Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP. nr. 43/2018 të 26 qershorit 2018

Nr. të lëndës KI 112/18

Parashtruesit: Mehrije Rexha

Shkarko:

KI112/18, Parashtruese: Mehrije Rexha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ-UZVP.nr.43/2018 të 26 qershorit 2018 

KI112/18, Aktvendim   për papranueshmëri, i miratuar më 11 dhjetor 2019, i publikuar më 6 janar 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesja e kërkesës, në një datë të pacaktuar, parashtroi padi për vërtetimin e pronësisë së një lokali afarist. Kjo pronësi me Aktgjykimin C.nr.602/04 të Gjykatës Komunale në Prishtinë u aprovua bazuar në kontratën për shitblerjen e patundshmërisë të 12 marsit 1999 të cilën parashtruesja e kishte ofruar si provë në Gjykatën Komunale.

Pas kësaj procedure, kishte filluar seti i procedurave penale, ku kontrata përkatëse e 12 marsit 1999 kishte rezultuar se përmban elemente të falsifikimit. Në fund, Gjykata Supreme, kishte vendosur që të nxjerrë një Aktgjykim refuzues ndaj parashtrueses së kërkesës për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale, dhe ndër të tjera duke theksuar se “prezantimi i kontratës për shitblerjen e banesës me nënshkrime të falsifikuara në procedurën kontestimore, si provë, pa mëdyshje janë antiligjore dhe veprime inkriminuese pasiqë kjo kontratë asaj i ka shërbyer në procedurën kontestimore si provë për pronësinë”.

Si rrjedhojë e procedurave penale dhe ankesës së personit (S.R.), Agjencia Kadastrale e Kosovës anulon regjistrimin në emër të parashtrueses së kërkesës të patundshmërisë përkatëse në Regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme. Nga këtu filluan procedurat e konfliktit administrativ, dhe gjykatat e rregullta refuzuan kërkesën e parashtrueses së kërkesës duke arsyetuar se bazuar në legjislacionin në fuqi, ajo nuk kishte plotësuar kushtet dhe nuk kishte ofruar dokumentet për të dëshmuar të drejtën e pronës.

Parashtruesja e kërkesës pranë Gjykatës pretendoi se asaj i janë shkelur të drejtat e saj kushtetuese për dy arsye: (i) shkelje të së drejtës së saj për prezumimin e pafajësisë, siç garantohet me paragrafin 5 të nenit 31 të Kushtetutës sepse, sipas saj, gjykatat e rregullta nuk kanë marrë parasysh faktin që aktakuza ndaj saj është refuzuar dhe ajo nuk është e gjykuar dhe nuk është shpallur fajtore për vepër penale, dhe (ii) heqjes në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo procedure të titullit të pronësisë në lokalin afarist, si pasojë e shkeljes së të drejtës së saj për prezumimin e pafajësisë.

Gjykata gjatë shqyrtimit të rastit elaboroi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konkludoi se në rastin e parashtrueses së kërkesës e drejta e saj për tu prezumuar e pafajshme nuk është shkelur nga vendimet e gjykatave të rregullta. Më tej, Gjykata gjithashtu konkludoi se përfundimet e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme në setin e procedurave të konfliktit administrativ mbështesin arsyetimin e tyre në legjislacionin relevant lidhur me çështjen e dokumentacionit për të vërtetuar të drejtën e pronës.

Rjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Mehrije Rexha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar