kërkohet të ndërmerren dhe afatet kohore të cilat duhet të respektohen, sa i përket paraqitjes së ankesës, janë krijuar për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë dhe pajtueshmërinë, veçanërisht, me parimin e sigurisë juridike (shih, rastin e GJEDNJ Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës, cituar më lart).
Lidhur me shterimin e mjeteve juridike në rastin konkret
Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës si në procedurën e zhvilluar para gjykatave të rregullta, ashtu edhe në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë, në thelb konteston çështjen e konstatimit të Raportit të Kontrollit të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës të ATK-së, përmes të cilit ishte konstatuar se parashtruesi i ishte shmangur pagesës së tatimit. Thënë këtë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë nuk i referohet apo nuk pretendon në mënyrë specifike çështjen e konstatimit të gjykatave të rregullta që ndërlidhen me afatshmërinë e ankesave, përkatësisht padisë së tij.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata në vazhdim, bazuar në parimet e lartpërmendura, do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e shterimit të mjeteve juridike, sipas standardeve të përcaktuara më lart, respektivisht nëse ai ka respektuar kërkesat procedurale në mënyrë që institucionet kompetente dhe gjykatat e rregullta të mund të trajtojnë pretendimet e tij lidhur me anulimin dhe vendosjen e masës së sigurisë kundër Vendimit nr. 534/2021 të 2 dhjetorit 2021 të ATK-së.
Gjykata rikujton se në esencë parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ankohet se ATK-ja, respektivisht Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës e ka ndëshkuar pa bazë ligjore, duke e ngarkuar me barrë tatimore.
Nga si më sipër, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën e ankesës ndaj aktit administrativ të ATK-së brenda afatit të përcaktuar me nenin 77 (Ankesat në Administratën Tatimore) të Ligjit për ATK-në.
Në mbështetje të asaj që u tha më lart, Gjykata së pari rikujton Aktvendimin [A. nr. 2953/2021] të Gjykatës Themelore përmes të cilit propozimi i parashtruesit të kërkesës për anulimin dhe caktimin e masës së përkohshme ndaj Vendimit [nr. 5354/2021] i 23 nëntorit 2021 i Divizionit të Ankesave të ATK-së ishte hedhur poshtë si i palejuar, me arsyetimin se e njëjta ishte parashtruar jashtë afateve të përcaktuar me ligj.
Më tej, Gjykata po ashtu rikujton se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e mbështetën në tërësi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore. Specifikisht, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj kishte konstatuar se: “Edhe pse [parashtruesi] është njoftuar për rivlerësim gjegjësisht se i padituri në bazë të gjetjeve ka nxjerrë Raportin e Kontrollit dhe ka konstatuar shmangie nga pagesa e tatimeve nga ana e tatimpaguesit –paditësit, i njëjti nuk ka parashtruar ankesë brenda afatit prej 30 ditëve, siç këtë e përcakton neni 77, paragrafi i Ligjit për Administratën tatimore dhe procedurat, dhe neni 127, paragrafi 3 i Ligjit nr.05/031 për procedurën e përgjithshme administrative i cili parasheh që nëse akti administrativ është lëshuar pa informacion apo me informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mjetet juridike administrative (këshillën juridike) afati i parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni është (3) muaj. Paditësi edhe pse është njoftuar nga i padituri për borxhin ai nuk ka parashkruar ankesë brenda afateve ligjore të parapara me ligjet e sipërcekura”.
Nga si më sipër dhe në ndërlidhje me atë që u tha më lart, Gjykata vëren se, Gjykata Supreme dhe as gjykatat e instancave më të ulëta nuk kishin mundësi të trajtonin pretendimin e parashtruesit të kërkesës kundër Njoftimit të ATK-së, të 22 shkurtit 2019, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës ishte njoftuar për të gjeturat e Raportit të Kontrollit, të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës të ATK-së përkitazi me shmangien e pagimit të tatimit.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës, megjithëse e kishte ngritur si pretendim, ai kishte humbur mundësitë e tij procedurale që përmes procedurës së zhvilluar gjyqësore të dëshmonte pretendimet e tij, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore duke kërkuar anulimin dhe pezullimin e vendimit të Divizionit të Ankesave të 23 nëntorit 2021, të ATK-së.
Rrjedhimisht, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës e që ndërlidhen me detyrimin e shterimit të mjeteve juridike, konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore, respektivisht për faktin se padinë e tij në gjykata të rregullta e kishte parashtruar jashtë afateve të përcaktuar me ligj.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, dhe kërkesa e tij duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
N.T.SH. “M Com”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative