Prishtinë, më 22 shtator 2022
Nr. ref.:RK 2045/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI23/22
Parashtrues
Musa Namani
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP.nr.124/2021,
të 17 nëntorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është parashtruar nga Musa Namani, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.124/2021] e 17 nëntorit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [AA.nr.668/2021] e 27 shtatorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [A.nr. 2950/2018] e 25 majit 2021, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
- Më 18 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
- Më 3 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi Peci gjyqtare raportuese. Të njëjtën ditë, Kryetarja caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.
- Më 4 mars 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
- Më 4 mars 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
- Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Nga shkresat e lëndës rezulton që më 28 prill 2015, parashtruesit të kërkesës i ishte refuzuar kërkesa për përfitimin e pensionit për paaftësi të përhershme. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës të 15 qershorit 2015, e paditura – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes Aktvendimit me numër të dosjes [5046193] të 23 korrikut 2015 e refuzoi ankesën e parashtruesit nën arsyetimin: “Këshilli i Ankesave me ekspert mjekësor të lëmive përkatëse […] i ka shqyrtuar shkresat e lëndes, pretendimet ankimore, dokumentacionin mjekësor, që gjendet në lëndë dhe vlerësimin e Komisionit Mjekësor të shkallës së parë të dt.28.04.2015, si dhe në përputhje me nenin 2.2 të Ligjit PPAK, ka konstatuar se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit për persona me aftësi të kufizuara të plotë dhe të përhershme”.
- Më 4 shtator 2015, parashtruesi i kërkesës ushtroi padi kundër Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (në tekstin e mëtejmë: MPMS) ku kërkoi që kërkesëpadia e tij të aprovohej në tërësi si e bazuar, duke e anuluar si të kundërligjshëm Aktvendimin me numër dosje [5046193] të 23 korrikut 2015 dhe se çështjen ta kthente, tek e paditura në rishqyrtim dhe rivendosje.
- Më 11 nëntor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.1574/2015] aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi Aktvendimin e MPMS-së me numër dosje [5046193] e 23 korrikut 2015 dhe çështjen e ktheu, në rishqyrtim dhe rivendosje tek e paditura. Ndër arsyet e Aktgjykimit, Gjykata Themelore përmend si në vijim: “[…] e paditura e shqyrton ankesën e paditësit duke u bazuar në Ligjin për Pensionet e Personave me Aftësi të Kufizuar Nr.2003/23, ligj ky, i cili është shfuqizuar me Ligjin Nr.04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, përkatësisht neni 27.1.1.3. Në këtë kuptim gjykata vlerëson se, organi i paditur, gabimisht ka aplikuar ligjin material, kur paditësit i’a ka refuzuar ankesën, duke u bazuar në Ligjin për Pensionet e Personave me Aftësi të Kufizuar Nr.2003/23, i cili ligj sipas me Ligjit Nr.04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, është shpallur me dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës të datës 21.05.2014, kurse është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës me datë 05.06.2014, ndërsa ka hyrë në fuqi me dt.20.06.2014, ku sipas nenit 27.1.1.3, të të njëjtit ligj, është përcaktuar se “me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, shfuqizohet Ligji Nr.2003/23 për Pensionet e Personave me Aftësi të Kufizuar (Rregullorja nr.2003/40 e UNMIK-ut)”.
- Më 16 janar 2017, MPMS përmes Vendimit [nr. 5046193] refuzoi kërkesën e parashtruesit për përfitim të pensionit, dhe i njëjti më 9 mars 2017, ushtroi padi kundër MPMS-së për anulimin e vendimit të saj.
- Më 24 korrik 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.455/2017] aprovoi si të bazuar, kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke e anuluar Vendimin e MPMS-së [nr.5046193] të 16 janarit 2017, dhe çështjen e ktheu, në rishqyrtim dhe rivendosje tek e paditura.
- Më 13 nëntor 2018, MPMS përmes Vendimit me numër të dosjes [5046193] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me njohjen e të drejtës në Pension të Paaftësisë së Përhershme.
- Më 17 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës ushtroi padi për konflikt administrativ duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të lartcekur të MPMS-së, me propozim që i njëjti të anulohet si i kundërligjshëm.
- Më 25 maj 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.2950/2018] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kërkonte që të anulohet Vendimi me numër të dosjes [5046193] i 13 nëntorit 2018, i MPMS-së-Departamenti i Pensioneve në Prishtinë. Në këtë drejtim, Gjykata Themelore iu referua paragrafi 5 të nenit 9 (Kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës në pension të pa aftësisë së përhershme) të Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke vërtetuar se parashtruesi i kërkesës nuk i plotësonte kushtet ligjore për njohjen e të drejtës së kërkuar.
- Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës administrative, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata e Apelit ta prishë Aktgjykimin e ankimuar, ta aprovojë kërkesëpadinë si të bazuar, ose të njëjtin ta prishë dhe ta kthej çështjen në rigjykim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
- Më 27 shtator 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.668/2021] refuzoi si të pa bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [A.nr.2950/2018] e 25 majit 2021, të Gjykatës Themelore. Ndër të tjera, Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit arsyeton si në vijim: “[…] Meqë në mënyrë të pa kontestuar nga dokumentacioni mjekësor është vërtetuar se paditësi nuk ka sjellë dëshmi të mjaftueshme për të përmbushur kriteret për të qen shfrytëzues i pensionit të pa aftësisë së përhershme, andaj, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.”
- Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, me të cilin në tërësi e konteston ligjshmërinë e aktgjykimit të kontestuar, për shkak të shkeljeve të dispozitave procedurale dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që kërkesa të aprovohet, të ndryshohen aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta duke e aprovuar kërkesëpadinë e paditësit, ose të dy aktgjykimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
- Më 17 nëntor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP.nr.124/2021] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, paraqitur kundër Aktgjykimit [AA.nr.668/2021] të 27 shtator 2021, të Gjykatës së Apelit. Ndër arsyet e Aktgjykimit, Gjykata Supreme përmend si në vijim: “Nga ekspertiza mjekësore dhe vlerësimi i komisionit mjekësor i datës 22.12.2016 rezulton se nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit me paafiësi të përhershme. Në këtë kuptim, kjo Gjykatë konsideron se paditësi nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë shkallën e paaftësisë për të përmbushur kriteret ligjore dhe për të qenë përfitues i pensionit me paaftësi të përhershme. Duke u nisur nga fakti se nuk ekziston paaftësia e plotë dhe e përhershme, edhe paaftësia për punë nuk mund të konsiderohet e plotë, kjo Gjykatë konstaton se paditësi nuk i ka përmbushur kushtet për t’iu njohur e drejta në pension për persona me aftësi të kufizuar.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.
- Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës thekson se kërkesa e tij konsiston në “vlerësimin e kushtetutshmërisë së shkeljeve të nenit 31 (E drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës dhe shkeljes së nenit 49 ( E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit) dhe të së drejtës në kompensim për rrogat e papaguara lidhur me nenet 6 (E drejta per gjykim te drejte) dhe nenit 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
- Në vijim parashtruesi i kërkesës konsideron që vendimet e gjykatave të rregullta “janë të paligjshme”, ngase konkluzioni i nxjerr nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, pretendimeve ankimore, dokumentacionit mjekësor në shkresa të lëndës është i gabuar dhe nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
- Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që kërkesa e tij të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura Departamenti i Administratës Pensionale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qeveria e Kosovës, që t’ia njoh të drejtën për pension të personave me aftësi të kufizuar nga dita e parashtrimit të kërkesës dhe më tutje deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[…]
Neni 49
[E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
- E drejta e punës garantohet.
- Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
E drejta për një proces të rregullt
- Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
Neni 13
E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
LIGJI NR. 04/L-131 PËR SKEMAT PENSIONALE TË FINANCUARA NGA SHTETI
Neni 9
Kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës në pension të pa aftësisë të përhershme
- Pensioni i paaftësisë të përhershme do t’iu ofrojë mbështetje financiare personave të përzgjedhur në përputhje me kriteret e përcaktuara me këtë ligj, sipas mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
- Pensioni i paaftësisë së përhershme do t’iu paguhet të gjithë atyre personave që janë shtetas të Republikës së Kosovës, që posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët i kanë tetëmbëdhjetë (18) deri gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeç.
- Kërkesa për pension të paaftësisë së përhershme, duhet të parashtrohet në organet përkatëse të Ministrisë, të cilat janë të instaluara në Komunat e Kosovës.
- Kërkesat për pension të paaftësisë së përhershme shqyrtohen dhe vlerësohen nga Komisionet Mjekësore, ne Qendrat Rajonale të Administratës Pensionale.
- Një person do të konsiderohet me pa aftësi të përhershme, nëse:
5.1. ofron dëshmi se është me pa aftësi të përhershme para se të aplikojë për pension, duke siguruar të gjitha dëshmitë mjekësore;
5.2. Komisioni Mjekësor vlerëson se ekziston pa aftësia e përhershme e punës të parashtruesi i kërkesës;
5.3. Komisioni Mjekësor vlerëson paaftësinë në kohëzgjatje për periudhën prej një (1), tre (3) apo pesë (5) vitesh;
5.4. Pas skadimit të afateve të përcaktuara në nënparagrafin 5.3 të këtij paragrafi personi i nënshtrohet procedurës së rivlerësimit mjekësor.
- Ministria apo Autoriteti përkatës mund t’i autorizojnë zyrtarët përgjegjës për inspektime të rastësishme apo sistematike të personave, të cilat marrin pensionin e paaftësisë së përhershme, me qëllim të verifikimit të fakteve të dhëna në kërkesë dhe vazhdimësisë së përzgjedhjes për shfrytëzimin e pensionit të aftësisë së kufizuar.
- Procedurat e aplikimit dhe vlerësimit për pensionin e paaftësisë të përhershme duhet të përmbajnë rregulla të përcaktuara me qëllim të mbrojtjes së informatave mjekësore konfidenciale të aplikuesve të cilat do të përcaktohen me akte nënligjore.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
- Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.”
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.
- Sa i përket përmbushjes së këtyre kushteve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP.nr.124/2021] të 17 nëntorit 2021, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
- Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kushtet në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë, duke përfshirë edhe kushtin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Konkretisht, rregulli 39 (2) parasheh:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
- Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26 shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
- Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar ne praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih gjithashtu rastet e Gjykatës: KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27 si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
- Në këtë kontekst, dhe në vijim, në mënyrë që të vlerësojë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht në rrethanat e rastit konkret, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
- Në dritën e këtij sfondi normativ, Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën e tij që ti njihet e drejta në pension të paaftësisë së përhershme dhe refuzimit si të pabazuar të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, refuzimit të ankesës nga Gjykata e Apelit dhe refuzimit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme.
- Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (I) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, si dhe (II) pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 49 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së.
- Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës thekson që vendimi i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
- Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë, kryesisht me mënyrën se si gjykatat e rregullta kanë administruar faktet e rastit dhe se si kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat e ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
- Gjykata në mënyrë të përsëritur ka theksuar se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për mënyrën e administrimit të fakteve, të interpretimit dhe zbatimit të gabuar të dispozitave të ligjit material apo procedural, që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih, në këtë kontekst dhe ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI128/18, parashtrues i kërkesës: Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 28 qershorit 2019, paragrafi 55; KI62/19, parashtrues i kërkesës: Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 19 dhjetorit 2019, paragrafët 56-57; KI110/19, parashtrues i kërkesës: Fisnik Baftijari, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 40).
- Në vazhdimësi, Gjykata ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato të mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Ajo vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës: KI128/18, i cituar më lart, paragrafi 56; dhe KI62/19, i cituar më lart, paragrafi 58).
- Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, e që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e GJEDNj-së, Pronina kundër Ukrainës, 63566/00, Aktgjykim i 30 qershorit 2005, paragrafi 24; dhe rastet e Gjykatës KI06/17, cituar më lart, paragrafi 38; KI122/16, cituar më lart, paragrafi 58 dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 62).
- Megjithatë, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. GjEDNj-ja ka theksuar se përderisa autoritet vendore kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të legjislacionit, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me KEDNj-në (shih, rastin e GJEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39).
- Rrjedhimisht, edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në kuptimin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik, i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës (përkitazi me parimet themelore në lidhje me interpretimin dhe aplikimin qartazi të gabuar të ligjit, shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
- Në këtë aspekt, Gjykata duhet të theksojë se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar para Gjykatës: (i) arsyet të cilat do të mund të mbështesnin pretendimin se në rrethanat e rastit konkret, nenet përkatëse të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, janë interpretuar nga gjykatat e rregullta, respektivisht nga Gjykata Supreme në “mënyrë qartazi të gabuar”; dhe (ii) se si një interpretim i tillë, ka rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesit e kërkesës.
- Në këtë këndvështrim, Gjykata vëren se pretendimeve të përsëritura të parashtruesit të kërkesës, u është përgjigjur Gjykata Supreme si instanca më e lartë e gjyqësorit të rregullt, duke dhënë arsyetime të hollësishme për çështjet për të cilat parashtruesi i kërkesës nuk është kualifikuar si përfitues i pensionit të paaftësisë së përhershme, si dhe zbatimin e dispozitave ligjore që ndërlidheshin me fitimin e kësaj të drejte.
- Në këtë kuptim, Gjykata sjell në vëmendje arsyetimet e dhëna nga Gjykata Supreme, si përgjigje ndaj pretendimeve të parashtruesit të kërkesës. Në vijim, janë dhënë pjesë relevante nga arsyetimi i Aktgjykimit të kontestuar:
“Neni 9 par 1 dhe 5 të Ligjit nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti përcakton se pensioni i paaftësisë të përhershme do t’iu ofrojë mbështetje financiare personave të përzgjedhur në përputhje me kriteret e përcaktuara me këtë ligj, sipas mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Një person do të konsiderohet me paaftësi të përhershme nëse ofron dëshmi se është me paaftësi të përhershme, para se të aplikojë për pension, duke siguruar të gjitha dëshmitë mjekësore. Komisioni mjekësor vlerëson paafiesinë në kohëzgjatje për periudhën prej 1, 3 apo 5 vitesh. Pas skadimit të afateve të përcaktuara personi i nënshtrohet procedurës së rivleresimit mjekësor.
Nga ekspertiza mjekësore dhe vlerësimi i komisionit mjekësor i datës 22.12.2016 rezulton se nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit me paaftësi të përhershme. Në këtë kuptim, kjo Gjykatë konsideron se paditësi nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë shkallën e paaftësisë për të përmbushur kriteret ligjore dhe për të qenë përfitues i pensionit me paaftësi të përhershme. Duke u nisur nga fakti se nuk ekziston paaftësia e plotë dhe e përhershme, edhe paaftesia për punë nuk mund të konsiderohet e plotë, kjo Gjykatë konstaton se paditësi nuk i ka përmbushur kushtet për t’iu njohur e drejta në pension për persona me aftësi të kufizuar.”
- Gjykata gjithashtu thekson faktin se në vlerësimin e pretendimeve “të shkallës së katërt” e që ndërlidhen me shkelje të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, ajo gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se “drejtësia” e kërkuar nga nenet e lartpërmendura nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Ky koncept, kryesisht në aspektin praktik, në parim, nënkupton: (i) mundësinë e zhvillimit të procedurave sipas parimit të kontradiktoritetit; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të kësaj procedure, të paraqesin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) mundësinë e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive të paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të cilat, shikuar në mënyrë objektive, janë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur; dhe se, për pasojë, procedura, marrë si tërësi, do të rezultonte si e drejtë. Për më tepër, vlerësimi i drejtësisë së një procedure në tërësinë e saj, është një ndër premisat kryesore të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GjEDNj-së (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 10588/83, 10589/83, 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës KI128/19, cituar më lart, paragrafi 58; dhe KI22/19, parashtrues i kërkesës: Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
- Gjykata thekson se neni 6 i KEDNj-së, në një proces gjyqësor, nuk i garanton askujt rezultat të favorshëm sipas pritjeve subjektive (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI118/17, Şani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, paragrafi 36; dhe KI142/15, parashtrues Habib Makiqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 1 nëntorit 2016, paragrafi 43).
- Nga sa u tha më sipër, Gjykata konstaton se Gjykata Supreme, si instancë e fundit në hallkën e gjyqësorit të rregullt, ka respektuar kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, duke i dhënë mundësi parashtruesit të kërkesës, që t’i parashtrojë kundërshtimet e tij, përkitazi me çështjet faktike dhe juridike të ngritura si pretendime pranë Gjykatës Supreme. Për më tepër, të gjitha argumentet, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të parashtruesve të kërkesës, janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykata në fjalë, sikurse që edhe arsyet faktike e ligjore ndaj Aktgjykimit të kontestuar janë adresuar dhe arsyetuar hollësisht nga e njëjta, si dhe se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, nuk ishin arbitrare ose të padrejta. Gjykata vlerëson se nuk ka asgjë që tregon se Gjykata Supreme ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar, aplikim i cilit do të mund të rezultonte në konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme për parashtruesit e kërkesës.
- Gjykata, në rrethanat e rastit konkret, konsideron së parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
- Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për vërtetimin e gabuar të fakteve, interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e gjykatës së “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë”, dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Për me tepër, Gjykata përfundon se parashtruesi i kërkesës nuk e mbështetë mjaftueshëm pretendimin se në rastin e tij ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
- Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
- Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, dhe nenit 13 të KEDNJ-së
- Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenet 49 të Kushtetutës, dhe nenin 13 të KEDNJ-së, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
- kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih në këtë kontekst rastet e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës, 4241/03, Vendim i 31 majit 2005; shih gjithashtu, Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008);
- kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
- Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon që aktgjykimi i Gjykatës Supreme, “në mënyrë arbitrare” ka shkelur të drejtat e tij individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e nenit 49 të Kushtetutës, dhe nenit 13 të KEDNJ-së, mirëpo i njëjti, nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38- 39).
- Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje nenit 49 të Kushtetutës, dhe nenit 13 të KEDNJ-së, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
- Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës se ka ardhur deri te vlerësimi i gabuar i gjendjes faktike, si dhe interpretimi i gabuar dhe aplikimi i gabuar i ligjit të zbatueshëm, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, dhe nenit 13 të KEDNJ-së, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022, njëzëri:
VENDOS
- TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
- TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka Nimani