Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.392/19, të 2 qershorit 2020 

Nr. të lëndës KI 173/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI173/20, Parashtrues: Yusuf Timurhan, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.392/19, të 2 qershorit 2020

KI173/20, Aktvendim i 10 nëntorit 2021, publikuar më 01.12.2021

Fjalët kyçe: kompensim i shtesave në pagë, suspendim me pagesë nga puna, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, parashkrim, revizion

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ishte suspenduar nga puna me pagesë të plotë si rezultat i ngritjes së Aktakuzës nga Prokuroria Komunale në Prizren për shkak të veprës penale “Moslajmërimi i veprave penale apo moslajmërimi i kryerësve të veprave penale” nga neni 304 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. Gjatë kohës që kishte qenë i suspenduar, parashtruesi i kërkesës nuk  kishte pranuar shtesat në pagë. Pas Aktvendimit të Gjykatës Komunale në Prizren për pushimin e procedurës penale kundër parashtruesit të kërkesës, ky i fundit u rikthye në vendin e punës dhe dorëzoi kërkesë për kompensimin e shtesave në pagë për periudhën gjatë së cilës kishte qenë i suspenduar. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës u refuzua me arsyetimin se me Vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ishte përcaktuar që policët e suspenduar me pagesë nuk gëzojnë shtesa tjera përveç pagës bazë. Kundër këtij vendimi, parashtruesi paraqiti ankesë pranë Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës, ankesë kjo e cila u hodh poshtë me arsyetimin se ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, përkatësisht 4 muaj me vonesë. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi kundër Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme-Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Themelore në Prizren, duke kërkuar që t’ia kompensojnë dhe paguajnë të gjitha ndalesat në të ardhurat personale në kohën e suspendimit, përkatësisht shtesat mbi pagën bazë. Gjykata Themelore aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke obliguar të paditurin që t’ia kompensojë dhe paguajë diferencën në të ardhura personale për periudhën e suspendimit, në lartësi prej 3,303.58 euro, me kamatë ligjore, si dhe shpenzimet procedurale në lartësi prej 675.40 euro. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u vërtetua nga Gjykata e Apelit. Sidoqoftë, Gjykata Supreme, duke vendosur për revizionin e të paditurës, e pranoi si të bazuar revizionin, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore dhe refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e diferencës në të ardhurat personale, pasi gjeti se parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar mbrojtje gjyqësore jashtë afatit ligjor të përcaktuar në nenin 87 të Ligjit të Punës.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të  garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke u fokusuar në vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretim të gabuar të ligjit, për faktin se (i) nuk e kishte pranuar kërkesën për revizion që ishte parashtruar nga e paditura; (ii) revizioni nuk ishte i lejuar në rastin e tij; dhe (iii) Gjykata Supreme kishte ngritur vetë çështjen e parashkrimit pa u thirrur e paditura në të. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendonte gjithashtu shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Supreme në mënyrë “arbitrare” kishte shkelur të drejtat e tij individuale.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata e cilësoi si pretendim të pabazuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mospranimin e kërkesës për revizion që ishte parashtruar nga e paditura, meqenëse pranimi i saj vërtetohej nga fletëkthesa. Ndërkaq, pretendimin e parashtruesit të kërkesës se revizioni ishte i palejuar meqenëse vlera e kontestit sipas padisë ishte 500 euro, Gjykata e vlerësoi si të pabazuar duke iu referuar nenit 212 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, pasi gjeti se vlera e kontestit ishte 3,303.58 euro, me ç’rast plotësohet kushti i shumës mbi 3,000 euro të kontestit, për të paraqitur revizion. Tutje, lidhur me pretendimin se Gjykata Supreme kishte vendosur për refuzim të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës për shkak të parashkrimit,  pa e ngritur pala e interesuar, Gjykata gjeti se çështja e afatit ligjor për të kërkuar mbrojtje gjyqësore ishte ngritur edhe para gjykatave të shkallës më të ulët dhe se në rastin konkret, siç është konstatuar nga Gjykata Supreme, mbrojtja gjyqësore nga parashtruesi i kërkesë ishte parashtruar jashtë afatit ligjor. Përfundimisht, sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”, rrjedhimisht, pretendime qartazi të pabazuara. Në anën tjetër, pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, Gjykata e cilësoi si të pabazuar, për faktin se i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shtjelluar se si ka ardhur deri te shkelja e kësaj të drejte.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Yusuf Timurhan

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative