Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ-UZVP. nr. 66/2018, të 5 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 34/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI34/19, Parashtrues i kërkesës: Qamil Lupçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ-UZVP. nr. 66/2018, të 5 dhjetorit 2018

KI34/19, Aktvendim për papranueshmëri i 25 nëntorit 2020, publikuar më 24 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar

Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Më 11 dhjetor 2015, parashtruesit të kërkesës, me Vendimin nr. 389 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të 7 dhjetorit 2015, i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të arritjes së moshës 65 vjeçare, përkatësisht për shkak të shkuarjes në pension.

Parashtruesi i kërkesës, kundër Vendimit të MPMS-së, nr. 389, të 7 dhjetorit 2015, inicioi procedurën administrative, dhe më pas edhe kërkesëpadinë para Gjykatës Themelore, duke pretenduar se para se të merrej vendimi për pensionim, MPMS, në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil, ishte e obliguar ta informonte parashtruesin 6 muaj para datës së pensionimit për përmbushjen e kushteve për pension.

Kjo procedurë gjyqësore kaloi nëpër të gjitha fazat e procedurës para gjykatave të rregullta dhe e njëjta përfundoi me aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme, me të cilin ankesa e parashtruesit të kërkesës u konsiderua e parashkruar sepse kërkesa e parashtruesit ishte e pabazuar dhe u mbështet qëndrimi i gjykatave të rregullta se në bazë të legjislacionit pozitiv, marrëdhënia e punës përfundoi sepse paditësi arriti moshën 65 vjeçare dhe se marrëdhënia e punës përfundoi pavarësisht nga dorëzimi ose mosdorëzimi i njoftimit.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përsërit të njëjtat pretendime që i kishte paraqitur para gjykatave të rregullta, të cilat, në thelb, kanë të bëjnë me interpretimin e dispozitave përkatëse të së drejtës materiale nga Gjykata Supreme.

Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se interpretimi i së drejtës materiale dhe procedurale është detyrë parësore dhe bie brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të tillë janë në përputhje me normativat dhe standardet kushtetuese.

Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, me KEDNJ dhe me DUDNJ.

Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Qamil Lupçi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative