Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021

Nr. të lëndës KI230/21

Parashtruesit: Global Trade-af, sh.p.k.

Shkarko:

Prishtinë, më  1 shtator 2022

Nr. ref.:AGJ 2043/22

AKTGJYKIM në rastin nr. KI230/21

 Parashtrues 

Global Trade-af, SH.P.K.

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

e përbërë nga:

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 Parashtruesi i kërkesës  

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Global Trade-af, SH.P.K. me seli në Fushë Kosovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin sipas autorizimit e përfaqëson Albana Kelmendi, avokate nga Prishtina.

Vendimi i kontestuar

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021, në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, AA. nr. 42/2021, të 22 shkurtit 2021 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, A. nr. 511/18, të 14 tetorit 2020.
  2. Vendimi i kontestuar është pranuar nga parashtruesi i kërkesës më 18 gusht 2021.

Objekti i çështjes

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Baza juridike

  1. Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

Procedura në Gjykatë

  1. Më 17 dhjetor 2021, parashtruesi e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
  2. Më 22 dhjetor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
  3. Më 28 dhjetor 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi.
  4. Më 11 janar 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë të bashkëngjisë fletëkthesën e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 24 prillit 2021, si dhe kopjen e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, nr. 42/2021, të 22 shkurtit 2021.
  5. Më 13 janar 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë dorëzoi shkresat e plota të lëndës në të cilat gjendet fletëkthesa e kërkuar, e cila dëshmon që parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e Gjykatës Supreme ARJ-UZVP-nr. 45/2021 të 28 prillit 2021, e ka pranuar më 18 gusht 2021, si dhe kopjen e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA. nr. 42/2021, të 22 shkurtit 2021.
  6. Më 6 qershor 2022, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimi i kërkesës me plotësime shtesë të shtyhet për një seancë tjetër të Gjykatës.
  7. Më 18 korrik 2021, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimi i këtij rasti me plotësime shtesë të shtyhet për një seancë tjetër të Gjykatës.
  8. Më 26 korrik 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe me shumicë votash i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.
  9. Të njëjtën ditë, Gjykata (i) me shumicë votash konstatoi (ii) se kërkesa është e pranueshme; dhe (iii) me shumicë votash konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP-nr. 45/2021, i 28 prillit 2021, nuk është në pajtueshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
  10. Të njëjtën ditë, gjyqtar Radomir Laban deklaroi se do të paraqes mendim mospajtues në pajtim me rregullin 61 (1) të Rregullores së punës.

Përmbledhja e fakteve

  1. Parashtruesi i kërkesës, sipas shkresave të lëndës, importon mallra të ndryshme nga “Kompania BAI LEE IMPORT AND EXPORT CO.LTD”, si kompani eksportuese me origjinë nga Kina (në tekstin e mëtejmë: “Kompania BAI LEE”) dhe me këtë rast, me qëllim të caktimit të vlerës së mallit dorëzon urdhërpagesën bankare ndërkombëtare.
  2. Më 19 janar 2018, me rastin e deklarimit të këtij malli për zhdoganim në Deklaratën Unike Doganore (në tekstin e mëtejmë: DUD), me referencë R1243, dhe gjatë prezantimit të dokumenteve të tjera përkatëse, Dogana e Kosovës (Zyra e Pranimit Qendror) në procedurën e zhdoganimit, përcaktoi vlerën e mallit dhe e rivlerësoi të njëjtin bazuar në metodën 6 të vlerësimit, duke përcaktuar vlerën e re doganore në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës, përkatësisht zhdoganimeve të mëhershme.
  3. Më 23 shkurt 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Sektorin për Rishqyrtimin e Vendimeve të Doganës së Kosovës kundër Vendimit R1243 të 19 janarit 2018.
  4. Më 26 shkurt 2018, Dogana e Kosovës, përmes Aktvendimit nr. 01.3.2.2/75, refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se Zyra e Pranimit Qendror ka vepruar drejtë (i) sepse vlera e mallit të deklaruar për zhdoganim nuk paraqet vlerën reale të paguar për mallin me qëllim të importit, për arsye se vlera e deklaruar është më e vogël sesa vlera reale e paguar, në vështrim të nenit 33 të Kodit nr. 03/L-109 Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kodi Doganor dhe i Akcizave); dhe (ii) për shkak se vlerësimin e mallit e ka bërë duke u bazuar në metodën 6 të vlerësimit nga neni 35 i Kodit Doganor dhe të Akcizave, ngase të dhënat e marra në zhdoganimet e rregullta pasqyrojnë vlerën reale të mallrave lëndore kontestuese dhe në rastin konkret si vlerë referencë është marrë çmimi i mallit nga dosja e vlerave, përkatësisht çmimet e bursës në kohën e blerjes së mallrave. Më tej, Dogana e Kosovës në lidhje me urdhërpagesën bankare ndërkombëtare theksoi se ajo nuk mund të konsiderohet valide sepse nëse e shikojmë statusin e kësaj pagese ajo është vetëm e “përgatitur” ndërsa pagesa nuk është ekzekutuar, prandaj e njëjta nuk paraqet dokument të besueshëm. Sa i përket aplikimit të nenit 33 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Dogana e Kosovës arsyetoi se subjekti duhet të dëshmojë se vlera e deklaruar paraqet vlerën reale të transaksionit dhe se çmimet e zhdoganimeve të mëhershme tregojnë ndryshe nga ajo që pretendon parashtruesi i kërkesës.
  5. Më 22 mars 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi kundër Aktvendimit të Doganës së Kosovës nr. 01.3.2.2/75 të 26 shkurtit 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendoi (i) shkelje të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave; (ii) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përkatësisht Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe Ligjit për Procedurën Administrative.
  6. Më 14 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktgjykimit A. nr. 511/18, refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, dhe la në fuqi Aktvendimin e Doganës së Kosovës, nr. 01.3.2.2/75, të 26 shkurtit 2018. Sipas shkresave të lëndës, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht përfaqësuesi i tij, ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe mori pjesë në seancën gjyqësore, gjegjësisht seancën dëgjimore publike e cila u mbajt po të njëjtën ditë, dhe kështu ai pati mundësinë të shprehej në këtë seancë gjyqësore para kësaj gjykate. Gjykata Themelore e nxori aktgjykimin e saj duke u mbështetur në dispozitat ligjore, përkatësisht në nenin 81.1. paragrafi 2, pika 2.1, të Ligjit 04/L-102 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222 (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat).
  7. Më 20 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore A. nr. 511/18, duke konsideruar se i njëjti është i përfshirë me (i) shkelje esenciale të dispozitave të procedurës; (ii) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
  8. Më 22 shkurt 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit AA. nr. 42/2021, refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore A. nr. 511/18, duke e pranuar qëndrimin juridik të kësaj të fundit si të bazuar. Gjykata e Apelit nxori vendimin e saj pa caktuar seancën dëgjimore publike dhe pa e ftuar parashtruesin e kërkesës në seancë gjyqësore. Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin e saj duke u mbështetur në nenet 49 dhe 63 të Ligjit për Konfliktet Administrative nr. 03/L-202 (në tekstin e mëtejmë: LKA) dhe nenin 200 të Ligjit për Procedurën Kontestimore nr. 03/L-006 (në tekstin e mëtejmë: LPK).
  9. Më 6 prill 2021, parashtruesi parashtroi kërkesë në Gjykatën Supreme për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës ngriti edhe çështjen e mosmbajtjes së seancës dëgjimore publike dhe rrjedhimisht zbatimin e gabuar të neneve 81c dhe 81g të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat.
  10. Më 28 prill 2021, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit ARJ-UZVP-nr. 45/2021, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm. Gjykata Supreme theksoi se: (i) paditësi nuk ka paraqitur dokumentacionin e kompletuar dhe të harmonizuar me vlerën reale të mallit të paguar. Në fakt, faktet vendimtare, ato më të rëndësishme, siç janë transfertat bankare dhe deklarata e eksportit, të harmonizuara me vlerat e faturave, në kuptim të nenit 123 të Udhëzimit Administrativ 11/2009, gjykata nuk ka mundur t’i vërtetojë, dhe për rrjedhojë nuk ka mundur ta pranojë pretendimin nga padia se vlera e deklaruar e mallit paraqet vlerën e tij reale; (ii) i pranon konstatimet e organit të paditur se paditësi nuk ka prezantuar dokumentacionin e kompletuar me të cilin do të vërtetohej se çmimi i deklaruar paraqet njëkohësisht edhe vlerën reale të mallit (neni 33 i Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 03/L-109); (iii) se e paditura ka vepruar drejtë atëherë kur me vendimin e kontestuar ka konfirmuar rivlerësimin e mallit nga Sektori i Pranimit Qendror, duke aplikuar metodën e 6 të vlerësimit nga neni 35 i Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 03/L-109, përkatësisht vlerësimit në bazë të të dhënave me të cilat disponon Dogana.

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
  2. Sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës thekson se ai, “[…] sfidon specifikisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP. nr. 45/2021 i dt. 28.04.2021 (pranuar me datë 18.08.2021, nga përfaqësuesja e autorizuar e paraqitësit të kërkesës), për mos arsyetim të vendimit të saj lidhur me pretendimet e ngritura se Gjykata e Apelit, është dashur të caktoj shqyrtim publik për të dëgjuar pretendimet ankimore të paditësit lidhur me refuzimin si të pabazuar të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm lidhur me shkeljet e bëra nga Gjykata e shkallës së dytë-Gjykata e Apelit të Kosovës, që aktgjykimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës kur çështjen e ngritur sipas ankesës së paditësit, e ka vendosur në seancën e kolegjit pa mbajtur seancë publike ku palët dëgjohen […]”.
  3. Pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh edhe me zbatimin e gabuar të ligjit, duke theksuar se, “Gjykata e Apelit të Kosovës, ka shkelur nenin 81. G të Ligjit për Plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222, për arsye se fare nuk ka caktuar seancë të shqyrtimit gjyqësor, por kolegji i kësaj gjykate ka vendosur pa caktuar seancën publike, prandaj, gjykata ka bërë shkelje të nenit 81. G i cili parasheh se: “Seanca e shqyrtimit 1. Divizioni Fiskal i Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykata e Apelit duhet të mbajnë seanca publike ku palët dëgjohen dhe provat shqyrtohen. 2. Gjykata mund të mbaj seanca të mbyllura, kur ekzistojnë arsye të duhura në lidhje me sigurinë dhe çështjet konfidenciale të përfshira” (Shih Diennet kundër Francës, paragrafi 33; Martinie kundër Francës (DHM), paragrafi 39). Tutje, paditësi në kërkesën për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të Vendimit Gjyqësor, është thirrur në atë se Gjykata e shkallës së dytë, ka shkelur nenin 81. G të Ligjit për plotësimin e ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222, për arsye se fare nuk ka caktuar seancë të shqyrtimit gjyqësor, dhe ka vendosur në seancën e kolegjit pa mbajtur seancë publike ku palët dëgjohen dhe dispozitat e këtij ligji përjashtojnë çdo dispozitë tjetër dhe këto dispozita mbizotërojnë kur janë në kundërshtim me ligjet tjera”.
  4. Lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 3, nenit 22 dhe nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës, përveç përmendjes së këtyre neneve, nuk ka shtjelluar më tej se si dhe pse janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me këto nene të Kushtetutës.
  5. Parashtruesi i kërkesës më tej përmes “analizës procedurale” dhe “shtjellimit të kërkesës” i shpjegon Gjykatës se cili është Juridiksioni i saj, çfarë nënkupton lejueshmëria e kërkesës, shpjegon parimin e shterimit të mjeteve juridike, mënyrën në të cilën llogariten afatet kohore për parashtrimin e kërkesave individuale dhe zbatueshmërinë e praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  6. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që, “Kërkesën e Paraqitësit të Kërkesës ta konstatojë të pranueshme, të konstatojë se dështimi për të ofruar një gjykim të drejtë paraqet shkelje të të drejtave individuale të Paraqitësit të Kërkesës të garantuara me Nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj, dhe të përcaktojë çfarëdo të drejte ose përgjegjësie për palët në këtë Kërkesë që kjo Gjykatë e nderuar i vlerëson si të arsyeshme dhe të bazuara juridikisht“.

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

  1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
  2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

KONVENTA EUROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Neni 6

E drejta për një proces të rregullt

  1. Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë. […]

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

[…]

Neni 200

 Gjykata e shkallës së dytë me aktgjykim e refuzon ankesën si të pathemeltë dhe e vërteton aktgjykimin e shkallës së parë nëse konstaton se nuk ekzistojnë shkaqet nga të cilat është goditur aktgjykimi, e as shkaqet për të cilat ajo kujdeset sipas detyrës zyrtare.

LIGJI Nr. 03/L- 202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE

Neni 24

  1. Kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës kompetente për çështje administrative të shkallës së dytë, pala mund të parashtrojë Gjykatës Supreme të Kosovës kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
  1. Kërkesa nga paragrafi 1. i këtij neni mund të parashtrohet vetëm për shkak të shkeljes të drejtës materiale ose të shkeljeve të dispozitave të procedurës, që do të mund të kishte ndikim në zgjidhjen e çështjes.
  1. Mbi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të gjykatës vendos Gjykata Supreme e Kosovës.

Neni 28

  1. Padia i dorëzohet gjykatës drejtpërsëdrejti ose i dërgohet me postë rekomandë. Padia mund të bëhet edhe në proces verbal në gjykatë. Dita e paraqitjes së padisë në postë rekomande, respektivisht dita e deklarimit të padisë në procesverbal, konsiderohet si ditë kur i është dorëzuar gjykatës.
  1. Nëse padia nuk i është dorëzuar gjykatës, por organit tjetër jo kompetent, ndërsa i arrin gjykatës pas skadimit të afatit për paraqitjen e padisë, do të konsiderohet se është paraqitur me kohë, nëse paraqitja e saj në këtë organ ka qenë si pasojë e mos dijës apo e gabimit të hapur të paraqitësit.

Neni 49

Procedura sipas mjeteve juridike

  1. Kundër vendimit të gjykatës, ankesa i paraqitet gjykatës kompetente, në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji.
  1. Ankesa paraqitet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, që nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës.
  1. Në çështjet të tjera të procedurës sipas ankesës zbatohen dispozitat e këtij ligji për kërkesë padinë.
  1. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor sipas nenit 24, si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë sipas nenit 25, i paraqitet në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji, gjykatës për vendosje sipas kërkesës.

Neni 63

Nëse ky ligj nuk përmban dispozita për procedurën në konfliktet administrative, do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore.

LIGJI Nr. 04/L-102 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR ADMINISTRATËN TATIMORE DHE PROCEDURAT Nr. 03/L-222

Neni 81

Shqyrtimi gjyqësor

  1. Kundër vendimeve të Bordit mund të ushtrohet ankesë në gjykatën kompetente, me kusht që ankesa të jetë dorëzuar brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga data e pranimi të vendimit në:

1.1. Gjykatën Supreme për vendimet e pranuara deri më 31 tetor 2012.

1.2. Gjykatën e Apelit për vendimet e pranuara duke filluar nga 1 nëntori 2012.

Neni 81C

Përgjegjësitë, rregullat përbërëse dhe procedurale

Për çështjet që nuk rregullohen me këtë ligj në lidhje me përgjegjësitë dhe rregullat procedurale të gjykatave kompetente, Ligji mbi konfliktet administrative, plotësim dhe ndryshim i Ligjit 03/L-202 dhe çdo ligj tjetër në fuqi në Kosovë duhet të zbatohet. Në rast të kundërshtimeve të këtij ligji me ligjet tjera dispozitat që gjenden në këtë ligj duhet të mbizotërojnë.

Neni 81G

Seanca e shqyrtimit

  1. Divizioni Fiskal i Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykata e Apelit duhet të mbajnë seanca publike ku palët dëgjohen dhe provat shqyrtohen.
  1. Gjykata mund të mbaj seanca të mbyllura, kur ekzistojnë arsye të duhura në lidhje me sigurinë dhe çështjet konfidenciale të përfshira.

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

  1. Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
  2. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
  2. Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
  3. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14; dhe shih rastin KI26/19, parashtrues Xhavit Thaqi, Pronar i kompanisë “NTP INTERBAJ”, Aktvendimi për papranueshmëri i 7 tetorit 2020, paragrafi 56).
  4. Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

Neni 47

(Kërkesa individuale)

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

  1. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

Neni 49

(Afatet)

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.

  1. Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimit e Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021, të pranuar nga parashtruesi i kërkesës më 18 gusht 2021, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
  2. Gjykata gjithashtu përcakton se kërkesa e parashtruesit i plotëson kushtet e pranueshmërisë të përcaktuara me paragrafin (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe se e njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Gjykata gjithashtu thekson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të vlerësohen meritat e saj.

Meritat

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës si kompani importuese ka deklaruar për zhdoganim mallin nga “Kompania BAI LEE” përmes DUD përkatëse. Vlera e mallit e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës në Shërbimin Doganor të Aeroportit të Prishtinës, është kontestuar nga Dogana e Kosovës e cila ka rivlerësuar vlerën e mallit bazuar në metodën 6 të vlerësimit sipas nenit 35 të Kodit Doganor dhe të Akcizave. Ky vendim është kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në shkallë të dytë te Dogana e Kosovës, e cila theksoi se Zyra e Pranimit Qendror, ka vepruar drejtë sepse (i) vlera e mallit të deklaruar për zhdoganim, nuk është vlera reale e paguar për mallin me qëllim importi, sepse është deklaruar vlerë më e vogël se vlera reale e paguar, në vështrim të nenit 33 të Kodit Doganor dhe të Akcizave; dhe (ii) vlerësimin e mallit e ka bërë duke u bazuar në metodën 6 të vlerësimit të nenit 35 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ngase informatat e marra nga zhdoganimet e rregullta pasqyrojnë vlerën reale të mallrave lëndore dhe në rastin konkret si vlerë referencë është marrë çmimi i mallit nga dosja e vlerave, përkatësisht çmimet në bursë në kohën e blerjes së mallrave. Më tej, Dogana e Kosovës, në lidhje me urdhërpagesën ndërkombëtare bankare, theksoi se ajo nuk mund të konsiderohet valide, sepse, nëse e shikojmë statusin e kësaj pagese ajo është vetëm e përgatitur ndërsa pagesa nuk është ekzekutuar, prandaj e njëjta nuk është dokument i besueshëm dhe transaksionet tjera që nuk pajtohen ose përkojnë me atë të treguar dhe për të cilat parashtruesi i kërkesës nuk i ofroi gjykatës një shpjegim logjik.
  2. Parashtruesi i kërkesës, sipas shkresave të lëndës, u ankua në gjykatat e rregullta, ku fillimisht Gjykata Themelore, pas mbajtjes së seancës publike, në të cilën mori pjesë përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, theksoi se (i) është vepruar drejtë kur vlerësimi i mallit është bazuar në metodën 6 të vlerësimit nga neni 35 i Kodit Doganor dhe të Akcizave, respektivisht në bazë të të dhënave të marra nga Dogana e Kosovës sepse këto të dhëna janë marrë nga të dhënat e disponueshme dhe importeve të tjera për mallin e njëjtë dhe të ngjashëm të zhdoganuar në një periudhë të afërt kohore me mallin kontestues; (ii) dokumentacioni përcjellës i mallit lëndor është vlerësuar si provë e pamjaftueshme sepse nuk ka qenë në përputhje me Udhëzimin Administrativ 11/2009 për zbatimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës. Gjykata Themelore ka marrë aktgjykimin e saj në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Pas kësaj, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar zbatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe aktvendimin e Doganës së Kosovës, duke e bazuar vendimin e saj në LKA dhe LPK. Më pas, parashtruesi parashtroi kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, duke pretenduar, ndër të tjera, zbatimin e gabuar të neneve 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, në lidhje me obligimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për të mbajtur një seancë publike në të cilën dëgjohen palët dhe shqyrtohen provat. Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit si dhe vendimin e Doganës së Kosovës, duke e bazuar vendimin e saj në LKA dhe LKP pa i arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me mosmbajtjen e seancës publike para Gjykatës së Apelit, përkatësisht me zbatimin e gabuar të neneve 81c dhe 81g të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ligj në të cilin Gjykata Themelore e ka bazuar aktgjykimin e saj.
  3. Për rrjedhojë, pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës në Gjykatë është pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vendimit të paarsyetuar të Gjykatës Supreme, e cila i referohet faktit se Gjykata Supreme është dashur të kujdeset sipas detyrës zyrtare dhe të konstatojë shkelje për shkak se Gjykata e Apelit nuk ka mbajtur seancë gjyqësore në pajtim me nenin 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës konsideron se përkitazi me këtë pretendim, të cilin ai e ka ngritur edhe në Gjykatën Supreme, Gjykata Supreme nuk ka dhënë asnjë arsyetim, por vetëm ka vërtetuar vendimet e shkallëve më të ulëta, duke u mbështetur në një rregullativë tjetër ligjore nga ajo në aktgjykimin e shkallës së parë, pa dhënë arsyetim për një veprim të tillë.
  4. Së dyti, parashtruesi i kërkesës pretendon gjithashtu shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 3, 22 dhe 24 të Kushtetutës, pa specifikuar se si dhe pse i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me këto nene të Kushtetutës.
  5. Prandaj, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke paraqitur fillimisht parimet e përgjithshme të zhvilluara me praktikën e GJEDNJ-së dhe praktikën e kësaj Gjykate në lidhje me arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
  6. Rrjedhimisht, në bazë të specifikës së rastit konkret, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
  7. Në lidhje me pretendimin për vendim të paarsyetuar gjyqësor

(i) Parimet e përgjithshme përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore

  1. Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore lidhur me këtë çështje. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Hadjianastassiou kundër Greqisë, kërkesa nr. 12945/87, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992; Van de Hurk kundër Holandës, kërkesa nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës, kërkesa nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, kërkesa nr. 20124/92, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës, kërkesa nr. 49684/99, Aktgjykim i 1 korrikut 2003; Buzescu kundër Rumanisë, kërkesa nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 majit 2005; Pronina kundër Ukrainës, Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe Tatishvili kundër Rusisë, kërkesa nr. 1509/02, Aktgjykim i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI22/16, parashtrues Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018; KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018; KI87/18, parashtrues i kërkesës IF Skadiforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, KI24/17, parashtrues Bedri Salihu, Aktgjykim i 27 majit 2019, KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2019; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).
  2. Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e GJEDNJ-së, H. kundër Belgjikës, kërkesa nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin e Gjykatës KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, paragrafi 44).
  3. Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, cituar më lart, paragrafi 42; shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues IKK Classic, cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18, parashtrues IF Skadeforsikring, cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë, kërkesa nr. 19808/08, Aktgjykim i 5 korrikut 2011, paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 137).
  4. Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe praktikës së saj gjyqësore ku ajo përcakton se arsyetimi i vendimit duhet të theksojë raportin ndërmjet konstatimeve të meritës dhe shqyrtimit të provave nga njëra anë, dhe konkluzionet ligjore të gjykatës, nga ana tjetër. Aktgjykimi i gjykatës do të shkelë parimin kushtetues të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje, në qoftë se arsyetimi i dhënë nuk i përmban faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore dhe marrëdhënien logjike midis tyre (Gjykata Kushtetuese, rastet: nr. KI72/12, Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61; nr. KI135/14, IKK Classic, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58, dhe KI96/16 IKK Classic, cituar më lart, shih rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues “IF Skadeforsikring”, cituar më lart, paragrafi 44; KI138/19, parashtrues Ibish Raci, cituar më lart, paragrafi 45; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, cituar më lart, paragrafi 138).

(ii)         Aplikimi i këtyre parimeve në rrethanat e rastit konkret

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ankohet për faktin se Gjykata Supreme nuk dha një arsyetim në lidhje me pretendimin e tij se Gjykata e Apelit nuk e ftoi parashtruesin e kërkesës dhe as nuk mbajti një seancë publike në pajtim me nenet 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ligj në të cilin është mbështetur Gjykata Themelore me rastin e marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë, por Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht Gjykata Supreme e ka bazuar vendimin e saj në LKA dhe LKP pa u marrë me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës. Së dyti, parashtruesi i kërkesës pretendon gjithashtu shkeljen e të drejtave të garantuara nga nenet 3, 22 dhe 24 të Kushtetutës, pa specifikuar se si dhe pse janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me këto nene të Kushtetutës.
  2. Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht rikujton arsyetimet e gjykatave të rregullta që i referohen refuzimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore, me Aktgjykimin e saj A. nr. 511/18, e refuzoi kërkesën e parashtruesit si të pabazuar dhe e arsyetoi si në vijim:

[…] Si fakte vendimtare që kanë ndikuar në rivlerësimin e mallit lëndor ka qenë se e paditura Dogana e Kosovës është bazuar në metodën e gjashtë të vlerësimit neni 35 të Kodit Doganor dhe Akcizave respektivisht në bazë të dhënave të disponueshme dhe importeve tjera për mallin e njëjtë dhe të ngjashëm te zhdoganuar në periudhë të afërt kohore me mallin lëndor kontestues DUD-at R8459/23.06.2017, R4282/04.04.2017, R3869/24.02.2017, R16751/05.12.2017. Gjykata vlerëson se provat e tilla me të cilat është rivleresuar malli lëndor, është provë e bazuar për tu rivlerësuar malli lëndor sipas nenit 35 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, prandaj gjykata konstaton se është aplikuar drejt dispozita ligjore kur është rivleresuar malli lëndor sipas të dhënave të disponueshme dhe importeve të ngjashme me çmime më të larta.

Gjykata konsideron se në këtë rast paditësi nuk ka arrit të dëshmoj vlerën e transaksionit të paguar për mallin lëndor, kështu që nuk mund të pranohen pretendimet se dokumentacioni përcjellës i mallit është në përputhje me nenin 123 të Udhëzimit Administrativ 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave te Kosovës.

Nga provat e administruara gjykata nuk ka gjetur fakte të bazuara që argumentojnë se paditësi i ka paguar eksportuesit vlerën reale të mallit lëndor sipas faturave përcjellëse te mallit, prandaj gjykata vlerëson se e paditura ka vepruar drejt kur me vendimin kontestues ka konfirmuar rivlerësimin e mallit lëndor nga zyra e pranimit qendror duke aplikuar metodën e gjashtë të vlerësimit neni 35 te Kodit Doganor dhe të Akcizave […]”.

  1. Kur bëhet fjalë për rregullativën ligjore në bazë të së cilës kishte vendosur Gjykata Themelore, Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:

“[…] Duke u bazuar në të dhënat e lartcekura, gjykata konform dispozitave ligjore të nenit 81.1 par. 2 pika 2.1 të Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222, ka vendosur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi…”.

  1. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Gjykata e Apelit, në Aktgjykimin e saj AA. nr. 42/2021, refuzoi, si të pabazuar, ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe arsyetoi si në vijim:

[…] gjykata e shkallës së parë me të drejtë vlerëson se e paditura ka vepruar drejtë kur me vendimin kontestues ka konfirmuar rivlerësimin e mallit lëndor, duke aplikuar metodën e 6 të vlerësimit nga neni 35 i Kodit Doganor dhe te Akcizave të Kosovës, respektivisht në bazë të dhënave të disponueshme dhe importeve tjera për mallin e njëjtë dhe të ngjashëm të zhdoganuar në periudhë të afërt kohore me mallin kontestues, DUD-at R-8459 të datës 23.06.2017, R-4282 të datës 04.04.2017 dhe R-1675 të datës 05.12.2017. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se paditësi nuk ka arritur që të dëshmojë vlerën e transaksionit të paguar për mallin lëndor, andaj, për këtë arsye nuk ka mundur që të pranojë pretendimin e tij se dokumentacioni përcjellës i mallit është në përputhje me nenin 123 të Udhëzimit Administrativ 11/2009 për Implementimin e KDAK-së. Prandaj, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, kjo gjykatë gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vendosur kur është bazuar në dispozitat e LKA, Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222, Kodit nr. 03/L-l 09 Doganor dhe te Akcizave në Kosovë, si dhe Udhëzimit Administrativ 11/2009 për Imp1ementimin e KDAK-së.

Nga tërë kjo që u cekë më lartë dhe mbi këtë gjendje faktike, kjo gjykatë konsideron se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, ngase nuk është cenuar ligji në dëm të paditësit. Prandaj, pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë si pasojë e shkeljes së dispozitave të procedurës dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe kontradiktor me vetveten, si dhe me arsyet që janë dhënë në pjesën e arsyetimit dhe përmbajtjen e provave të aktgjykimit. Pastaj se, gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar provat e paraqitura në padi, gjegjësisht fare nuk ka vlerësuar provat e paraqitura për DUD-in R-1243 të datës 19.01.2018, i cili DUD ka qene i elaboruar në padi dhe në kërkesën për rishqyrtimin e vendimeve. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë ka vendosur në kundërshtim me nenin 182 par.2 pika n) dhe neni 160.4 të LPK-se, lidhur me nenin 48 par. 1 të LKA-së, si dhe ka shkelur nenin 183 të LPK-së, lidhur me nenin 8 të të njëjtit Ligj, për faktin se e njëjta fare nuk i ka vlerësuar provat të cilat janë nxjerrë në shqyrtimin gjyqësor. Këto pretendime ankimore ky kolegj nuk i aprovoi, sepse vlerësoi se të njëjtat janë të pa bazuara, të pa argumentuara në prova konkrete dhe nuk kanë mbështetje ligjore për tu aprovuar ankesa, për faktin se gjykata e shkallës së parë nga administrimi i të gjitha provave në këtë procedurë të konfliktit administrativ ka ardhur në përfundim se paditësi nuk ka qenë në gjendje që gjykatës t’ia dëshmojë provat që dëshmojnë vlerën e transaksionit të paguar për mallin lëndor, kështu që edhe sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk mund të pranohet pretendimi i paditësit se dokumentacionit përcjellës është në përputhje me nenin 123 të Udhëzimit Administrativ 11/2009 për implementimin e Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës. Prandaj, sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, në rastin konkret është vërtetuar bindshëm dhe në mënyrë të pa kontestuar se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se paditësi ka paguar vlerën e vërtetë të aksioneve të mallit lëndor. Andaj, aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë i kuptueshëm si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe. kjo gjykatë, ashtu që ankesa e paditësit u refuzua si e pa bazuar ndërsa aktgjykimi i ankimuar u vërtetua si i drejtë dhe i ligjshëm”.

  1. Kur bëhet fjalë për rregullativën ligjore në bazë të së cilës kishte vendosur Gjykata e Apelit, Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:

Mbi këtë bazë e në mbështetje të nenit 49 të LKA-së, lidhur me nenin 200 të LPK-së, i aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”.

  1. Gjykata gjithashtu rikujton se Gjykata Supreme, në Aktgjykimin e saj ARJ-UZVP-nr. 45/2021, duke iu referuar provave të paraqitura, përkatësisht gjendjes faktike, sqaroi si në vijim:

[…] kjo Gjykatë konstaton se paditësi nuk ka paraqitur dokumentacionin e kompletuar dhe të harmonizuar me vlerën reale të mallit të paguar. Në të vërtetë, ato fakte vendimtare, më të rëndësishme, siç janë transferet bankare dhe deklarata e eksportit, në përputhje me vlerat e llogarisë në pajtim me nenin 123 te UA nr. 11/2009. Gjykata nuk ka mundur të vërtetoj se vlera e deklaruar paraqet vlerën reale të mallit. Andaj, kjo Gjykatë pranon konstatimet e organit te paditur se paditësi nuk arriti të prezantoj dokumentacionin e kompletuar për të vërtetuar se çmimi i deklaruar paraqet vlerën reale te mallit. (neni 33 te KDA-së nr. 03/L-109). Poashtu, gjykata vlerëson se e paditura ka vepruar drejtë kur me vendimin kontestues ka konfirmuar rivlerësimin e mallit nga sektori i pranimit qendror duke e aplikuar metodën e 6 të vlerësimit neni 35 te KDA-së përkatësisht të dhënave të disponueshme”.

  1. Gjykata Supreme, në lidhje me pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës, më tej deklaroi:

Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se pohimet në kërkesën e paditësit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm janë të pabazuara, sepse ato nuk ndikojnë në vërtetimin tjetër të gjendjes faktike nga ajo që ka vërtetuar gjykata e shkallës së dytë. Aktgjykimi i shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm, përmban arsye faktike dhe juridike për të gjitha faktet vendimtare. Gjykata Supreme vlerëson se e drejta materiale është zbatuar drejtë dhe se ligji nuk është shkelur në dëm të paditësit”.

  1. Kur është fjala për rregullimin ligjor mbi bazën e të cilit vendosi Gjykata Supreme, Gjykata Supreme shpjegoi si në vijim:

në bazë të nenit 54 par. 1 të Ligjit për Konfliktet Administrative, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”.

  1. Gjykata rikujton se, në rastet kur një gjykatë e shkallës së tretë, si në rastin e parashtruesit të kërkesës Gjykata Supreme, e cila vërteton vendimet e marra nga gjykatat më të ulëta – obligimi i saj për të arsyetuar vendimet e marra dallon nga rastet kur një gjykatë ndryshon vendimet e marra të gjykatave më të ulëta. Në rastin konkret, Gjykata Supreme nuk ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit e as atë të Gjykatës Themelore përmes të cilave është refuzuar padia dhe ankesa e parashtruesit të kërkesës por vetëm ka vërtetuar ligjshmërinë e tyre, duke qenë se, sipas Gjykatës Supreme, nuk kishte shkelje esenciale të procedurës dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale në këtë procedurë (shih, mutatis mutandis, rastet e Gjykatës KI194/18, parashtrues Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2020, paragrafi 106; dhe KI122/19, parashtrues M., Aktvendim për papranueshmëri, i 9 korrikut 2020, paragrafi 100, si dhe rastin KI100/21, parashtrues Moni Commerce sh.p.k, Aktvendim për papranueshmëri i 11 tetorit 2021, paragrafi 55).
  2. Bazuar në arsyetimet e lartcekura të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme Gjykata vëren se që të dyja gjykatat, në esencë kanë arsyetuar se (i) për t’u pranuar vlera e paguar e transaksionit sipas metodës për përcaktimin e vlerës së mallit të importuar sipas nenit 34 paragrafi 2 pika (a) dhe (b) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, parashtruesi i kërkesës duhet të dëshmoj se vlera e mallit lëndor është e përafërt me vlerën e mallit identik apo të ngjashëm të shitur për eksport në Kosovë; (ii) duke qenë se nuk ka mundur të vërtetohet se parashtruesi i kërkesës i ka paguar eksportuesit vlerën reale në bazë të faturave, atëherë me rregull është vendosur lidhur me vlerësimin e ri të mallit lëndor dhe aplikimin e metodës numër 6, të parashikuar me nenin 35 të Kodit Doganor dhe Akcizave; (iii) dokumentacioni përcjellës i mallit nuk është në përputhje me nenin 123 te Udhëzimit Administrativ 11/2009; (iv) nuk është mundur të bëhet harmonizimi i vlerës së deklaruar të mallit lëndor me vlerën e paguar të transaksionit të prezantuar sipas transfereve bankare në ProCredit Bank dhe i pari i datës 11 dhjetor 2017, i cili transaksion ka qenë në të ashtuquajturën “përgatitje” por i njëjti nuk është paguar realisht dhe transaksioni i dytë në ProCredit Bank i datës 22.02.2018 në shumën prej 5346.50 USD, të cilat nuk harmonizohen dhe nuk përkojnë me atë të paraqitur në JCD (DUD) në vlerën prej 4,780.00 euro dhe për të cilën parashtruesi i kërkesës nuk i ofroi Gjykatës një shpjegim logjik.
  3. Nga dispozitat ligjore të aplikuara në këtë rast nga gjykatat e rregullta, Gjykata vëren që Kodi Doganor dhe i Akcizave, përcakton në nenin 35 paragrafi 1 se kur vlera doganore e mallrave të importuara nuk mund të përcaktohet në bazë të nenit 33 ose 34, do të përcaktohet në bazën e të dhënave të disponueshme në Kosovë, duke përdorë metoda të arsyeshme në përputhje me parimet dhe dispozitat e përgjithshme. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se parashtruesit të kërkesës nuk iu ishte miratuar pretendimi se ai ka paguar vlerën reale të transaksionit të mallit të importuar siç parashihet me nenin 33 të Kodit Doganor dhe Akcizave, dhe nuk ishte pranuar vlera e paguar e transaksionit sipas metodës për përcaktimin e vlerës së mallit të importuar nga neni 34 paragrafi (a) dhe (b) i Kodit Doganor dhe të Akcizave. Në fund, lidhur me dokumentet e parashtruara, Gjykata rikujton se neni 123 paragrafi 1 i Udhëzimit Administrativ 11/2009 i liston dokumentet që duhet bashkangjitur deklaratës doganore, dhe ato janë të gjitha dokumentet e tjera të kërkuara për aplikimin e dispozitave që rregullojnë lirimin për qarkullim të lirë të mallrave të deklaruara. Në rastin e parashtruesit, gjykatat e rregullta kishin konsideruar se nuk plotësohen kushtet.
  4. Në rastin konkret, nuk është kontestuese që parashtruesi i kërkesës ka kryer transaksione të caktuara bankare (pagesa) në llogarinë e “Kompanisë BAI LEE”, dhe nuk është kontestues se fokusi i të gjitha gjykatave të rregullta ishte në vlerën e mallit të importuar. Kontestuese janë përgjigjet e gjykatave të rregullta lidhur me mos harmonizimin e rregullativës ligjore në bazë të së cilës gjykatat e rregullta kishin vendosur dhe mosdhënia e një arsyetimi adekuat nga Gjykata Supreme në përputhje me këtë pretendim që parashtruesi i kërkesës ngriti para saj.
  5. Në rastin konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij dhe në kërkesën e tij për rishqyrtim të jashtëzakonshëm ka pretenduar se Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim në lidhje me pretendimin e tij se Gjykata e Apelit nuk e ka ftuar parashtruesin e kërkesës dhe nuk ka mbajtur seancë publike në pajtim me nenet 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ligj në të cilin Gjykata Themelore është mbështetur në dhënien e vendimit të shkallës së parë, por vendimin e tyre, Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht Gjykata Supreme e bazuan në LKA dhe LKP pa u marrë me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës.
  6. Megjithatë, Gjykata rikujton se janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih paragrafin 47 më lart, dhe referencat e përdorura aty). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih paragrafin 47 më lart, dhe referencat e përdorura aty).
  7. Përderisa Gjykata ka parasysh që sipas arsyetimeve të gjykatave të rregullta lidhur me aplikueshmërinë e nenit 33, 34 e 35 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata po ashtu merr parasysh dhe argumentin e parashtruesit në lidhje me pretendimin e tij se Gjykata e Apelit nuk e ka ftuar parashtruesin e kërkesës dhe as nuk ka mbajtur seancë publike në pajtim me nenet 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ligj në të cilin është mbështetur Gjykata Themelore me rastin e dhënies së aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa Gjykata e Apelit dhe rrjedhimisht Gjykata Supreme e bazuan vendimin në bazë të LKA-së dhe LKP-së pa u marrë me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, të cilat, sipas parashtruesit të kërkesës, mohojnë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe një vendim të arsyetuar, si pjesë përbërëse të kësaj të drejte.
  8. Gjykata nuk mund të vlerësojë se cila rregullativa ligjore është e zbatueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht a kanë qenë të zbatueshëm nenet 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat në rastin e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht nëse ka pasur nevojë për mbajtjen e seancës publike para Gjykatës së Apelit. Është e qartë se seanca publike nuk është mbajtur para Gjykatës së Apelit dhe se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme nuk kanë dhënë asnjë arsyetim në lidhje me këtë çështje të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës konsideron se ky pretendim është thelbësor. Andaj, Gjykata konsideron se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është thelbësor dhe mund të jetë përcaktues në drejtim të ushtrimit të së drejtës për një vendim të arsyetuar. Lidhur me këtë pretendim specifik të parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kanë heshtur.
  9. Heshtja e gjykatave përkitazi me pretendimet me rëndësi të parashtruesve përkatës është shqyrtuar specifikisht përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së. Për shembull, në rastet, Ruiz Torija kundër Spanjës, kërkesa nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994 dhe Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, GJEDNJ, përtej parimeve të përgjithshme përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, gjithashtu kishte adresuar rrethanat në të cilat gjykatat përkatëse kishin heshtur lidhur me argumentet, të cilat GJEDNJ i cilësoi si thelbësore. Në të dy rastet, GJEDNJ shqyrtoi nëse heshtja e gjykatës përkatëse mund të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si një refuzim i nënkuptuar i argumenteve të palëve (shih, rastin e GJEDNJ-së, Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 28). Megjithatë, në mungesë të arsyetimit përkatës, GJEDNJ theksoi se është e pamundur të konstatohet nëse gjykatat përkatëse thjesht kanë neglizhuar të merren me pretendimet përkatëse apo kanë nënkuptuar refuzimin e tyre dhe, nëse ky ishte qëllimi i saj, cilat ishin arsyet e saj për një qasje të tillë (shih, rastet e GJEDNJ-së: Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 28; dhe Ruiz Torija kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30). Në të dy rastet, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastin e Gjykatës KI24/20, parashtrues “PAMEX SH.P.K”, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021, paragrafi 57, dhe rastin e Gjykatës KI 100/21, cituar më lart, paragrafi 64).
  10. Rrjedhimisht, Gjykata në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh që Gjykata Supreme, ka dështuar të adresojë dhe arsyetojë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura para saj përmes ankesës, një vendim gjyqësor i tillë, nuk mund të jetë kompatibil me standardet e një vendimi të arsyetuar gjyqësor, siç janë të përcaktuar përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së.
  11. Në fund, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendoi gjithashtu shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 3, 22 dhe 24 të Kushtetutës, pa specifikuar se si dhe pse i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me këto nene të Kushtetutës. Në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përmend vetëm nenet përkatëse, por nuk e shtjellon më tej se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe rastin KI175/20, parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2021, paragrafët 79-82).
  12. Prandaj, dhe përfundimisht, duke marrë parasysh vërejtjet e mësipërme dhe procedurën në tërësi, Gjykata konsideron që aktgjykimi i Gjykatës Supreme, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ARJ-UZVP-nr. 45/2021 i 28 prillit 2021 është nxjerrë në shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si pjesë përbërëse e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, sepse ka dështuar të adresojë dhe arsyetojë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për moscaktimin e seancës publike në Gjykatën e Apelit në pajtim me nenet 81C dhe 81G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ligj në të cilin është mbështetur Gjykata Themelore me rastin e marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë.
  13. Në këtë drejtim, Gjykata rithekson se ky konkluzion i referohet ekskluzivisht Aktgjykimit të kontestuar ARJ-UZVP- nr. 45/2021 të 28 prillit 2021 të Gjykatës Supreme, nga këndvështrimi i nivelit të arsyetimit të tij në lidhje me pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, më 26  korrik 2022, me shumicë

VENDOS

  1. TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
  2. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës
    Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
  • TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021 të 28 prillit 2021;
  1. TA KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021 të 28 prillit 2021, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
  2. TA URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, më së largu deri më 26 janar 2023, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
  3. TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;
  • T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
  • Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

Gjyqtari raportues                                      Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Bajram Ljatifi                                                              Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Global Trade-af, sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative