Prishtinë, më 30 nëntor 2023
Nr.ref.: RK 2293/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI86/23
Parashtrues
Safete Palaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.2731/21] të Gjykatës Apelit të Kosovës të 30 shtatorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesja e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Safete Palaj nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës), e cila përfaqësohet nga Halil Palaj, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac.nr.2731/21] të Gjykatës të Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), i 30 shtatorit 2022.
Aktgjykimi [Ac.nr.2731/21] i Gjykatës të Apelit i 30 shtatorit 2022, i është dorëzuar parashtruesës së kërkesës më 27 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.2731/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesës së kërkesës të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregulltë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.”
Procedura në Gjykatë
Më 20 prill 2023, përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI86/23], caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI86/23] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci, anëtarë.
Më 10 prill 2023, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtrueses së kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 26 korrik 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Gjilan që të dorëzojë fletëkthesën që dëshmon ditën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Ac.nr.2371/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022.
Më 3 gusht 2023, Gjykata Themelore dorëzoi fletëkthesën e kërkuar në Gjykatë.
Më 7 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtë.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i çështjes ka të bëjë me njohjen e të drejtës në kompensim të tri pagave jubilare të parashtruesës së kërkesës nga Spitali i Përgjithshëm në Gjilan në shumën prej 2,142.36 euro, për shkak të përvojes së punës në kohëzgjatje prej 35 viteve në bazë të kontratës së marrëdhënies së punës nr.2256 të 31 dhjetorit 2012, si dhe bazuar në nenin 52 par.1,2 dhe 3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Më 10 maj 2020, parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Gjilan – Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), për shkak se Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, edhe pse ka pasur përvojë pune 35 vite, nuk i ka kompensuar pagat jubilare për të cilat pretendon se i takojnë në bazë të nenit 17 par.3 pika 3.3 të Kontratës Kolektive Sektoriale të Shëndetësisë dhe Ligjit të Punës.
Më 11 janar 2021, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.44/20] e (i) aprovoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesës së kërkesës; (ii) e detyroi Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan t’ia kompensojë tri (3) paga jubilare në shumën e përgjithshme prej 2,142.36 euro me kamatë ligjore prej 8%, e cila do të llogaritej nga dita e marrjes së aktgjykimit deri në pagesën definitive, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm; si dhe (iii) detyroi Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan që t’ia kompensoj parashtruesës së kërkesës shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën e përgjithshme prej 270 euro, në afat prej 7 ditësh nga pranimi i aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm. Gjykata Themelore në arsyetimin e saj, kishte vlerësuar se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, më saktësisht neni 52 i kësaj Marrëveshje ishte i aplikueshëm në rastin konkret dhe se Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ka për detyrim që me rastin e arritjes së viteve jubilare të paditëses, t’ia paguaj këto shpërblime të njëjtës.
Brenda afatit ligjor, Spital i Përgjithshëm në Gjilan kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të (i) konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe (ii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Brenda afatit ligjor, parashtruesja e kërkesës ka paraqitur në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesë duke propozuar që ankesa e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 30 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2731/21], e (i) aprovoi ankesën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan si të themeltë dhe (ii) ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.44/20] të 11 janarit 2021, duke refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesës së kërkesës.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Ac.nr.2731/21], Gjykata e Apelit ndër të tjerash theksoi se:
“Gjykata e Apelit gjen se paditësja jubilenë e 30 e ka mbushur në vitin 2014, ashtu që në atë periudhë i ka lindur e drejta për të kërkuar kompensimin e pagës jubilare nga e paditura. Pra, në kohën kur paditësja ka mbushur jubilenë ka mundur t’i drejtohet të paditurës apo Gjykatës për realizimin e të drejtës së saj, sepse ne atë kohë edhe ka qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe këtë të drejtë ka mundur që ta realizoj deri në vitin 2017 konform nenit 87 të Ligjit të Punës. Pra, në rastin konkret për këtë Gjykatë rezulton se kërkesëpadia e paditëses është parashkruar për faktin se është paraqitur jashtë afatit ligjor (...)”
Më 11 nëntor 2022, përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës paraqiti propozim për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 19 dhjetor 2022, Zyra e Prokurorit të Shtetit nëpërmjet Njoftimit [KMLC.nr.114/22],e kishte bërë të ditur se nuk kishte bazë ligjore për të paraqitur një kërkesë të tillë, sepse e njëjta mund të paraqitet vetëm nëse shkelja ka të bëjë me kompetencën territoriale, apo gjykata e shkallës së parë përkundër detyrimit ka nxjerrë aktgjykim pa seancë kryesore apo është vendosur për kërkesën rreth së cilës kontestimi është në vazhdim apo nëse në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku, e që asnjëra nga këto kushte nuk ishin plotësuar. Ndërsa, lidhur me pretendimin për aplikim të gabuar të së drejtës materiale, Prokurori i Shtetit kishte konstatuar se nuk ka gjetur ndonjë arsye bindëse dhe konkrete lidhur me këtë pretendim.
Pretendimet e parashtruesës së kërkesës
Përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës në kërkesën e parashtruar para Gjykatës, pretendoi se Gjykata e Apelit ka nxjerrë Aktgjykimin [Ac.nr.2731/21] në shkelje të të drejtave të parashtruesës së kërkesës, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregulltë) të KEDNj-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 24 dhe 31 të Kushtetutës, përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës thekson se “ Sipas nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parashihet se “të gjithë janë të barabartë para ligjit”. Cdo kush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore pa diskriminim”. Sipas nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, (e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm), e që në rastin konkret këto dy dispozita janë shkelur në mënyrë diskriminues ndaj shtetasës së Republikës së Kosovës Safete Palaj e punësuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan për këto arsye: 1.Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan me nr. të lëndës C.nr.1982/2020 i datës 12.06.2021 është aprovuar kërkesëpadia e paditësit M.J* (...) meqënëse i njëjti vitet jubilare i ka plotësuar në vitin 2015 (...) 2.Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës me nr. të lëndës AC.nr.3019/2020, i datës 13.02.2020 është aprovuar ankesa e paditëses Xh.I* nga Gjilani dhe është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan. (...)”
Në këtë drejtim, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta në situata të njëjta me parashtruesën e kërkesës kanë vendosur ndryshe, prandaj i njëjti thekson se “Vendosja nga ana e Gjykatës së Apelit në raport me Safete Palaj është diskriminim i pastër dhe cenim i rënd i dispozitave kushtetuese të lartëcekura, ku paditëses Safete Palaj përveç që iu ka mohuar një e drejtë ligjore për kompensimin e pagave jubilare në bazë të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, i janë cenuar edhe të drejtat dhe liritë themelore të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me Konventën Evropiane Për të Drejtat e Njeriut (...)”
Për më tepër, përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës konsideron se “ Gjykata e Apelit gabimisht konstaton se kërkesa e paraqitur nga paditësja Safete Palaj është kërkesë e cila është parashkruar, fakt ky që nuk qëndron meqë në bazë të nenit 87 të Ligjit të Punës kërkesat në para parashkruhen për periudhën kohore prej 3 viteve e që në rastin konkret paditësja në gjykatë është paraqitur në afatin ligjor meqë Marrëveshja Kolektive e Kosovës ka qenë në fuqi deri më datën 01.01.2018 e që i bie se kërkesa është paraqitur në gjykatën e shkallës së parë me datë 10.01.2020 që i bie pas 2 viteve e 10 ditë, pra në afatin ligjor, kjo për faktin se sipas nenit 52 par.3 i Marrëveshjes Kolektive ku parashihet se pas plotësimit të kushteve nga par.3 i nenit 52 punëdhënësi pa pasur nevojë fare të bëhet kërkesë në afat prej 1 muaji është dashur t’ia bëjë pagesën e pagave jubilare.”
Sa i përket shterimit të mjeteve juridike, përfaqësuesi i parashtruesës së kërkesës thekson se “ Revizionin nuk kemi mundur ta ushtroj për faktin se Revizioni nuk lejohet në kontestet ku vlera e objektit të kontestit nuk e kalon shumën prej 3000.00 euro dhe për këtë fakt kemi paraqitur propozim pranë Prokurorisë së Shtetit për ngritjen e Kërkesës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë e që prokuroria e shtetit e ka refuzuar propozimin që të paraqesë Kërkesë për Mbrojtjen e Ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, ashtu që me këtë propozim konsiderohet se janë shterur të gjitha mjetet juridike.”
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë )
[...]
“Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe [...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata, së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutës dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Përtej kritereve të përcaktuara më lart, Gjykata do t’i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata neni 47 (Kërkesa individuale) i Ligjit parasheh që:
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac.nr.2731/21] të Gjykatës të Apelit të 30 shtatorit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata në vazhdim do të vlerësojë se : (i) cili është “vendimi i fundit” në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës në ndërlidhje me rrjedhjen e afatit ligjor 4 (katër) mujor nga neni 49 i Ligjit, përkatësisht “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” dhe (ii) nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullorës së Punës.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” në procesin e shterjes së mjeteve juridike dhe parashtruesit e kërkesave duhet t’i shterojnë vetëm mjetet juridike të cilat janë efektive, përkatësisht mjetet juridike lejueshmëria e të cilave është e përcaktuar me ligj. Parashtruesit e kërkesës nuk mund të zgjasin afatet kohore strikte të përcaktuara me Ligj dhe Rregullore të Punës, duke u përpjekur të ushtrojnë mjete juridike pranë autoriteteve përkatëse, të cilat nuk kanë kompetencë ligjore që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave dhe të lirive themelore, cenimin e të cilave e pretendojnë parashtruesit e kërkesave (shih, ndër të tjerash, rastet e Gjykatës, KI48/21, me parashtrues Xhavit R.Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GjENDj-së: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Bazuar në shkresat e lëndës dhe në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se procedura ndaj parashtruesës së kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktgjykimin [Ac.nr.2721/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022. Parashtruesja e kërkesës pas pranimit të Aktgjykimit në fjalë, ka përdorur mjetin e jashtëzakonshëm juridik – kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të cilën sipas arsyetimin të Njoftimit [ KMLC.nr.114/22] të Prokurorit të Shtetit të 19 dhjetorit 2022, nuk ka pasur bazë ligjore të përcaktuar me Ligjin për Procedurën Kontestimore për të parashtruar një mjet të tillë juridik.
Sa i përket kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur pranë Prokurori të Shtetit, Gjykata vëren se është bëhet fjalë për një mjet juridik që nuk është në dispozicion të drejtëpërdrejtë të parashtruesit të kërkesës, por një mjet juridik që varet nga “ndërmjetësi”, e që në rastin konkret, “ndërmjetësi” është Prokurori i Shtetit, dhe si e tillë ajo nuk shqyrtohet nga Gjykata (shih rastin e GjEDNj-së, Tanase kundër Moldavisë, nr. 7/08 , Aktgjykim i 27 prillit 2010, paragrafi 122; shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI184/18, parashtrues: Ilir Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 gushtit 2019, paragrafi 49).
Për më tepër, Gjykata vlerëson se në rastin e parashtruesës së kërkesës, pas pranimit të Aktgjykimit [Ac.nr.2721/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022, nuk ka ekzistuar ndonjë rrethanë konkrete që e ka ndaluar parashtruesën e kërkesës t’i drejtohet Gjykatës, apo një pretendim të tillë nuk e ka provuar dhe dëshmuar para Gjykatës.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe rreugllin 34 (1) (c) të Rregullorës së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik” është Aktgjykimi [Ac.nr.2721/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022 dhe i cili është përfundimtar. Prandaj, Gjykata më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë brenda afatit 4 (katër) mujor në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullorës së Punës.
Në mënyrë që Gjykata të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës dhe të sigurohet lidhur me ditën e pranimit të vendimit të mjetit të fundit efektiv juridik, sipas përcaktimit të mësipërm të Gjykatës, më 26 korrik 2023 Gjykata dërgoi një shkresë tek Gjykata Themelore, duke kërkuar që të dorëzojë fletë-kthesën e cila do të dëshmonte se kur e kishte pranuar parashtruesja e kërkesës Aktgjykimin [Ac.nr.2721/21] të Gjykatë së Apelit të 30 shtatorit 2022.
Më 3 gusht 2023, Gjykata pranoi fletë-kthesën e dorëzuar nga Gjykata Themelore dhe bazuar në shkresat e lëndës, respektivisht fletë-kthesës së dorëzuar, Gjykata vërtetoi se parashtruesja e kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Ac.nr.2721/21] të Gjykatës së Apelit të 30 shtatorit 2022, më 27 tetor 2022, ndërsa kërkesën ne Gjykatë e ka dorëzuar më 20 prill 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesës së kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të Punës.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullorës së Punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapua për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI48/21, me parashtrues Xhavit R.Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; KI128/21, me parashtrues Shkëlzen Mustafa, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 shtatorit 2021, paragrafi 40 dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258 dhe Kevin O’Loughlin dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr.23274/04, Vendim i 25 gushtit 2005).
Si përfundim, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor, ashtu siç kërkohet me nenin 49 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata vlerëson se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (c) dhe 48 të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 7 nëntor 2023, njëzëri,
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Safete Palaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile